Mavraj, titullar për herë të parë në tetë muaj

January 31, 2016 22:25

Mavraj, titullar për herë të parë në tetë muaj

Mbrojtësi shqiptar luajti gjatë gjithë sfidës ku Koln barazoi 1-1 në fushën e Wolfsburg në Bundesligë. Tetë muaj pritje, për një paraqitje të nivelit të kënaqshëm, ku dha garanci në repartin difensiv. 29-vjeçari ishte fatsjellës për skuadrën e tij, që mori një pikë me shumë vlera në Volkswagen Arena, aty ku vendasit e nisën sfidën si favoritë për të fituar.

Kjo ishte ndeshja e dytë në edicionin 2015-’16 të elitës së futbollit gjerman për Mavraj. Më 19 Dhjetor, pas shtatë muajve mungesë prej operacionit, mbrojtësi u aktivizua nga stoli në fitoren 2-1 të Koln ndaj Borussia Dortmund.

Aktivizimi i Mavraj erdhi pikërisht në orët e fundit të merkatos, ku pas spekulimeve të shumta për të ardhmen, lojtari i Kombëtares deklaroi publikisht se nuk e mendonte largimin. Besnikëria e mbrojtësit ndaj ngjyrave të fanellës dhe forma e rigjetur kanë qenë arsyet përse trajneri Stoger vendosi ta aktivizonte si titullar në trasfertën delikate dhe kuqeziu ia shpërbleu besimin e dhënë.

Aktivizimi i Mërgim Mavrajt është një lajm mjaft i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, pesë muaj përpara startit të fazës finale të Euro 2016. Lojtari i lindur në Hanau të Gjermanisë ishte një prej shtyllave të përfaqësueses në kualifikueset drejt evenimentit në Francë.

January 31, 2016 22:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*