Mbi kontributin e ujkut për mirëqenien e deleve

Viktor Malaj August 15, 2015 08:03

Mbi kontributin e ujkut për mirëqenien e deleve

“Në kuptimin e saktë të termit, demokracia e vërtetë s’ka ekzistuar kurrë dhe as do të ekzistojë ndonjëherë” –Jean-Jacques Rousseau*

Kohët e fundit, midis dy njerëzve të nderuar të shtypit, z.Andrea Stefani dhe Fatos Tarifa, pati një debat, në qendër të të cilit ishte një thënie e Ministres së Arsimit të RSH, znj. Nikolla mbi rolin e Sali Berishës për demokracinë në Shqipëri. Nuk dëshiroj të merrem me ato që dy opinionistët thanë për njëri-tjetrin, por e shoh të nevojshme të shpreh disa mendime rreth çështjes që shkaktoi debatin.

Gjatë çerekshekullit të fundit ka pasur një inflacion kaq të madh të fjalës demokraci saqë të krijohet bindja se ka aq kuptime të saj sa është edhe numri i shqiptarëve që e përdorin vend e pa vend, me mend e pa mend, naivisht apo djallëzisht. Nëse përdorimi i këtij termi nga vulgu të ngjall thjesht keqardhje, përdorimi dhe keqpërdorimi i tij nga njerëzit e ditur të ngjall çudi, sepse duket qartë që bëhet ose nga mendjelehtësia, ose nga djallëzia ose thjesht “për modë”, për të qenë pjesë e rrymës dominuese, kombëtare dhe mbarëbotërore.

Siç dihet, fjala demokraci ka lindur rreth njëzet e pesë shekuj më parë në Greqinë e lashtë dhe nënkuptonte një lloj qeverisjeje, në të vërtetë një lloj administrimi të jetës shoqërore e politike në qytet-shtetet greke, kryesisht Athinë, ku qytetarët mblidheshin, diskutonin dhe vendosnin mbi shumë çështje të jetës së përbashkët. Vetë termi do të thotë “sundim i popullit”. Por, sundim i cilit popull? Në atë “popull” që thirrej për pjesëmarrje, diskutim dhe vendim, nuk bënin pjesë femrat, as skllevërit, as të huajt dhe, madje, as pjesa më e varfër e shoqërisë. Sipas studiuesve, në proceset vendimmarrëse nuk merrnin pjesë asnjëherë më shumë se 10-20% e popullsisë.

Në Mesjetë, në disa hapësira të Evropës, kryesisht atje ku sot shtrihen Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania ekzistonin disa Komuna vetëqeverisëse që identifikohen me trajtat demokratike të administrimit të jetës së përbashkët. Në kohët moderne, kryesisht në dy shekujt e fundit, ideologët, politologët dhe politikanët perëndimorë kanë bërë përpjekje dhe ia kanë arritur që me fjalën demokraci të identifikojnë kapitalizmin. Edhe kur kapitalizmi pushtonte dhe shfaroste popuj të tërë, edhe kur pushtonte, kolonizonte dhe grabiste pasuritë e të tjerëve, edhe kur përdorte miliona skllevër për transformimin e vendeve përkatëse, edhe kur shfrytëzonte disa miliona punëtorë për të pasuruar disa qindra sipërmarrës, edhe kur votimin ua ndalonte grave, njerëzve me ngjyrë dhe atyre që nuk zotëronin pasuri, pra, edhe atëherë ai quhet demokratik. Madje, identifikohet me vetë fjalën demokraci, pra, me sundimin e popullit. A duhet të ketë mendje normale të pranojë si të vërtetë një eufemizëm të tillë?

Kapitalizmi modern mbështetet ideologjikisht në pluralizmin dhe lirinë e shprehjes së mendimit, politikisht në lirinë e organizimit dhe konkurrimit politik si dhe në të drejtën e votimit pa dallime dhe ekonomikisht në sipërmarrjen dhe konkurrencën e lirë të tregut. Duke u mbështetur kryesisht mbi të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në gjithë piramidën shtetërore, ideologët e kapitalizmit janë përpjekur ta identifikojnë këtë lloj sistemi me demokracinë. Mirëpo jo pak studiues seriozë, si “demokracinë” e Athinës, ashtu edhe këtë të sotmen, madje atë amerikane para së gjithash, e konsiderojnë oligarki dhe jo demokraci, pra sundim të një pakice dhe jo të popullit.

Kjo ndodh për faktin se, pas pjesëmarrjes në votim, forca dhe ndikimi i popullit në vendimmarrjet shtetërore është pothuajse zero. Është forca ndikuese e një pakice të pasur, të ushtruar me një mijë mënyra, kryesisht të kamufluara, ajo që përcakton drejtimet kryesore të qeverisjeve, politikat e brendshme dhe të jashtme. Kjo pakicë pasanikësh, duke pasur në dorë mjetet e përpunimit të opinionit publik, bën çmos dhe ia del që të realizojë shpëlarjen e trurit të shumicës së popullit. Trushplarja krijon truall për t’u rrënjëzuar e shtatlartësuar iluzioni se po gjen zbatim vullneti popullor. Me këto forma përligjen luftërat si dhe argumentohen shumë ligje e vendime që në të vërtetë janë kundër interesave të shumicës së popujve përkatës. E drejta për të zgjedhur mes ujkut, tigrit dhe luanit se cili do të të hajë në darkë nuk është ndonjë e drejtë për t’u pasur zili. Sikur kjo e drejtë të të jepte mundësinë që ujkun, tigrin, luanin dhe gjithë grabitësit e tjerë të “pyllit” t’i mbyllje përgjithmonë në kafaz, atëherë ajo do të ishte një e drejtë efektive dhe jo formale, skenike. Dhimbjet që vijnë nga ujkshqyerja varen nga sasia e kapitalit që zotëron çdo shtet, d.m.th. në vendet ekonomikisht të pasura dhimbjet janë më të lehta për shkak të anestezisë më të përparuar, ndërsa në vendet e varfra këto dhimbje bëhen të padurueshme, siç ndodh me Shqipërinë tonë.

Sikur parimet e kapitalizmit modern të zbatoheshin vërtetë në praktikë, bankat më të mëdha të botës që, pak vite më parë, shkuan drejt falimentimit do të ishin mbyllur, drejtuesit e tyre do të kishin shkuar në burg dhe jo t’iu jepeshin triliona dollarë për t’i rifutur në biznes, ndërkohë që sivëllezërit e këtyre bankierëve nxirrnin qindra mijëra njerëz nga puna duke i detyruar të humbin edhe banesat e vetme familjare. Respekti për arsyen njerëzore nuk më lejon që të quaj demokraci, pra sundim të popullit, një sistem ku 1% e popullsisë zotëron gjysmën e pasurive botërore apo ku, sa herë ka kriza ekonomiko-politike miliona njerëz mbesin pa punë dhe vuajnë për minimumin jetik, ndërsa një grusht pasanikësh shumëfishojnë pasuritë. Nuk mund të quhet demokraci një sistem politik ku ata që i shkaktojnë më shumë dëme popullit dhe njerëzimit nuk japin kurrë llogari dhe as shkojnë në burg, kurse qytetari i thjeshtë bëhet banor i burgut edhe po të thyejë xhamin e makinës së zotërisë. E drejta e popullit shkon deri tek mundësia të ndërrojë me votë një kastë të paprekshmish me një kastë tjetër si ajo, dhe kështu mbetet pambarimisht në rrethrrotullim.

Nga ana tjetër, vetëidentifikimi me demokracinë apo përdorimi pa hesap i përcaktorit “demokratik” nuk më thonë asgjë nga pikëpamja e realitetit. Të gjitha vendet e Evropës Lindore pretendonin se ishin “demokraci popullore”, qeveri demokratike. Edhe sot, vende të tilla si Koreja e Veriut apo Kongo quhen republika demokratike. India, me një varfëri të skajshme të miliona njerëzve, me shfrytëzimin skllavërues të miliona personave dhe fëmijëve, konsiderohet “demokraci”, madje, sipas ndonjë lideri amerikan, si “demokracia më e madhe në botë”. Ndërkaq, duket qartë se njerëzimi nuk ka arritur ende të ndërtojë dhe vërë në funksionim një sistem politiko-shoqëror që të quhet demokraci. E vetmja gjë e drejtë do të ishte të flitej për sisteme politike më pak ose më shumë demokratike, apo për qeverisje politike më pak ose më shumë demokratike, brenda të njëjtit sistem politik. Si komunizmi, në trajtën e tij përfundimtare, ashtu edhe demokracia reale duket se do të mbesin utopi edhe për shumë shekuj. I pari, për aq kohë sa ndërgjegjja njerëzore të mos ketë arritur në atë nivel që shumica e njerëzimit të punojë për shoqërinë me të njëjtin përkushtim si për vete dhe e dyta, demokracia, për aq kohë sa do të ekzistojnë dallime marramendëse në zotërimet ekonomike dhe politike midis individëve, grup-individëve dhe shteteve.

Meqenëse kjo është një temë shumë më e gjatë dhe e thellë, le të vijmë tek kontributi i S. Berishës për “demokracinë” shqiptare. Që të jemi më të qartë dhe më të saktë në këtë vlerësim, le ta quajmë sistemin politik të pas 1990 si “demokraci” dhe të ballafaqojmë sjelljet e Berishës me parimet e gjithëpranuara dhe të propaganduara të këtij sistemi.

Sipas njërit prej dy polemistëve të sipërpërmendur, “… në fillimet e tranzicionit ai (S.Berisha-V.M) ka dhënë një kontribut në përshpejtimin e rënies së sistemit të socializmit shtetëror dhe në vendosjen e themeleve të një sistemi politik pluralist e demokratik”. Nuk e di saktë se çfarë nënkupton zotëria i nderuar me momentin e rënies së sistemit njëpartiak të socializmit shtetëror, por do të ishte cektësi gjykuese dhe pasaktësi historike nëse ne besojmë se sistemi i para 1990 ra për katër ditë apo se atë e rrëzoi e ashtuquajtura Lëvizje e Dhjetorit. Në dhjetor 1990 ai sistem politik ishte pothuajse në koma, ishte i rënë, i rënë nga brenda dhe nevojitej vetëm gjetja e formës teatrale të mbylljes në arkivolin e historisë. Për këtë fakt, pavarësisht nëse ishin ose jo dakord, nëse u pëlqente ose jo, ishin të vetëdijshëm edhe ata që përbënin kastën udhëheqëse të sistemit dhe thuajse gjithë masa e komunistëve shqiptarë. Unë nuk besoj se ka pasur atëherë shqiptarë që nuk dëshironin ndryshimin e gjendjes. Diferenca në mendime ka qenë vetëm në formën dhe thellësinë e ndryshimeve. Të besosh se shkrimet e njëpasnjëshme në shtypin zyrtar të kohës, që godisnin regjimin dhe i bënin jehonë ekonomisë së tregut (kapitalizmit) janë botuar pa dijeninë dhe, madje, miratimin e udhëheqjes kryesore të kohës, do të thotë të jesh naiv. Të besosh se “Lëvizja e Dhjetorit” ishte spontane, se e zuri regjimin në befasi dhe se ishte ajo që e detyroi të vendoste pluralizmin politik është njëlloj sikur ta kalosh ditën i lumtur me ëndrrat që ke parë gjatë natës.

