Matjani shekullor Et’hem Barhani

June 18, 2018 16:38

Matjani shekullor Et’hem Barhani

Sevo Tarifa

Do të doja të shkruaja për burrin e shquar matjan, për luftëtarin e vjetër atdhetar, për komandantin e batalionit partizan të Matit, për qytetarin e nderit të Burrelit, për mikun e rinisë së kryeqytetit, njeriun që për tre muaj do të mbushte shekullin e jetës, – Et’hem Barhani. Figurë të mirënjohur, njeri dinjitoz, i urtë, me kulture, i sjellshëm, veteran shembullor LANÇ.

Nga fshatlindja e tij, Lis i Burrelit, kam dy kujtime të paharruara: së pari, në këtë fshat kam kaluar korrier partizan në vitet e luftës, i pritur e i përcjellë me dashuri e respekt.  Së dyti, pas çlirimit kam shkuar në Lis kur ra në krye të detyrës mësuesi dropullit, Heroi i Punës, Ilia Qiqi. Dhe lidhen kështu dy kujtime miqësore të dy partizanëve, njëri nga Jugu e tjetri nga Veriu.

Dy miq të pandarë: fqinj dhe si pensionistë në të njëjtën organizatë te veteranëve te Luftës. Po sa kujtime të tjera na lidhin!  E them me krenari se marrëdhëniet me këtë luftëtar atdhetar kanë qenë oër mua model i një njeriu, me merita të mëdha lufte dhe pune, ushtarak e civil.

I shkova  për një vizitë në shtëpi. Ishte 27 shtator 2006. Koha ishte me mjegull e me shi, por në takim me këtë njeri të nderuar gjeta diell behari, u ngroha zjarrin e zemrës së tij. Më hapi vetë derën. E pashë me bastun në dorë. Hapi dhe dritën e korridorit. Më uroi mirseardhjen. Më tregoi vendin ku të ulem. Ishte buzagaz. Fytyrëçelur. Syndritur. A thua se ky njeri pas gjashtë vitesh do t’I afrohej qindit? As flokët e bardha, as rudhat në fytyrë, as bastuni që mban në dorë nuk ia tregojnë moshën. Moshën e tij e tregojnë mendja dhe zemra. Kush nuk e di sa vjeç është xha Et’hemi, nuk e beson se po i afrohet shekullit! Kush nuk e njeh dhe takohet e bisedon me të, e bën më të ri nga mosha që ka. Dhe ka arsye. Ai mendjen e ka të freskët. Zërin të ëmbël. Fjalën mjaltë. Mikpritjen shembullore. Ka lezet shtëpia me plak. “Shtëpia pa plak është si dera pa prag”.

Aty ku u ulëm, pashë një fletore shumëfletëshe. E pyeta:

-Ç’është kjo fletore me kapak të zi?

E mori në dorë dhe më tregoi me modesti: “Këtu kam shkruar e vazhdoj të shkruaj kujtimet e mia, por ma ka hedhur një sy, nga i cili nuk shoh mirë”.

-Çdo të bëhet me këto kujtime që po shkruani?, e pyta përsëri.

-Do t’ia lë familjes, m’u përgjigj. Me këtë rast i propozova: po sikur të përmblidhen në një monografi e të botohen, t’i lexoni dhe ju vetë, ose t’ua lexojnë pak e nga pak, që të mos lodheni?

Këtu buzëqeshi, por nuk u shfaq dhe aq dakord. E kuptova modestin e tij, se një libër i veçantë për veten e tij i duket si mburrje. I thjeshtë ka qenë gjithë jetën xha Et’hemi. Dhe kjo thjeshtësi e ka zbukuruar kurdoherë. E për të ngarë bisedën, i kujtova fjalën e urtë kineze: “Thjeshtësia është më e bukur se vetë bukuria”. Pastaj i tregova për Sulë Bahollin, që tre vjet më parë ka shkruar e botuar librin “Vite Lufte”. I kallzova për veteranin Sabri Sevrani, monografinë e botuar.

Shumë shokë e quajnë një veprim të drejtë që monografia, për shokë që e meritojnë, ta shohë dritën e botimit jo pas vdekjes. Ai dëgjonte e më shikonte me dashamirësi. Dëgjonin dhe njerëz të familjes, dëshira e të cilëve është që monografinë e tij, të përgatitur mbi bazën e kujtimeve që po përfundon vetë ai, ta botojnë e t’ia japin dhuratë më 5 maj 2007, ditën e njëqindvjetorit të lindjes, që përkon edhe me Ditën e Dëshmorëve.

Qëndruam dy orë në bisedë me të nderuarin Et’hem Barhani. Sa shpejt ikte koha! E ç’nuk pashë e ç’nuk dëgjova prej tij! Tre vjet më parë kisha qenë për vizitë me gjeneralin në pension, Muharrem Kokomani.  Në atë takim i kërkuam dhe na bëri një ekspoze të jetës, të luftës e të punës shumëvjeçare të tij. Sot vura re se ishte po ai i tre vjetëve më parë: energjik, i shkathët, i palodhur në bisedë, modest si gjithnjë. Indiferentizmi është armik i tij. Dhe është konkret, aktiv, jep mendime, bën propozime për forcimin e punës së organizatës të veteranëve, për pasardhësit e tyre, për gazetën “Kushtrim brezash”, për gjendjen politike dhe ekonomike të vendit.

Ndër të tjera u shpreh: “Situata është tejet kaotike. Televizor nuk shoh dot, për arsye të syve, por me vesh dëgjoj radion. Ndër të tjera na tha: “Më pëlqen Edi Rama. Sikur ta takoja do t’ia thoshja përshtypjen time, por nuk do rrija pa i thënë edhe diçka tjetër: kur flet, ruaju nga toni, se pastaj i ngjan Berishës. Gjaknxehtësia të çon në gabime. Tek gjaknxehtësia e njeriut nuk sundon logjika, por nervat. Gjakftohtësia dhe urtësia janë më të mira”.

Nuk doja ta lodhja më shumë. I thashë se kisha ndër mend të botoja një libër me titull: “Atdheu në zemër”. I lexova tematikën. Qëndrova te kreu “Shqiponja mali”, me emra të disa shokëve dëshmorë, heronj, ish partizanë e kuadro të luftës. Titulli i librit, nëntitulli i kreut dhe personazhet i pëlqyen. E lexova këtë në fytyrën e tij. E pashë në gëzimin e në fjalët miratuese e kurajuese të tij.

Po kur dëgjoi emrin “Et’hem Barhani”, puna ndryshoi! U shpreh se “për mua ke shkruar. Ka dhe shokë të tjerë, me më shumë merita, për të cilët duhet shkruar. Kam një propozim: të shkruhet për tre figura: për për Hibe Palikuqin,  Heroinë e Popullit, për Mustafa Kaçaçin, gjithashtu Hero i Popullit dhe për Tomor Sinanin, që e kam njohur në Elbasan.

U pamë drejt në sytë e njëri-tjetrit. Fytyra e tij mori një pamje tjetër. Përfytyroi këta trima. Dhe duke e vënë re, depërtova në shpirtin e tij: pashë mall të ndezur, dashuri të thellë, nderim të lartë për ta. Njëherazi vura re me kënaqësi edhe një tipar të bukur: thjeshtësinë e xha Et’hemit. Përsëri njeri i thjeshtë. I drejtë. I ndershëm. Thotë atë që mendon. Atë që duhet bërë më mirë. Është që “haka të shkoi tek i zoti”. Mirësia është cilësi e vyer e tij. E karakterizon dashamirësia.  Këtu shkëmbyem mendime. Unë i pohova se diçka kam lexuar për dy heronjtë: Hiben dhe Mustafain. Ndërsa për Tomorin di pak më tepër, se që kur kam punuar në Elbasan, rinisë i flitej gjithnjë për figurën e tij. Me këtë rast u shfaqa dakord që të shkruajmë për të tre.

Dhe ai filloi të më tregonte për Tomorin. “Isha oficer. Pas pushtimit fashist të vendit, qëndrova pranë familjes në fshat deri në qershor 1939. Në prill 1940 më emëruan në depon e veshmbathjes në Elbasann dhe deri në prill të 1943 shërbeva në zyrën e rekrutimit të Librazhdit, me gradën kapiten.  Në Elbasan mora kontakt me Tomor Sinanin. Ishte maj 1942. Ato ditë kishte rënë heroikisht Qemal Stafa.

Më vjen një ditë Shpresa Shahini, me pseudonimin “Drita”, e cila më thotë: “Më dërgoi shoku Tomor Sinani, dëshiron t’ju takojë”. Dhe unë shkova, ku më tha ajo, në shtëpinë e Tomorit, që ndodhej te fushën e vjetër të sportit. Ishte një shtëpi dykatëshe. Atje Tomori më takoi me përzemërsi. Ai ishte 21 vjeç e unë 34. Ai më foli për situatën, për punën që bëhej duke organizuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Biseduam për luftën heroike dhe vrasjen e Qemal Stafës. Më tha se “Kjo është një humbje e madhe, por lufta i ka këto. Liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak”.

Pastaj vazhduam bisedën. Ndër të tjera Tomori m’u drejtua me fjalët: “Ti je një patriot i mirë, në Librazhd mund të punosh me fshatarë, qytetarë e ushtarakë” dhe më dha një tufë me thirrje që u drejtohej ushtarëve për arratisjen e tyre, me trakte e komunikata për t’i  shpërndarë, por me kujdes, duke ruajtur konsperacionin. Këto materiale ilegale i futa në dy revista italiane që kisha me vete, të cilat i bëra si tub, që të mos kuptoheshin se ç’kishin brenda. Më rekomandoi e më orientoi se si të lidhem me oficerë e të punojmë me ushtarë deri në arratisjen e tyre.

Marrëdhëniet me Tomorin i mbaja me anë të Ali Myftarit, që ishte inspektor i arsimit në prefekturën e Elbasanit. Aliu më tha se do shkojmë në një shtëpi, ku do të na punohet rezolucioni i Konferencës së Pezës. Kjo ishte shtëpia e Baki Kongolit. Në dhomën ku u mblodhëm ishim rreth 30 veta. Në mes të dhomës ishte kitara, që do t’i binte Bakiu e në rast kontrolli të jepnim përshtypjen se ne kemi shkuar për dëfrim! Pas mbledhjes, Aliu më tha: “Tani do shkojmë të takojmë një “shok të malit”. Shkuam, dhe ky “shok i malit” ishte Enver Hoxha. Aty qe dhe Tomori. Enverin e njihja që kur ishte në Korçë, ku kam shërbyer edhe unë si ushtarak. Tomori i tha Enverit se “Et’hemin e kemi një shok të mirë që bën punë klandestike me popullin dhe ushtarët në Librazhd”.

Librazhdi atëherë ishte komunë e klasit të parë, që varej nga prefektura e Elbasanit. Atje kishte dy batalione të Ushtrisë Shqiptare. Unë u lidha me Asim Zenelin, Vangjel Dogën, Pano Xhamballon, Islam Vanin e të tjerë, që ishin oficerë në këto reparte. Natyrisht puna jonë nuk ishte e lehtë, se ne ishim me uniformë ushtarake dhe duhej të vepronim nën hundën e fashistëve. Veprimtaria jonë u nuhat dhe ishim në rrezik, ndaj më 21 prill 1943, dy karabinierë kërkuan që të paraqitesha në komandën e garnizonit. Por unë ika në mal te luftëtarët e lirisë.

Në fjalët e shokut Et’hem, sa herë që fliste për Tomorin, shikoja një respekt e konsideratë të veçantë. Më fliste për trimërinë e tij, për sakrificat që bënte, për aftësitë e rralla, për punën e madhe që zhvillonte në ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare në qytet e në fshatra. Ishte në krye të Komitetit Qarkor të Partisë. Punonte sidomos me rininë, me gratë e me fshatarësinë, për të cilën, siç shprehej ai “ duhet të punohet me durim. Padija i ka rrënjët në fshat. Shfrytëzimi në fshat është i dyfishtë”.

Është kënaqësi të takohesh e të bisedosh me burrin e shquar matjan, Et’hem Barhani. Edhe pse po mbushte një shekull, i kishte hije fjala, si detit vala. Flet e të shikon në sy. E dëgjon dhe sy e mendje mbeten tek ai. E përfytyroj ashtu siç e kam njohur, siç e mbaj mend atdhetar të vendosur, trim e njeri të aksioneve në luftë e në punë, anëtar të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar,  i zgjedhur në Kongresin historik të Përmetit, kolonel, kuadër drejtues e deri deputet e anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

***

Sa herë që takoja e bisedoja me matjanin shekullor, ndjeja kënaqësi të veçantë. I moshuar, por me logjikë të fortë. Trim dhe i ndershëm.  Duke shkuar disa herë tek xha Et’hemi, më në fund u morëm vesh edhe për monografinë e tij, e cila u përgatit dhe pa dritën e botimit, por fatkeqësisht ai nuk arriti ta shohë të botuar me titullin “Vite të stuhishme”. Tekstin e rilexoi në dorëshkrim, I mbetën vetëm pak faqe në fund, se një grip i rëndë e mori dhe zemra e tij pushoi! Libri u promovua në mungesë të tij, por ai ishte i pranishëm aty, me shokëve e miqve pjesëmarrës, krahas familjes e farefisit të tij. U kujtua me nderim të merituar!

June 18, 2018 16:38
Komento

3 Komente

  1. Dhimiter M.Xhoga (Guri Naimit D) June 19, 05:00

    Te nderuari dine te NDEROJNE.

    Faleminderit i Nderuar Pr.Sevo Tarifa, per sa keni shkruar per ate figure te shquar te Kombit tone, Et’hem Berhani,bir i azaj zone me emer atdhetarsh(pavaresisht tradhetise Zogolliane),na nderon ne bemat e tij,NJE SHEKULL ne kembe,atdhetar mbi atdhetare.. 82 vjecar jam, po kam patur fatin e madh,si mesues nje jete, ta njoh veprimtarine e Tij, qe ju i palodhuri Sevo Tarifa e paraqisni me aqe mjeshteri te fjales dhe mendimit. Shendet dhe pene si gjithnje atdhetare ju i nderuar Sevo Tarifa dhe tej Oqeanit,nder me te lexuarit e te nderuarit jeni.Te nderuarit dine te NDEROJNE,
    Toronto18-06-2018 Dh.Xhoga (Guri Naimit D.)

    Reply to this comment
  2. PartiaeButhes June 19, 05:47

    Komunist I Derit!

    Reply to this comment
    • artur June 19, 21:35

      Debil ke gje per te thene apo thjeshte ti dusim nga nje ofendim? Komunistet e atyre viteve te kane bere te mundur qe ta quash akoma veten shqipetare xha Et’hemin te cilin e kam njohur personalisht te jepte uje ne bisht te luges ty e sorollopit tend ase e thene ndryshe ballist.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*