Masakra arkeologjike në Durrës dhe një profkë e policisë

Gazeta "Dita" February 2, 2013 08:43

Masakra arkeologjike në Durrës dhe një profkë e policisë

Ndërsa policia mbush mediat me sukseset e veta për kapjen e autorëve të vjedhjeve të kishave, pa bërë të ditur se në cilat kisha janë vjedhur objektet e kapura, në fakt anashkalon masakrën që po i bëhet trashëgimisë kulturore në vendin tonë

Bruno Marku

Para dy ditësh në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës policia ka arrestuar një të ri 24-vjeçar, në çantën e të cilit u gjetën një sasi objektesh kishtare dhe orash xhepi, të cilat ai po i transportonte për t’i tregtuar në shtetin fqinj, Greqi. Objektet që ai kishte me vete u dhanë në të gjitha kanalet televizive dhe me përjashtim të dy objekteve që duhej të ishin kishtare , objektet e tjera ishin objekte kulti familjar, të cilat tregtohen lirshëm në të gjitha dyqanet e antikuareve në Shqipëri, si në Tiranë, Krujë, Korçë, Shkodër etj. Por edhe në dyqanet e antikuareve në Greqi si në zonën e njohur të Athinës ku tregtimi i tyre është masiv, Manastiraq etj.

Së bashku me to ishin edhe 4 orë xhepi ose siç njihen ndryshe, orë me qostek. Policia deklaroi se një numër i madh veprash arti, që sipas policisë janë të vjedhura u sekuestruan në pikën kufitare të Kakavijës, teksa një shtetas nga Tirana tentonte t’i transportonte ato ilegalisht jashtë vendit.

Policia sqaronte se personi në fjalë i kishte fshehur veprat e artit në një çantë dhe ishte pasagjer në makinën ku u krye kontrolli. Sipas policisë, mes veprave të artit kishte kryqe, piktura dhe ikonostase të vjedhura në kishat e vendit. Nëse do të flasim me gjuhën profesionale, policia e Gjirokastrës duhej t’i kishte të karteluara objektet e vjedhura dhe të saktësonte se ishte zbuluar objekti i vjedhur në këtë apo atë objekt kishtar. Kjo do të ndodhte nëse do të ishte e vërtetë.

Po objektet nuk janë të Gjirokastrës dhe as të kishave të asaj zone. Kjo sepse ato shiten lirshëm ne dyqane. U tha, pavarësisht se nuk u deklarua zyrtarisht, se personi i ndaluar, ishte edhe i licencuar. Nuk dihet saktësisht nëse ishte ose jo, por të afërm të tij dihet se kanë pasur edhe dyqane antikuarësh me taksa të paguara zyrtarisht ndaj shtetit të tyre.

Teleshikuesit panë në ekrane një pjesë të së vërtetës, ndërsa një ditë më pas u pretendua se operacioni ne Kakavijë ka pasur edhe një fazë të dytë shumë të suksesshme. Policia ka njoftuar se faza tjetër ishte në Durrës ku ka vijuar operacionin “Antika” të nisur në Kakavijë dhe ku në pranga, sipas saj, ka rënë Edjon Abazi, të cilit iu sekuestruan një sërë veprash arti.

Pas kësaj ngjarjeje, policia ka ushtruar kontroll në banesën e 24-vjeçarit në Durrës ku edhe banonte dhe ku janë gjetur vepra arti të tjera, të vjedhura në objektet e kultit në vendin tonë.

Nisur nga argumentet dhe fotot e tjera nga të policisë, çfarë do të sjellim pak më pas në këtë shkrim, tregon se nuk është plotësisht real.

Njoftimi i policisë

“Më datën 31.01.2013, rreth orës 15:00, efektivat e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë rreth orës 12:30 gjatë kontrollit në vijën e dytë të bagazheve të pasagjerëve që udhëtojnë në makina të vogla në drejtim të shtetit grek, Edion Abazi, 24 vjeç nga Durrësi që udhëtonte si pasagjer në një autoveturë, në çantën e tij iu gjetën një numër i konsiderueshëm vepra të kulteve fetare, si kryq, piktura, pjesë të ikonostasit, të epitafit etj., vepra të vjedhura në kisha të ndryshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Gjirokastrës ditën e djeshme.

Në pamjet e dhëna në foto, nuk kishte pjesë ikonostasi. Njoftimet e mëvonshme kanë bërë me dije se grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij trafiku dhe pjesëtarëve të tjerë të implikuar në këtë trafik. Ndërkohë mësohet se vepra arti të vjedhura në objektet e kultit janë sekuestruar pasditen e së enjtes nga policia kufitare e Kakavijë dhe në Durrës.

Blutë e Durrësit kanë ushtruar kontroll në banesën e 24-vjeçarit që ndodhet në lagjen 17 të qytetit bregdetar, në afërsi të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku janë gjetur të tjera vepra arti. Burime policore bëjnë të ditur se janë sekuestruar 16 qypa mesjetarë me madhësi të ndyshme, 11 kolona mermeri antike, 1 kolonë graniti, 25 blloqe gurësh antikë, 1 kornizë mermeri antike, 3 amfora dhe 29 fragmente të restauruara.

Ndaj Abazit është ngritur akuza e “trafikimit të veprave të artit dhe kulturës”. Ndërkohë, burimet policore bëjnë të ditur se vazhdojnë hetimet për të zbardhur më tej këtë trafik mes dy vendeve dhe persona të tjerë të përfshirë në të. Kaq. 24-vjeçari është arrestuar, ndërsa është justifikuar edhe zhurma e madhe propagandistike.

Po ndërsa është bërë një pjesë pune e zhurmshme, nga hetimet do të dalë me siguri se këto kolona të mëdha nuk janë vjedhur ndër kisha, sepse nuk janë objekte fetare ose kishtare.

Objektet e sekuestruara në Kakavijë 24-vjeçarit janë thjesht fluska sapuni krahasuar me ato që i janë gjetur në shtepi. Po e keqja është se do të penalizohet mbase për ato objekte që i ka blerë, ndërsa për kolonat, kornizat e mermerta etj, do të jetë e vështirë që ta penalizojnë.

Thjesht se qypa të atillë siç iu gjetën në oborrin e banesës në Durrës, ka me mijëra në lokalet e Durrësit, Tiranës dhe shumë qyteteve të cilat shërbejnë për të krijuar mjedise të rehatshme në lokale, por që janë të tregtuara nga persona që merren me këtë treg. Mos do t’i penalizojë policia dhe këta pronarë lokalesh?!

Po të shkojmë më tej. Kolonat dhe shtyllat e mermerta dhe prej graniti, sipas policisë, rreth 16 copë, nuk janë vjedhur. Ato thjesht janë nxjerrë nga hedhjet e dherave nga zonat arkeologjike të Durrësit ku po ndërtohet. Nga një foto po paraqesim zonën e këtyre dherave, ku janë hedhur ato në zonën e ish-Kënetës dhe një shtyllë gjigante, e cila ka mbetur në derë të një stani, pasi është e rëndë dhe nuk mund të transportohet.

Fotoja është bërë në distancë dhe diametri i kolonës është mbi 1.2 m. A ka ligj që do të penalizojë të gjithë ata persona zyrtarë që dhanë leje që të shkatërrohen këto vlera arkeologjike në sitet e qytetit  me fadroma dhe të hidhen në kënetë?! Po ata dhjetëra arkeologë që kanë detyrë ligjore të bëjnë të famshmen arkeologji shpëtimi dhe nga kjo arkeologji e verbër objekte të rëndësishme kanë përfunduar në plehrat periferike të Durrësit?! Kush do t’i akuzojë këta? Apo tashmë u kap “miu” në Kakavijë që do të shkulë “rrepën” ligjore për të zbardhur faqen e shumë kuadrove fajtorë?!

Masakra në Durrës është e hershme

Para 6 viteve, në fillim të vitit 2007, ish-kreu i Monumenteve të Kulturës e denoncoi publikisht në një konferencë për shtyp shkatërrimin e një tempulli arkail në mes të qytetit dhe pjesët e rëndësishme të tij u gjetën të hedhura në afërsi të plehrave të Porto Romanos.

Ai i denoncoi shkaktarët, por si përfundim askush nuk e pësoi, ndërsa kreu i Institutit u largua nga detyra. Në fotot që po  sjellim në këtë shkrim, po tregojmë se edhe në dyqanet e peshkut, në Durrës, falë masakrës arkeologjike që është kryer, mund të gjesh objekte arkeologjike mbi 2000-vjeçare. Nëse arkeologjia do t’i kishte marrë në mbrojtje për të kontrolluar dherat e hedhura nga Durrësi, kapaciteti i muzeut arkeologjik do të ishte 2-3 fishuar. Objektet që një qytetar ka nxjerrë nga dherat dhe që u bënë publike nga policia, janë një pasuri muzeale e hedhur me leje zyrtare në plehra dhe pasioni i tij vetëm ka bërë që të shpëtohen…

Dy objekte të gjetura në dherat e Currilave në fillim të viteve 2000

Dy objekte të rëndësishme arkelogjike janë gjetur në hedhurinat e dherave të gërryera me eskavatoret e subjekteve ndertimore në qytetin e Durresit. Vendgjetja e tyre është zona e Currilave, pranë një kthese të njohur nga vendasit si “Bërryli”. Objektet janë prej mermeri dhe sipas specialistëve  me përvojë ato datojnë si punime të periudhës romane, përkatësisht të shekujve II dhe III të erës sonë. Njëra është me bazë të poshtme rreth 40 cm dhe lartësi 30 cm, ndërsa tjetra varion nga 30 cm baza me lartësi 26 cm. Njëra është kokë luani që, me sa duket nga konstrukti, bën pjesë në atë kategori objektesh që cilësohen si koka bakike ose fontanë.

