Asqeri Llanaj
Në Grykë – Shkallë forcat naziste vranë 40 mallkastriotë.
Kongresi i Përmetit i 24 majit dhe vendimet e tij e tërbuan komandën pushtuese të forcave gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre, një sulm për asgjësimin përfundimisht të forcave luftarake partizane të Shqipërisë së Jugut.
Sipas planit të mirinformuar dhe të mirëpërgatitur, operacionin e pagëzuar me emrin “Gimborn”, me qëllim që të arrihej synimi isigurt i spastrimit të Shqipërisë nga lufta e çetave komuniste.
Veprimet luftarake do të nisnin më 28 maj 1944.
Përgatitjet
Komanda gjermane, në bazë të të dhënave operative,e cila kishte të sigurt asgjësimin e njësiteve partizane. Ajo filloj t’i joshte fshatarët, duke i ndihmuar ekonomikisht e duke u garantuar një jetë më të sigurt, veçanërisht në zonat e pushtuara nga gjermanët. Qëllimi i bashkëpunimit të gjermanëve me fshatarët ishte sepse ata ishin prapavija e forcave partizane.
Komanda e shtabi i Z.I.O., me të marrë urdhrin nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë NÇ., u dërgoi një qarkore kryesive të këshillave të LANÇ të qarqeve që mbulonte, Komandave të grupeve dhe reparteve të tjera që kishte vartësi dhe Komandave të Vendit, për njohjen e mësymjes të forcave gjermane, për rritjen e vigjilencës, marrjen e masave në organizimin më të mirë të forcave luftarake territoriale, mbrojtjen e popullsisë nga goditjet e gjermanëve e detyra të tjera që u takonin atyre. Komanda gjermane, mbas asgjësimit të forcave partizane të Shqipërisë së Jugut, do të tërhiqte forcat e saj nga territori shqiptar dhe do t’i çonte në frontin e Lindjes, ndërsa këtu do të linte pak forca ushtarake. Më vete, bashkë me forcat gjermane, do të merrte edhe forcat shqiptare. Por këto llogari mbetën vetëm për veten e tyre, sepse ato nuk u realizuan kurrë.
Plani gjerman
Në këtë operacion do të mësynin 40 mijë forca, përveç 20 mijë forcave që ishin në Shqipërinë e pushtuar, të mesme e të veriut, dhe 10 mijë bashkëpuntorë të tyre shqiptar, më të bindurit ndaj komandës gjermane. Në dispozicion të këtij operacioni ishin forcat e Divizionit të parë malor, rezervë e komandantit të juglindjes, që erdhën nga Jugosllavia dhe ishin më të zgjedhurat e Vermahtit. Nga Greqia erdhën forcat e Divizionit 104, repartet autonome të Korpusit XXII dhe të Korpusit XXI, regjimenti i Divizionit 297, një batalion i regjimentit II të “Brandenburgut” dhe reparte të veçanta të Divizionit 18, i cili u quajt grupi (U) forck “Shtojner”. Mësymja iu ngarkua gjenerali LEHR (LOHR), Komanda e grupit e armatave “E”, me qendër në Selanik.
Forcat gjermne kishin 10 herë më shumë ushtarë se forcat partizane; ato ishin të pajisura me armatim modern bashkëkohor, si aeroplanë, 560 gryka zjarri, kryesisht mortaja, 70 tanke dhe armatime nga më të ndryshmet.
Trupat gjermane përshkruan tërë brezin e luftimeve dhe bllokuan gjithë luginën e Vjosës, por detyrën kryesore të shkatërrimit të UNÇSH nuk e realizuan dot. Njësitë e UNÇSH u ndeshën në luftime të ashpra me armikun dhe kudo, në qarqe zona e krahina, ruajtën ndërtimin organizativ, aftësinë e tyre luftarake dhe goditën armikun në krahë, në shpinë e ballë për ballë. Kjo u quajt faza e parë e mësymjes.
MALLAKASTRA
Populli i Mallakastrës, megjithëse e torturuan, e plaçkitën, i vranë bijtë e saj, i dogjën shtëpitë e të lashtat, pra, megjithëse i lodhur dhe i munduar, operacioni i qershor – korrikut 1943 nuk e mposhti. Përkundrazi, atij iu shtua urrejtja, u trimërua dhe u bë më i vendosur në luftën kundër okupatorit më të egër, nazizmit gjerman e bashkëpunëtorëve të tij, deri në fitoren e plotë mbi ta.
Shtabi i Zonës së pare Operative Vlorë – Gjirokastër urgjentisht i dha urdhër komandës së Qarkut Mallakastër – Fier, Eqerem Shehut, për mobilizimin e 200 kafshëve për nevoja shumë urgjente për komandën e Qarkut Vlorë, brenda datës 25.5.1944. Kjo komandë urdhëron komandën e vendit Fratar, Ballsh, Ngraçan e Cakran të mobilizonin deri të nesërmen në mëngjes nga 50 kafshë secila komandë. Kafsharët të merrnin me vete një palë thasë, tre ditë bukë dhe të paraqiteshin në komandën e qarkut Drizar, brenda afatit të caktuar. Të mblidhen kafshët (kuaj, mushka, gomarë) brenda natës dhe, në qoftë se ndonjeri kundërshton, të përdoret forca për ta marrë. Por, kur nuk ka mundësi të vijë pronari i kafshës, atëherë duhet që 3 kafshë të kenë patjetër një njeri. Secila komandë të mendoj për punën e saj dhe siç u tha më lartë, mëngjesi i së nesërmes duhet t’i zërë në Drizar kafshët. Keni në dorë arsyen dhe forcën. Në rast se u mungon gjë, përgjegjësia bie mbi ju.
Komanda e vendit Cakran, me komandant Namik Bektashin, zv.Komandant Azmi Taton dhe ndihmës Miti Shkurtin, duke aktivizuar kryetarët e këshillave antifashiste nacionalçlirimtare të fshatrave, zbatuan urdhërin në kohën e caktuar, duke dërguart 50 kafshë dhe 50 vetë në Drizar, të cilët u vunë në dispozicion të Brigadës së 6-të Sulmuese Partizane me komandant Rerfat Bajramin. Këta cakranjotë vinin nga çetat territoriale, të cilat kishin treguar trimëri e vetëmohim në luftimet kundër pushtuesve fashistë në operacionet fashiste qershor – korrik 1943, vinin nga familje me tradita atdhetare, si në shpalljen e pavarësisë më 1912, në luftën kundër grekëve në Janinë më 1912, në Luftën e Vlorës të vitit 1920, si: Gani Telo Avdulaj, Faslli Tafil Brakaj, Hysni Shefo Kodhelaj, Lymo Hekuran Zeqaj etj.
Familjarët, prindërit, gratë, fëmijët, i ndoqën me sy derisa nuk i shikonin më, por me dhimbje e lot, duke u lutur Zotit që t’i ruajë nga plumbat e djallit, që dogji e vrau pak më parë Cakranin. Iu uruan rrugë të mbarë e të kthehen me fitore kundër armikut.
Këta djem do e çonin në vend amanetin e të parëve, që Atdheu është i yni jo i të tjerëve, ata të shkojnë në shtëpitë e tyre, boll vuajtëm 500 vjet nën sundimin Osman.
Luftëtarët e lirisë, që u nisën për luftë, e dinin rrugën dhe morali i tyre, ishte i lartë. Grupi i vogël i atdhetarëve, që dhanë jetën dhe u bënë symbol i lirisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, përbëhej nga 14 vetë.
NË FRONTIN E LUFTËS.
Pas 2 – 3 ditësh, ato mbërritën në destinacionin e duhur në Kurveleshin e Sipërm.
Para se të niseshin për t’u vënë në dispozicion të brigadave, ata u betuan para familjeve të tyre, kryetari i këshillit të LANÇ, komandave të vendit dhe popullit cakranjot që i përcillte.
Në vendkomandë ata u prezantuan me komandat e reparteve përkatëse, ku u falënderuan për detyrën atdhetare ndaj vendit, u pyetën a u lodhën, për familjet dhe vështirësitë e rrugës. Komandanti i grupit lexoi dhe përshëndetjen e komandës së Z.I.O Vlorë – Gjirokastër e antarit të Z. I. O. Vlorë – Gjirokastër Nuredin Aliu. Pastaj u njohën me problemet që kishin repartet partizane në kushte konkrete, në një terren malor e shkëmbor, me rrugë të vështira, si dhe me situatën e veçanërishtë presionin e madh që bënin forcat pushtuese gjermane, bashkëpunëtorët e tyre, për të shuar Luftën Nacionalçlirimtare, sidomos në zonën e Labërisë e të Shqipërisë së Jugut. Pasi u çlodhën, ata u vunë në dispozicion të nevojve të ushtrisë partizane.
BETEJA
Në mbarim të fazës së parë të operacionit, forcat armike, të paracaktuara për të marrë pjesë në mësymjen për asgjësimin e forcave të UNÇSH në zonën e Kurvelesh – Mesaplik dhe Bregdet, ishin dislokuar në një front të gjerë. Divizioni I Malor me një batalion “Shtajner” i rreshtoi forcat dhe mjetet në vijën: Grupi “Hirshfeld” në Memaliaj – Tepelenë; Grupi “Malter” në katundet Kodër – Labovë; Grupi “Vil” midis katundit Palokastër dhe Gjirokastër; batalioni i grupit “Shtajner” në katundin Lazarat. Grupi “Shtajner” i përqendroi forcat dhe mjetet në qytetet Delvinë – Sarandë. Divizioni i 297– të Malor i Korpusit XXI, me 600 forca, kishte detyrën e rrethimit të forcave partizane nga veriu dhe veriperëndimi. Forcat e këtij divizioni, të cilat në datat 8 e 9 qershor ndodheshin të angazhuara në luftime në rajonet e Qafë e Shkallës, mali Këndervicë, Smokthinë, Brataj kaluan nga Llogaraja në Himarë.
Veçanërisht të rrepta, me sulme e kundërsulme të vazhdueshme, u zhvilluan luftimet në rajonin e Grykës së Salarisë (Qafa e Kreshtës), kurse në atë të Bënçës, ku partizanët kishin zënë pozicione nga të gjitha shtigjet e lartësisë sunduese, në një terren të disfavorshëm për armiqtë, trupat gjermane as që guxuan të afrohen. Mirëpo në mësymjen e 18 qershorit kolonat armike filluan mëslymjen bashkëqendrore. Dy nga këto kolona, me përparimin e tyre të shpejtë nga jugu, arritën, njëra të pykëzohet e të dalë në Progonat e Lekdush dhe tjetra të kapë Qafën e Gomares, duke mbyllur edhe në këtë drejtim unazën rrethuese. Kështu, jo vetëm që u bë e pamundur çdo qëndresë e mëtejshme nga lindja në Nivicë – Gusmar – Lekdush, por edhe u krijua një gjendje shumë e rëndë për forcat partizane në këtë rajon. Batalioni II i Brigadës XII dhe forca të batalionit III të Brigadës VII mbetën të rrethuara në Bredhin e Luzatit (8 – 9 km në jug të Tepelenës). Tre batalioneve të tjera të brigadës XII, të rrethuara nga armiku në një terren të ngushtë (rreth 20 – 30 km katrorë, nga rrëza e malit të Gribës deri në Gusmar), u kanosej rreziku i asgjësimit.
Rrethimi, për të gjitha forcat partizane që vepronin në Bregdet, Mesaplik e Kurvelesh, ishte ngushtuar jashtëzakonisht shumë. Më 19 qershor kishte mbetur i pashkelur prej armiqve vetëm një rajon me gjerësi dhe gjatësi 6 – 12 km, i cili formohej midis Kuçit, Qafës së Gomares, Gusmarit dhe Çipinit të Bolenës. Të rrethuar në një rajon kaq të ngushtë, partizanëve u kanosej drejtpërdrejtë rreziku i asgjësimit. Rrethimi operativ i armikut, për forcat partizane po kthehej në rrethim taktik. Forcat partizane në këtë kohë i ndiqnin nga pas, vetëm nga verilindja dhe juglindja, mijëra gjermanë të Divzionit I Malor dhe të Divizionit të 104-t të Korpusit XXII, si dhe disa qindra forca mercenare. Të gjitha kolonat gjermane që mësynin në Kurvelesh nga të gjitha drejtimet, objekt takimi kishin rrjedhën e sipërme të lumit të Shushicës (Shurin e Kuçit). Në këto kushte, shtabet partizane e gjykuan të nevojshme që çdo komandë batalioni, të rrethuar në atë rajon, të gjente vetë mundësitë për të çarë rrethimin e për të manovruar forcat në shpinë të armikut. Në këtë situatë ishte i nevojshëm organizimi i një bashkëveprimi midis forcave partizane të grumbulluara në Kurvelesh dhe veçanërisht Brigadës VI dhe Brigadës XII.
BILANCI
Më 20 qershor në grykë ndodheshin rreth 1500 partizanë e vullnetarë dhe një shumicë e madhe njerëzish nga popullsia, gra, pleq e fëmijë, të larguar nga fshatrat e tyre për të mos rënë në dorë të gjaksorëve hitlerianë. Edhe më e vështirë paraqitej tërheqja e të plagosurve që ishin në spitalin partizanë të Gusmarit.
Më 18 qershor, duke përfituar nga mjegulla, braktisën shtëpitëe tyre dhe u fshehën nëpër pyje e shpella, në zonat shkëmbore të përshkueshme me vështirësi të madhe, edhe banorët e Nivicës, të Gusmarit, të Progonatit, të Lekdushit e të Kuçit. Mirëpo rajoni përreth këtyre fshatrave, si dhe ai i Zhurit të Kuçit përbënin, sidomos në datat 18 – 20 qershor, epiqendrën e unazës rrethuese të armikut, që hodhi aty forcat e dy divizioneve gjermane dhe një numër tradhëtarësh. Pushtuesit e rrethuan fort gjithë zonën e secilin nga këto fshatra, duke vënë në veprim edhe bandat balliste, u vunë në kërkim të partizanëve. Nga çdo anë oshëtinin pa pushim krismat e mitralozëve e të automatikëve të gjermanëve që krihnin zonat e pyllëzuara për të asgjësuar partizanët dhe fëmijët e gratë.
Mësuesi 87 vjeçar i historisë birë Vermiku i njohur me ngjarjen pas largimit të nazistëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, në librin “Ngjarje në një jetë” fq.62 shkruan: “Ndërsa forcat gjermane që ndodheshin në Majë të Shkurtër ndoqën rrugën: Majë e Shkurtër – Gushore – Majë e Helmit – Luadh – Xhimerove – Grykë e Shkallë. Gjatë rrugës në Majë të Helmit vranë Dilaver Mezurin 19 vjeçar, ndërsa në Petko, në një mbrezhdë, qëndronte një kope delesh, ata i qëlluan me breshëri automatiku dhe i vranë, madje edhe dy qentë që ishin lidhur pranë kopesë. Kurse në Grykë Shkallë pushkatuan 40 mallakastriotë, të cilët kishin ngarkuar kafshët me municion e kalonin në shkallën e malit të Këndrevicës. Vendi ishte i padukshëm. Gjermanët kishin zënë një pozicion që, ai nga mbrapa s’e shikonte atë që kalonte dhe ata i qëllonin direkt partizanët dhe i hidhnin në një humnerë. Kjo ishte e vetmja rrugë kalimi”. Nga këta luftëtarë, 14 ishin cakranjotë, në Brigadën e 6-të Sulmuese, nga Kreshpan: Avni Dalipi, Skënder Jonus Muskaj; Cakran: Gani Telo Avdulaj, Qemal Ramo Meraj, Qemal Gjysho Kodhelaj, Faslli Tafil Brakaj, Hysni Shefo Kodhelaj, Agur Daut Avdulaj, Lymo Hekuran Zeqaj – të Br. 12 S. Partizane: nga Cakrani: Kadri Sadik Korçari, Latif Gjysho Llanaj, Sheme Asllan Spahiaj, Osmën BeqirZeqaj, Mustafa Ymer Llanaj, kurse Riza Feçor Mehmetaj u zu rob. U çua në Gjirokastër, Janinë, Selanik, Mathauzen. U kthye më 1946 në Cakran.
Me mbarimin e operacionit, fazën e dytë, forcat gjermane u larguan nga Kurveleshi i Sipërm e i Poshtëm, duke menduar se forcat partizane u asgjësuan, por forcat partizane u riorganizuan, e morën veten prapë dhe filluan ofensivën përfundimtare.
Në kujtimet e tij, Dr. Sherif Klosi tregon se: kur dëgjova se ishin vrarë cakranjotët e mallakastriotët, më erdhi keq, sepse në kërkesën që i bëra komandant Jahos, më dërgoi 100 kafshë për transportimin e të plagosurve rëndë, ushqime e medikamente, që u strehuan në pyllin e Zhurit të Kuçit të Vlorës, midis tyre ishin dhe cakranjotë. Në befasi ata janë vrarë nga nazistët në grykën e Këndrevicës, bashkë me kafshët e tyre, me ngarkesa municionesh.
TRUPAT E PAJETË PËRCILLEN NË VENDLINDJE
Pasi i pushkatuan, i hodhën në një humnerë mbi 40 m, që ne i thoshim Hauzi i Borës. Mbasi u qetësua gjendja e masakrës së Kurveleshit, komanda e vendit dhe këshillat Antifashiste Nacionalçlirimtare morën masa të nxirreshin nga humnera, me litarë e kafshë luftëtarët e lirisë një nga një, nga shumë vermikas, thotë Fatri Anija nga Vermiku, dhe sidomos familja Lloi, e cila ishte me stan afër këtij vendi. Asnjë ardhës nuk mund të vinte në këtë humnerë, aty as “zogu nuk vinte” përveç 3 – 4 barinjve vermikas dhe në veçanti Heqber Lloi, të cilët i nxorën këta trupa të ngrirë dhe pastaj i morën familjarët, e kombinuar kjo me komandën e vendit dhe këshillin ANÇ të Cakranit. Për këtë, komanda e Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër nxori urdhërin e varrimit, duke i ngarkuar në kafshë dhe duke u çuar në Cakran, që ishte zonë e lirë. Mbas çlirimit disa familje mbetën miq me familjen Lloi.
Pushteti vendor kishte marrë masat përkatëse për pritjen dhe varrimin e ushtarëve të lirisë. Nuredini, në atë kohë u dërgon familjeve të bijve të Cakranit një mesazh ngushëllimi në emër të tij, të Komandës së Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër dhe kryesisë së këshillit NÇ të Mallakastrës. Ai vlerësonte aktin heroik të tyre, që flijuan jetën për çlirimin e Atdheut. Ata janë dëshmorë jo vetëm të Cakranit, por të Mallakastrës.