Masakra e 2 Prillit, viktimave nuk iu bë autopsia

Nga Gjek Celaj June 3, 2013 10:25

Masakra e 2 Prillit, viktimave nuk iu bë autopsia

Kush, si dhe përse i vrau katër njerëz?   

Pasoja më e rëndë e ngjarjes së 2 prillit pa dyshim që janë vrasjet e katër personave dhe plagosja e disa të tjerëve. Kjo pasojë përbën edhe krim dhe, kur ndodhin krime, paraqiten edhe versionet apo mundësitë më të mëdha të autorësisë. Deri më sot janë paraqitur disa versione, për fat të keq, shumica prej tyre nga politika dhe politikanët. Asnjëri prej versioneve nuk është vërtetuar deri tani me prova që mund të shërbenin për të ngritur akuza. “Vrasja e 2 prillit ishte vrasje politike e paramenduar, e organizuar me qëllim. Donte t’i tregonte popullit shqiptar se në diktaturë ose në pluralizëm politik të dhënë nga PP-ja, gjuha për t’u marrë me popullin është vetëm shkopi dhe plumbi…”. Këto janë fjalët që tha në gjyq Ali Spahia, njëri prej organizatorëve të demonstrimit të 2 prillit. Kjo deklaratë përbën edhe versionin e shprehur më së pari nga politika dhe të pavërtetuar kurrë nga drejtësia, megjithëse Spahia qëndroi pesë vjet në pushtet. “Dëshmorët e demokracisë i ka vrarë Pjetër Arbnori dhe PD-ja”. -Parullë e shkruar në muret e Shkodrës dhe që ka qarkulluar vazhdimisht në bisedat e njerëzve por e pavërtetuar kurrë me prova. Kjo përbën dhe versionin e dytë, sigurisht me nuanca politike. “Vrasjet dhe plagosjet i ka bërë policia nga pakujdesia gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e ORV (godinës së PP-së)”. Ky është versioni i tretë, por i pavërtetuar deri tani.  “Vrasjet janë bërë për motive ordinere personale nga pjesëtarë të turmës”- është versioni i katërt, gjithashtu, i pavërtetuar.  Kam arsye të shtyhem nga pasionet, prandaj, për të mos rënë në gabime, po bëj një analizë të shkurtër për të katër vrasjeve të ndodhura atë ditë. Fakti që deri tani nuk janë zbuluar autorët e vrasjeve, ose siç thotë Bezhani, më 1 prill 1993 në gazetën “Republika”, se “Duhet pasur parasysh se deri tani nuk ka prova se cilët janë ekzekutorët”, përbën thelbin e çështjes.  Përse nuk u zbuluan autorët e vrasjeve? Për mendimin tim ka dy shkaqe thelbësore: Njëri është me karakter objektiv kurse tjetri subjektiv. I pari ka të bëjë me faktin se ngjarja është zhvilluar, ndonëse ditën, në një hapësirë të madhe  (territor i gjerë) dhe me pjesëmarrjen e një numri shumë të madh njerëzish ku, siç thotë populli, “s’e merrte vesh i pari të dytin”. Intensiteti i ngjarjes ka qenë i madh dhe, për pasojë, ka qenë shumë i vështirë perceptimi i momenteve të veçanta. Shkaku i dytë, që ka ndikuar në moszbulimin e autorëve të vrasjeve ka të bëjë me punën e pamjaftueshme dhe mjaft defektoze të organeve të hetimit. Ndoshta, autorët nuk do të ishin zbuluar edhe po të ishte punuar me përgjegjësi, por është e sigurt se, të paktën, për disa nga vrasjet do të ishte arritur në konkluzione më të sakta, qoftë edhe përjashtuese. Drejtësia e pavarur e ka detyrë që analizën e krimit të vrasjes ta bëjë mbi bazën e rrethanave, në kohë dhe hapësirë, duke u mbështetur në provat gojore, materiale, dokumentare, shkencore. Po, si paraqitet gjendja e këtyre provave për secilin nga viktimat?

a) I pari nga katër viktimat rezulton të jetë vrarë Bujar Bishanaku. Për sa i përket kohës, rezulton që vrasja të ketë ndodhur fare pak minuta pas orë 09.00. Kjo vërtetohet me shumë dëshmi, si ato të punonjësve të spitalit, ashtu edhe të personave të tjerë.  Shoferi që e ka transportuar nga vendi i vrasjes deri  në spital, Bari Memçaj thotë: “Në orën 09.00 u nisa nga shtëpia ime me makinë drejt qendrës së qytetit. Pa kaluar pesë minuta mbërrita tek kryqëzimi afër ish-Komitetit të PP.-së. Dy djem të rinj më kërkuan me këmbëngulje që të ndalesha dhe të dërgoja në spital një njeri të plagosur. Ashtu veprova. Mora vesh se i plagosuri ishte B.Bishanaku, i cili, në fakt, mbërriti i vdekur në spital. Kur shkuam ne në spital nuk kishte mbërritur ndonjë tjetër i vrarë…” .
E pyetur në gjyq nga gjyqtari Gjonaj se në ç’orë kishte marrë dijeni se ka vrasje, ish-kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të rrethit Shkodër, Terezina Marubi u përgjigj:
“Mbas orës 09.00 kam marrë vesh se ka të vrarë”.
Po ashtu, edhe ish-kryetari i DPB, Ç.Taçi është njoftuar nga spitali civil me telefon se ka një të vrarë në orën 09.15′ dhe në orën 09.30′ kufoma e Bishanakut është sjellë në shesh. Për sa i përket vendit të vrasjes, rezulton se Bishanaku është vrarë mbi 40 metra larg godinës së PP-së dhe jo përballë saj, siç konkludon gjyqtari mercenar, por në krahun e djathtë të godinës, pra prirtas saj, nga ana e bibliotekës. Për sa i përket autorësisë së vrasjes së tij janë administruar: Deklarimet e dy qytetarëve, pjesëtarë të turmës. I pari, Muhamet Kadria: “Një polic qëlloi me pistoletë nga 2-3 metra larg dhe vrau B.Bishanakun, por nuk e di kush është ai”. Dëshmitari i dytë, Remzi Hoxha: “Bujar Bishanakun e kanë vrarë një grup policësh e ushtarësh nga ana e bibliotekës, prej rreth 20 metra larg. Nuk e di se kush konkretisht”
Siç vihet re, të dy dëshmitarët akuzojnë policinë për vrasjen e Bishanakut por thëniet e të dyve, megjithëse kanë të bëjnë me të njëjtin rast, janë krejt të ndryshme pasi dëshmitari Kadria thotë se viktima është vrarë nga afër dhe vetëm nga një polic, kurse dëshmitari Hoxha pohon se vrasja është kryer nga rreth 20 metra larg dhe nga një grup policësh. Ose njëra, ose asnjëra nuk janë të vërteta.
Në fakt, nga të katër viktimat, për Bishanakun janë kryer veprimet më me përgjegjësi nga organet e hetimit. Ndonëse me vonesë, më 17 prill 1991 është bërë zhvarrimi i kufomës së tij, në të cilën është gjetur një plumb pistolete, i pranuar nga gjykata si i pistoletës “TT” dhe që është vlerësuar si shkaku i vdekjes. Plumbi është marrë si objekt ekspertimi dhe, nga ekspertimi që iu është bërë pistoletave të punonjësve të DPB Shkodër, nuk ka rezultuar të jetë qitur prej tyre. Pra, prova shkencore, siç është akti i ekspertimit balistik, e përjashton fajësinë e policisë në vrasjen e Bishanakut.
Si profesionist, mendoj se kaq nuk është plotësisht e mjaftueshme për të përjashtuar mundësinë që pasojën ta ketë shkaktuar arma e ndonjë polici të papërgjegjshëm.

b) Viktima e dytë rezulton të ketë qenë Arben Broci. “Çuditërisht”, Broci vritet në kohën kur sillet në shesh kufoma e Bishanakut ose menjëherë pas këtij momenti. Pra, vrasja e tij duhet të ketë ndodhur rreth orës 09.30′.
Për këtë vrasje gjykata ka administruar:
Deklarimet e pesë dëshmitarëve, që pretendojnë se kanë parë momentin e vrasjes së Brocit.
Fatmir Bërdica: “Dëgjova një krismë, ktheva kokën dhe pashë Arben Brocin që u rrëzua. Pastaj pashë një tytë arme që nxirrte tym tek hyrja e godinës së Komitetit të PP-së”.
E kemi argumentuar pabazushmërinë  e kësaj deklarate, që ka të ngjarë ta ketë shkakun në pamundësinë e perceptimit të drejtë të ngjarjes.
Frano Gjergji: “Kam parë që u vra Arben Broci, por s’di se nga kush”.
Asllan Cafi: “Kam parë vetëm një tytë arme që u vra A.Broci, por nuk e di kush e vrau”.
Xhyhere Hoxha: “Kur u vra Arben Broci kam parë një tytë arme tek dritarja e dezhurnit të Komitetit të PP-së, por s’di kush e ka vrarë”.
Et’hem Qalliu: “30′-40′ para Nazmi Kyreziut është vrarë Arben Broci, por s’di kush e ka vrarë sepse pati krisma në të dy anët”. Siç shihet, dëshmitë gojore janë shumë të zbehta dhe nuk të çojnë tek e vërteta. Ato përpiqen të krijojnë idenë se predha vdekjeprurëse që ka goditur Brocin ka ardhur nga godina ku ishin punonjësit e policisë. Pa folur për mospërputhjet e thënieve dhe personalitetin e diskutueshëm të shumicës së dëshmitarëve, vrasja e Arben Brocit nga punonjësit e policisë, që mbronin godinën partiake, rrëzohet edhe si version me dy argumente të rëndësishëm.

Së pari, në trupin e Brocit nuk është gjetur (në fakt nuk është bërë autopsia) asnjë predhë arme zjarri, por sipas thënieve të ekspertit mjekoligjor B.Çipi, plaga e hyrjes së predhës në trup ka pasur përmasat 25 mm x 17 mm (në shtyp pretendon 18 mm), ndërsa, sipas thënieve të S.Zaganjorit, daja i viktimës, vrima e daljes ka qenë rreth 150 mm x 150 mm. Asnjëra nga armët që dispononte policia ditën e ngjarjes (pistoletë TT dhe automatik model 56) nuk përdorin predha që mund të shkaktojnë plagë të atyre përmasave. Kalibri i predhave të tyre është 7.62 mm. Duke e ditur këtë, avokati Bezhani, me mendjelehtësi, doli me idenë se vrasja është shkaktuar me predha snajper të sharruar. Që armët snajper të policisë nuk kanë dalë nga magazina më 2 prill u provua plotësisht në gjyq por, po të kishte marrë mundimin të pyeste sadopak, Bezhani do të kishte mësuar se edhe arma snajper e policisë përdorte plumba të kalibrit 7.62 mm prandaj ky pretendim bie poshtë edhe si version. Plagët e A.Brocit janë dëshmia më e pakontestueshme se atij nuk i ka ardhur vdekja nga armët e policisë. Së dyti, nëse nga godina partiake do të hapej zjarr me automatik drejt turmës, numri i viktimave do të kishte qenë më i madh ose, të paktën, sa numri i predhave të lëshuara, për shkak të energjisë së madhe kinetike të predhave dhe të dendësisë së madhe të turmës në një hapësirë pa kurrfarë pengese. Këtë fakt e pohon edhe Bezhani në faqen 78 të librit të tij. Në të vërtetë, në këtë konkluzion arrin lehtë çdo mendje normale, e pa mykur nga injoranca dhe e pa thartuar nga pasionet.

Sipas thënieve të dëshmitarëve, Arben Broci rezulton të jetë vrarë përballë godinës së Komitetit të PP-së, rreth 30 metra para fasadës së saj. Predha vdekjeprurëse e ka goditur prirtas nga mbrapa.Krerët e PD-së u vunë në vështirësi nga disa pyetje, që lindnin natyrshëm nga deklarimet e tyre thellësisht kontradiktore dhe nuk u dhanë dot përgjigje. Për shembull: Neve, drejtuesve të policisë, na thanë se nuk do të na ndihmonin, ndërkohë pretendonin se dërguan njerëz për të qetësuar turmën; vetë nuk shkuan se kishin frikë se i vrisnin, se kishte komplote për t’i vrarë; pretendonin se dërguan njerëzit e tyre për të qetësuar turmën, por nuk pranonin të kishin dërguar Arben Brocin dhe ngulnin këmbë se Arbenin nuk e kishin takuar fare në datën 2 prill etj.
Nëse koha do t’iu sjellë ndonjëherë shqiptarëve të vërtetën e asaj ngjarjeje, jam i bindur se do të rezultojë që në vrasjen e A.Brocit forcat e policisë nuk kanë dorë. Se kush ka dorë, atë mund ta thotë vetëm e vërteta e provuar dhe jo trillimet.
c) Vrasja e Nazmi Kryeziu duket se ka qenë e treta.
Për këtë vrasje gjykata ka administruar deklarimet e shtatë dëshmitarëve por, fatkeqësisht, asnjëra nuk mund ta ndriçojë të vërtetën.
Sabahet Juka (punonjëse e spitalit): “Nazmi Kryeziu ka ardhur i treti në spital nga të vrarët” .
Et’hem Kadri Qalliu: “Kam parë se u vra Nazmi Kryeziu por s’di kush e vrau, sepse krisma pati në të dy anët”.
Asllan Cafi dhe Xhyhere Hoxha: “Pak sekonda pas Arben Brocit u vra edhe Nazmi Kryeziu, por s’di nga kush”.
Myfit Tukiçi: “Kam parë të vritet vetëm N.Kryeziun, por s’di se nga kush”
Naim Gera: “Unë kam parë të vritet vetëm N.Kryeziu, por s’di nga kush”.
Ndoc Liqejza: “Unë kam parë N.Kryeziun kur është vrarë, por s’di kush e vrau”.
Nazmi Kryeziu rezulton të jetë vrarë përballë godinës së Komitetit të PP.-së, në largësi më pak se 20 metra prej saj.

Organet e hetimit i kanë pasur të gjitha mundësitë të bënin autopsinë pasi ai ka vdekur në Spitalin Ushtarak në Tiranë pas transportimit me helikopter nga Shkodra. Mirëpo ato s’e kanë bërë një gjë të tillë dhe në kartelën e plotësuar për të, sipas mjekut-ekspert B.Çipi, rezulton se vrima e hyrjes së plumbit që i ka shkaktuar vdekjen ka përmasat e një predhe automatiku që e ka goditur me pjesën anësore dhe jo me majë.
Ky fakt lë të kuptohet, (por nuk vërteton) se Kryeziu mund të jetë vrarë nga rikoshetimi i një plumbi automatiku 7.56 mm. Versioni i vrasjes (me rikoshetim, pra nga pakujdesia) nga forcat e policisë, mbetet në këmbë për Kryeziun. Por ai mbetet një version dhe siç thuhet në Kuran, “Supozimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës”.
d) Për vrasjen e Besnik Cekës është administruar vetëm një dëshmi gojore. Dëshmitari Jakup Boshjaku, që pretendon se nga viktima e ndante vetëm rruga automobilistike, pasi ndodhej në trotuarin përballë, deklaronte: “Besnik Ceka është vrarë gjatë djegies së Komitetit të PP-së. Disa njerëz kishin në dorë lëndë djegëse dhe dinamit… Kur u vra Besnik Ceka nuk pati as një krismë arme” . Kjo dëshmi, fatkeqësisht e vetmja, është shumë domethënëse dhe në harmoni me shenjat e plagëve që i janë gjetur Besnik Cekës. Së pari, dëshmia tregon se viktima është vrarë “gjatë djegies së komitetit të PP-së”, pra pasi në vendngjarje nuk ndodhej më asnjë punonjës policie, sepse ata e kishin lëshuar objektin para se të fillonte të digjej. Së dyti, Besnik Ceka është vrarë kur “nuk pati asnjë krismë arme”. Pra, Ceka nuk duhet të jetë vrarë me armë zjarri. Këtë mundësi na e përforcojnë edhe plagët që i janë gjetur Cekës. Në trupin e tij nuk ka vrimë daljeje, nuk ka predhë (?!!!) dhe, megjithatë, ka vdekur. Sipas ekspertit B.Çipi, në trupin e Cekës janë gjetur tri plagë në formë trekëndëshi, madhësia e të cilave ka qenë më e vogël se ajo e predhave të armëve që kishte në përdorim policia.
Megjithëse s’kishte bërë autopsi fill pas vdekjes (pas zhvarrimit nuk u gjet predhë në trup), eksperti, i udhëhequr nga dëshira për t’iu shërbyer interesave të politikës, pretendon se viktima mund të jetë vrarë nga një predhë automatiku e copëtuar pas daljes nga tyta. Kjo është marrëzi që nuk mund të shprehet nga një profesionist sepse, në radhët të parë, duhet që predha të ndahet në tri pjesë krejt të barabarta në mënyrë që, duke zotëruar energji kinetike të njëjtë të mbërrijnë në të njëjtën largësi dhe në të njëjtën kohë në objekt, ndryshe ose nuk arrijnë në objekt ose arrijnë pasi objekti të jetë rrëzuar nga goditja e copës së parë. Së dyti, është e pamundur që tri copat e predhës të godasin objektin, të shkaktojnë vdekjen (qoftë dhe njëra prej tyre) dhe, pastaj të rikoshetojnë (ku?!) të dalin jashtë trupit nëpër të njëjtën rrugë, domethënë, nga rruga që hynë. Këtë nuk e pranon asnjë mendje normale.
Sipas dëshmitarit Boshnjaku, Ceka rezulton të jetë vrarë duke qenë i ulur galuc në trotuarin përballë ish-gjykatës së vjetër, pra në krah (jo përballë) të godinës së komitetit të PP-së, në largësi rreth 50 m prej saj. Përfundimisht, unë e përjashtoj vrasjen e Cekës nga forcat e policisë edhe si mundësi (version), dhe shpreh bindjen se vrasja është kryer me armë të ftohtë, ndoshta kanxhe metalike, për motive që i di vetëm autori i vrasjes. Sikur të ishin bërë autopsitë e kufomave, analizat laboratorike të buzëve të plagëve dhe të pjesëve të rrobave ku ka hyrë mjeti vdekjesjellës, patjetër që do të ishte arritur në konkluzione që do sqaronin mekanizmin e vrasjes për secilën viktimë. Ka veprime të tjera hetimore të pa kryera, që mund të kryhen, por ende nuk po shihen shenja shpresëdhënëse për hetime. Nëse nuk do ketë vullnet për të shkuar tek e vërteta, atëherë do të mbetet i pandryshueshëm konkluzioni i Bezhanit: “Përfundimisht, përgjegjësia për masakrën e Shkodrës nuk është gjetur dhe është shumë e vështirë për t’u gjetur…” . Mendim im, pa rënduar dhe pa lehtësuar askënd është ky: Arben Broci dhe Besnik Ceka nuk janë viktima të armëve të policisë. Nazmi Kryeziu mundet të jetë vrarë nga pakujdesia e ndonjë punonjësi policie pas rikoshetimit të predhës së automatikut. Ndërsa Bujar Bishanaku mund të jetë vrarë nga reagimi i papërgjegjshëm dhe i kundërligjshëm i ndonjë punonjësi policie në situatën e krijuar. Gjithsesi, për dy të fundit mund të flitet vetëm me mund. Vrasja e tyre nga policia është një version, i barabartë me versione të tjerë, që duhet vërtetuar ose hedhur poshtë.
Në tekstin e logjikës thuhet:”Një version mund të pranohet si i vërtetë vetëm atëherë  kur ai provohet me të dhëna faktike lidhur me çështjen dhe kur provohet gabueshmëria e të gjithë versioneve të tjerë lidhur me këtë çështje” (f.266).  Është normale që gjithkush t’i përmbahet këtij rregulli të logjikës formale dhe jo logjikës anormale të politikës.
Gjithmonë më ka ngacmuar fakti se si ka mundësi që nga gjithë ai grumbull njerëzish të mbledhur në shesh, asnjëri prej dëshmitarëve okularë nuk pohoi të ketë qenë i shoqëruar me ndonjërin nga viktimat, të ketë ardhur me të në shesh, të ketë qëndruar pranë tij apo të ketë komunikuar me të para se të vritej apo menjëherë pas vrasjes (?!). Vetëm F.Bërdica dhe F.Gjergji pretenduan se shkuan në shesh me Arben Brocin nga godina e PD-së, por nuk thanë se kush i nisi, pse i nisi e çfarë porosish iu dha dhe, nëse erdhën vërtet për të qetësuar turmën, përse s’komunikuan në fillim me policinë, siç kishin bërë një ditë më parë?
Themelor mbetet fakti se pasoja më e rëndë e ngjarjes ishte vrasja e katër njerëzve të pafajshëm, jo pse i përkisnin njërës apo tjetrës parti, as pse mund të kenë shqiptuar parulla me përmbajtje demokratike, por për dy arsye bazë. Së pari, asnjëri prej të vrarëve nuk rezulton të ketë kryer akte vandaliste e aq më pak terroriste dhe, së dyti, të katër viktimat janë vrarë larg objektit, nga 17-47 metra larg tij. Ky është argument juridik për pafajësinë e tyre. Regjimi i Ramiz Alisë i shpalli dëshmorë, kurse banda e Sali Berishës e shfrytëzoi gjakun e tyre për të ardhur në pushtet dhe pastaj e në vazhdim e përdorën këtë gjak si armë për të luftuar kundërshtarët politik. Në të vërtetë, qëndrimi i të dy palëve është hipokrit, amoral dhe cinik. Të dy palët nuk bënë e nuk bëjnë gjë për hir të jetëve të humbura, por për përfitime politike. Regjimi i Alisë i shpalli dëshmorë për të qetësuar situatën politike e cila ishte tensionuar nga keqpërdorimi i vrasjeve, kurse PD-ja, pasi organizoi me mjeshtëri përplasjen e popullit me policinë, me synimin që të vinin pasoja, nisi lotët e krokodilit dhe u bë avokate e viktimave, sigurisht në mënyrë të pasinqertë.

 

Kush përfitoi nga 2 Prilli 1991

Vetë drejtuesit e PD-së e shprehin qartë se ngjarja (nënkupto pasojat e saj) u përdor për biznes politik dhe norma e fitimit qe e lartë. Pronare e këtij malli politik ishte ajo që e prodhoi (organizoi), PD-ja.
PD-ja ka bërë vazhdimisht zhurmë rreth kësaj ngjarje për të krijuar idenë se i digjet shpirti për të vrarët dhe se dëshiron gjetjen e së vërtetës. Në fakt, nuk është aspak kështu. Ajo, jo vetëm më 2 prill, por dhe shumë herë të tjera e ka keqpërdorur popullin për përfitime politike, derisa më mars 1997 tentoi një luftë civile duke ia kundërvënë veriun jugut, gjë që dështoi në sajë të traditës dhe largpamësisë së popullit, por që, gjithsesi, solli shumë pasoja.
“PD-ja nuk ishte e interesuar që t’iu shkonte deri në fund hetimeve për faktin se ajo kërkonte më shumë që ta përdorte si gogol kundër kundërshtarëve të saj politikë të cilët ishin ish-komunistët që janë sot në pushtet. Drejtuesit e lartë demokratë nuk mund të lejonin në të njëjtën kohë që të zbulohej kjo e vërtetë për faktin tjetër se flitet se në këtë ngjarje janë implikuar edhe disa drejtues të lartë të saj” . Këtë vlerësim e bën Petrit Kalakula, ish-kryetari i PD-së për Tiranën, deputet dhe ministër i saj.
Ato që thotë Kalakula i mbështet një fakt shumë domethënës: gjatë kohës që kryente dënimin me heqje të lirisë në burgun e Sarandës, Dilaver Papare takon një të dënuar ordiner i cili i thotë në mirëbesim se “Ju po bëni burg kot sepse vrasjet e 2 prillit në Shkodër i kanë bërë kushërinjtë Muharrem dhe Fatmir Haka nga Nikla e Fushë Krujës dhe njëfarë Lahi nga Shkodra”. Nga fundi i vitit 1996, Papare bëri denoncim në prokurori. Por çfarë ndodhi? Në vend që të kryheshin veprimet normale procedurale, i dënuari u transferua në Tiranë, iu bë presion nga prokurorët derisa e detyruan t’i thoshte Papares: “Jo, ne s’kemi biseduar për këtë punë dhe s’të kam thënë gjë”. Në vend që të pyeteshin e të kontrolloheshin të dyshuarit, iu bë kontroll Papares në dhomën e burgut në Sarandë. Nga ana tjetër, kryeprokurori i Tiranës, Adnan Xhelili, i shoqëruar nga disa prokurorë të tjerë, vajtën me helikopter në Sarandë dhe i komunikuan Papares se e kishin marrë të pandehur për “shtrëngim për të bërë deklarime të rreme”. Po të mos binte shpejt regjimi berishian, Papares do ia shtonin me siguri edhe nja dy a tre vjet të tjera burg. Gazetat qeveritare RD dhe “Albania” sulmuan Dilaver Paparen, kurse i dyshuari M.Haka “e përgënjeshtroi” pjesëmarrjen e tij në atë krim në një gazetë proqeveritare. O tempora! O mores!
Mundet që personat ndaj të cilëve denoncon Papare të mos jenë fajtorë, por mënyra se si reaguan segmentet e shtetit, duke përfshirë edhe prokurorinë, të bindin akoma më shumë se PD-ja, as në opozitë dhe as në pushtet nuk interesohet për të vërtetën ose,  nëse interesohet, kjo lidhet vetëm me fshehjen e saj. Sepse për të duhet të ekzistojë vetëm versioni që ajo ka dhënë dy orë pas ngjarjes dhe që s’është vërtetuar asnjëherë.
Që Partia Demokratike e Shqipërisë e mbështet një pjesë të madhe të “suksesit” të saj politik në krimin dhe kriminelët, këtë e ka dëshmuar, jo vetëm me aleancën e shpallur me lumpenin, por në gjithë mënyrën e sjelljes së saj pas ardhjes në pushtet më 1992 dhe pas humbjes së pushtetit më 1997. Dy kulmet e kësaj sjelljeje kanë qenë dhunimi i zgjedhjeve të majit 1996 dhe mënyra e të vepruarit në shkurt-mars 1997.
“E lindur nga një aspiratë sa e fuqishme aq edhe e turbullt për liri e demokraci, Partia Demokratike shumë shpejt pushoi së qeni një parti demokratësh dhe u shndërrua në një emër me të cilin abuzohet nga një mafie politike në pushtet”. (Nga Promemoria e një grupi intelektualësh të pavarur- gazeta “Koha Jonë”, datë 30.1.1997). Që kupola e PD-së vepron sipas parimeve mafioze, e tregojnë edhe disa shembuj kuptimplotë.
Më parë, në libër kam treguar reagimin e Hajdarit, kur partia e tij i hoqi imunitetin. Nëse Hajdari do të “zbërthehej” ndonjë ditë plotësisht (gjë që s’ka gjasa të ndodhë), atëherë populli shqiptar do të shihte qartë se çfarë plehrash janë ambalazhuar me propagandën shurdhuese për liri, demokraci, drejtësi e shtet juridik.
Ndërsa gazeta e tij RD, e 19 gushtit 1994, e sulmonte duke thënë: “Deputeti Hajdari i përfolur nga shtypi dhe zëra të tjerë për problemin e vrasjeve para dhe në prag të 22 marsit…”, ky i përgjigjej  shtetit “të tij” më 20 nëntor 1996 në gazetën “Koha Jonë”: “Ashtu si atëherë unë mund të zhdukem fizikisht… Atëherë rrëzohej diktatura, tani rrëzohet Mafja”.
Ish-deputeti i PD-së dhe kryetar i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, shprehet: “Gjatë më se një viti në Shqipëri u ballafaqova me mafien shtetërore, të dirigjuar nga kreu i shtetit” . Edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi u shpreh në fillim të vitit 1997 se “Po më hoqën do të flas”. Ky ishte presion që i bëhej Berishës dhe PD-së se po të cenonte interesat e kryeministrit me lesh nën hundë, Meksi do bëhej burrë me mustaqe dhe do iu nxirrte në shesh “të palarat” që, me siguri, nuk ishin ndërresa të brendshme, por vepra kriminale, në të cilat edhe ai ka qenë bashkëpunëtor.

Praktikën e përfitimit politik nëpërmjet krimit e bën më të qartë fakti i mëposhtëm: pas një zënieje me grushte në parlament, deputetit i PS-së Gafur Mazreku qëllon më 18. 9. 1997 katër herë me pistoletë deputetin Azem Hajdari. Kjo gjë e tensionoi situatën politike, pasi u shfrytëzua nga PD-ja për ta quajtur “krim politik”. Ia vlen të citojmë dy nga figurat kryesore të PD-së

 

Nga Gjek Celaj June 3, 2013 10:25
Komento

4 Komente

  1. timi June 3, 11:01

    ktu vertetohet se ne shkoder ate dite,nnuk ka pasur viktima politike,por marrje gjaku sic din tte bejn shkodranet..

    Reply to this comment
  2. kadeti bigler June 3, 12:27

    Fillimisht u prefshin ne paqe viktimat e 2 prillit dhe i paharuar kujtimi i tyre shkojm me posht pse duheshin te beheshin keto vrasje ne 91 ne shkoder kur partia demokratike i kish fituar zgjedhjet ne shkoder mos duheshin te beheshin kurban kater djem shkodran per interesa mafize te opozites te kryesuar nga nje lider komunist 24 karatsh qe ideologjia e tij ka qene vetem destabilizimi i shqiperis per interes te beogradit dhe te financiuara po pikerisht nga ana e beogradit ishte etja e tij per pushtet qe te mos te njiheshin zgjedhjet dhe te perseriteshin ne nje afat te shkurter kohor DJALLIN BERISHA nuk e zinte gjumi qe te merte pushtetin shpejt dhe te realizonte planin e tij qe ti vinte flaken shqiperis sic ja vuri sistem diktatorial ne lindje sishte vetem shqiperia kishim dhe te tjer per reth kush ishte nga keto shtete qe shkateroi te gjitha ato vepra qe populli yne i kish ndertuar me sakrifica te medhakishte nje skenar te shkaterojm cdo gje qe eshte komuniste e thosh djalli nuk e thosha une gramoz pashkua tundte cekun e bardhe bosh dhe me nje gjuh isterike votoni P D dhe ne e veme vet shumen neve si dele te perendis e besuam dhe cfar perfituam morem ruget e Evropes per nje jete me te mir dhe jo te gjith gjetem te miren shum lan kockat neper malet e greqis ndersa te tjeret ne ujrat e adriatikut dhe te jonit ky ishte rendi i ri per ne fatkeqet ka ardhur koha o njerez qe ti thyejm syzet partiake dhe te zgjedhim alternativen me te mir per kombin dhe per te ardhmen e brezave qe lem pas qe mos na sundoj nje mjek psikopat dhe larot e tij qe hedhin valle mbi kurizin ton per gati nje cerek shekulli

    Reply to this comment
  3. Landi June 3, 13:55

    Qartesi gjykimi, profesjonalizem, kopetence dhe inteligjence ne analizen e fakteve te ngjarjes dhe situatave politike te asaj kohe, keto vleresime meriton per kete pjese te shkrimit autori Gjek çelaj.Shpresojme te marrin kurajo edhe figura te tjera te organeve te drejtesise dhe shtetit per te deshmuar te vertetat , ato te verteta qe do marrin permasat e nje akuze mbar popullore kunder krimit politik dhe ordiner qe ka kapluar mbare vendin dhe jeten e popullit tone.Njerez te tille si z. Gjek çelaj , me kurajo guxim, qartesi intelektuale dhe pergjegjesi te larte qytetare te bejne te besosh se popullit tone nuk i mungojne burrat e mençur, vetem se pritet qe koha dhe refleksionet ti sjellin ne nje front te perbashket kunder bandes antishqiptare qe drejton ne gremin jeten e vendit dhe hipokriteve e karjeristeve politik qe per interesa egoiste me heshtje apo pasivitet i kane hapur rrugen bandes.

    Reply to this comment
  4. bbb June 3, 19:36

    KY gjygj perben interes te madh publik, dhe nje ceshtije dinjiteti per rejtsine shqiptare. Te rihapet gjygji!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*