Koka e Luanit është një element fontane që mund të ketë shërbyer qoftë si një çesmë publike ose  si një objekt zbukurimi në fontanën e ndonjë vile të shtresës së pasur të aristokracisë së qytetit. Mermeri i saj është i një cilësie shumë të lartë. Arkeologu i shquar, Ilia Toçi, shpreh mendimin paraprak se materiali me të cilin është gdhendur Koka e Luanit ka shumë mundësi që të jetë mermeri i famshëm i Karrares. Datimi i tij paraprak përkon me periudhën e përcaktuar si periudha e “bumit” ekonomik te qytetit. Ka shumë mundësi që objekti të jetë prodhim i studiove të artistëve që i përkasin shekullit I e II, periudhe në të cilën Durrësi pati një lulëzim të madh ekonomik.

Kur arkeologu Afrim Hoti, ish-drejtor i asaj periudhe pranë muzeut Arkeologjik të Durrësit, shkruan për këtë periudhë në një vepër të tij: “Gjatë shekullit I dhe II në qytet u ndërtuan rrugë të reja, amfiteatri, tempuj, ujësjellësi, vila luksoze të shtruara me mozaikë etj”, arkeologu Ilia Toçi tha se Koka e Luanit mund t’i përkasë periudhës së perandorit romak Adrianit, periudhë që u shoqërua me ndërtimin e Ujësjellësit të Durrësit, veprës më të madhe inxhinierike të zbuluar në Shqipëri.

Në tubat prej plumbi të këtij ujësjellësi janë hasur mbishkrime të derdhura me emrin e perandorit Adrian. Ilia duke e vlerësuar me admirim kstë kryeveper të artit të lashtë, por që për fat të keq civilizimi i sotëm e hodhi në plehra, thotë se ky punim është tregues i nivelit të lartë të kulturës, pasurisë ose potencës ekonomike të qytetit antik. Sipas Toçit, në Durrës ka 2-3 objekte të tilla që simbolizojnë ujin jetëdhënës. Familje me nivel më të ulet ekonomik kanë përdorur edhe objekte me gur gëlqeror.

Fazani i Mermertë.  Sipas Toçit skulptura  tjetër prej mermeri që përfaqëson një shpend, është një mrekulli më vete. Ai është i mendimit se ajo është figura e një fazani që është e rrallë e këtij lloji të gjetur në vendin tonë.

Fazani i skulpturuar mbi mermer pak a shumë ka formën e një veze të madhe. Në afërsi të qafës ka disa objekte edhe ato në formë vezore me një kordon që i qarkon. Toçi shpreh mendimin se mund të jetë ose pjesë e kontureve të një shporte, ose ka arsye se mund të jetë vezore me vezët riprodhuese në zhvillim. Edhe fazani (që duhet të jetë femër në këtë rast) është i skulpturuar mbi një mermer me nuanca të lehta blu që është karakteristike e mermerit të Karrares.

Nëse do të jetë reale përkimi me vezët në vezore dhe forma e kthyer e kokës së fazanit mund të interpretohet duke u nisur tashmë nga një deduksion gazetaresk se autori i lashtë ka dashur që të ngurtësojë dilemën e pazgjidhshme se kush lindi më parë: “Veza  fazanin apo fazani vezën?” Koka e kthyer e fazanit tregon se s’e ka zgjidhur këtë dilemë të lashtë që kur ka lindur inteligjenca e njerëzimit.

Zbulimi

Objektet janë gjetur nga një pensionist intelektual me shpirt të afirmuar artistik. “Që në vitet 1998, – kujton ai, – dilja në bregdet në Currila tek vendi i quajtur “Bërryli”. Atje punoja çdo ditë dhe më vinte çudi kur shihja se si derdheshin dherat me thesare të kulturës së lashtë të Durresit. Fillimisht mbaj mend se edhe tek ish-depoja e vjetër e birrës ku kisha studion, gjatë gërmimeve doli një kodrinë e tërë që duhet të ketë pasur thesare dhe besoj se nëntoka e atjeshme ka ende thesare. Për shumë kohë zona e Currilave u bë vendhedhje dherash të gërmuara nga firmat ndërtuese. Po të parët që kanë filluar të mbledhin, kanë qenë peshkatarët të cilët kanë gjetur në ujërat pranë bregut fragmente skulpturash, vazo, monedha. Më pas fillova të mbledh edhe unë në breg. Po akoma nën dherat e nën ujërat e Currilave ka shumë materiala të hedhur e me shumë vlera”.

