Marshimi luftarak me Hashim Thaçin dhe lotët e fëmijëve që na dhanë forcë

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 9, 2013 10:47

Marshimi luftarak me Hashim Thaçin dhe lotët e fëmijëve që na dhanë forcë

Sa më shumë kalonin ditët në frontin e luftës në Kosovë, për kolonelin nga Shqipëria që tashmë ishte një nga drejtuesit në shtabin qendror, rritej përgjegjësia. Më 16 maj të vitit 1999, nga fronti i luftës, Goxhaj u nis një letër kolegëve të tij mësues në Tiranë ku u tregon për heroizmin e luftës, por dhe për krenarinë që ndjen nga kontributi i luftëtarëve nga Shqipëria në këtë luftë. Njëkohësisht, në ditarin e  tij përfshihen dhe komunikatat e luftës si dhe përpjekjet që bëheshin për fuqizimin e radhëve me luftëtarë të rinj…

 

LETËR NGA LUFTA

(Kolegëve të mi arsimtarë të shkollës 8 vjeçare në Kodër-Kamëz, Tiranë)

Kosovë, 16 Maj 1999

Të dashur kolegë!

Lutem, pranoni urimet e mia për mbylljen me sukses të këtij viti shkollor plot brenga shoqërore të popullit e të kombit tonë. Uroj që këtë vit mësimor ta mbyllni me përqindje sa më të lartë kaluese. Më besoni, shpesh jetoj me punën tuaj plot pasion e dobiprurëse për shoqërinë. Kjo ndjenjë më shtohet edhe më shumë në rastet kur më takon të kaloj nëpër rajone ku ka popullsi të grumbulluar në vende të kontrolluar nga UÇK-ja, për t’i mbrojtur nga ushtria më antinjerëzore që njeh historia, të cilën po e shoh për ditë me sytë e mi. Ajo është ushtria serbe.

Jam më se i bindur që ju i keni ndjekur lajmet mbi luftën që po bëhet në Kosovë dhe për këtë nuk kam as më të voglin dyshim, por, ato çka janë transmetuar deri tash nëpërmjet organeve të medies rreth masakrave serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, besomëni, janë si pika e ujit në oqean. Ju i kini parë kampet e krijuara në Shqipëri me popullsinë shqiptare të shpërngulur nga Kosova, e  ndoshta edhe kini strehuar familje shqiptarësh prej këtej, por kurrë nuk mund ta merrni me mend gjendjen katastrofike të shqiptarëve të shpërngulur e të ngujuar në malet e Kosovës. Ata, duke u larguar me urgjencë, kanë mundur të marrin me vete vetëm fëmijët dhe kanë ikur me vrap, duke lënë prapa gjithçka nën mëshirën e flakëve të zjarrit të ndezur nga policia dhe ushtarët serbë, si hakmarrje ndaj humbjeve të pësuara në ndeshjet me bijtë luftëtarë të Kosovës. Si të tillë, këta të shpërngulur kanë nevojë për mbrojtje, për ushqim, për veshje, për fjetje, e në mënyrë të veçantë për ilaçe. Në këto kushte luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së nuk kursejnë asgjë, as jetën e tyre.

Po u tregoj një rast. Në një marrshim që bënim së bashku disa nga ne të Shtabit të Përgjithshëm me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Hashim Thaçi, dhe me disa anëtarë të tjerë të qeverisë, na takoi që të kalonim mes për mes një vendgrumbullimi të madh të popullsisë së zhvendosur në një grykë mali. Diku larg zhvilloheshin luftime. Krismat e armëve ishin shumë të shpeshta dhe të afërta. Nga krismat, kuptohej që luftimet ishin të rrepta. Ishin orët e mesditës. Gratë, fëmijët dhe pleqtë, që përbënin kampin, porsa panë ne, një grup luftëtarësh, dolën nga mbulesat prej plasmasi të lidhura nëpër degët e shkurreve të pyllit dhe na përshëndetën.

Në një moment na duhej që të ndalonim, pasi shumë fëmijë kishin bllokuar rrugën dhe na nderonin si luftëtarë seriozë, duke u munduar sejcili që të na prekte me dorë. Shumica ishin fëmijë shkolle. M’u duk sikur isha para oborrit të shkollës, sikur ata ishin nxënësit e mi dhe tuaj. Ndalova dhe fillova t’i puth me mall, por lotët më tradhtuan. Hashimi e vuri re dhe urdhëroi të pushonim. Ai u shkëput nga ne dhe shkoi të bisedonte me një masë më të madhe njerëzish, burra e gra, të cilët u grumbulluan shumë shpejtë, duke u filmuar nga arkivisti ynë, Nuriu, ndërsa unë fillova t’i pyes fëmijët për emrat, për baballarët, për vëllezërit e motrat, për klasën që u ish ndërprerë etj. Shtysa e profesionit mbase. Nuk do ta besoni: të gjithë ata fëmijë i kishin baballarët dhe vëllezërit e rritur në radhët e UÇK-së dhe për këtë mburreshin, duke mos i lënë radhë njëri-tjetrit! Nxorra mallin e u çlodha njëkohësisht, edhe pse ishim pa gjumë dhe kishim shumë orë që udhëtonim. Njerëzit nuk na njohën se kush ishim, por edhe ne nuk u prezantuam.

Të dashur kolegë, gjatë atij takimi dallova diçka që nuk e pata vënë re më parë dhe që m’u duk shumë interesante: Fëmijët më kuptonin çdo fjalë që unë u flisja, pasi ma kthenin përgjigjen menjëherë, ashtu si e kanë fëmijët, të gjithë njëherësh. Ndërkohë që kjo nuk më ka ndodhur me  më të rriturit, me të cilët shpesh detyrohem të përdor dialektin e tyre. A mund të ma shpjegoni se si mund të ndodhi një gjë e tillë? Mos vallë nga që fola me ta si mësuesi me nxënësin? Unë nuk mundem ta shpjegoj. Më pas fillova ta shoh me tendencë këtë dukuri dhe kështu më ka rezultuar. Por le të kthehemi tek rasti që po flas.

Më në fund u nisëm për rrugë, mirëpo luftimet zhvilloheshin në drejtim të kundërt nga ne do të vijonim marshimin dhe që duhej të shkonim pa tjetër. Fëmijët ngritën dorën për të na përshëndetur ushtarakisht sipas nderimit shqiptar dhe nuk po i ulnin duart. Vura re se ata sikur u ngurtësuan. E mbanin shikimin të përqendruar tek ne. Në moment mendova se e morën atë pamje nga që kujtuan prindërit dhe vëllezërit e tyre luftëtarë. Por, jo. Shpejt e zbërtheva enigmën. E kuptova.

Ata po i habiste drejtimi ynë i lëvizjes. Ne nuk po shkonim në drejtimin ku zhvilloheshin luftimet me armikun. Shkëmbeva vështrimin tim me të Kryeministrit. Edhe ai e kish kuptuar ngurtësimin e fëmijëve. Kolona jonë ndaloi lëvizjen, sepse nuk po lëvizte Kryeministri. Ai pas një hezitimi të vogël urdhëroi që kolona të ndryshonte drejtimin e marshimit. Fëmijët u ç’ngurtësuan menjëherë dhe filluan të ecnin para dhe përkrah nesh. Ata na shoqëruan deri në skajin fundor të kampit.

Atë ditë nuk shkuam në vendin ku na prisnin. Kryeministri, ministrat dhe disa nga Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm u rreshtuan në transhe, krah për krah me luftëtarët dhe luftuan deri sa ushtria serbe hoqi dorë nga sulmi. Atë ditë na u plagos edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Ramë Buja. Me urdhër të kujt ndryshoi drejtimi i marshimit tonë? Ai ishte urdhër i dhënë me shikim nga brezi i ardhshëm i Kosovës, fëmijët e saj.

Kur dëgjova në TVSH se Ministria e Arsimit e R. Shqipërisë bënte thirrje për mësimdhënie në shkollat verore për fëmijët shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga Kosova, mendova sikur punonjësit e asaj Ministrie na kishin parë ne që përcilleshim nga fëmijët në luftë, që ata atje, tek ju, të vazhdojnë shkollën, sikundër këta këtu, të cilët mësojnë të luftojnë me ne.

Të nderuar kolegë, më falni që nuk u tregova para se të nisesha në Kosovë, përveç drejtor Aliut. Besoj se tashti nuk do të më mbani inat. Më falni se u zgjata dhe kam frikë se mos u mërzis pasi jini të lodhur me mbylljen e vitit mësimor, pasi e di se kini zhvilluar shumë detyra kontrolli dhe me çeljen e atij veror me nxënësit e ardhur nga Kosova.

Me shumë mall e dashuri

Shpëtim Golemi (Pseudonimi i Dilaver Goxhajt) d.v.

Të dashur shokë e kolegë, bashkangjitur po u nis edhe komunikatën e ditës së sotme të SHP të UÇK-së

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS

SHTABI I PËRGJITHËSHËM

KOSOVË, më 16.05.1999

 

*      *     *

 

KOMUNIKATË LUFTE. NR. 78

Ne luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi shumë të indinjuar nga fyerja që vazhdon të përsëritet nga shumë dashakeqës tanë, duke na cilësuar si ekstremistë, pse e kërkojmë pavarësinë e Kosovës me armë në dorë, kërkesë, të cilën e kanë shprehur dhe vënë në programet e tyre edhe ata që na akuzojnë si ekstremistë.

Dihet se lufta e armatosur për liri është aktiviteti jetësor më ekstrem për të fituar lirinë dhe pavarësinë, por atë nuk mund ta bëjnë as frikacakët dhe as tartufët. Luftën për liri e pavarësi e bëjnë bijtë më të mirë, më tolerantë dhe më besnikë të popullit, të cilët rrëmbyen armët atëherë kur pushtuesi serb kish tendenca për të zhdukur çdo gjë shqiptare në Kosovë. Po provohet se liria nuk dhurohet por fitohet.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si kërkesë jetike e popullit shqiptar në Kosovë, kur të gjithë ata që kërkonin lirinë me rrugë pacifiste kishin dështuar. Nëpërmjet pacifizmit tetëvjeçar u bënë shumë manipulime politike, për të mashtruar popullin shqiptar në Kosovë e për të frenuar çdo shkëndijë force për liri, pasi manipulatorëve politikë ua helmonte shpirtin frika e mosmarrjes së pushtetit, prandaj dhe solidaritetin me bijtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e zëvendësuan me qëndrimin cinik, fyes e indiferent. Pasojë e këtij qëndrimi ishin edhe bisedimet në Beograd, kur ushtria serbe digjte tërë Kosovën dhe po shpërngulte 1.400.000 shqiptarë të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri historike, ku luftëtarët e parë të saj ishin idealistët më të zjarrtë për pavarësinë e Kosovës, të cilët një pjesë të jetës së tyre e kaluan nëpër burgjet e Jugosllavisë, të akuzuar si antikomunistë dhe ekstremistë. Ne i kemi rrëmbyer armët as për interesa personale, as për interesa klasore dhe as për qëllime ideologjike, sikundër duan të na akuzojnë disa shqipfolës.

Populli shqiptar i Kosovës e formoi Ushtrinë e vetë Çlirimtare jo për revolucion shoqëror kundër qeverisjes me ngjyrë kombëtare, por po bën luftë për t’u çliruar nga pushtuesi shekullor. T’i ngatërrosh këto të dyja, do të thotë të jesh qëllimkeq.

Ne, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, si produkt i Marrëveshjes së Rambujesë, e kemi më se të qartë se është shteti ai që lind nga gryka e pushkës, dhe jo pushteti. Ne po luftojmë për të bërë shtet të lirë, ndërsa pushtetin e lirë e bën vota e lirë. Për këtë qëllim strukturat e UÇK-së janë duke u përsosur drejt objektivit tonë strategjik, në përshtatje me misionin e shenjtë: çlirimin e Kosovës, si ushtri me standarde të demokracive perëndimore. Këto përsosje, Shtabi i Përgjithshëm shumë shpejt do t’i bëjë të njohura për opinionin.

Për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së                                                                                                          Agim   Çeku                                                        

Shefi i Shtabit

 

HOMAZH PËR ALI PRESHEVËN

Të gjithë ata që e kanë njohur Ali Aliun – Presheva, ose qoftë edhe sikur të kenë dëgjuar për të, sot që morën lajmin e ndarjes së tij nga jeta, jam më se i bindur se për momentin kanë heshtur, kanë ndalur punën apo bisedën apo ushqimin, në kujtim të jetës dhe veprës të këtij Njeriu të Mirë dhe Patriot deri në grahmën e fundit të jetës së tij. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër apo që kanë punuar me Bacën Ali Presheva janë krenuar dhe krenohen me atë njohje. Ndërsa unë kujtoj një nga momentet më mbresëlënëse në jetën time kur jam njohur dhe si jam njohur me Bacën Ali, dy vjet pas mbarimit të Luftës Çlirimtare në Kosovë.

Gjatë luftës në Luginën e Preshevës, 2000-2001, nga Shteti amë, në radhët e UÇPMB-së ishte edhe një djalë nga Labëria, të cilin e ndaloi dhe e dënoi qeveri e Tiranës, me 13 muaj burg, me motivacionin: dezertoi nga ushtria e Republikës së Shqipërisë dhe shkoi e luftoi në Preshevë. Arrestimi i atij djali u bë dy muaj para se të ndalej lufta në Luginën e Preshevës dhe, pas 9 muajve iu bë gjyqi në Tiranë. Çuditërisht, gati disa minuta pasi pat filluar seanca gjyqësore, vjen në sallën ku zhvillohej gjyqi një prej policëve të shërbimit dhe njofton trupin gjykues se, kish ardhur një plak nga Presheva dhe dëshironte të ndiqte atë seancë gjyqësore. Trupi gjykues urdhëroi që të lejohej plaku. Me të hyrë në sallë, plaku, pasi e falënderoi trupin gjykues që ia mundësoi kërkesën, u kërkoi që mundësisht ta lejonin të takonte ish luftëtarin e UÇPMB-së. Edhe këtë kërkesë ia plotësuan. Pasi e puthi në balle “të pandehurin për tradhti”, u kthye nga trupi gjykues dhe u tha: “U faleminderit shumë që më dhatë këtë mundësi që unë të mund ta njihja e ta puthja në ballë këtë djalë. Dhe, meqenëse ma dhatë këtë mundësi, ndoshta do të më lejoni t’ua shpjegoj, psenë.”  Dhe kryetari i trupit gjykues e lejoi, duke i dhënë shenjë me lëvizjen e kokës.

“Une, vijoi plaku Preshevar, tanë jetën teme kam luftu me mënyrat e mia me çlirue trevat shqiptare, sidomos Preshevën teme, dhe me i bashku me Shqipninë amë. Për këtë edhe jam dënuar e kam kry mbi dy dekada burg, por kur erdhi dita me rrëmby armët, sikundër e shihni, nuk kisha ma kambë. Por ja që, midis të rinjve nga Presheva, Bujanovci e Medvegja erdhën edhe shumë djem nga Kosova, Maqedonia e Shqipnia, madje edhe nga Labëria e largët, duke u mundu me bë realitet ëndrrën dhe dëshirën e qindra-mijëra shqiptarëve të vrarë e të burgosur nga Serbia e Jugosllavia. Ju bani ashtu si u thonë ligjet apo qeveritë tuaja, unë i them këtij djali: Faleminderit shumë në emër të të gjithë të gjallëve dhe të patrioteve të vrarë e të vdekun, që erdhe për të na çliruar, duke qenë i gatshëm të japësh edhe jetën për çlirimin e Preshevës teme. Faleminderit!”

Dhe ai plaku nga Presheva ishte baca Ali Aliu. Pasi tha këto fjalë, baca Ali nderoi me grusht, dhe ashtu, çuk-çuk me bastunin në dorë, u largua nga salla e gjyqit. Në sallën e gjyqit, e cila ishte cip më cip me të afërm të të pandehurit për tradhti pse pat shkuar me luftue në Preshevë, dhe gazetarë, nuk dëgjohej as miza. Edhe pasi doli Baca, heshtja vijoi. Atë e theu kryetari i trupit gjykues, i cili me vështirësi  i mbante emocionet, dhe tha: “Seanca për sot mbyllet. Ajo vijon nesër në të njëjtën orë”.

Kjo që unë tregova, nuk përbën as edhe një të miliontën e veprimtarisë së Bacës Ali Aliu, por ajo që unë dëshiroj të theksoj, është se vajtja e atij djalit nga Labëria në luftë për çlirimin e Preshevës, nuk ishte rastësi. Qysh në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, në Labëri është kënduar dhe vijon të këndohet një këngë, tekstin e së cilës unë e kam kuptuar pasi filloi lufta në Preshevë, kur mësova se kufiri i atij territori me Serbinë është te Molla e Kuqe.

Ja se çfarë thotë kënga: “Moj Hanko buzë kutia/ Varu poshtë nga xhamia/ Të të shohin djemuria. / O djema mos më ngacmoni/ Merrni armët edhe shkoni/ Te Mollë e Kuqe qëndroni/ Me vëllezërit luftoni/ Pastaj eni e këndoni”.

Por historia nuk mbaron me kaq. Në periudhën e çetes së Çerçis Topullit, pat ardhur në Labëri edhe një djalë nga Presheva dhe qe rreshtuar për një periudhë disa mujore në atë çetë patriotike. E quanin Hasan Kadriu Presheva, i ati i Arben Presheves, sipas librit “Tradhtia” të Kapllan Resulit, farefis me Bacën Ali Aliu.  Kështu që, djali i ardhur nga Labëria në luftën për çlirimin e Kosovës Lindore, në radhët e UÇPMB-së, ishte një domosdoshmëri e caktuar nga fuqi madhore atdhetare dhe jo rastësi.

Kjo, edhe për një fakt tjetër. Hasan Kadriu pat qenë bashkëluftëtar me  Hito Labin, që vrau Bimbashin turk në Gjirokastër, e cila është përjetuar te kënga: “Doli shkurti, hyri marsi / Gjirokastër u vra Bimbashi / Te rrapi në Mashkullorë / Foli Çerçizi me gojë…./ Të vranë o Bimbash të vranë / Çerçizi me Hito Labnë…” Mirëpo Hito Labi është stërgjyshi i djalit nga Labëria në radhët e UÇPMB-së. Ja që u vërtetua ajo që thotë filozofia se, domosdoshmëria e çan rrugën përmes rastësive.

Por kemi edhe një ngjashmëri tjetër. Çetën e kohës së Çerçizit e luftonte Perandoria e Sulltanit, ndërsa “çetën”-ushtri të Preshevës e luftonte Perandoria e Solanës, ndaj edhe ai djalë u dënua. Pra, historia përsëritet, por në një shkallë më të lartë. Dhe intuita e patriotit Ali Aliu e thirri dhe i tha: “Shko e falëndero luftëtarët”, dhe ai mori rrugën dhe erdhi prej Prishtine në Tiranë për të shprehur atë mirënjohje domethënëse para trupit gjykues të Tiranës. Sepse, patriot nuk është vetëm ai që rrëmben armët për liri e pavarësi, por gjithkush që e mbron popullin e tij nga padrejtësitë, hajnitë dhe poshtërsitë e qeverisë së tij. I tillë ishte dhe do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar Baca Ali Aliu-Presheva.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Nga ditari luftarak i kolonel Dilaver Goxhajt: Biseda në mesnatë nga fronti i luftës me gjeneralin boshnjak me origjinë shqiptare Ismail Pasha dhe mundësie e kontaktit me Hajro Limajn, atasheun ushtarak të

Shqipërisë në Turqi.

-Vizita në Tërpezë më 24.07.1999, biseda e rrallë me Baca Azemin dhe shtimi i radhëve të UÇK-së me luftëtarë të rinj.

-Shoqata ‘Vullnetari i Lirisë’ dhe roli i shtetit dhe ushtarakëve shqiptar në mbështetjen dhe fuqizimin e UÇK-së.

 

 

 

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 9, 2013 10:47
Komento

3 Komente

  1. Pëllumb zaimi September 10, 01:37

    Per mua dilaver i dashur jane te njohura këto ngjarje por përséri i rilexoj. Jane shume mbresëlënëse! E verteta eshte qe ate qe bere ti me mjaft ushtarakë nga shqiperia ne nuk e bëmë? Per nje sërë rrethanash… Më tërhoqi vemendjen fakti qe ju nuk e thoni emrin e oficerit shqiptar qe gjykohej ketu per “dezertim nga ushtria” sepse shkoi te luftonte ne preshevë! Duhet ta thoni dilo? Ai ishte djali juaj dritani! I lumtë atij plakut preshevas qe erdhi ne gjyq dhe tha ato qe mund t’i thote vetem nje patriot i vërtetë. Nuk e dija qe ishte fis i arben presheves. Madje nuk e dija qe arben presheva paska qene persònazh real? Mendoja se ishte nje personazh thriller i kapllan resulit. Mbreselënëse dhe ndodhia me femijet e shperngulur. Vazhdo te ngresh luften e uçk dilo! Mos u tut nga dashakeqet. Jane pjese e jetes dhe ata. Por ne rastin tuaj jane virtuale dhe te pakte shume te pakte. Lehin por nuk te vrasin si armiku serb qe kishit perballe. Vazhdo sepse kini dhe nje faré pergjegjesie historike per te pasqyruar nje lufte dhe nje ushtri per te cilat ne shtetin amë eshtë folur e shkruar shume pak. E identifikoi mjaft bukur dhe gazetari boriçi këtë fakt. Ke shume dashamires dhe lexues dilo. Pergezime per ju dhe per gazetarin boriçi!

    Reply to this comment
  2. Jani September 10, 01:42

    Ju pershendes me gjithë zemer ju qe late familjet tuaja dhe shkuat të luftoni per nje çeshtje mbarekombëtare. Kush hedh baltë mbi ju është vet balta?

    Reply to this comment
  3. Pejani September 10, 01:45

    Te kom pa me syte e mi dilaveri prej shqipnie çka ke bo tina per uçk. Falemners!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim