Masteri/ 7028 kuota për pranimet e reja, ndarja për 5 fakultetet

August 31, 2017 14:02

Masteri/ 7028 kuota për pranimet e reja, ndarja për 5 fakultetet

 

Pranvera Kola – DITA

Pas vlerësimit të kapaciteteve pritëse në të gjitha fakultetet, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar numrin e kuotave për pranimet e reja që do të zhvillohen përgjatë muajit të ardhshëm në programet e studimeve të nivelit të dytë, “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” përgjatë vitit të ri akademik 2017-2018.

Sipas vendimit të marrë nga ky institucion, kuotat e përgjithshme të pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë në Universitetin e Tiranës studimet me kohë të plotë në nivelin “Master i shkencave” me kohë të plotë do mund t’i fitojnë 3920 kandidatë, ndërsa në programet “Master profesional” rreth 3108 kandidatë.

Në mënyrë të detajuar këto kuota ndahen në kuota për pranime të reja në programet e studimeve të ciklit të dytë për kandidatët brenda vendit, kuota për program të dytë studimi, kuota për transferim studimesh, si dhe kuota të përcaktuara për pranimin e shtetasve të huaj që duan të vijojnë më tej studimet e nivelit universitar në vendin tonë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për secilin program të studimeve master.

Kriteret e aplikimit

Gjithashtu janë përcaktuar edhe kriteret e aplikimit dhe të shpalljes së fituesve për programet e nivelit të dytë në të pesë fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me ngjashmërinë e studimeve të kryera në nivelin e parë “Bachelor” dhe zgjedhjen e profilit për vijimin e studimeve të nivelit master, por edhe me kushtin e vendosur për mesataren e kërkuar që në aplikim, si dhe detyrimin e njohjes së gjuhës së huaj sipas udhëzimit zyrtar të përcaktuar nga MAS.

Në mënyrë të detajuar, për të konkurruar në programet e e nivelit të “Masterit shkencor”, çdo kandidat duhet që të ketë një diplomë të ciklit të parë të studimeve të ngjashme me fushën e studimeve që kërkon të ndjekë në këtë cikël studimesh, të ketë mesataren mbi notën 7, si dhe të garantojë nëpërmjet dëshmive përkatëse njohjen e të paktën nivelit B1 të një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, sipas kushteve të përcaktuara nga fakulteti përkatës.

Po ashtu fakultetet kanë përcaktuar edhe kritere të tjera specifike pranimi që kandidatët duhet të përmbushin gjatë fazës së aplikimeve, të cilat pritet të zhvillohen përgjatë muajit në vijim. Në vendim saktësohet më tej se për aplikimet në programet e nivelit profesional nuk do të jetë e nevojshme njohja e gjuhës së huaj.

Për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo i diplomuar në fakultetet publike dhe private të vendit, duhet të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e kërkuara, çka do të thotë se konkurrimi do të zhvillohet nëpërmjet dokumenteve të dorëzuara në dosjen e kërkuar. Afatet e aplikimit për të gjitha fakultetet do të zbardhen gjatë ditëve në vijim.

Dosja e dokumenteve të kërkuara

Të drejtën e konkurrimit për këtë nivel studimesh e kanë të gjithë ata kandidatë që kanë kryer studimet në fakultetet publike, ku janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Mund të aplikojnë edhe të gjithë ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit, por me kushtin që të kenë përfunduar procedurat e njehsimit të diplomave përkatëse pranë MAS.

Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim. Në dosje duhet të përfshihen: Diploma, ose fotokopja e njësuar me origjinalin për studimet e kryera të ciklit të parë. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet vërtetimi i njohjes së saj nga MAS, e shoqëruar edhe me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin.

Kandidati duhet të dorëzojë edhe diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, të konfirmuara nga njësia përkatëse arsimore vendore. Kandidatët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2010, duhet të dorëzojnë origjinalin e Dëftesës së Pjekurisë.

Nëse nuk posedojnë këtë dokument, mund të paraqesin edhe dublikatë të saj të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, nën firmën e njësisë përkatëse arsimore, si dhe firmave të lëshuara nga Arkivi i Shtetit, së bashku me listën e notave.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për të dyja ciklet e studimit në të pesë fakultetet e UT-së, si dhe Institutin e Studimeve Evropiane për kandidatët brenda vendit.

Ndarja e plotë e kuotave në të gjitha programet

1) Për vitin e ri akademik 2017-2018, kuotat e përgjithshme të pranimit në Universitetin e Tiranës në programet e studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, janë 3920, ndërsa në programet “Master Profesional” me kohë të plotë janë 3108. Këto kuota ndahen në:

-Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit (tabela bashkangjitur shkrimit) për programet “Master i shkencave” janë 3373 të drejta studimi, ndërsa në “Master profesional” 2615 të drejta studimi.

-Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit: “Master i shkencave” janë 197 dhe “Master profesional” 113 kuota.

– Kuotat për kategoritë e veçanta: “Master i shkencave” janë 122 kuota dhe në master

“Master profesional” janë 74 kuota.

  1. Kuota për program të dytë studimi: “Master i shkencave” 131 kuota dhe “Master profesional” 276 kuota.
  2. Kuota për transferim studimesh: “Master i shkencave” 70 kuota  dhe “Master profesional” 20 kuota pranimi.
  1. Kuota për shtetasit e huaj: “Master i shkencave” 27 kuota dhe “Master profesional” 10 kuota pranimi.

KlikoKuotat e studimeve master

August 31, 2017 14:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*