Pusi monumental

Në mes të një oborri plot lule e gjelbërim ndodhet një pus i vjetër që artisti e ka kthyer në një monument me vlera të veçanta që mund të cilësohet edhe si një obelisk i ngritur si protestë (nëse lejohet të shprehemi) ndaj genocidit të ushtruar këto vite mbi objektet e lashtësisë në Durrës! Ne këtë grykë pusi janë të montuara “Koka e Luanit”, “Fazani”, si dhe shumë fragmente të tjera mrekullish të lashta të gjymtuara tashmë për jetë.

Kur e pyesim se si i lindi ideja për t’i inkorporuar në pus këto objekte, ai thotë se ndodhej vetëm në shtëpi pasi të tjerët i kishte të gjithë në Itali. Gjatë kësaj kohe, shton ai, vrava disi edhe vetminë. Fillimisht mendova të ngre diçka ku të ndërthurej e tashmja me lashtësinë. Dhe punova gjatë derisa arrita të bëj diçka interesante.

Edhe gurët e pusit atje i ka marrë ku u gjetën ato, për të mos i veçuar nga njëra-tjetra veprat. Një objekt i tillë është pa frikë unikal në Shqipëri. Koka e luanit montohet në një grykë pusi, duke i shuar etjen e mijëra viteve nën dhe. Ai u gjet në bregdet dhe është një vepër e madhe skulpturore që u zbulua në këtë rast nga një artist piktor. Po edhe fazani i mermertë që mund të jetë dhe simbol i pjellorisë.

Trashëgimia kulturore në Durrës

Trashëgimia kulturore në Durrës mund të të shfaqet edhe në forma të veçantat nga më të paparashikueshmet. Në një familje që banon afër bregdetit mund të të ofrojnë për tavull duhani një kandil oljatore që u përket prodhimeve të dy mijë viteve më parë. Mund ta shkundësh cigaren në këtë tavëll nga më interesantet, duke menduar që as edhe një sheik nuk mund t’ia lejojë vetes një luks të tillë dhe të mendosh më pas se bregdeti i Durrësit është si një minierë e vërtetë e hapur për amatorët e objekteve të lashtësisë.

Hedhjet e dherave nga ndërtimet e bëra pa kriter kanë kthyer në koleksionistë edhe ata që më parë këto objekte i kishin parë vetëm pas xhamave të vitrinazheve muzeale. Madje, edhe koleksionistët e pullave postare e kanë braktisur filatelinë dhe janë kthyer në koleksionistë terrakotash e objektesh të tjera që i përkasin një periudhe kohore nga periudhat arkaike deri në atë bizantine e mesjetare.

Në një dyqan peshku, rastësisht pamë se mes prodhimeve detare qe ekspozuar një pjesë e prerë peshkaqeni dhe duke shuajtur kuriozitetin me egërsirën e thellësive detare na tërhoqi vëmendjen një fakt tjetër që na çuditi më shumë. Në anë të dyqanit qenë sistemuar objekte arkeologjike pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit që ishin trajtuar me respekt nga personat që kishin dyqanin. Realisht ishin fragmente objektesh të dëmtuara mbase nga makineritë e rënda të ndërtuesve, por të përkujdesura me dashuri nga ai që i kishte gjetur e që realisht për çdo të huaj do të përbënin një atraksion të veçantë turistik. Ato ishin renditur me kujdes në anë të dyqanit dhe në krahasim me prodhimet e peshkut përbënin një kontrast nga më të rrallët. Çudira të Trashëgimisë Kulturore durrsake.

Gazeta "Dita" February 2, 2013 08:43
Komento

1 Koment

  1. ciupatriot February 4, 15:57

    epo te presesh qe shpellari ne krye bashke me fisin e tij te neandertaleve, qe kane grykesi vec per pare dhe jane duke e shitur shqiperine me copa per tu pasurar dhe kane vene miliarda por qe prape i duken pak shume pak. te presesh tani qe keta te kene respekt per kulturen dhe veprat e artit e nje historie te lashte shqiptare dhe ti shkoje mendja per to sikur vetem per nje cast eshte njesoj sikur te te vije inat se pse qeni yt qe ke kapur per litari nuk te flet per homerin dhe iliaden megjithese ti ia ke thene keto histori me qindra here. por prap ai te sheh ne sy dhe nuk flet. epo keshtu me duket mua te presesh nga keta horra qe i jane bere syte vec “pare” te kene nje fije admirim dhe ti shkoje mendja qe te ruajne trashegimine tone te pasur historiko-artistike. ketyre vec litari te qafa sikur qenit i shkon shume por duhet tia shtrengosh shume derisa tiu merret fryma qelbesirave qe e prishen shqiperine deri ne gjen dhe vuan e shkreta si nga ndonje kancer i pasherueshem.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*