Matematika, 3 ditë kohë për të kërkuar kopjen e testit të korrigjuar

Pranvera Kola July 2, 2013 09:06

Matematika, 3 ditë kohë për të kërkuar kopjen e testit të korrigjuar

Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar edhe afatet që maturantët duhet të ndjekin për të kërkuar kopjen e testit të matematikës të korrigjuar. Në udhëzimin e nxjerrë nga AKP, sqarohet se maturantët kanë edhe katër ditë kohë në dispozicion, për të plotësuar kërkesën me shkrim të cilën duhet ta dorëzojnë në drejtorinë e shkollës ku kanë dhënë provimin. Gjatë dorëzimit të kësaj kërkese maturanti duhet të ketë siguruar nga banka edhe mandatin, me anë të cilit konfirmon derdhjen e tarifës për kopjen e testit të vlerësuar. Konkretisht kërkesën me shkrim maturanti duhet ta dorëzojë në drejtorinë e shkollës së mesme brenda mesditës së datës 5 korrik. Më pas do jetë shkolla ajo që do të vijojë ndjekjen e procedurave të mëtejshme me drejtorinë arsimore, si dhe me AKP-në, deri në rikthimin mbrapsht të kopjes së testit të vlerësuar. Pavarësisht ndjekjes së kësaj procedure maturantët, nuk mund të kërkojnë ndryshim të rezultatit. Burimet zyrtare të kësaj agjencie vijojnë të deklarojnë se procesi i korrigjimit ka kaluar nëpër disa duar, çka e bën të pamundur ndodhinë e gabimeve në vlerësim. Gjatë ditëve të ardhshme do të bëhen publike edhe risitë që do të shoqërojnë procesin e plotësimit të formularit A2, i cili tashmë po shkon drejt zbardhjes. Konkurrenca për ndjekjen e studimeve të larta gjatë vitit të ri akademik pritet të jetë e fortë, pasi numri i kandidatëve që do garojnë për kuotat e miratuara pak ditë më parë nga Qeveria është shumë i lartë. Fakultetet e Universitetit të Tiranës, Politeknikut, si dhe Mjekësisë rezultojnë ndër strukturat e arsimit të lartë që përballen me fluksin më të lartë të kërkesave që bëjnë maturantët për të vijuar studimet e larta në publik.

 

 

Matura shtetërore, si përzgjidhen fituesit në universitete 

Shpallen notat e matematikës për rreth 46 mijë maturantë në të gjithë vendin. Ministria e Arsimit ka publikuar gjatë ditës së djeshme, rezultatet provimit të dytë të Maturës Shtetërore 2013, që u zhvillua  rreth dy javë më parë në lëndën e matematikës. Rezultatet e plota të arritura nga secili maturant do t’i gjeni të detajuara online edhe në adresën www.gazetadita.al.  Maturantët mund të njihen me notat e marra duke gjetur në listë ID-në e tyre, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilin kandidati është vlerësuar në këtë provim. Testet e matematikës që kanë kaluar në sitën e vlerësuesve të përzgjedhur, nuk kanë paraqitur ndonjë nivel të lartë përgatitjeje, pasi në notat e vendosura mbizotëron niveli mestar i përfaqësuar nga notat 6 dhe 7, të cilat rezultojnë të zënë pjesën dërrmuese të vlerësimeve. Pavarësisht pretendimeve që mund të kenë maturantët mbi vlerësimet e marra, ata nuk do të mund të ankimojnë rezultatin e provimit, por mund të kërkojnë marrjen e kopjes së testit të korrigjuar. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit, ditë më parë kanë deklaruar se vlerësimi i testeve ka kaluar në disa duar, çka do të thotë se mundësia për të bërë korrigjime të gabuara është zero. Sipas tyre, çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë.

Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati ose jo. Testet e provimeve me zgjedhje të plotësuara nga rreth 50 mijë maturantë në të gjithë vendin tashmë janë grumbulluar në qendrat e vlerësimit dhe do t’u nënshtrohen korrigjimeve nga mësuesit e përzgjedhur, sipas skemës standarde të pikëve të përcaktuara nga ekspertët e maturës. Rezultatet e konvertuara në notë edhe për këto lëndë pritet të shpallen në mbyllje të javës së dytë të muajit korrik. Pas nxjerrës së notave  edhe për lëndët me zgjedhje do t’i hapet udhë plotësimit të formularit A-2, në të cilin maturantët do të listojnë 10 programet, ku duan të vijojnë studimet e larta për vitin e ri akademik. Sipas ndryshimeve të bëra, për të vijuar studimet e larta në universitetet publike apo private maturantët detyrimisht duhet të marrin nota kaluese në të gjitha provimet e maturës, duke përfshirë këtu lëndët me detyrim dhe ato me zgjedhje. Pas marrjes së të gjitha rezultateve nxënësit do të studiojnë në mënyrë individuale në varësi të pikëve që kanë grumbulluar edhe programet studimore që u ofrojnë më shumë mundësi për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta publike.

 

Pakënaqësitë, 4 mijë lekë për marrjen e testit të korrigjuar 

Maturantët kanë të drejtë të kërkojnë një kopje të testit të korrigjuar si në lëndën e matematikës, ashtu dhe në lëndët me zgjedhje pasi të njihen me rezultatet e tyre. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit vënë në dukje se sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e provimeve, këta kandidatë kanë të drejtë të tërheqin një kopje të testit të vlerësuar kundrejt një tarife të caktuar financiare. Fillimisht maturantët duhet t’i drejtohen shkollës së mesme ku kanë dhënë provimin, për të dorëzuar një kërkesë për tërheqjen e një kopjeje testi të korrigjuar. Por, për të legjitimuar këtë kërkesë ata duhet të paguajnë koston financiare prej 400 lekë. Në këto kushte, për të marrë kopjen e secilit test si për provimet e detyruara, ashtu dhe ato me zgjedhje, për të verifikuar pikët që janë vënë gjatë korrigjimit maturanti duhet të derdhë këtë shumë. Pas mbledhjes së kërkesave të bëra nga maturantët në afatet e përcaktuara, drejtuesit e shkollës i përcjellin ato në drejtoritë arsimore, të cilat do t’i çojnë pranë AKP-së, ku ndodhen dhe testet e vlerësuara. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për dërgimin e kopjeve të testeve pranë shkollave, çka do të thotë se maturanti duhet të interesohet pranë shkollës së tij për të mësuar afatet se kur mund të paraqitet për të marrë kopjen e testit të vlerësuar. Megjithatë tërheqja e kopjes së testit të vlerësuar nuk do të shoqërohet me ndryshimin e rezultatit të maturantit.

 

MASH, brenda javës shpallet formulari A2

Pas miratimit të kuotave të pranimit për të gjitha programet e studimeve në universitete publike, është drejt fundit edhe zbardhja e përmbajtjes së Formularit A2. Me anë të këtij formulari maturantët që do të marrin nota kaluese në të gjitha provimet e maturës, do të hyjnë në garën për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta publike të vendit gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Në javën e ardhshme bashkë me formularin A2, do të shpallet edhe udhëzuesi që shpjegon procedurën që duhet të ndjekin të gjithë maturantët për tu bërë pjesë e garës për pranimet e reja në universitetet publike. Sipas të dhënave të bëra publike nga hartuesit e maturës, rezulton se në përmbajte të formularit A2, do të jenë të renditura rreth 300 programet studimore universitare, nga ku maturantët do të mund të listojnë10 preferencat se ku duan të vijojnë studimet e larta publike. Sipas rregullores së maturës, brenda datës 20 korrik formulari A2 do të dërgohet në drejtoritë arsimore për t’u shpërndarë një ditë më pas edhe në shkolla nga ku do të nisë edhe plotësimi. Para listimit të degëve maturantët duhet të verifikojnë me kujdes dhe pikët e fituesit të fundit të pranuar në çdo degë gjatë viteve të shkuara. Kjo do t’i ndihmojë ata të krijojnë orientimet e duhura mbi degët që kanë probabilitet më të larta për t’i shpallur ftues.

 

Si do përzgjidhen fituesit në universitete 

Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit meritë – preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Shpërndarja e fituesve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: regjistrimi on-line dhe dorëzimi i dokumentacionit shtesë pranë institucioneve të arsimit të lartë publik ku janë shpallur fitues. Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë.

Raundi i dytë përmes formularit A3

Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët/kandidatët që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të:

a) fituesve të preferencës së parë të cilët janë regjistruar në këtë program studimi;

b) maturantëve/kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit on-line dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar.

Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:    

•Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2.

•Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013.

•Kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore.

•Kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

 

Degët me konkurs

Kandidatët, që kërkojnë të studiojnë për një program të parë studimi në vitin akademik 2013 – 2014, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë në: Universitetin e Arteve të Tiranës, Universitetin e Sporteve të Tiranës, Akademinë e Arteve Shkodër, universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, (programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën), si dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës (programet e integruara të ciklit të dytë “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë -Urbanist”) duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit) të vendosura nga vetë këto institucione të arsimit të lartë.

 

Studentët që përjashtohen nga tarifat e shkollimit

Kandidatët, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin e ri akademik 2013 – 2014, si dhe studentët, që ndjekin ciklin e parë të studimeve dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, studentët, të cilëve njëri nga prindërit i është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore dhe ata që vijnë nga “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano – egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të prekurit nga sëmundja HIV-AIDS do të përjashtohen nga tarifa vjetore që duhet të shlyejnë për të vijuar ndjekjen e studimeve të larta në fakultetet publike ku do të shpallen fitues. Ky vendim është marrë në mbledhjen më të fundit të Qeverisë gjatë javës së shkuar në të cilën janë miratuar edhe kuotat e pranimeve në universitete. Sipas këtij vendimi studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet. Në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin e ri akademik, 3 studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Përjashtim bëjnë edhe Universiteti i Arteve të Tiranës dhe asaj në Shkodër, në të cilat tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë) në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit.

 

 

Pranvera Kola July 2, 2013 09:06
Komento

5 Komente

  1. eni June 29, 12:28

    epo deri te diele ne skemi bere shkence atje prit te marim vesh notat

    Reply to this comment
  2. mari June 29, 18:57

    po ca behet keshtu?perse kerkoni te na mbani akoma ne ankth?provimet jane korrigjuar nxirrini pra.

    Reply to this comment
  3. elsa June 30, 12:53

    pse nuk kane dale rrezultatet sot??????????

    Reply to this comment
  4. Donaldi July 2, 18:20

    Ndryshime pikesh jane bere, vetem ne klasen time jane ndryshuar qysh ditet e para 7-rezultate.
    Vetem sot jane marre fotokopjet ne menyre ligjore. Atehere si u bene keto ndryshime. mbi cbaze????

    Mbi baza politike apo korruptive?
    Prokuroria e ka te lehte te gjeje tashme, ndryshimet e rezultateve, te cilat te pakten jane bere ne menyre jo ligjore.

    Se undi, dicka mbi korigjuesit. Kopetente aspak, korigjues pa dipllome ose me dipllome fallco??

    Kush tha qe ata nuk kane gabuar??
    Nga e kane ata kete imunitet?
    Kush i ndryshoi rezultatet atehere??

    Une sot e kam marre testin e fotokopjuar, dhe eshte kasapane ne korigjim. Per kete do te paraqes argumentet e mia, fillimisht ne institucionin perkates dhe pastaj edhe ne rruge ligjore.
    Te me fali ndonje korigjues, se ndoshta nuk jane te gjithe si keta te mite, por ne rrastin tim, por edhe disa rraste te tjera qe me ka rene te takoj gjate ketyre diteve, rezulton qe ata nuk mund te jene korigjues profesionale.

    Reply to this comment
    • harbin March 18, 11:08

      ne kete teme eshte shume mire te mesoni me shume,sikurse ne matematike.femije te dashur mesoni qe te arini ne shume gjera.femije te dashur mesoni ne te gkitha lendet

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim