Maturantët japin sot provimin e dytë të maturës në matematikë

June 9, 2015 13:51

Maturantët japin sot provimin e dytë të maturës në matematikë

Dhjetëra mijëra maturantë në të gjithë vendin kalojnë sot në provën e dytë të maturës shtetërore 2015, me provimin e matematikës. Rezultatet e këtij provimi, si dhe ato të marra në testin e letërsisë dhe lëndëve me zgjedhje janë vendimtare për të vijuar më tej garën mbi pranimet në shkollat e larta publike gjatë vitit të ri akademik.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka nisur shpërndarja e testeve për rrethet më të largëta të vendit, për të përfunduar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me ndarjen e testeve për shkollat e mesme të kryeqytetit. Ekspertët e ngujuar në AKP për hartimin e testeve, bëjnë me dije se edhe për matematikën rreth 40 për qind të pyetjeve të përfshira në test i përkisnin nivelit nënmesatar, 40 për qind për nivelin mesatar, si dhe 20 për qind e pyetjeve të testit për nxënësit e notës 9 dhe 10.

Maturantëve u është kërkuar që të tregohen të kujdesshëm, e të respektojnë udhëzimet e detajuara, për të mos rrezikuar djegien e garës së konkurrimit për vijimin e studimeve të larta. Teza e provimit të matematikës kishte në përmbajtje pyetje të kombinuara ndërmjet kërkesave që kërkojnë zgjidhje me zhvillim, si dhe atyre me alternativa.

Sipas skemës së detajuar nga MAS për pyetjet me alternativa, korrigjimi do të bëhet me 0 dhe 1 pikë. Maturanti merr një pikë kur ka rrethuar përgjigjen e saktë. Vlerësimi me 0 pikë bëhet kur nuk është rrethuar asnjë alternativë, kur është rrethuar një tjetër dhe jo përgjigja e saktë (përgjigje e gabuar), kur janë rrethuar dy ose më shumë alternativa, nëse i është vënë kryq një rrethimi ose përbri ka shënuar gabim dhe rrethon më tej alternativën e saktë.

Për pyetjet me zhvillim mësuesit do korrigjojnë me kujdes çdo përgjigje të nxënësit edhe në rastet kur ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar në skemën e vlerësimit. Çka do të thotë se për pyetjet me zhvillim, maturanti do të vlerësohet me pikë për aq pjesë të përgjigjes që rezulton të jetë e saktë. Kjo me qëllim që maturanti të mos penalizohen me humbje të pikëve, në rast se përgjigja e dhënë në ushtrimet me shtjellim nuk është plotësisht e saktë, sikundër është përcaktuar në skemën e vlerësimit.

Në orët e pasdites së sotme pritet të bëhet publike skema e saktë e përgjigjeve për të 25 pyetjet finale të testit të matematikës, çka u vjen në ndihmë maturantëve të krijojnë një ide rreth pikëve totale që mund të marrin me përgjigjet e dhëna.

June 9, 2015 13:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*