Matura ’66 mblidhet te “Harry Fultz” plot gjysmë shekulli më pas

June 28, 2016 10:39

Matura ’66 mblidhet te “Harry Fultz” plot gjysmë shekulli më pas

 

Nga Entela Resuli

 

Këtë të diel, në ambientet e shkollës Harry Fultz kishte mësim. Po po, madje oborri gumëzhinte nga gjallëria dhe zhurma. Ishin maturantët e vitit 1966,  u kthyen për të takuar njëri-tjetrin, por edhe për të kujtuar kohët e shkollës.

Ishin aty, si atëherë, por me më shumë vite mbi supe, me flokë të thinjura, me gjurmët që vitet dhe jeta u ka lënë, por me të njëjtën dashuri, për shokët, për atë periudhë ku shoqëria lind pa interes dhe vdes si e tillë.

Përpara 50 vitesh, ata kanë qenë aty, në derën e shkollës, gati për të zënë vend dhe për të filluar apelin. Sot, kanë hyrë në klasë dhe janë ulur të gjithë nëpër bankat e tyre, ashtu si dikur. Veçse bankat nuk ishin të njëjtat. Ato ishin zëvendësuar nga të tjera, të reja dhe plot shkëlqim.

Pas një gjysmë shekulli janë takuar së bashku klasat e 4 A, B dhe C, për të përkujtuar 50-vjetorin e mbarimit të Politeknikumit “7 Nëntori”. Një takim gjithë emocion, i përzier mes mallit dhe kujtimeve. Fytyra të njëjta, por tashmë të rrudhosura. U çmallën me njëri-tjetrin dhe filluan të bisedonin njësoj si adoleshentë.

Maturantët e klasës së IV C. Tiranë 13.10. 1965

Maturantët e klasës së IV C. Tiranë 13.10. 1965

“Dita” hyri në klasë për t’i ndjekur këta maturantë me flokë të zbardhura. Na u duk sikur ishim në një ambient 18-vjeçarësh, ndoshta për të sfiduar vitet, ata bënin lojëra, shpesh ndërprisnin shokët ndërsa ishin duke folur.

Të gjithë ishin 68 vjeçarë. Të shkolluar më vonë në degët e inxhinierive, dhe me karriera e gjurmë të rëndësishme ndër vite, për ndërtimin e vendit.

Nuk ishin të gjithë aty; për ata shokë e pedagogë që kanë ndërruar jetë gjatë këtyre viteve, klasa e mbledhur u çua në këmbë dhe në nderim dhe kujtim të tyre mbajti një minutë heshtje.

Ishin të gjithë djem. E vetmja vajzë, e cila erdhi në këtë takim ishte Suzana Bretkoca ndërsa shoqja e tyre, Violeta Hodo nuk mundi t’i bashkohej këtij takimi pasi jeton në Amerikë.

 

“Ustallarët” e profesionit

Jani Kurrizo ishte një nga organizatorët e këtij takimi i cili mbajti edhe fjalën e hapjes përpara klasës. Ky zotëri, ish-nxënës i kësaj shkolle, i ardhur nga Kuçova, e konsideroi këtë takim si një ditë feste për të kujtuar 50-vjetorin e mbarimit të shkollës së mesme Politeknikumi “7 Nëntori”.

Jemi mbledhur si dikur, të vegjël me dëshirë për të mësuar dhe fati na solli në këtë shkollë të madhe, e cila u bë fidanishtja e teknikëve, të atyre që morën në dorë Mekanikën, Elektrikun, Metalurgjinë, degën e drurit në të gjithë Shqipërinë.

5Kudo ku punuan, djemtë e Politeknikumit mbajtën lart emrin e kësaj shkolle, e cila nxjerr nga gjiri i saj drejtues të zotë, inxhinierë, shkencëtarë, profesorë dhe mbi të gjitha “Ustallarë” të profesionit.

Në këtë shkollë, ne mësuam parimet bazë të mekanikës, por mbi të gjitha mësuam ndjenjën e punës dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Na mësuan një plejadë mësuesish të mrekullueshëm, të drejtuar nga Mësuesi i Popullit Gjergji Canco.

Ne ishim nga e gjithë Shqipëria dhe e donim njëri-tjetrin si vëllezër sepse nuk e njihnim “interesin”, por vetëm dëshirën për të mësuar sa më mirë. Mosha e adoleshencës është mosha me e bukur dhe ne sot takohemi me mall. Kemi kujtime të paharruara me njëri-tjetrin dhe mësuesit tanë. Unë ju shoh sot burra të pjekur, me flokë të thinjur, por para syve të mi kam ata djem çapkënë që mësonin me përkushtim. U ndamë në të gjithë Shqipërinë duke punuar në mekanikë, uzina, naftë, ushtri, miniera, hidrocentrale etj.- tha ndër të tjera Jani Kurrizo përpara shokëve.

 

Një inxhinier që… shkruan poezi

Shumë prej tyre u bënë inxhinierë të zotë. Pas viteve ‘90 për shkak të mungesës së punës dhe mbylljes së shumë fabrikave, disa u larguan në emigracion duke ndërtuar  një jetë të re larg vendit.

Agim Kore, i pari në listën e klasës së IV C të degës Mekanikë ka ardhur nga Kanadaja për të marrë pjesë në këtë takim. I larguar 17 vite më parë nga Tirana, qyteti ku lindi, u rrit e shkollua, ka mall për këtë vend. Ka mall për rrugicat e kryeqytetit, miqtë e shokët me të cilët ka punuar ndër vite. Ka lënë gjurmët e veta në çdo institucion ku ka punuar dhe ndihet krenar për këtë gjë.

Inxhinier Kore, pavarësisht se është orientuar drejt mekanikës, pëlqen shumë letërsinë dhe fotografinë. Sot ai shkruan dhe gjithçka sheh rreth e rrotull e shpreh në poezi. Gjë të cilën e ka bërë gjatë gjithë jetës. Sot numëron rreth170 poezi në fletoret e tij.

Jani Kurrizo, Agim Kore dhe Gaqo Blushi, këtë të diel në ambientet e shkollës Harry Fultz në takimin e 50 vjetorit të Maturës ‘66

Jani Kurrizo, Agim Kore dhe Gaqo Blushi, këtë të diel në ambientet e shkollës Harry Fultz në takimin e 50 vjetorit të Maturës ‘66

Vitet e gjimnazit i kujton me nostalgji. “Ishin nxënës dhe njerëz jashtëzakonisht të mirë. Kishim dy vajza në klasë, me të cilat shkonim shumë dhe i trajtonim si motra. E IV C mbahet mend për mbrëmjet e vallëzimit, ekskursionet, teatrot. Ishim një klasë shumë aktive”– thotë Kore.

Një rol të rëndësishëm për të kanë luajtur edhe mësuesit e kohës. Ai kujton kujdestarin e parë dhe të fundit të klasës së tij, mësuesin Qazim Reka, për të cilin ruan një respekt të jashtëzakonshëm.

Dua të përmend këtu drejtorin i shkollës në ato vite Gjergji Canco, Mësues i Popullit, më vonë erdhën Ali Progri dhe Ivan Koka, gjithashtu personalitete në mësuesi. Sot është një tjetër njeri i nderuar në drejtim i kësaj shkolle, Arjan Kapedani. Drejtuesit e mirë i kanë dhënë emër dhe prestigj këtij institucioni duke arritur të nxjerrin breza të talentuar ndër vite”- tregon Agimi për Dita-n.

Gjatë këtyre viteve jemi mbledhur vetëm njëherë për 30-vjetorin. Ishim ne, mbase jo të gjithë, por u mblodhëm njëherë. Është një emocion shumë i veçantë”, shprehet Kore.

Agimi,babai i tri vajzave, për pak ditë kthehet në Kanada, atje ku jeton. Këtë herë, përveç faktit që ka vizituar vendlindjen dhe njerëzit e afërt, do të largohet më i mbushur shpirtërisht, ka takuar shokët e 50 viteve më parë, shokët e periudhës më të bukur të jetës.

1

2

June 28, 2016 10:39
Komento

3 Komente

  1. ERI.... June 28, 12:58

    Teksa lexova titullin e artikullit fillova ta lexoja ,ndoshta dhe pak shpejt ndonese lotet mezi i mbaja……sepse me dukej sikur aty mes atyre burrave te mencur ,te sakrifices, te cilet mbartin mbi supe pune, lodhje,sakrific,ndershmeri, do shihja tim ate.Ata qe e deshen dhe e ndihmuan njeri -tjetrin me pasterti ne shpirt…dhe deshire per te ecur para ….pa buje …me urtesi…me pune….ata meritojn shume.per vlerat e tyre,moralin dhe menyren se si i percollen ato te ne…Ne nuk u bem dot si ata ….Ju uroj ketyre te ”RINJVE ” Jete te gjate e te shendetsme….me duket sikur shoh tim ate aty…sa do doja te ishte mes tyre!

    Reply to this comment
  2. Artur June 28, 21:59

    Emocionuese!!!!Cfare brezash qe nuk perseriten me!

    Reply to this comment
  3. Artur June 29, 06:03

    Emocionuese!!!Keqardhje qe nuk do perseriten me keto breza.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*