Mashtrimi me rimbursimin, ministri Beqaj në interpelancë: E denoncuam vetë

May 28, 2015 15:32

Mashtrimi me rimbursimin, ministri Beqaj në interpelancë: E denoncuam vetë

Në interpelancën e thirrur nga deputetë të Partisë Demokratike për vjedhjen e organizuar nëpërmjet rimbursimit të rremë të barnave, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se, ky audit u ngrit nga strukturat e Shëndetësisë dhe tregon qartë luftën, që po i bëhet korrupsionit.

Por, deputetja Albana Vokshi akuzoi se, raporti përfundimtar i auditit nuk i është dorëzuar Prokurorisë dhe se skema e vjedhjes është zbatuar në më shumë se 4 farmaci.

“Burime të Prokurorisë konfirmojnë se kallëzimi i dorëzuar nga Fondi është thjesht një kallëzim i shoqëruar me një relacion, ku janë paditur vetëm 4 farmaci. Sigurisht, këto 4 janë të përzgjedhura për të mos i bërë dëm skemës së vjedhjes, që ky ministër ka ngritur prej 15 muajsh”, u shpreh deputetja demokrate Albana Vokshi.

“Skema abuzive ka qenë aty, që para se të vinit ju në pushtet. Jemi të vendosur që të ndryshojmë sistemin, sigurisht që do të duhet të auditojmë, do të ketë audite në vijimësi, nuk jemi të imunizuar nga tentativa për korrupsion apo nga korrupsioni. Janë denoncuar vetëm 4 farmaci, sepse ato rezultojnë tërësisht fantazmë. Ka vazhduar kontrolli për 3 farmaci të tjera, të cilat janë farmaci ekzistuese”, deklaroi më tej ministri Ilir Beqaj.

Vokshi ka akuzuar se, në këtë skemë vjedhjeje janë përfshirë drejtues të lartë të Shëndetësisë, ndërkohë që ministri Beqaj iu kundërpërgjigj me skemën e abuzimit me barnat në shtator të vitit 2013, në ditët e fundit të largimit të të djathtëve nga qeverisja.

“Skema është e thjeshtë. Një njeri, të cilin këta e kanë përjashtuar nga kjo skemë vjedhjeje dhe hajdutërie, i pakënaqur që nuk po merrte më fitimet e mëdha, që gjithë klani tjetër po përfitonte, ai spiunoi”, deklaroi Albana Vokshi.

“Ballafaquam të dhënat me agjencinë përkatëse spanjolle, të nëntë dosjet e barnave të regjistruara më 3 shtator dolën të falsifikuara. Më 9 shtator 2013, brenda ditës, depozitohet kërkesa për regjistrim ilaçi, analizohen 800 faqe, e shikon Komisioni i Nomenklaturës së Barnave, e regjistron ministri, të gjitha këto brenda një dite. Bëhet fjalë për ilaçin ‘Ibix’. Se kush ka qenë ministër Shëndetësie dy javët e para të shtatorit dihet në këtë sallë. Këta duan t’ia ofrojnë qytetarëve të Tiranës për kryebashkiak”, tha ministri Ilir Beqaj.

Vokshi kërkoi hetim parlamentar në lidhje me vjedhjen nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave./TCH

May 28, 2015 15:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim