Mbi mitin e rremë të shtetit modern dhe parinë shqiptare

Nga VIKTOR MALAJ November 28, 2012 14:43

Mbi mitin e rremë të shtetit modern dhe parinë shqiptare

Sikur cilësimi ” Burrë Shteti ” që ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu, i bëri Sali  Berishës , dy ditë pasi kishte vrarë katër shtetas të pafajshëm në bulevard, të kishte qënë  rrjedhojë e një arsyetimi të mençur diplomatik dhe jo produkt i kënaqësisë që ndien çdo zotëri  kur puthadorët e radhës i rrinë lepe – peqe, atëhere punët e Shqipërisë do të kishin qënë shumë  më të fisme e shpresëdhënëse. Po ashtu, sikur në krye të punëve tona të kishim vërtetë të tillë burra, festimi i njëqind vjetorit të Pavarësisë do të ishte shumë më dinjitoz dhe përbashkues dhe jo ndarës e urrejtjembjellës siç ka nisur e po vazhdon.
Nëse do të na drejtonin të tillë burra,  do të kishim pasur shumë më heret një Komision    Gjithëpërfshirës  dhe aktivitete unifikuese dhe të pranueshme nga të gjithë. Kjo gjë do të kërkonte që lufta politike të pushohej gjatë muajit nëntor, sepse, për luftë ka kohë gjithmonë,  kurse për respekt dhe dinjitet koha nuk është kurrë e mjaftueshme. Gjithashtu, do të duhej që  aktivitetet kushtuar kësaj ngjarjeje të nxirrnin në pah gjithçka të  mirë që populli shqiptar ka arritur gjatë këtij shekulli. Në dasëm nuk shkohet për të bërë vërejtje dhe akuza por për të  dëfryer të gjithë, përndryshe ajo mund të kthehet në mort, siç ka ndodhur, mjerisht, në jo pak  raste, për shkak të njerëzve grindavecë e ziliqarë që janë përpjekur të bëjnë ” kapidanin” dhe ligjbërësin.
Njëri nga aspektet më të neveritshëm të  këtyre ceremonive është përpjekja qeveritare për  të vënë në qendër të përkujtimit historik të Pavarësisë, jo atë që e shpalli aktin solemn, por atë që, kur kjo pavarësi u shkel nga pushtuesit, ai, megjithëse e kishte detyrë kushtetuese    (statutore) ta mbronte, i ktheu shpinën atdheut dhe mori arratinë. Në fjalime zyrtare dhe në shtypin pro-qeveritar mund të lexosh në dhjetëra raste pretendimet se ish-mbreti Ahmet Zogu ishte themelues i ” shtetit modern shqiptar”. Pyetja e parë që lind është : Çfarë kuptojmë me shtet modern dhe a ishte i tillë ai në Shqipëri në vitet e monarkisë?
Në shekullin e njëzettë dhe ende sot, me shtet modern kuptohet ( përgjithësisht ) ai lloj  organizimi politik dhe shtetformues ku ekzistojnë dhe respektohen të drejtat dhe liritë e individit, ku tri format e pushtetit  janë të ndara, ku pushteti nuk është as i përjetshëm dhe as i pakufizur dhe ku ky pushtet fitohet apo dorëzohet paqësisht dhe nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të përgjithshme, të barabarta dhe të  drejtpërdrejta.
