Matura 2017/ Çelësi i përgjigjeve për testin e gjuhës së huaj

June 6, 2017 10:43

Matura 2017/ Çelësi i përgjigjeve për testin e gjuhës së huaj

Pranvera Kola – DITA

Vetëm pak orë pas mbylljes së provimit të parë të detyruar të Maturës 2017, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (ish-AKP), në ndihmë të maturantëve, ka detajuar edhe çelësin e përgjigjeve të sakta për testin e anglishtes, italishtes, frëngjishtes dhe gjuhës gjermane.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar skemën e përgjigjeve të duhura për të 25 pyetjet finale të secilit prej testeve të përmendura, çka ju ndihmon që të krijoni vetë idenë për nivelin e pikëve që mund të siguroni në provimin e parë të maturës së këtij viti.

Sipas skemës së MAS, për të qenë kalues në provimin e gjuhës së huaj, duhet të siguroni  me përgjigjet e dhëna, detyrimisht 10 nga 50 pikët totale me të cilat vlerësohet testi.

Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik.

Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë mesit të muajit shtator.

Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se për përgjigjet e gabuara, apo ato që nuk janë plotësuar fare, gjatë procesit të korrigjimeve maturanti nuk do të penalizohet me ulje të pikëve.

Në këto raste vlerësimi do të jetë me zero pikë për secilin rast. Përgjatë dy ditëve në vijim pritet të nisë edhe procesi i korrigjimit të testeve, i cili do të zhvillohet në qendrat e përzgjedhura tashmë.

Sipas afateve të vendosura, mbas dy javësh do të shpallen notat e marra për rreth 40 mijë maturantët që morën pjesë në këtë provim. Në rregullore e këtij viti, është përcaktuar se mbas shpalljes së rezultateve, maturantët e pakënaqur me notën mund të kërkojnë të marrin një fotokopje të testit të vlerësuar.

Por, për të kërkuar këtë kopje të korrigjuar, duhet të presin mbylljen e të gjitha provimeve të maturës, e më pas të bëjnë kërkesën përkatëse.

Autoritetet e arsimit sqarojnë se gjatë viteve të shkuara shumë maturantë kanë mundur të tërheqin fotokopjen e testit të vlerësuar, por nuk ka pasur rikorrigjim të tyre, pasi vlerësimet e dhëna nga tre mësuesit kanë qenë të sakta. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe gjatë maturës së këtij viti.

Aktualisht, maturantët kanë nisur përgatitjet finale për provimin e radhës në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, i cili do të zhvillohet ditën e shtunë.

Sipas rregullores, edhe testi i letërsisë do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë në total.

Pyetjet e testit do të kategorizohen edhe në varësi të profilit të shkollës së mesme që ka kryer maturanti, çka do të thotë se, maturantët që kanë ndjekur shkollat e mesme të drejtimit gjuhësor dhe atij të përgjithshëm (profili natyror dhe shoqëror), nuk do të kenë të njëjtën shkallë vështirësie sikundër nxënësit që kanë mbaruar arsimin e mesëm në një shkollë të profilit artistik, sportiv, apo dhe me korrespondencë.

Ekspertët e MAS thonë se për nxënësit e nivelit bazë, testi do të ketë në përmbajte rreth 40 për qind të pyetjeve, po kaq pyetje do t’i përkasin edhe nivelit mesatar, teksa 20 për qind e pyetjeve do të jenë për nivelin më të lartë të njohurive që mund të kenë siguruar maturantët gjatë viteve të shkollimit.

Kliko: Anglisht – Skema A

Anglisht – Skema B

Italisht – Skema A

Italisht – Skema B

Frengjisht – Skema A

Frengjisht – Skema B

Gjermanisht – Skema

June 6, 2017 10:43
Komento

1 Koment

  1. maturaa 2017 June 17, 15:29

    ju lutem a mund te me thoni se kur dalin notat e anglishtes saktesisht?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*