Masakra e Përmetit me 9 mars. Çfarë ndodhi mes ushtarëve të Berishës dhe popullit?

Fred Abrahams December 9, 2015 18:00

Masakra e Përmetit me 9 mars. Çfarë ndodhi mes ushtarëve të Berishës dhe popullit?

I strukur në malet e ulëta të jugut gjendet qyteti i fjetur i Përmetit, fortesa e fundit e qeverisë në jug, ku Gazidede kishte mbledhur forca nga SHIK-u, ushtria dhe policia. Plani, më treguan oficerë të SHIK-ut dhe ushtrisë, ishte të përdorej Përmeti si bazë për të rimarrë qytetet e tjera në jug. Për të komanduar forcat, Gazidede dërgoi zëvendësin e tij, Bujar Ramën, që kishte shërbyer si oficer ushtrie në Përmet gjatë kohës së  komunizmit. Rama organizoi policët dhe ushtarët nga baza e ushtrisë pranë qytetit. Me komando nga Tirana dhe rezervistë nga veriu, ai tha se kishte dymijë burra.

Objektivi i parë ishte Gjirokastra, nja njëzet kilometra në jugperëndim, pas një vargmali me majat e mbuluara me borë. Qyteti hijerëndë në shpat mali po protestonte por ende nuk i kishte dalë plotësisht nga duart nga qeverisë. Sipas fjalëve të Bujar Ramës, ai ishte “gjysmë i rënë”, dhe komandanti i ushtrisë në zonë po kërkonte ndihmë. Ideja ishte që po të sigurohej Gjirokastra, qeveria do të mund të merrte qytetet e afërta të Delvinës dhe Sarandës. Kjo do t’i jepte pastaj qeverisë një mundësi. Rreth orës 13.00 më 8 mars, tre helikopterë me forca të qeverisë u nisën nga Përmeti. Ata kapërcyen malet e Nemërçkës dhe shumë shpejt në fushëpamjen e tyre doli Gjirokastra e gurtë, teksa morën kursin drejt një piste uljesh jashtë qytetit.

Banorët e Gjirokastrës panë helikopterët të afroheshin. “Po vijnë çeçenët”, thërrisnin njerëzit, duke e pasur fjalën për përkrahësit e Berishës nga veriu. Burrat e vendit rrokën armët dhe u drejtuan nga aeroporti. Helikopterët shkarkuan nga pesëdhjetë deri në tetëdhjetë anëtarë të forcave speciale, por burrat e armatosur bllokuan rrugën për në qytet. Ata shtinë në ajër, prishën helikopterët dhe zunë rob pesë ushtarë. Duke mos dashur të hapnin zjarr, forcat speciale u larguan në male dhe u kthyen në Përmet. Një helikopter i katërt u ul rreth orës 18.00, ndoshta për të shpëtuar forcat nga inkursioni i parë, po rebelët rrethuan edhe atë. “Qyteti ka rënë në duar të popullit”, i tha shtypit një burrë që e quante veten komandant të rebelëve. “Trupat e Berishës kthyen majat nga thembrat dhe po fshihen”[i]. Atë pasdreke, një turmë rrethoi bazën ushtarake të zonës. Komandanti urdhëroi ushtarët të dorëzonin armët. Banorët e Gjirokatrës, fëmijë e të rritur, mësynë si blerës të dehur gjatë uljeve të çmimeve për ditë festash, duke marrë armë të çdo lloj kalibri dhe lloji.

Gjirokatrës i hipi dalldia e kallashnikovëve. Fëmijët tundnin pistoleta dhe armë automatike në ajër. Granatat mbulonin truallin. Kazermat kishin pasur mortaja, artileri dhe topa kundërajrorë, si dhe sasi të pallogaritshme municioni. “Dukej si beteja e Stalingradit”, kujtoi kryetari i atëhershëm i bashkisë, Ylli Asllani. Policia kufitare dhe ushtarët braktisën pikën e kontrollit kufitar të Kakavijës në kufirin me Greqinë. Pika e parë e kontrollit, për këdo që ishte aq aventurier sa të vinte në Shqipëri, gjendej disa kilometra më tej, rrugës për në Gjirokastër, ku djem të rinj të armatosur ngritën një postbllok për të grumbulluar para.

Në Tiranë, lajmi i sulmit të qeverisë shkaktoi turbullim sepse shkelte pushimin e zjarrit. “Ne e hedhim poshtë kategorikisht këtë raport”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. “Përkundrazi, forcat rebele kanë sulmuar një repart afër Gjirokastrës”. [ii].

Agjencia shtetërore e shtypit raportoi më vonë se në Gjirokastër kishte pasur helikopterë të ushtrisë për “mision rutinë”. Rebelët në Tepelenë, thoshte raporti, kishin përhapur thashetheme se forcat po vinin “për të pushtuar Gjirokastrën”

Atë natë në Përmet, komandant Bujar Rama u mundua të kontaktonte Tiranën. Rama tha më vonë se i telefonoi Presidentit Berisha dhe kreut të SHIK-ut, Gazidedes, por linjat ishin këputur. Ai dërgoi telegram nga komisariati i policisë, ku pyeste nëse duhej të rrinte apo të ikte. Misioni në Gjirokastër kishte dështuar dhe tani Përmeti ishte i kërcënuar.

Rrugët e largimit ishin dy. Njëra shkonte në veriperëndim, drejt Tepelenës së kapur nga rebelët, dhe nuk mund të kalohej. Tjetra shkonte në juglindje përgjatë një lugine e mandej në veri drejt Korçës, përmes qytetit të vogël të Ersekës. Në rast se binte Erseka, kishte frikë Rama, trupat e Përmetit do të gjendeshin në kurth. Rreth orës 20.00, ai komunikoi me teleks me një oficer ushtrie në Tiranë. “Ashtu siç e përshkrova situatën, ata kuptuan se nuk kishte rrugë tjetër”, tha ai. “Duhej të kishte një zgjidhje politike”.

* * *

Me pamjen e një burri truplidhur e të pashëm, pesëdhjetenëntë vjeç në atë kohë, Franz Vranitzky ishte një ish-kryetar shteti i respektuar. Si kancelar i Austrisë nga viti 1985 deri në fillim të 1997-s, ai e kishte mbajtur detyrën më gjatë se çdo udhëheqës tjetër në Evropë pas Helmut Kohl-it të Gjermanisë. Meqenëse ishte larguar nga posti vetëm para pak kohësh, ai po kërkonte mënyra të reja për t’i gjetur punë vetes. Kur kryetari i OSBE-së, ministri i jashtëm i Danimarkës Niels Helveg Petersen, e pyeti nëse do të shkonte në Shqipëri si emisar i OSBE-së, Vranitzky pranoi.

Pas një jave, ndërsa forcat e qeverisë shqiptare po përgatisnin sulmin e tyre ndaj Gjirokastrës, Vranitzky i hipi një aeroplani të Austrian Airlines në Vjenë dhe zbriti pas dy orësh në Tiranë, vend ku nuk kishte qenë kurrë. Bashkë me të ishin njëmbëdhjetë zyrtarë të OSBE-së dhe disa politikanë, duke përfshirë kongresmenin amerikan Elliot Engel, kryetar i grupit shqiptar në kongres,të cilin Berisha nuk ishte pranuar ta takonte para disa muajsh.

Vranitzky e njihte Berishën nga ditët e para të pushtetit të PD-së dhe mbante mend se i kishte bërë përshtypje. “Ai ishte një lloj shprese”, më tha Vranitzkky në zyrën e tij elegante në Vjenë. “Ishte relativisht i ri, i hapur, relativisht i arsimuar, dhe fliste gjuhë të huaja”.

Duke përdorur si bazë Rognerin që ishte prona e një austriaku, delegacioni u takua në fillim me opozitën. Në orën 10.00, anëtarët e tij kaluan bulevardin për t’u takuar me Berishën. Salla e takimeve në presidencë kishte një mur të harkuar, kujtoi Vranitzky, gjë që i solli ndërmend atij një oborr oriental. Berisha i uroi mirëseardhjen grupit dhe ia nisi me kritika ndaj raporteve të OSBE-së për zgjedhjet e vitit 1996. Vranitzky i kërkoi Berishës të zgjaste armëpushimin, që skadonte të nesërmen në mëngjes dhe të deklaronte zgjedhje të reja. Berisha shprehu pikëpamjen se rebelimin e jugut e kishin orkestruar komunistët dhe vetëm ata mund ta ndalonin.

I zhgënjyer, por duke ruajtur qetësinë, Vranitzky mbajti të parën nga dy konferencat e shtypit të pasdrekës në hotel. “Ne do të ishim shumë të kënaqur dhe do të jetë shumë konstruktive nëqoftëse armëpushimi do të zgjatet për dyzetetetë orë – për të dhënë më tepër kohë për dorëzimin e armëve”, e dëgjova t’i thoshte një salle të mbushur plot me gazetarë të mjeteve të informacionit vendase dhe të huaja. Pikërisht në atë moment forcat speciale po tërhiqeshin përmes maleve me borë nga Gjirokastra për në Përmet.

[i]  “Rebel Forces Seize Government’s Southern Stronghold”, Independent, 9 mars 1997.

[ii] “Përgënjeshtrim i Ministrisë së Mbrojtjes”, Agjencia Telegrafike Shqiptare, 8 mars 1997.

[iii] “Acarim i papritur i situatës në Gjirokastër”, Agjencia Telegrafike Shqiptare, 8 mars 1997.

Fred Abrahams December 9, 2015 18:00
Komento

3 Komente

  1. SuloKapedani December 9, 19:53

    KETE KERKON QELBESIRA ,PERSERI DO TE VEPROJE SI ME 1997.MASKRUESI KERKON TE BEJE MASAKER DUKE U PROVOKUAR ME VEHTEN E TYRE.KJO RRACE DUHET ZHDUKUR.

    Reply to this comment
  2. beko December 9, 19:58

    Keto nuk jane vetem krime te Berishes por edhe te socialisteve mashtrues e frikacake. Fatos Nano ishte 8 vjet ne pushtet dhe Rama po hyn ne vitin e 3-te te qeverisjes. Jo vetem qe nuk kane guximin te denojne Berishen per krimet e shkuara por e lejojne qe te vazhdoje ti vere flaken Shqiperise. Te dy palet jane llum.

    Reply to this comment
  3. Moza December 9, 20:06

    Pershkrimi qe i ben autori renies se Gjirokastres te kujton pjesen”kunderajrori te Ismail Kadarese nga “Kronike ne gur”.Me realizem e pene mjeshterore.Tregon bemat e pushtetit te Berishes kunder popullit.Po ne Permet cfare beri? vrau edhe pjestare te PD-se se qytetit sepse po qetesonin njerezit.Sa me kujtese te shkurter jane disa qe harrojne krimet e Berishes dhe na i kujtojne te huajt?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim