Masat si do zhvillohen provimet e Maturës 2019

May 22, 2019 10:26

Masat si do zhvillohen provimet e Maturës 2019

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, autoritetet e arsimit kanë vlerësuar edhe masat që do të zbatohen nga institucionet përgjegjëse në organizimin dhe mbarëvajtjen e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje.

Dy ditë më parë, ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini ka miratuar udhëzimin me masat e zhvillimit të provimeve të maturës. Në udhëzim përcaktohet koha se kur do të ngujohen ekspertët e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje për hartimin e testit final të secilit provim.

Gjithashtu, është vendosur që korrigjimi i testeve për këtë vit të bëhet në tre qendra, 2 prej të cilave do jenë në kryeqytet, si dhe një tjetër në Elbasan. Transportimi i testeve në ambientet e korrigjimeve do të shoqërohet nga forcat e policisë, të cilat do të ruajnë edhe qendrat e vlerësimit deri në përfundim të korrigjimit të të gjitha testeve.

Hartimi i testeve finale

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve për secilën lëndë do të bëhet nëpërmjet teknologjisë digjitale. Ekspertët kanë hartuar tashmë fondin me qindra pyetje për secilin provim, nga ku teknologjia digjitale do të selektojë edhe pyetjet për testin final që do të plotësojnë maturantët.

Sipas përcaktimeve të detajuara në udhëzim, periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit për provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të zhvillohen në këto data: në datat 1 deri në 7 qershor do të ngujohen ekspertët për hartimin e tezes së gjuhës së huaj, në datat 7 qershor deri në 12 qershor do ngujohen në ambientet e QSHA hartuesit e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, në datat 12-17 qershor do të ngujohen ekspertët që do të hartojnë testet finale të matematikës, si dhe në javën pasuese do të ngujohen ekspertët e provimit me zgjedhje.

Qendrat e korrigjimit

Pas zhvillimit të çdo provimi testet do të dërgohen nga shërbimi postar nën masa të rrepta sigurie drejt Shkollës “1 Maji”, Gjimnazit “Ismail Qemali”, të cilat do të shërbejnë edhe si qendrat ku do të bëhet vlerësimi i testeve. Ndërsa qendra e tretë e vlerësimit do të jetë në Elbasan në godinën e shkollës “Vasil Kamami”.

Ambientet e këtyre shkollave do të ruhen nga forcat e policisë ndërmjet datave 8 qershor deri në 2 korrik, kohë në të cilën parashikohet të ketë përfunduar edhe procesi i vlerësimit të testeve të lëndës me zgjedhje. Në çdo mjedis provimi do të instalohen pajisjet e bllokimit të zhurmave të mjeteve të komunikimit. Çdo maturant do të kontrollohet në mënyrë të rreptë para se të hyjë në ambientin që i është përcaktuar për zhvillimin e provimit.

Datat e provimeve

Provimet e maturës së këtij viti nisin në datën 7 qershor me testimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.

Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët është provimi me zgjedhje i cili do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Edhe për provimet e 2019-s, të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.

Rregullat e zhvillimit të provimeve

Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do ë kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.

Përjashtimi nga provimet

Sipas rregullores së miratuar më herët nga MASR, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se:

“Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

May 22, 2019 10:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*