Siç dihet, vendimi për lejimin e pluralizmit politik u mor nga kupola udhëheqëse e partisë-shtet në 11 dhjetor 1990 me 98% të votave pro. Një vendim i tillë ishte vendimi për rrëzimin de jure të sistemit të socializmit shtetëror dhe vendosjen e sistemit kapitalist. Deri në këtë datë roli i Sali Berishës në “shtrëngimin” e udhëheqjes për lejimin e pluralizmit ka qenë zero. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë Berisha kur tha: “Unë thjesht iu bashkova lëvizjes së studentëve si simpatizant i saj…”. Nga ana tjetër, ne e dimë dhe është e provuar plotësisht se ai u dërgua atje si ndërmjetës i Ramiz Alisë me studentët dhe, përveç kësaj, në fjalimin e tij të parë përpara studentëve protestues S. Berisha ia njeh rolin kryesor në vendosjes e pluralizmit dhe zhvillimin e proceseve demokratike z. Ramiz Alia, udhëheqësit kryesor komunist të kohës.

Tani, le të shohim rolin që ka luajtur Berisha në vendosjen e themeleve të sistemit pluralist e demokratik. Njëri nga parimet themelore të këtij sistemi është realizimi i zgjedhjeve politike të lira e të drejta dhe respektimi i vullnetit popullor të shprehur nëpërmjet tyre. Siç dihet, zgjedhjet e para pluraliste u zhvilluan në 31 mars 1991 dhe u shpallën të lira dhe të drejta nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Ato u pranuan edhe nga opozita e kohës e drejtuar nga Berisha. Qëndrimi i një demokrati të vërtetë duhej të ishte respektimi i vullnetit popullor dhe zhvillimi i luftës së ndershme politike me synim ardhjen në pushtet në zgjedhjet e radhës, pas katër vjetësh. I shtyrë nga etja e madhe për pushtet të menjëhershëm e të pakufishëm dhe i instruktuar nga ekspertët e krimit politik ndërkombëtar që janë mësuar të sajojnë gjithfarë skenarësh dhe “revolucionesh” ngjyra-ngjyra kudo dhe sa herë vullnetet e lira të popujve sjellin në pushtet qeveri të papëlqyeshme për ta, Sali Berisha iu vu punës për përmbysjen e vullnetit të popullit shqiptar, duke nxitur greva për ta paralizuar për vdekje ekonominë e drobitur, si dhe duke përdorur presionin e rrugës për të rrëzuar njëra pas tjetrës disa qeveri, madje edhe të votuara prej atij vetë. Qëllimi: afrimi me çdo kusht i zgjedhjeve pasardhëse nga afati katërvjeçar në atë njëvjeçar. Pas ardhjes në pushtet dhe pas goditjeve popullore në zgjedhjet lokale të korrikut 1992 dhe referendumit për kushtetutën të vitit 1994 ai mendoi seriozisht për deformimin me çdo kusht të vullnetit popullor. Në këtë mënyrë ai realizoi dhunimin me përmasa të mëdha të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe e çoi vendin drejt luftës civile në fillim të 1997. Zgjedhjet në fjalë, të organizuara dhe dhunuara prej tij u shpallën si të padrejta nga bashkësia ndërkombëtare. Një qëndrim të tillë, por më të kamufluar mbajti edhe në zgjedhjet e vitit 2009. Edhe korrespondenca diplomatike amerikane e përcaktonte si “kreu i trukimit të zgjedhjeve të vitit 2009”. Vulën e tij mban edhe “loja” me rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës në vitin 2011.

Një element tjetër themelor i sistemit të kapitalizmit demokratik është edhe respektimi i normave të ekonomisë së tregut. Nëse ndokush në Shqipëri beson se lejimi dhe inkurajimi i firmave piramidale, miratimi dhe zbatimi i ligjit 7501, kioskëzimi i qyteteve, pushtimi i tokave pronë e të tjerëve dhe ndërtimet pa leje apo kontrabandat e naftës, armëve, drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë elemente të pranueshëm të ekonomisë së tregut, atëherë ky (ndokush) ka të drejtë ta konsiderojë Sali Berishën si themelues të sistemit kapitalist në Shqipëri. Por kushdo që ka njohuri elementare për funksionimin e kapitalizmit nuk mund ta pranojë një rol të tillë përveçse si shmangie dhe shpërfytyrim të ligjeve ekonomike të këtij sistemi.

Kriter i rëndësishëm i vlerësimit të regjimeve demokratike është edhe liria e shtypit dhe qëndrimet e qeverive ndaj saj. Tashmë dihet nga çdo shqiptar sadopak i informuar se S. Berisha dhe regjimi i tij kanë qenë përndjekës të gazetarëve, burgosës, rrahës, gjymtues dhe dhunues të tyre dhe, madje, djegës të redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Institucione ndërkombëtare e patën përcaktuar atë si “armik i lirisë së shtypit…”.

Ndërtimi, ekzistenca dhe respektimi i një sistemi të pavarur dhe të pakorruptuar të drejtësisë mbetet një element bazë i tipareve të një sistemi demokratik. Se sa i shkallmuar moralisht dhe sa i ndikuar politikisht ka qenë dhe mbetet sistemi shqiptar i drejtësisë, se sa shumë ka luajtur dhe është tallur S. Berisha me drejtësinë shqiptare dhe se sa i madh është roli i tij në shpërfytyrimin e plotë të këtij sistemi, nuk besoj se është e nevojshme të shkruhet gjatë pasi kjo ka qenë dhe është krejt e dukshme.

Para tre vitesh, vetë Sali Berisha tha se “Ne duhet t’i kthejmë mjekësisë dinjitetin që ka pasur dikur”. Siç del qartë edhe nga pohimet e tij, ky sistem jetik për popullin (demosin) ka bërë hapa mbrapa krahasuar me të kaluarën. Dhe, në këtë regres nuk ka dyshim që pjesa kryesore e kontributit i takon atij që ka sunduar më gjatë ose, siç thotë një dishepull i tij, “personalitetit politik më të rëndësishëm të këtyre 25 viteve”. Pra, populli ka qenë i lirë, ka jetuar në “demokraci” por shërbimet ndaj tij kanë bërë regres, janë pakësuar dhe përkeqësuar.

Një fushë shumë e rëndësishme dhe, madje, jetike për një popull, sidomos gjykuar në perspektivë, është edhe arsimi. Përveç shumë shpërfytyrimeve të tjera, si blerja e diplomave nga “prurësi më i parë i parave”, degradimi i figurës së mësuesit si edukator, depërtimi i drogës, pornografisë dhe prostitucionit nëpër shkolla, krijimi i një shtrese të rinjsh analfabetë, veçanërisht në zonat fshatare, është një turp dhe krim i pafalshëm i politikës shqiptare në “demokraci”, ku përgjegjësia kryesore bie mbi “personalitetin më të rëndësishëm politik”.

Megjithëse ka këto raporte me parimet e sistemit që identifikohet me demokracinë; megjithëse i ka shkelur sa e si ka dashur ato parime; megjithëse e pati shndërruar Shqipërinë në një oaz ku fjala ligj tingëllonte e huaj dhe respektimi i ligjit sillte çudi; megjithëse e pati çuar Shqipërinë në prag të luftës civile (1997) dhe, ai dhe kupola politike drejtuese që e rrethonte u shfaqën shumë më intransigjentë dhe antipopullorë se Ramiz Alia dhe azili i pleqve të Byrosë Politike të dhjetorit 1990; megjithëse pati frymëzuar dhe drejtuar një akt antikushtetues të marrjes së pushtetit me dhunë (shtator 1998); megjithëse pati burgosur dhe vrarë kundërshtarë politikë, fshehu e manipuloi provat dhe pengoi haptas (pohuar edhe prej vetë atij) organet e drejtësisë; me gjithë këto e shumë të tjera ai vazhdon të konsiderohet “demokrat” dhe t’i atribuohen kontribute të rreme.

Raportet e tij me demokracinë, pra me vullnetin e popullit, përcaktohen nga qëndrimet që ai ka mbajtur sa herë ka ardhur puna të vihen në krahët e peshores interesat popullore dhe ato të pushtetit të tij vetjak. E kaluara e afërt na rezervon dhjetëra prova të pakundërshtueshme që tregojnë sakrifikimin e interesave të popullit e të vendit për shuarjen e epsheve të tij politike dhe popullsunduese. Jo vetëm sjelljet e tij, por edhe pohimi i tij, bërë gazetarit amerikan Peter Lucas në vitin 1997 se “Apres moi le deluge” (pas meje u bëftë kiameti) tregojnë se “simpatia për studentët e dhjetorit” nuk ka ardhur si rezultat i idealeve dhe dashurisë së tij për popullin e vendin, por vetëm si rrjedhojë e zgjimit të instinktit të fshehur e të ndrydhur (nga rrethanat) të sundimit dhe pushtetit. Adhuruesit e tij na thonë se ai nuk ka vrarë, burgosur apo internuar sa e si Zogu apo Hoxha. Kjo është e vërtetë, por, po kaq e vërtetë është se rrethanat politike e shoqërore në të cilat ka vepruar Berisha kanë qenë krejt të ndryshme dhe të pamundura për t’u sjellë njësoj si paraardhësit. Edhe dy personazhet e tjerë politikë, po të jetonin e vepronin në rrethanat e pas 1990 nuk do të kishin mundur të bënin siç kanë bërë. Sali Berisha i ka shkelur parimet demokratike dhe ligjet e shtetit deri në skajin e mundshëm që rrethanat ia kanë lejuar.

Se cili ka qenë qëllimi i vërtetë i angazhimit të tij politik dhe shkaku i vrazhdësisë së tij tribale në marrëdhënie me të drejtën, moralin dhe parimet e tregon edhe kontrasti shumë i madh dhe mjaft domethënës midis mirëqenies pambarimisht të madhe të familjes së tij dhe numrit pambarimisht të madh të shqiptarëve të dëshpëruar që lënë vendin edhe sot pas 25 viteve “demokraci” apo listës pambarimisht të gjatë të shqiptarëve që marrin bukën e fëmijëve kundrejt firmës, ngaqë nuk kanë mundësi financiare të paguajnë. Këto fakte dhe ky kontrast janë një akuzë e rëndë për gjithë klasën politike shqiptare por, më shumë se mbi gjithkënd tjetër, ato bien mbi Sali Berishën, kontribuesin kryesor të “demokracisë”.

A ka ndonjë meritë Sali Berisha? Sigurisht që po. Më shumë se askush dhe më mirë se askush, por edhe më turpshëm se askush, ka mundur të shfrytëzojë psikologjinë popullore shqiptare, rrethanat e brendshme dhe të jashtme, naivitetin dhe budallallëkun e brendshëm si dhe pasivitetin, ligësinë dhe pafytyrësinë e huaj për të ardhur apo ndenjur në pushtet me mënyra, mjete dhe rrugë krejtësisht në kundërshtim me parimet e sistemit që ai dhe borizanët e tij propagandojnë me bujë prej një çerek shekulli. Kjo është merita që duhet t’ia njohë dhe ka për t’ia njohur historia.

Në këto rrethana, ndërsa ai duhej të ishte me kohë në burg, nuk ka vend për t’u çuditur që edhe ndonjë pjesëtar i qeverisë, e cila vetëm për shkak të disa përjashtimeve nuk quhet si “kabineti i puplave”, t’i atribuojë atij merita historike që as i ka pasur dhe as mund t’i fitojë ndonjëherë. Nuk duhet të çuditemi gjithashtu që, përveç një numri pambarimisht të madh dhe përjetësisht të pashërueshëm budallenjsh, kulti i Sali Berishës si demokrat të ujitet e plehërohet me propagandë edhe nga individë që pasi pohojnë se kanë studiuar jashtë, kanë doktoruar e botuar, na japin statistika “mbresëlënëse” se “Berisha është 100 herë më liberal, më tolerant dhe më demokrat se Edi Rama”. Për mua që s’i konsideroj asnjërin demokrat, nuk do më prishnin punë që pas shifrës 100 të viheshin edhe zero të tjera për ta bërë krahasimin po aq qesharak dhe të padenjë sa ç’janë kuptimet dhe vlerësimet tona për të drejtën, moralin dhe demokracinë.

 

Viktor Malaj August 15, 2015 08:03
Komento

32 Komente

  1. emigranti August 14, 13:24

    Berisha , Nano , Rama dhe Meta jane feudale te kesaj demokracie. Ata vendosin per fatet e Popullit, ata bejne marrveshje per te miren e tyre dhe te keqen e Popullit. Popull asnjehere mos ibesoni ketyreve njerzve kane genjyer perhere.

    Reply to this comment
    • gushti August 14, 15:11

      Z. Malaj! Keni bere nje analize te shkelqyyyyer. Kjo analize duhet te merret si nje shembull per te gjithe ata qe e quajne veten “analiste” te “demokracise shqiptare”. Eshte krejt realiste edhe analiza e juaj per demokracine ne pergjithesi. Ju lumte! Ju lumte!
      Kurse ti emigrant, me komentin tend ke hapur nje thes dhe ke futur ujk e dele bashke. Asnje politikan shqiptar nuk mund te krahasohet, lere me te barazohet, me kryekriminelin, antidemokratin dhe uzurpatorin e pushtetit me te madh qe ka pare Shqiperia, S. Berishen.

      Reply to this comment
    • Atdhetari August 14, 17:32

      Dikur per 45 vite na mbinin ne sy kater figurat e Marksizem-Leninizmit: Marks, Engels, Lenin dhe Stalin…Ne keto 25 vite te kesaj pseudodemokracije na mbine neper ekrane e gazeta Saliu, Fatosi, Edi dhe Iliri…Ku jeshme asgjekundi, ku do te shkojme, kerkund…Populli yne duhet te dale nga tribalizmi i tij historik, nga llogoret partiake dhe te veje ne krye te vetes ata, qe i binden dhe zbatojne vullnetin e tij te plote…Sistemin le ta quaje si te doje, Demokraci, Kapitalizem, Socializem, Fashizem, Feudalizem etj, sepse termat ishin dhe mbeten konvencionale, por mbi te gjitha te ndertoje nje sistem socio-politik ku te ndihet i qete, i sigurte per te sotmen dhe te ardhmen e tij, ne menyre qe te prosperoje dite pas dite dhe te mos marre i lemerisur udhet e botes…

      Reply to this comment
  2. artur August 14, 13:25

    Bravo!

    Reply to this comment
  3. andromeda August 14, 13:52

    Një analizë e mirë e sistemit dhe e berishizmit. SB me bëmat e tij do të mbetet figura më e ndyrë kombëtare. Falë idiotësisë së tij, shpirtligësisë së tij në politikën shqiptare ne po vuajmë një tranzicion që s’ka fund edhe me bekimin e ndërkombëtarëve që heshtin e bëjnë sehir edhe kur Berisha vazhdon të djegë e përvëlojë vendin me një tërbim të paparë. Kapitalizmi nuk ka si të jetë demokratik kur ai udhëhiqet nga një grusht oligarkësh që shikojnë vetëm interesin vetiak. Dhe Shqipëria nuk ka si veçohet nga konteksti i ‘demokracive’.
    E ardhmja do na tregojë se kësaj bote i duhet një rend i ri shoqëror dhe jo kjo gjoja ‘demokraci’ që ju, z. Viktor e zbërtheni bukur.Dhe ky rend i ri duhet të udhëhiqet nga arsyeja racionale dhe nga mendimi shkencor.

    Reply to this comment
  4. ..e larget.. August 14, 14:38

    Ky Viktori e fut gjithmone ne hale Sali Bajgen. Argumentat, qe burojne vetem nga dija dhe kultura e gjere, jane ato qe e bejne Viktorin analistin me te spikatur qe kemi. Me pelqeu shume shkrimi se tregonte kush jane edhe vendet e atyre ambasadoreve qe shpesh politika jone i therret si albitra. Qe ketu ka konflikt interesi me voten e popullit, i cili ta ka dhene ty per ta qeverisur kurse ti therret Arvizun, Lun…….etj qe ne kete vend gjenden vetem per te mbrojtur interesat e vendeve te tyre. Per fat te keq dallimet midis politikaneve tane djathtas dhe majtas kane mberritur piken e barazimit. Nuk pret kush qe Rama te vrase njerez per te qendruar ne pushtet si Sali Bajga. Po prej Rames pritem DREJTESI, pastrim te saj dhe pastrim te institucioneve nga Bajga.

    Reply to this comment
    • Jam Linda, me ra ligji poshte... August 14, 15:29

      Se Sali Berisha ne hale e ka vendin more “e larget”.
      BRAVO VIKTOR, SIMPLE THE BEST! Hahahahahaha sa kam qeshur; “..është njëlloj sikur ta kalosh ditën i lumtur me ëndrrat që ke parë gjatë natës.” Te gjithe njerzit ketu Viktor prandaj jane te lumtur nga enderrat.

      Reply to this comment
  5. METEH August 14, 14:41

    Z.V.MALAJ,ju lumt per analizen e sakt.Perveç Ministres Nikolla qe i thuri LAVDE Saliut,nuk besoi se do ket socialist ne kete vend qe te flasi nje fjale te mire per MALOKUN E VIÇIDOLIT,qe i ra ne hise ketij vendi ta perçudnoi per 23 vjet.Duhet thene me force-siç e prekni & ju-ky njeri-kafshe eshte emruar dhe mbrojtur nga miqt e pertej-detit,ku gazetari Fred Abrahams ne librin “Shqiperia moderne”,ku thot se”..Berisha,djal i keq qe u mbrojt nha washingtoni 110%..qe vazhdon te ket pasoja dhe sot..”Keta e shume te tjere te paguar me paret e firmave piramidale te popullit te mjere te genjyer prej tij:”Paret tona jane me te pastra ne bote”Me keto para ai pasuroi ata qe e perkrahen dhe e mbajne akoma ne politike,pasi ai i ka kapur prej koqesh edhe me dosjet e sigurimit qe i ka mbajtur ne sirtar dhe ua tund sa here ndodhet ne rrezik.SB po pergatitet te pengoi reformen ne drejtesi me te gjitha mjetet edhe me REVOLICION “DEMOKRATIK”,duke sjell anarshi si ne ’97-’98,nqs nuk nderhyjne nderkombetarat-ata qe nuk shurrosen nga Saliu…!

    Reply to this comment
    • HEC August 14, 16:32

      zoti METEH.

      jeni I keq informuar..ose me kujtese te dobet..

      deklarata e meposhtme e Rames eshte nje miljon here me e rende se gafa e Nikolles.

      ti thuash nje tradhetari te kosoves si berisha se ka ndihmuar pamvarsine e saj eshte KRIM…

      16/04/2014,

      Edi Rama në Kukes në përvjetorin e Kosovës

      Pavarësia e Kosovës, Rama mirënjohje të thellë Berishës, e Majkos

      “Shpreh mirënjohje të thellë dhe për Sali Berishën e PD, kur ishte në qeverisje, si pjesë e përbashkët shqiptare për pavarësinë e Kosovës dhe për të arritur në këto ditë. Nëse e kthejmë në çështje politike ne ngatërrohemi edhe sa është ora , apo është mars a prill por fatmirësisht nuk ndahemi tek cështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës por sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve.”

      Reply to this comment
  6. the truth hurt August 14, 14:56

    Po ai te pakten ju bashkua asaj po ti or autor tregon qe akoma po vajton renien e atij regjimi. E ke te kote, nuk ka mbetur kocke per ty, nese e ke marre behu gati se qen te tjere po te afrohen ta rrembejne ate.

    Reply to this comment
    • nazim August 15, 09:52

      Ja pergjigja per ty ne fundt te analizes se V. Malajt:

      “”””” Nuk duhet të çuditemi gjithashtu që, përveç një numri pambarimisht të madh dhe përjetësisht të pashërueshëm budallenjsh, kulti i Sali Berishës si demokrat të ujitet e plehërohet me propagandë edhe nga individë që pasi pohojnë se kanë studiuar jashtë, kanë doktoruar e botuar, na japin statistika “mbresëlënëse” se “Berisha është 100 herë më liberal, më tolerant dhe më demokrat se Edi Rama””””
      V. Malaj

      Zoti Viktor,

      Kohet e fundit jeni zeri me i pamvarur dhe me real ne shtypin shqipetar. Nje analize perfekte. Nuk mund t’i hiqet apo t’i shtohet as edhe nje fjale!
      Ju Lutem vazhdoni te jeni i tille!

      Ju faleminderit!

      N.

      Reply to this comment
  7. roberto August 14, 15:11

    Ja pra pse duhet thene me gojen plot se RREZIMI I SOCIALIZMIT nuk u be per te RRITUR MIREQENIEN E POPULLIT,por per ta ZHDUKUR SHQIPERINE si shtet dhe si komb!
    Dhe kete e arriti nje armik i ndyre si Sali Berisha!
    Ate qe UDB-ja nuk e beri dot per 50 vjet e arriti sot me ndihmen e……..” REPUBLIKES SE TROPOJES”!!!

    Reply to this comment
  8. Kopaçe August 14, 15:30

    Berisha nje hale qe do qelbe gjithe kohes…

    Reply to this comment
  9. Luan August 14, 16:13

    Ky shrim ka vetem nje te mete: Qe eshte i shkurter. Duhen mijra faqe per te pershkruar te zezat qe nje perpindesh i tille i ka shkaktuar kombit. E vetmja “merite i tij, ne se quhet merite, eshte ajo qe shprehet ne paragrafin e parafundit : gjithe qenja e tij eshte “DJALL” ne perkufizimin sa me ekstrem te se KEQES.

    Reply to this comment
  10. Po,Po August 14, 16:44

    Analize me realiste dhe me objektive se kaq,une nuk kisha pare apo degjuar ndonje here. Nje falenderim e mirenjohje te thelle per zotin V.Malaj ,modelin pozitiv te gazetarise .
    Nqs vite me pare perdorej shprehja : ” ka edhe njerez te liq ky vend…,se s`ka pyll,pa derra , sot na duhet te pohojme me nje fije shprese,se ” ka edhe njerez te mire e te ndershem ky vend,nuk jane te gjithe te pa fytyre “.

    Reply to this comment
  11. ganiu August 14, 20:47

    Akoma vazhdon tos tarifa ordineri dhe hajduti i ambasades te komentoje ne shtypon shqiptar ai kulish i kuq i sistemit komunist anetar i thekur i ppsh nje sektar i limdur duhej te ishte ne burg per korrupsion. Habitem sesi ky plehre sociale vazhdon te jete aktiv. Ai eshte per BURG

    Reply to this comment
  12. Illo August 14, 21:23

    Le te supozojme se ka pasur politikane , qe I kane shkaketuar deme me te medha se Berisha kombit shqiptar , por c’fare do te prishnin ? Shqiperia ka qene nje fshat I madh I pa organizuar . Shqiperia , qe prishi me themel , Berisha , ishte nje kopsht I lulezuar dhe I sistemuar rigorozisht . Territori ishte racionuar shume propocionalisht . Toka , pyjet, ujrat , qytetet , fshatrat ishin shume funkasionale . Vendi Ishte I varfer dhe I etur per demokraci , dy gjera , qe nuk ja dha shteti rrumpalle , qe krijoi Berisha . Analiza e zotit Viktor Malaj , per regjimin e Berishes eshte e shkelqyer. berishen do ta percaketoi historia , si politikanin me tinzar , qe e vuri pushtetin ne sherbim te familjes se tij politike dhe biollogjike . I. Foto

    Reply to this comment
  13. katarakti August 14, 21:54

    Nje nga shkrimet me te mira qe kam lexuar keto muajt e fundit. Per nga thellesia e analizes nje perle e vertete. Pa dashur t’i bej qefin autorit, te cilin as e njoh fare. Madje mund te shtoj se pjesen e pare te shkrimit, pa filluar te merret me Berishe e plehra te tjere, nuk e kam lexuar as ne shtypin e huaj. Ne pjesen ku flitet pra per demokracine e vertete. Dhe duhet te them se lexoj shpesh here edhe shtypin perendimor. Dhe mendoj se nje analize si kjo e Viktor Malajt, mbi demokracine dhe kapitalizmin, edhe ne vendet perendimore e gjasme demokratike do ta kishte te veshtire botimin. E vetmja verejtje: Me duket se duke u marre aq gjate me monstren Berishe dhe “bemat” e tij, sikur e “mjegullon” pak lartesine e shkrimit.

    Reply to this comment
  14. semanjaku August 14, 22:09

    Pershendetje z viktor shkrimit tend nuk mund ti shtosh gje ,shpresojme qe shpellarin nje dite sa ma afer ta shikojme pas hekurave,,,kurse ministrja duket qe eshte nje deficente,,,kurse Fuga nje kepuclepires.

    Reply to this comment
  15. M.Bocari August 14, 22:35

    Pervec shkrimit dhe komentet jane shume te mira. Ajo qe me mungon akoma eshte ndjenja e pergjegjesise personale te secilit. A e kemi pyetur vehten ndonjehere se perse ndodhin kaq shume fatkeqesi me kete popull? cdo gje vjen si kofini pas te vjeli. Nqs. deri me sot nuk kemi bere asgje per vehten tone dhe navune brire te gjithe ata qe zgjodhem, cfare duhet te bejme per te ardhmen? Rama, Meta& Co mbeshtesin dhe vazhdojne vepren e Salitut. Po vazhduam keshtu zoti Viktor, e tha, kush e tha, cfare tha, Shqiperia qe ska te sotme nuk do te kete as te ardhme. Si gjithmone ne kemi ujkun para syve dhe bejme analiza per te kerkuar gjurmet. Ne Shqiperi jo vetem nuk ka patur kurre demokraci, por ka udhehequr gjithmone nje Parti, 1 sistem; Partia e Punes dhe sistemi i hajduterise.

    Reply to this comment
  16. Pellumb Zaimi August 15, 00:48

    Bukur z. Malaj ? Ja kini nxjere kallajin pseudodemokracise ku votojne te varferit dhe numerojne te pasurit. Kini bere nje analize ku spikat forca mendore per te thene te verteten e shtypur.Kini cliruar te verteten nga reklama intensive e te pasurve per ta zbehur dhe tjetersuar ate.E verteta eshte qe as saliu as edi rama nuk jane te afte per demokraci. As te tjeret me perpara ose tani.Keta kane qene e jane thjesht seksere te ndertimit te pseudodemokracise , seksere perfaqesues te politikes pseudodemokratike te kapitalit boteror , kujdestaret e maskarades se ashtuquajtur demokraci shqiptare. Njeri me i lig (saliu)e tjetri pak me me i mire po c’rendesi ka?Te gjithe kane per mision qe tufa e deleve te votoje ujku pasanik te numeroje dhe tufa apo taborri i shume budallenjve te duartrokase per demokracine qe vec thellon polarizimin shoqeror.Shto ketu kendveshtrimit tuaj per budallenjte me shumice edhe te militanteve interesaxhinj me shumice!Por prape ka te mire . Ja ju p.sh dhe shume komentues te zgjuar ketu jini disa prej te mireve

    Reply to this comment
  17. tradita August 15, 01:30

    Viktor Malaj eshte enverist,kjo nuk ka nevoje te komentohet, qe jeni nostalgjike te komunizmit kjo s’ka nevoje per koment, q ee urreni Sali Berishen kete e verteton cdo dite kjo gazete. qe koha juaj nuk vjen kurre me dhe kjo nuk ka nevoje per prova te tjera. Ju nuk mund te reabilitoni Enver Hoxhen, nuk ju le askush, as populli asAmerika, as Europa. kaq kuptonie se po beheni qesharake.

    Reply to this comment
    • nazim August 15, 09:55

      O injorant i vicidolit,

      lexoje dhe nje here analizen dhe mundohu ta kuptosh. Nqs nuk e kupton dot, dhe mjerisht je i shkrete ose shqipetar bukeshkale.

      Reply to this comment
  18. Thot Labeatis August 15, 01:32

    Sali Mut Berisha asht gjithçka tjetër perveç shqiptar. Ai asht Serb , Turk , Arab ose Grek. Veç Shqiptar s’ mund t’jen. Ai asht thjesht nji monstër e pashoqe. S’bashku me karaduzat e Tropojës e ka kthy Venin tonë njimijë vjet mrapa.

    Reply to this comment
  19. katarakti August 15, 06:14

    Do te shtonja ne vijim te atyre qe ka theksuar Viktor Malaj, se ekonomisti i shquar francez Zhak Attali, ka nenvizuar se demokracia nuk eshte atribut i kapitalizmit. Madje se shpejti kapitalizmi dhe demokracia do te jene ne konflikt me njera tjetren, konflikt qe me shume gjasa do te perfundoje me fitoren e te parit.
    Boçarit, qe revoltohet me te drejte nga mungesa e pergjegjesise dhe qytetarise se njerezve qe zgjedhin ne krye te tyre here Berishen, here Nanon ose Ramen, pa folur per Zogun dhe Enverin qe vetzgjidheshin sa here qe donin, do i vinja ne dukje miqesisht paragrafin e Malajt ku flet per rolin e popujve:”E drejta e popullit shkon deri tek mundësia të ndërrojë me votë një kastë të paprekshmish me një kastë tjetër si ajo, dhe kështu mbetet pambarimisht në rrethrrotullim”…..

    Reply to this comment
  20. fred August 15, 07:22

    Kapitalizmi mbeshtetetne pronen private, iniciativen e lire ekonomike dhe qarkullimin e lire te mallrave, sherbimeve e kapitalit…mos ngaterroni sistemet ekonomike me ato politike (packa se jane shume te lidhura e te ndervarura/po gjithsesi jane koncepte e fenomene te ndryshme)…demokraci ka pasur dhe Athina e Lashte po ka qene sistem skllavo-pronar…ska faj ndonjehere Prof.Tarifa apo Fuga…

    Reply to this comment
  21. filozof S.Katovica(YLLI) August 15, 14:24

    Ta fillosh nje shkrim me Rusone e Volterin e ta vazhdosh e mbarosh me SALINE,NANON,RAMEN E LIKE FLORINE TREGON QE AUTORI EDHE PSE INTELEKTUAL I NDERUAR KA NEVOJE URGJENTE PER ASISTENCE PSIKIATRIKE!

    Reply to this comment
  22. Kariz Matik August 15, 14:38

    S’mbeti gazetar e politikan pa pertypur e ripertypur fjalen demokraci, por asnje nga politikanet, asnje nga gazetaret, dhe asnje nga analistet shqiptare nuk kane qene ne gjendje te analizojne dhe te shpjegojne kaq bindshem, se cfare fshihet pas kesaj “fjale magjike” qe shkaterroi, fundosi dhe nuk po le te ngrene koke forma te tjera ndoshta dhe me te avancuara qeverisese ne bote.

    “Trushplarja krijon truall për t’u rrënjëzuar e shtatlartësuar iluzioni se po gjen zbatim vullneti popullor.”

    Saktesia e aresyetimit dhe forca e argumentimit e ben kete artikull nje nga me te persosurit e koheve te fundit.

    Reply to this comment
  23. Kopaçe August 15, 20:54

    Uku… dhe Mark .Uku

    Reply to this comment
  24. Lleshi August 17, 21:02

    Mire Viktor , mire …… ke bere pak drite per mendjet e njerezve qe enden ne erresire !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim