Maskat masakrojnë nënë e bir dhe më pas i grabisin

December 18, 2013 09:52

Maskat masakrojnë nënë e bir dhe më pas i grabisin

Maskat hyjnë në banesën e familjes së emigrantit, masakrojnë nënë e bir në grabitje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm, në familjen Gjeka në lagjen “Gjeologu” në Bulqizë, kur kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët i kanë dhunuar anëtarët dhe kanë grabitur banesën.

Dy grabitësit, sipas rrëfimit të familjarëve, kanë hyrë nga dritarja në dhomën e gjumit të banesës dhe kanë dhunuar gruan në gjumë. Ata e kanë spërkatur me një sprajt agonik. Mësohet se gruaja jetonte bashkë me djalin, pasi kryefamiljari Gëzim Gjeka ndodhej në emigracion. Ndërkohë fëmija 13-vjeçar i familjes, është përpjekur të mbrojë nënën, por një nga autorët e ka goditur me lopatë në kokë, duke e lënë pa ndjenja. I mituri tregon se grabitësit kanë hyrë në dhomën e gjumit dhe i kanë hedhur sprajt në sy nënës së tij dhe më pas goditur ai në kokë.
“Ata hynë nga dritarja, te dhoma e gjumit të mamit, pasi kanë kontrolluar aty për lekë hapën derën dhe erdhën te dhoma tjetër. Ne nuk i njohëm sepse ata kishin çorape në kokë dhe doreza. Ata i hodhëm mamit sprajt në sy dhe e goditën, i doli edhe pak gjak. Donin të na hiqnin qafen edhe neve. Mua më ranë me lopatë apo levë nuk e di se çfarë ishte dhe më pas shkuan të qëllonin motrën, por unë dola nga dritarja dhe ata nuk e prekën motrën”, rrëfen 13-vjeçari F. Gjeka.

Ai tregon se policia është njoftuar nga fqinjët. Në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin nëna dhe tre fëmijët, më i madhi 13-vjeç. I mituri tregon se nuk e di se kush mund ta ketë kryer grabitjen, pasi në lagje sipas tij ka shumë hajdutë. Por dyshohet se autorët kanë pasur informacion se kryefamiljari Gjeka ndodhej në emigrim dhe dërgonte valutë për bashkëshorten nga Greqia, që të mbijetonin ekonomikisht. Policia vendore nisi hetimet dhe shoqëroi 10 persona të njohur si kontigjent krimesh në këtë zonë, por nuk ka ende asnjë të arrestuar. Janë bërë përpjekje edhe për të gjetur gjurmë gishtrinjsh dhe shenja të tjera, por pa asnjë sukses. Sipas të miturit që ka marrë plagë në kokë dhe është mjekuar në spital, autorët mbanin doreza dhe maska, ndaj nuk i kanë identifikuar dot. Mësohet se ata kanë gjetur një sasi të vogël parash dhe disa bizhu që i grabitën. Fqinjët denoncuan pasi dëgjuan zhurma dhe thirrje për ndihmë të gruas së dhunuar dhe fëmijëve të saj. Agresorët kanë dalë përsëri nga dritarja e dhomës së gjumit dhe janë arratisur.

December 18, 2013 09:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*