Mazniku: Po punojmë për Kartën e Qytetit, ku përfshihet edhe Karta e Studentit

October 24, 2017 15:04

Mazniku: Po punojmë për Kartën e Qytetit, ku përfshihet edhe Karta e Studentit

Pasi kryebashkiaku Veliaj prezantoi “Guidën Studentore” në nisje e vitit të ri akademik, Bashkia e Tiranës ka vijuar gjatë kësaj jave promovimin e libërthit me informacione utilitare e orientuese për studentët e sapoardhur në të gjitha fakultetet.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ishte sot në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku zhvilloi një orë informuese leksioni për shërbimet që ofron qyteti i Tiranës dhe theksoi se kryeqyteti mirëpret këdo që dëshiron të arsimohet këtu. “Tirana është pak a shumë ai vendi ku shkrihen shumë kultura të vendit tonë. Tirana është e hapur njësoj për të gjithë, u jep të gjithëve shansin të studiojnë e zhvillojnë karrierën e tyre. Kjo guidë është një libërth mirëseardhjeje për të gjithë ju që keni ardhur të studioni në kryeqytet”, tha Mazniku.

Ai shtoi se shumë shpejt studentët do të kenë mundësi të përdorin “Kartën e Qytetit”, e cila përfshin edhe “Kartën e Studentit”. Karta do të shfrytëzohet jo vetëm për linjat e transportit, por edhe për të përfituar një sërë shërbimesh të tjera me çmime më të lira. “Jemi duke punuar për Kartën e Qytetit. Një nga elementët kryesorë që do të kryejë kjo kartë është të shërbejë si një biletë permanente. Pra, do të kalojmë të gjitha linjat e autobusit në Tiranë, në linja që do të jenë të pagueshme përmes një bilete elektronike. Do të përfundojmë procesin e biletimit elektronik, nga i cili do të prodhohet “Kartat e Qytetit”, që më pas do të përfshijë edhe Kartën e Studentit. Shërbimet që do të ofrohen me këtë kartë do jenë më të lira dhe të përcaktuara për studentët”, tha Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë vlerësoi se Guida Studentore ndihmon të rinjtë që të njihen me të gjitha aktivitetet apo shërbimet që ofron kryeqyteti shqiptar. “Kapitulli i parë flet për transportin publik, me të gjitha linjat e autobusëve. Pjesa e dytë ka të bëjë me akomodimin në qytet dhe procedurat për regjistrimin në rezidencat studentore; si funksionojnë, ku janë godinat, si funksionon struktura e brendshme dhe çfarë shërbimesh ofrohen. Elementi i tretë ka disa informacione bazike për urgjencat mjekësore, zjarrfikëset, policinë etj”, tha ai.

Në qytetin e Tiranës ka një numër të madh bibliotekash nëpër lagje të cilat mund të përdoren edhe si qendra multifunksionale për aktivitete të ndryshme rinore, që janë të përfshira në guidë. Çdo vit në qytetin e Tiranës fillojnë studimet mbi 10.000 studentë në degë të ndryshme. Duke vlerësuar mbështetjen për të rinjtë si një ndër prioritetet kryesore të punës së saj, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për ofrimin e shërbimeve për nxënësit dhe studentët.

 

October 24, 2017 15:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*