Masakra e Vranishtit, replikë dhe një apel

March 8, 2016 18:47

Masakra e Vranishtit, replikë dhe një apel

 

Nga Myfit Memaj

 

Polemika në “Dita” për masakrën e Vranishtit ka ngjallur interesa dhe debate, por unë me shkrimin tim s’jam pjesë e palëve, por theksoj disa të vërteta. Unë afërsisht e mora vesh se kujt i drejtohej shkrimi në gazetën “Dita” nga një grup autorësh, mbasi aty përmendej dëshmori Nexhip Mici i vrarë nga grekërit në 1914. Por mbas ca ditësh vetë Bardhosh Mici bëri një replikë.

Ajo që lë shije të hidhur është se për çështje kaq serioze duhet të flitet me fakte e argumente ndërsa të dy palët e zbrisni në nivelin personal dhe kjo nuk i nderon, por as çështjen nuk e sqaron dhe të vërtetën e masakron më keq se Masakra e Vranishtit. Kur bëhet fjalë për çështje kaq madhore, askush s’duhet të humbas kontrollin dhe të fyejë, qoftë të gjallët por dhe të vdekurit.

 

Masakra e Vranishtit është nga më mizoret që ka ndodhur dhe për mendimin tim, edhe për mënyrën si ndodhi, ja kalon edhe asaj të Borovës që bënë gjermanët kur hynë në Shqipëri. Për Masakrën e Vranishtit ka plotë shkrime që nga Hajro Limaj, Nuredin Duka, Nazif Duka, Feriat Shkurti, Duro Mustafaj e deri te Arshi Sali Limaj.

Për Masakrën e Vranishtit boll të lexosh veprën e Doktorit të Shkencave Ushtarake Z.Mikado Shakohoxha që e ka zbërthyer në çdo detaj këtë ngjarje shumë realisht, dhe ka pasqyruar të gjitha ardhjet e gjermanëve që nga Shtatori kur u vra Razip Sherifi e në çdo detaj të ardhjes së gjermanëve, ose të lexosh “Ato ditë tëmerri” të Z.Zeqir Gjikondi tek “Vargje për Vranishtinqë s’ka lënë pa përmendur çdo emër të vrari, vendin ku është vrarë, tmerrin që kanë përjetuar fëmijët që pinin qumësht mbi nënën e vdekur, apo djegia e të vrarëve në mullarët e barit, apo barbaria e nazistëve tek Shakohoxhajt ku s’kursyen me të rriturit bashkë edhe fëmijën e vogël dhe nuk lejonin njeri që t’i varroste, por dhe kur i varrosi familja, gjermanët erdhën dhe i nxorrën nga varret duke i lënë në mëshirë të fatit që të bëheshin pre e egërsirave.

Mua më ka lënë shije të hidhur një shkrim i para një viti tek “RD”dhe “Gazeta 55” që fliste për Masakrën e Vranishtit në mënyrë që s’e kisha dëgjuar kurrë, aq më tepër kur të dy palët që shkruajnë kanë qenë pjesëtarë të komisionit për hartimin e historikut të Vranishtit. Reagimi pas një viti për atë shkrim nuk zbeh vlerën e përgjigjes në “Dita”.

 

Shkaku pse ndodhi Masakra e Vranishtit dihet nga të gjithë, ishte vrasja e 11 Gjermanëve në Ndarëza nga njësiti partizan i Çetës së fshatit. Reagimi gjerman ishte i menjëhershëm dhe ai erdhi disa herë në Vranisht për t’u hakmarrë. Ne duhet të falenderojmë e të kujtojm me respekt Aishe Kalemen që kur gjermani në një nga ardhjet e tij i rreshtoi gratë, burrat dhe fëmijët që gjeti në fshat atëhere para mitrolozit pranë trupave të gjermanëve të vrarë, dhe ajo me zemrën e nënës dhe guximin që i dha tmerri u ulë përpara ushtarit balukeverdhë gjerman e po e qante me ligje sipas zakoneve tona, veprim që tërhoqi vëmendjen e komandantit gjerman që e anulloi urdhrin. Por majori nuk harroi të kthehej sërish që të hakmerrej. Dhe masakrat e filluara në Lënga, në Qaftë të Qarrit, Lefosa vazhduan duke pushtuar fshatin e duke djegur çdo shtëpi, duke vrarë çdo kalimtar që gjendej rrugës dhe me egërsinë që i karakterizonte mblodhën gjithë burrat e fshatit dhe i mbyllën në xhami, ndërsa gratë dhe fëmijët të terrorizuar i mbyllën në dy shtëpi të tjera, dhe sot pas 72 vjetësh të rrënqethet mishi dhe të ngrihen leshrat e kokës.

Për Masakrën e Vranishtit edhe siç është pasqyruar në historik, unë i kam thënë mendimet qartazi dhe pa asnjë paragjykim dhe do isha i mendimit që ndonjë çështje në trajtimin që pse ndodhi kjo masakër edhe mund të diskutohej. Shkakun e masakrës ne e dimë të gjithë, por sot, me mendjen e ftohtë do shtroja pyetjen: A ja vlejti ai aksion në cep të fshatit ku u vranë 11 gjermanë ku si kundërpërgjigje u shua një fshat i tërë ku u masakruan dhe u vranë mbi 70 vetë?

Në një shkrim të botuar me emrin “Refleksione për historikun e fshatit Vranisht” të cilën ja kam dërguar edhe komisionit kam dhënë edhe ndonjë mendim mbi qëndrime sektare të mbajtura gjatë luftës dhe mbasë çlirimit ndaj kundështarëve politikë dhe ndaj personave dhe figurave si Sali Hallkokondi, Muharrem Llanaj, Toto Hysenit. Të gjithë e dimë shprehjen “nuk vret e nuk vjedh njeri në fshat të botës pa kallaus nga brenda”, unë i kam shkruar duke dashur të pasqyrohet e vërteta dhe jo kurrë për hakmarrjen apo për të denigruar ndonjë figurë të fshatit. Secilin e ka gjykuar koha e ne duhet të jemi bashkëkohorë duke lënë mënjanë “luftën klasore”.

Edhe në historik del se forcat luftarake të kohës duhet ta kishin mbrojtur Vranishtin megjithëse u përpoqën në njëfarë mënyre, por ajo më e pazakonta qe që Vranishti u la vetëm edhe për të varrosur të vrarët dhe s’u ndihmua nga askush.

Të kujtosh nënë Safën që vate të merrte dy djemtë e vrarë në Brataj dhe që i transportonte me radhë çdo 100 metra dhe nata e zuri në kufijtë e Terbaçit, ku nga errësira dhe lodhja ajo u fut midis të dy trupave të djemve që të kalonte natën derisa të gdhihej, po një rrugtar u bë sebep dhe e ndihmuan nënë Safën për të sjell trupat në Vranisht… Të kujtosh këto tmerre e të marrësh penën e të bësh luftë ideologjike do të thotë që zemra është e rënduar nga vuajtjet e së kaluarës. A

 

Në lidhje me ç’ka tjetërsohet për shtrembërimin e të vërtetës për Masakrën e Vranishtit, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për shkak-pasojën. Por në themel është e vërteta sublime se nuk vajti Vranishti tek Gjermani, por erdhi Gjermani në Vranisht dhe ai erdhi me terror dhe egërsi. Nga ana tjetër do theksoja se të gjithë ne vranishtjotët duhet të kemi të qartë e të jemi të bindur se koha e llogorëve të vitit ‘42 me ballistë e me komunistë ka mbaruar.

Është në të mirën e Vranishtit e ne të gjithëve që të shohim përpara dhe të kaluarën ta gjykojmë vetëm në sensin e mospërsëritjes së gabimeve të bëra. Jo urrejtje midis nesh; të mos lejojmë të na tërheq pas e kaluara e trashëguar. Nga ajo të marim veç të mirat.

Dhe këtu unë desha të theksoi ato që kam thënë para komisionit të historikut në Vlorë: Me ç’të drejtë ne i ndajmë të vrarët nga i njëjti mitraloz në ca dëshmorë e ca viktima? A e kuptojmë se ne kështu ata i rivrasim të gjithë sa herë e themi fjalën viktimë. A do pranonin të vrarët po t’i pyesnim, që ne kemi bërë këtë vlerësim që ca nga ju janë burra të mirë e ca nga ju nuk vlejnë fare. Me ç’të drejtë dhe kush na jep tagrin, kushdoqofshin ata që kanë bërë këto vlerësime kaq monstruoze, dhe ne i vlerësojmë të vrarët sipas tarafeve e klaneve fisnore. Ja, ky qëndrim nuk e nderon fshatin tonë të dashur.

Është në nderin tonë e në të mirën e njerëzve tanë që për ngjarjen e Masakrës së Vranishtit të vlerësojmë gjithçka ka ndodhur me nderimin më të madh për të gjithë të masakruarit, dhe jo të nxjerrim nga skutat e historisë së keqe gjëra të pavërteta e që nuk na nderojnë asnjë nga ne.

I dashur Bardhosh, ti dhe shumë të tjerë mund të kenë mjaft brenga dhe zhgënjime, por mendoj (kjo është personale për ty) se s’ishte Masakra e Vranishtit ajo që duhet të merreshe për të bërë polemikën. Mua dhe familjes time u nxi jeta nga mbledhja e udhëheqjes tek shtëpia e xha Ymerit (ka akoma të gjallë) dhe s’kam qenë dhe s’jam për hakmarrje. Unë e kam dënuar atëherë veprimin kur u dëmtua busti i Sali Vranishtit, Hero i popullit, dhe u dogj e u shkatërrua qëndra e fshatit sikur kishte kaluar gjermani, dhe dëmtimi i tërë asaj djerse të derdhur në vite. Dhe siç kam shkruar diku, të gjithë atyre që më kanë bërë keq mua e familjes time, unë i kam falur po qe se i ka falur zoti. Ne të gjithë të vëmë në punë mendjen dhe zemrën e mire, të largojmë nga vetja çdo gjë që na ndan dhe të punojmë të gjithë për ato që na bashkojnë.

March 8, 2016 18:47
Komento

6 Komente

  1. Pano Hallko March 8, 21:16

    NJË SHKRIM I EKUILIBRUAR. PËRGËZIME AUTORIT!

    Reply to this comment
  2. Barjami March 8, 21:55

    Pa dashur te bej analize te kesaj replike, me beri pershtypje se autorit dhe familjes se tij i “qenka nxire jeta”. Ai harron se per cfare ka qene ne burg dikur dhe ka rrojtur si zotni ne mes te Patosit dhe tani na ben rolin e moderatorit dhe te historjanit. Eh, ç’ vete me kete milet…..

    Reply to this comment
    • Cobani nga Lumi Vlores March 9, 11:35

      Ne nje shkrim mund te kapesh pas sa problemve te duash. Por ketu autori shtron mesazhin e mirekuptimit, te bashkimit e jo te dasive qe paevitushem pruri lufta. Jo te qendrojme ne llogoret e vitit 1944 por ne llogoret e integrimit e te bashkimit te kohes qe po kalojme.

      Reply to this comment
  3. Ani March 9, 10:37

    Bravo autori. Por mesa duket edhe ne te tilla histori te lavdishme, ndikon formimi politik i ndyr i autoreve gjoja te djatht. Turp te kene qe merren me te tilla gjera ku femij jetim ngelen pa prinder sepse jua pushkatuan sic eshte rasti i nenes sime qe u rrit ne jetimore. Turp tju vij ktyre horrave te djathte.

    Reply to this comment
  4. qytetari B March 9, 13:41

    E pëgezoj Myfit Memën për shkrimin dhe logjikën e përdorur, por edhe për vërtetësinë e atyre që shkruan. Besoj vranishtiotêt e dinë mirë çdo gjë, por kështu si ka ardhur koha edhe atje ka parti njerëzish, parti politike dhe njerëz që fryhen e çfryhen si tullumbace. Bardhosh Mici ka faj për atë që ka shkruar duke hapur një temë të panevojshme për një fshat me dhimbje dhe tradita si Vranishti, për një popull që çdo kohë e situatë i ka qëndruar hordhive të të huajve. Lexoj me kënaqësi të madhe shkrime në gazetat e Kallaratit, Fterrës, Tërbaçit e gjithë krahinave të rrethit Vlorës apo Labërisë, por nuk gjej veprime të tilla. Për këtë ka faj të madh mësuesi dhe intelektuali Bardhosh Mici që këtë ide të tijën e përfaqësojnë në fshat një pakic fare e vogë që i përkasin vetëm partisë politike të tij, bile jo të gjithë. Me këtë që ka bërë, shkurt, ka dashë të fusi përçarjen në fshat dhe diçka ja ka arritur, megjithëse vranishtiotët ranë preh e gjermanëve, po kurrë nuk besoj se bien edhe preh e mendimeve të Bardhoshit. Myfit Mema ka shkruajtur me zëmêr në dorë duke thënë se “Ne të gjithë të vemë në punë mëndjen dhe zëmrën e mirë, të largojmë nga vetja çdo gjë që na ndanë dhe të punojmë të gjithë për ato që na bashkojnë”.

    Reply to this comment
  5. Selfo Qorri April 8, 13:56

    Turp zoti Bardhosh!

    Nga menyra se si ke shkruar, dhe cfare mundohesh te perfaqesosh te le per te deshiruar…..
    Shyqyr qe ai fshat dhe ajo zone nuk ka shume filogrek bazuar ne kanidaturen e partise suaj zgjedhjeve te fundit…..
    Sigurisht qe do shtremberosh dhe do perdhosesh gjakun dhe idealet e atyre qe rane per liri….perderisa kerkon vota per Greket ne zemer te laberise.
    Por une ty bardhosh nuk te ve faj…
    Deformime te tilla te historise me ngjajne me klithmat e nje njeriu te deshperuar qe kerkon vemendje….
    Turp.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*