MARSHI I KUSARËVE (Në një variant të ri – pjesa e dytë)

Arben Duka January 11, 2016 12:31

MARSHI I KUSARËVE (Në një variant të ri – pjesa e dytë)

Në ekran-kusarët,
na mbijnë çdo ditë,
saqë pak t’i shohësh,
dhe të dhembin sytë!
 
Kush të dalë më shumë,
sot janë vënë në garë,
për të na treguar,
se janë shpëtimtarë!
 
Dhe është vërtetë,
super ironi,
që këta të bëjnë,
Ligj e Drejtësi!
 
Ironi dhe tallje,
është në të vërtetë,
se këta e tretën,
drejtësinë e shkretë!
 
Dallim nga të tjerët,
s’bën dot Shqipëria:
“Si është politika,
është dhe drejtësia!”
 
Politika vjedh,
dhe bën batërdi,
e tani papritur,
do bëjë drejtësi?!
 
Kot të gënjen mendja,
more-Donald Lu,
ti këta s’i njeh,
se s’ke qenë këtu!
 
Në këtë reformë,
s’i bën dot faktorë,
dy që janë në SHQUP,
deshët me këmborë!
 
Dy kryekusarë,
dhe ekzekutorë,
kokat e problemit,
s’i bën dot faktorë!
 
Apo ke vendosur,
me ata-o plak,
të gjitha haleve,
t’u vihet kapak?!
 
Apo keni gjetur,
barkën e shpëtimit,
çdo gjë dhe çdo gjë,
të nisë prej fillimit!
 
S’mund të ketë konsensus,
kurrë për këto gjëra,
po gjithë ato vjedhje,
dhe vrasjet e bëra!
 
Kur krimit të shkuar,
i vë kusht harrimin,
ti ke bërë me dashje,
Amnisti për Krimin!
 
Po nuk mund të ngrejë,
kjo farë hajduti,
një shtëpi të re,
mbi themele muti!
 
Po ne ndaj votuam,
në atë Qershor,
që përpara ligjit,
të dilte çdo horr!
 
Të dilte çdo horr,
dhe në burg të kallej,
s’menduam se horri,
sot me ne do tallej!
 
Skotë e barbarisë,
sot tallet vërtetë,
sepse tani flet,
në vetën e tretë!
 
Në vetën e tretë,
do bëjë drejtësi,
se nga mazhoranca,
ka marrë garanci!
 
Po përse u deshën,
një milion vota,
sot po duket qartë,
se qenë krejt të kota!
 
Një milionë vota,
që shporrën Salinë,
u dhanë pikësëpari,
veç për drejtësinë!
 
Po edhe më keq,
e bënë drejtësinë,
s’deshën-a nuk ditën,
këtë nuk e dimë?!
 
Huri i të padrejtës,
më keq na është kallur,
sa u bë Sovrani,
emër për t’u tallur!
 

(Vijon në një numër tjetër)

Arben Duka January 11, 2016 12:31
Komento

1 Koment

  1. zana January 12, 09:58

    madheshtor

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*