Mazhoranca plotëson tekat e PD-së, ngrihen komisionet hetimore

October 24, 2014 01:09

Mazhoranca plotëson tekat e PD-së, ngrihen komisionet hetimore

Duke lënë mënjanë 2 propozime për seancën tjetër, Kuvendi miratoi me votat e shumicës ngritjen e Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve dhe për largimet nga Administrata Publike. Ndërkohë që ndryshimet në rregullore dhe përbërja e komisioneve të tjera parlamentare u lanë për një kohë me të vonë. Ngritja e Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve u miratua me 72 vota pro dhe një kundër, atë të deputetit Fino. Kurse për ngritjen e Komisionit Hetimor për largimet nga Administrata votuan pro 72 deputetë. Në fund të procesit të votimit, kryeparlamentari Meta theksoi “Propozimet për ndryshimin e rregullores do të bëhen në një kohë më të përshtatshme pasi për arsye objektive nuk u realizua mbledhja e këshillit të rregullores”.

Kërkesat e opozitës

Mazhoranca i thotë ‘po’ kërkesave të opozitës për t’u rikthyer në Kuvend. Për të kundërshtuar pretendimin e opozitës, se po kërkohet asgjësimi i saj në Parlament, Gramoz Ruçi lexoi statistikat e sesionit të shkuar, sipas të cilave opozita rezulton me 30 minuta më shumë kohë diskutimi në Kuvend, duke sjellë në këtë pikë edhe detajin e rekordit në historinë 25-vjeçare të Kuvendit, i cili sipas Ruçit është mbajtur nga nga Sali Berisha, me plot 12 orë e 46 minuta sesionin e shkuar, ndërsa kryeministri Rama regjistron 5 orë e 23 minuta.

Megjithatë, Gramoz Ruçi u deklarua i hapur për ndryshimin e rregullores në këtë pikë, pavarësisht se opozitës së djeshme, tha ai, i ishte mohuar për dy vjet e njëjta kërkesë. “Ne, atë që kemi kërkuar për veten, absolutisht jemi dakord që të respektohet. Pra, ndryshimi në rregulloren për të marrë fjalën kreu i opozitës, menjëherë për të replikuar me kryeministrin e vendit, të vendoset sot në rendin e ditës dhe të miratohet”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist, Ruçi. ‘Po’ i ka thënë mazhoranca edhe kërkesës tjetër të opozitës, asaj për ngritjen e komisioneve hetimore, për të cilën Gramoz Ruçi bëri sqarimin se kampi politik që i përket nuk ka qenë kundër këtyre kërkesave dhe i mbetet të njëjtit qëndrim. “Ne jemi plotësisht dakord që të zbatohet Kushtetuta dhe kërkesat e ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore, prandaj ne kërkojmë që qasja e opozitës në dy komisionet hetimore, si atë të tatimeve edhe atë për administratën publike, të përfshihen sot për t’u miratuar në rendin e ditës dhe të ngrihen komisionet e kërkuara”, deklaroi Gramoz Ruçi.

Kryeministri Rama gjeti rastin t’i përsërisë opozitës të njëjtën ofertë për atë që ajo ka vendosur në krye të aksionit të saj opozitar dhe që e quan dekriminalizimin e Parlamentit. Por paradoksi i kësaj opozite, tha Rama, është pikërisht fakti se në krye të kësaj fushate është vendosur një ish i dënuar nga gjykata. “Gjendemi përpara një argumenti që përsëri i takon opozitës ta bëjë këtë. Dhe nëse opozita kërkon, që për gjëra të prezumuara, të imagjinuara, apo të tejkaluara plotësisht në filtrin e institucioneve ligjzbatuese, njerëzit duhet të ulin kokën e të mbajnë përgjegjësi, çfarë duhet të bëjmë pastaj si Kuvend me këtë të burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion që e kemi pjesë të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi nga foltorja e Parlamentit, kryeministri Rama.

October 24, 2014 01:09
Komento

1 Koment

  1. Mark uk October 24, 13:03

    Po pse nuk e plotsuan kto teka ma heret kta komunistet tolerant.Komisioni parlamentar eshte i ligjeshem .As qe nuk jua dine njeri per faleminderit.Ket jua nxore Europa me forc.Sidoqoft apozita eshte e fituar nxori apo jo ket krim qe solli vrasjen e 13 bisnesmenve si dhe vrasjen e Santos.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim