Masakra e Libofshës, rrëfimi i dhimbshëm i Mustafa Pupës dhe kujtimet e gjyqtarit që tha: Varje në litar

June 1, 2016 11:21

Masakra e Libofshës, rrëfimi i dhimbshëm i Mustafa Pupës dhe kujtimet e gjyqtarit që tha: Varje në litar

Mureve që u spërkatën me gjak, në korridorin ku gjeti nënën në grahmat e fundit, me imazhin e mbesës që u masakrua foshnje dhe dyshimin që mban prej 24 vjetësh: Në ngjarje ishin më shumë se dy persona.

Disa shkallë, një godinë me  çati mbuluar nga muret prej  blloqesh betoni; planimetri  me tri dhoma dhe një aneks-  kuzhinë, foto të njerëzve  të dashur jetëprerë nga marrëzia, të  varur në mure, ku gëlqerja e bardhë  përpiqet të shuajë ngjyrën e viteve, por  jo kujtimin e gjakut që spërkati këto  mure… Dysheme e ftohtë mbushur me  ajër të mbytur nga ngashërimet. Kjo  është shtëpia ku, më 29 maj të vitit  1992, ndodhi ngjarja më e rëndë e  asaj kohe, e etiketuar si “Masakra e Libofshës”. Shtëpia ndodhet në brendësi  të fshatit Libofshë, në një kënd, ku  është luajtur tragjedia më e dhimbshme  dhe e skalitur në memorien e gjithë  shqiptarëve.

Pesë anëtarët e familjes  Pupa u masakruan dhe u vranë brenda  shtëpisë, ndërsa drejtësia shpalli  fajtor dhe ekzekutoi me dënimin me  vdekje, varje me litar, vëllezërit Josif dhe  Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë.  Në këtë shtëpi prej vitesh jeton pjesa  e mbetur gjallë e familjes; Mustafa Pupa,  62 vjeç, me bashkëshorten Vezire,  56 vjeçe. Familja përjeton 24-vjetorin  e vdekjes së tyre. Por, për ata, gjithçka  duket sikur ka ndodhur dje. Pengu më i  madh, që i shoqëron në jetë, është pse  nuk u ngritën kur dëgjuan zhurmat dhe  lehjen e qenve, për të ardhur nga shtëpia  e tyre, në shtëpinë ku jetonin babai  me nënën dhe vëllai me bashkëshorten,  po ashtu edhe foshnja 8 muajshe,  Petriti, Zenepja, Agimi, Rajmonda dhe  Magdalena Pupa. Ku i dihet, mbase edhe  mund t`i kishin shpëtuar.

Mustafa Pupa

Kujtesë e frikshme 

Të dy bashkëshortët ritregojnë prej  vitesh atë që kanë përjetuar atë  mëngjes të datës 29 Maj, ndërsa  Mustafaj kërkon nga shteti vënien përballë  drejtësisë të autorëve të tjerë që  kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Sipas  tij, nuk mund ta kryenin atë masakër dy  persona. Të tjerët janë të lirë pohon ai.  “Më ka ngelur si peng. Ndjej shtrëngim  në frymëmarrje dhe një ngërç, që më  ka sëmurur e detyruar të marr ilaçe.  Mund të kisha shpëtuar vëllanë, babanë,  nënën dhe, sidomos, mbesën… Isha në gjumë! E kam parasysh si tani  atë natë. Vëllai ishte përgatitur të shiste  disa dele nga tufa e tij në pazar.

Po gdhihej. Qentë lehën aq fortë dhe gjatë  sa dhe ime shoqe më tha që diçka po ndodhte në shtëpinë ngjitur,që ishte e  vëllait. Shtëpi e re, e ndërtuar me kontribut vullnetar nga bashkëfshatarët  që nuk merrnin lekë nga krahu i punës, por vetëm falënderime dhe ushqim për  të gjithë. Unë e qetësova dhe i thashë  se ishin bashkëfshatarë që shkonin për  pazar. Nuk e merrja kurrë më mend se  kur unë flija gjumë, familja ime masakrohej me sëpatë dhe me thika nga  hajdutët. Në mëngjes dëgjova bariun  e dhënëve që thërriste sa emrin e babait  dhe më pas emrin e vëllait. Çudi,-  mendova,- të jenë duke fjetur ende?!  Kapërceva murin ndarës të shtëpive  dhe pashë se vazot e luleve ishin lëvizur  nga vendi.

Pastaj pashë copa qelqeje  nga xhami i dritareve. Dera kryesore  ishte paksa e hapur. Në korridor gjeta  nënën duke dhënë shpirt mes gjakut.  Në njërën dhomë babanë, rënë në  krevat. Në dhomën tjetër ishin vëllai  Agimi me nusen. Ajo kishte dorën vënë  përmbi kokë sikur po mbrohej nga  goditjet. Mbesa e vogël, po në mes të  gjakut, merrte frymë lehtë. Vetëm gjak  në mure dhe në dysheme. Kjo më është  ngulitur thellë në mëndje dhe sa herë  kaloj nëpër korridor apo hyj në dhoma,  shikoj trupat e tyre mes gjakut”.

Rrëfim

“I kam thënë për 24 vjet këto fjalë. Kam  treguar qindra herë këtë ngjarje. Por  pengu, pengu që në këtë ditë që ne  flasim ka ende në liri njerëz që vranë  vëllanë tim dhe familjen time, të  padënuar, më mban frymën”,-ofshan ai.

-Pse thoni se ka patur persona të  tjerë në këtë ngjarje? 

“Ata hajdutët, vrasësit, nuk ishin vetëm.  Nuk mund të shuanin një familje me  pesë anëtarë dy kriminelë ordinerë.  U arrestuan edhe të tjerë, por u liruan.  Dy vetë arritën të futeshin brenda  nëpërmjet dhomës ku flinte vajza e  vogël, mbesa ime Magdalena. Përthyen  hekurat e dritares dhe krijuan një pjesë  të lirë për tu futur brenda shtëpisë. Të tjerët ruanin jashtë. Njëri rrinte te hyrja  e shtëpisë time për të më ruajtur  mua që nëse dilja, të më vriste. Ata e dinin që unë dilja nga shtëpia, sepse prisja ato ditë lopën që ishte barsë.  Por atë natë nuk dola. Komshinjtë i kanë  parë hijet që rrinin jashtë. Ishin më  shumë se dy. Këta më ato punë merreshin.  Pas orës një e gjysmë të natës  vidhnin duke hapur dyert. Gjyqtari këtë  tha në gjyq. Këta meritojnë varje! Në  shtëpitë e vrasësve gjetën mjaft gjëra  të vjedhura nëpër fshat”!

-Tashmë pas 24 vjetësh si shkoni me  familjen e autorëve? 

– Në fillim ishte gjaknxehtësi. Ata janë  tre barqe fëmijësh. Barku i tyre, i sjellë  më vete në fshat nga nëna, u eliminuan  nga shteti. Të tjerët janë bark tjetër,  siç i themi ne. Ata kanë punuar dhe  ndërtuar këtë shtëpi ku jetoj unë tani  e që ka qenë e vëllait. Ndihem keq kur  shikoj fotot e vëllait, kunatës, mbesës.  Ishin më të rinj se unë. Tani kam tre  djem. Jetoj për ata. Nuk dua të përzihem  me askënd e, aq më keq, me fisin  e vrasësve. Ata në punë të tyre, unë  në punë time.

-Keni ngritur akuzë për pjesëmarrës  të tjerë? 

-Po! Kam shkuar në prokurori, tek ajo  më e larta. Kam takuar edhe Azem Hajdarin  ato ditë. Fillimisht ai më tha duke  i rënë drejt. Nuk na lë Europa të varim  njerëz, sidomos dy vëllezër. Por drejtësia  do t`i ndëshkojë vrasësit, më siguroi.  Gjyqi u bë shpejt dhe vrasësit u  varën. Prokuroria nuk e pranoi atëherë  kërkesën time.

Gruaja 

Vezire Pupa sot është 56 vjeçe. Tregon  se ka qenë një ditë më parë në varreza.  “Mundohemi të mbajmë gjallë, jo vetëm  kujtimin e tyre, por edhe këtë shtëpi  që ata e ndërtuan dhe e lanë me gjak.  Ka qenë e enjte… E mbaj mend shumë  mirë sepse të premten ishte ditë pazari.  Kanë ardhur shumë gazetarë këtu në  këtë prag shtëpie. Por nuk kanë shkruar  e thënë të gjithë të vërtetën që kemi  pohuar ne. Kanë shkruar edhe sikur jemi takuar me hasmin. Jo. Kurrë! Nuk  jemi takuar dhe as folur me ta! S`kemi  punë dhe shikojmë hallin tonë. Kunati  kishte ndarë tri dele mënjanë për t`i  shitur. E kishte vendosur që të shkonte  në pazar. Pasi i dhashë të pinte djalit,  ramë të flinim me burrin. Dëgjova zhurma  dhe lehje qensh. “Është ditë pazari”,  –më tha burri. Dhe fjetëm.

Të nesërmen  pasi çobani thirri dhe s’po përgjigjej njëri,  burri u ngrit dhe më tha: Është bërë një  gjë andej nga babai. Po dyshoj… Dhe pasi  hoqi një vazo lulesh për të kaluar, pa  se vazot e tjera ishin larguar nga vendi  dhe xhamat e dritares ishin hequr e disa  kishin përfunduar të thyer. Dera ishte e  hapur. Mamaja ishte në korridor, babai  në një dhomë, çifti në dhomën tjetër. Të  gjithë në mes të gjakut. Pastaj s’mbaj  mend ç’ndodhi. Vetëm ulërima, thirrje,  njerëz, polici, tmerr. Vranë sepse e dinin  që ai ishte njeri punëtor dhe donin të  vidhnin pasurinë e tij, lekët. Por, të lutem,  shkruaje! Kam peng që të paktën  të ishte mbesa e vogël gjallë. Të gëzonte  ajo këtë shtëpi. Shitëm tonën  dhe erdhëm këtu. Por sa do të doja që  kjo shtëpi të ishte të paktën e mbesës”.

Versioni zyrtar i masakrës

I përmendur qindra herë në raportimet  e gazetarëve të medieve të ndryshme  raporti zyrtar sjell para publikut dinamikën  e ngjarjes së ndodhur 24 vjet  më parë. Ngjarja ka ndodhur rreth  orës 00. 45, të datës 29 Maj 1992, në  shtëpinë pronë e familjes Pupa. Ata  kanë shfrytëzuar dritaren e njërës prej  dhomave ku flinte foshnja tetë muajsh,  Magdalena. Kanë përkulur majat  e hekurave të dritares, kanë hequr  njërin prej katrorëve të xhamave të saj  dhe janë futur në brendësi të banesës.  Me qetësi kanë goditur me një sëpatë  mbi 30-vjeçarin, Agim Pupa, që kishte  vetëm pak ditë që ishte kthyer nga  Greqia, ku kishte emigruar për afro 1  vit.

Po me sëpatë ata kanë qëlluar mbi  bashkëshorten e Agimit. Ajo ka ndier  nëpër gjumë hapat e hajdutëve dhe është përpjekur të dalë nga dhoma.  Aty mes dhomës është qëlluar me sëpatë,  duke vdekur me dorën mbi ballë,  për tu mbrojtur nga goditja. Autorët, më pas kanë lidhur nënën e  Agimit, Zenepen, dhe, pasi janë përleshur  me burrin e saj, Petritin, e kanë  qëlluar atë për vdekje. Vrasësit kanë  torturuar gruan e moshuar, duke dashur  që ajo të tregonte lekët, kursime të të  birit, dhe e kanë lënë duke dhënë shpirt  në korridor. Foshnja e vogël ka qarë  vazhdimisht dhe autorët e kanë goditur  atë me levë pas qafe, madje i kanë  përdredhur edhe kokën.

Mustafa Pupa  është përballur me skenën e llahtarshme  në mëngjesin e ditës pasardhëse. Fillimisht ai ka parë nënën e përgjakur  të shtrirë në korridor, muret dhe deri  dhe tavanet e gjakosur. Nëna, Zenepja  ka vdekur dy orë më pas, rrugës për  në spital. Ekspertiza mjeko-ligjore ka  nxjerrë se çifti i bashkëshortëve, Agim  dhe Rajmonda Pupa, vdiqën në vend  pas goditjes. Të katër viktimat kanë  patur shenja të goditjeve të thella me  sëpatë. E mitura, goditje me levë dhe  spërdredhje të kokës!

ANDON BETA, GJYKATESI I FUNDIT QE DHA VENDIMIN PER VARJE

Andon Beta, gjyqtari i  fundit që dha vendim  për dënim me varje  Kryetari i trupës gjykuese të  kësaj çështjeje ka qenë Andon Beta. Sot ai ushtron profesionin  e avokatit pranë Dhomës së  Avokatëve, Fier. Atë ngjarje s`mund ta  harrojë lehtë. E pranon.

Di çdo detaj të  atij vendimi, madje mban mend edhe sallën ku u mbajt seanca. Sigurisht  nuk ka qenë si gjithë seancat e tjera  të jetës së tij: “Atë ngjarje mundohem  ta harroj, por s’mundem. Ishte  tmerr! Me prova shkencore u provua  autorësia e tyre, Plus dhe dy të pandehurit  e pranuan vetë autorësinë,  pa harruar këtu edhe dëshmitarë të  ngjarjes, që identifikuan autorët. Kujtoj  se dënimi u krye shpejt. Ngjarja  ishte tronditëse. Jo vetëm se dënimin  e kërkonte opinioni qytetar, por të  bazuar në ligj shpejtuam gjykimin.  Shorti më ra mua. U futa të studioja  çështjen, përcaktova masat për  gjykim, lajmërimin e të pandehurve,  palës mbrojtëse, dëshmitarëve. Gjyqi  është zhvilluar në një nga sallat kryesore  të gjykatës. U zhvillua me ftesa.  Salla mbante brenda saj 250 vetë. Kaq mund të them se morën pjesë  atë ditë në seancë.

-Çfarë mbani mend nga dhënia e  vendimit? 

Përgjegjësia ishte e madhe për të dhënë  një dënim kapital. Nuk është e lehtë  të japësh një vendim të tillë. Duke patur  parasysh rrezikshmërinë e veprës,  egërsinë me të cilin ishte kryer vepra  penale, sidomos ekzekutimi, jo vetëm  i katër viktimave, por i fëmijës, mbaj  mend në këtë proces skenën e demonstrimit  të të pandehurit për pesë viktimat. Sidomos të fëmijës së goditur  me levë, e thyer qafën. Dhashë vendim;  dënim kapital me varje në litar!  Lexova vendimin .Salla ishte e tëra sy e veshë. Pastaj lexova pjesën e fundit ku  u shpreha se kishin të drejtë të apelonin  vendimin në shkallën e dytë! Jam larguar dhe në dalje të sallës më prisnin  kolegë të mitë. Më dhanë dorën dhe  nuk flisnin. Në shtëpi atë natë s`kam  futur gjumë në sy. Ndihesha mirë si  zbatues ligji. Keq si njeri. Nuk u ankimua  si vendim. Presidenca nuk ushtroi  të drejtën e faljes!

-Sot a jeni takuar ndonjëherë me  pjesëtarë të familjes së të dënuarve  me varje? 

Po, më kanë takuar e ëma dhe motra  e tyre. Fillimisht kishin paqartësi. I kam  pritur dhe takuar e kam biseduar me  to. Është nënë. Është motër. Fillimisht  kishin kritika. Thoshin se në këtë ngjarje  kishin gisht edhe të tjerë. Mirëpo nuk u  provua që kishte të tjerë autorë. Plus  që dy të varurit pranuan gjithçka, deri dhe autorësinë. Ato kanë ardhur vazhdimisht. Ndërsa sa herë me vjen nëpër  mend ajo ngjarje ndihem keq. Sidomos  për viktimat.

Vendimi:Varje në litar 

Varja në litar e dy vëllezërve nga  Libofsha ka shënuar ekzekutimin e  fundit të dënimeve me vdekje në Shqipëri.  Ky dënim u kundërshtua fort  nga organizmat ndërkombëtarë, ndërsa  opinion vendas nisur nga natyra e  krimit, por edhe numri i viktimave, i ka  dhënë dënimit mbështetje maksimale. Pamjet e transmetuara nga televizioni  i vetëm në Shqipëri, ai shtetëror,  tronditën ato kohë publikun, ende  të pamësuar me kronika të llojit të  tillë, skajshmërisht makabre. Procesi gjyqësor zgjati 24 ditë. Në fund të  atij procesi, në sheshin qendror të qytetit u vendosën trekëndëshat me  litar. Vendimi u ekzekutua në orët e  para të ditës së 25 Qershorit 1992.

Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati  Libofshë u varën në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri  mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga  turma njerëzisht që erdhën dhe nga  qytetet e tjera. Dëshmitarë të ndryshëm,  por edhe foto të kohës, tregojnë  ato çaste kur të dy vëllezërit kanë  qëndruar të varur për tu parë nga  të gjithë grupmoshat, fëmijë, të rinj,  të moshuar. Krimi ishte goditur edhe  pse me metoda komuniste. Pasditen  e datës 25 qershor, moti përkeqësohet  papritur. Një shi me erë të fortë  e suferinë i bashkëshoqëruar dhe me  shkreptima rrufesh ka pushtuar zonën.  Moti i egër dhe trupat e pajetë  që tundeshin në erë, janë dëshmia e  fundit e ngjarjes monstruoze të njohur  me emrin “Masakra e Libofshës”! /Shekulli

June 1, 2016 11:21
Komento

1 Koment

  1. naku June 1, 11:48

    E vetmja gje e mire qe beri Sali Berisha ne 25 vjet ne Sgqiperi,vari keta kriminel. Do doja te shikoja shume te tjere ne litar qe,kan bere krime pa fund.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*