Me qindra dokumente, libra dhe rrëfime bashkëkohësish na dëshmojnë se asnjëra prej këtyre karakteristikave nuk ishte e pranishme gjatë sundimit pesëmbëdhjetëvjeçar të Ahmet Zogut.  Opozita politike përbëhej nga individë përgjithësisht me integritet moral dhe nivel të lartë kulturor, por pa mundur të organizojë partinë e vet dhe të konkurojë në kushte të barabarta me pushtetin, për shkak të përndjekjeve dhe dhunës që ushtrohej ndaj saj në forma të hapta dhe të fshehta. “Liria politike, liria e shtypit dhe liria e fjalës nuk ekzistojnë në Shqipëri në kuptimin që kemi ne për këtë liri ” – thoshte ambasadori anglez i asaj kohe në Tiranë, zoti Harry Eyres. Pushtetet politike ishin tërësisht të përqëndruar në dorën e mbretit ( siç e pohonte edhe  zoti Eyres). Mjafton të lexosh Statutin e Mbretërisë dhe kjo gjë del e qartë. Votimet ishin jo të drejtpërdrejta dhe Zogu kishte të drejtën që të zëvendësonte deri një të tretën e parlamentit (” kur populli gabonte “).  Ahmet Zogu u vetbë mbret në kohën kur në Evropë, mbretëritë, ose po shpërbëheshin, ose pushtetet e tyre po bëheshin simbolike me kushtetutë.
A mund të konsiderohet një shtet mbi baza moderne kur drejtuesi i tij ka mbërritur aty me armët dhe ushtarët e huaj, kur ky drejtues e ka shpallur veten të përjetshëm në atë vend, madje, e ka shpallur veten Lartmadhëri ( d.m.th. Zoti Lart ) kur mbretërit në gjithë botën thirreshin Madhëri ?  A pajtohet nocioni i shtetit modern me faktin se ” sovrani” i Shqipërisë e konsideronte veten me Statut të pacënueshëm ( d.m.th. çfarëdo që të bënte, ai nuk mund të paditej dhe as të shkarkohej )? A ndodh që në një shtet modern shumica e opozitës politike, ose të ikë në ekzil, ose të burgoset e vritet? A mund të quhet modern një shtet i cili nuk gjen përkrahje diplomatike dhe politike nga asnjë shtet tjetër kur teritori i vendit sulmohet ushtarakisht nga një fuqi e huaj ? Sa modern është një shtet, ku  më e madhe është xhandarmëria ( për të mbrojtur pushtetin e Mbretit nga trazirat e brëndshme) se ushtria, e cila, kur pushtohet vendi nga të huajt, nuk mundi të rezistojë as edhe një javë ?
Gjatë regjimit zogist, ekzistonin edhe ligjet e agjitacionit e propagandës ( ashtu si gjatë
regjimit komunist ) dhe numri i njerëzve të arrestuar, burgosur, internuar apo pushkatuar ka qënë i madh ( sot, nga padija apo qëllimisht, ky numër reduktohet në 7-8 emra). ” Ahmet  Zogu është si Musolini….Në burgun e Shkodrës ndodheshin një mijë të burgosur. Disa prej tyre u varën në shesh – pazarin e qytetit. Ushtria e tij fashiste përbëhej nga tre mijë burra të stërvitur për të qënë në gatishmëri gjatë emergjencave aventuriere të Naltmadhnisë Zog… ” ( New York Times- 20 mars 1937).
Pse shteti i Ahmet Zogut nuk ishte ” shtet modern ” ? Nuk deshi ? Nuk diti ? Apo nuk mundi  Zogu të krijonte këtë lloj shteti ? E vëteta historike përcaktohet nga tri përgjigje mohuese.  Zogu nuk ishte i interesuar në pasjen e një shteti modern, pasi një gjë e tillë do të thoshte,  ose pushteti i tij të ishte i kufizuar në kohë ( pra, të mos ishte mbret) , ose pushteti i tij të mos ishte absolut sa iu përket kompetencave. Kjo ishte pikërisht ajo që ai  donte më pak.
Edhe sikur të donte, Ahmet Zogu nuk kishte formatin intelektual për të krijuar një shtet modern. Ai ishte i zgjuar, dinak dhe guximtar, por nuk na ka lënë asnjë dëshmi të kulturës së tij ( madje as dëftesën e shkollës fillore dhe asnjë faqe letre të shkruar në shqip me dorën e tij ).
Edhe sikur të donte, dhe të ishte i kulturuar, Zogu nuk do të kishte mundur të krijonte shtetin  modern shqiptar. Këtë gjë nuk do të kishin mundur ta arrinin as figura të tilla të ndritura të dijes si Fan Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi etj. Me ndonjërin prej këtyre në drejtim, Shqipëria do të kishte pasur tjetër fytyrë, por vështirë të quhej moderne. Historia e njerëzimit nuk njeh asnjë rast kur një popull analfabet të ketë krijuar shtetin e vet modern. Asnjë komb në botë nuk ka mundur ta krijojë shtetin modern për tri dekada  dhe asnjë vend në botë nuk ka themelues të shtetit modern individë të pakulturuar.Vetë kërkesa ndaj Zogut për një arritje të tillë është historikisht e gabuar dhe politikisht e padrejtë.
Adhuruesit e Zogut dhe disa individë që kanë dëshirë të japin mend për gjithçka, thonë se Zogu krijoi stabilitet politik. E vërteta është se  stabilitetin relativ politik Ahmet Zogu e krijoi me anë të dhunës dhe korruptimit të krerëve të fiseve shqiptare, duke iu dhënë rroga vjetore kundrejt  premtimit për të mbajtur të shuar çdo rebelim në juridiksionet fisnore. Regjimi komunist e realizoi stabilitetin politik ( duke përdorur edhe dhunën) për një kohë tri herë më të gjatë dhe i siguroi Shqipërisë ( duam apo s’duam ne ) një zhvillim arësimor, kulturor, mjekësor,  shkencor, emancipues  dhe industrial më të madh se gjithë periudha tjetër e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar.
Gjithashtu, lartësuesit e ish-mbretit i njohin atij si merita edhe bërjen e disa kodeve juridike, ngritjen e doganave, vendosjen e monedhës vendase etj. Këto i kishte edhe regjimi i Talebanëve në Afganistan, por askush nuk ka guxuar ta quaj modern. Prania e disa specialistëve nga vendet perëndimore në administratën shtetërore të kohës ( sidomos në ushtri dhe xhandarmëri ) konsiderohet nga këta apologjetë si fakt i mjaftueshëm për ta konsideruar qeverisjen ” moderne dhe perëndimore”. Kjo është njëlloj sikur një fshatar të pretendojë se është bërë i qytetëruar vetëm pse në shtëpinë e tij ka bujtur për një javë apo ndonjë muaj një i njohur nga qyteti.
Edhe në vendet perëndimore qeverisjet nuk kanë qënë aq moderne dhe aq demokratike sa janë sot. Ato ishin vende me nivel të lartë zhvillimi ekonomik e kulturor, por kjo nuk i bën automatikisht, as moderne dhe as demokratike. Pa folur për  shtete të tilla si Italia,  Gjermania apo Spanja, që ishin diktatura të pastra fashiste, edhe vende të tilla të zhvilluara e  të fuqishme si Anglia apo SHBA nuk e kishin siguruar ende plotësisht të drejtën e votimit për të gjitha kategoritë shoqërore dhe vazhdonin ende segregacionin, linçimin dhe kolonizimin e popujve të tjerë. Kështu që, pretendimet e apologjetëve tanë janë sa false aq edhe qesharake.
Një shtet modern as mund të krijohet dhe as mund të funksionojë në kushtet e një prapambetjeje mesjetare, qoftë ekonomike, ashtu edhe kulturore dhe urbane. Ish- diplomati italian Pietro Quaroni, ne librin e tij ” Valiçja Diplomatike”, thotë  për Shqipërinë  e viteve ’30 : ” Në Shqipëri kam mësuar  si jetonte njerëzimi në vitin një mijë “. Sigurisht që A.Zogu nuk mund të fajësohet për atë prapambetje katastrofike, por është po aq e padrejtë të thuren legjenda për një ” kohë të artë ” që as ka ekzistuar dhe nuk ekziston as sot. As shteti komunist dhe as ky i këtyre 22 viteve nuk kanë qënë dhe as janë shtete moderne. Nuk mund të ketë shtet modern një vend ku ” Popullit shqiptar i është hequr mundësia të ndryshojë lirisht qeverinë e tij ” ( sipas Departamentit Amerikan të Shtetit ) apo ku kryeministri i vendit i bën ” vizitë kortezie ” në shtëpi zëvëndësit të tij  ( të cilin, diplomacia amerikane e ka quajtur një individ ” spectacularly corrupt ” ) tri ditë para se Gjykata e Lartë ta dënonte për vjedhjen e fondeve shtetërore, fakt ky i njohur botërisht nëpërmjet regjistrimeve  private me zë dhe figurë.
A duhej sjellë arkivoli me eshtrat e Zogut në Shqipëri dhe qëndrimi ndaj figurës së tij.
Pa asnjë dyshim, një gjë e tillë ishte e drejtë e familjes së tij, por përpjekjet zyrtare për ta  ngritur A. Zogun aq lart sa nuk mund të qëndrojë gjatë  janë tregues i imoralitetit të qeverisjes aktuale dhe i kaosit të vlerave morale që mbizotëron në shoqërinë shqiptare. Ahmet Zogun është më mirë ta konsiderojmë ashtu siç ishte, një zog ( sigurisht, jo pëllumb ) dhe as të mos e bëjmë grenzë ( si e bëri regjimi komunist ) por as të mos e konsiderojmë shqiponjë ( siç  përpiqet ta bëjë paria sunduese sot për interesa të ditës). Atij i duhen njohur meritat në sigurimin fizik të Kongresit të Lushnjes si dhe përpjekjet për zhvillimin e arsimit  si dhe të legjislacionit si dhe çdo gjë tjetër me vlera që mund të jetë realizuar gjatë asaj periudhe.
Në krye të fushatës  glorifikuese të Zogut është vënë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njeriu, të cilit, më shumë se askujt tjetër, i ka hije marrëzija. Është një hijeshi  që vret.  Është një njeri që gjithë jetën e tij madhore e ka kaluar i maskuar. 22 vjet si majtist i thekur, pastaj, 22 vjet të tjera si i djathtë ekstremist; 40 vjet si antimonarkist dhe këto vitet e fundit si dashnor pasionant i një mbretërije të vdekur, mbretërisë më të shkurtër dhe më false të Evropës. Është fatkeq ai popull që drejtohet nga njerëz me maska. Këta individë janë më të   rrezikshëm se maskat e rrugës. Vetë nevoja që ata ndiejnë për t’u maskuar  tregon mungesën  e vlerave, pa të cilat s’duhen mbajtur në drejtim të punëve shtetërore. Në fund të fundit, të mirë apo të këqinj, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha e kishin të përcaktuar qartë identitetin e   tyre politik dhe nuk bënë përpjekje për t’u maskuar. Ky zotëri pretendon sot se nuk është ai që ishte dje dhe nesër, po t’ia dojë puna, do të thotë se nuk është ky i sotmi. Ruhuni nga maskat !
Metamorfoza e tij i  lë pa mend të gjithë ata që nuk e njohin. Ndërsa në vitin 1992 iu thoshte bashkëpunëtorëve të tij ( sipas Frrok Çupit ) se ” Kur Ahmet Zogu, një injorant, sundoi pë 15 vjet, ne do ta mbajmë më gjatë pushtetin…” ( Vini re: qysh atëhere nuk e kishte ndërmend t’i bindej vullnetit të popullit ), në vitin 1994 e dëbon familjen ” mbretërore ” nga Shqipëria dhe po atë vit, në 70 vjetorin e Revolucionit të Qershorit 1924, thotë: “Revolucioni i qershorit është dhe do të mbetet një nga ngjarjet më rrezatuese për shqiptarët në të gjitha kohërat…Ndaj dhe ngricat e mëdha të dhjetorit të vitit 1924 ngrinë ëndrrën e madhe të demokracisë shqiptare. Dhjetori i vitit 1924 ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu, me mbështetjen e Serbisë, përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare…”.
Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2013, historia kthehet përmbys. ” Familjes Mbretërore” i jepen prona që s’janë të tyre dhe nisin tentativat për lartësimin e Zogut dhe, madje, edhe të Esat Pashë Toptanit ( meqë ra fjala, për mua, ky s’ka bërë më shumë dëme se Zogu ). Në ceremonitë për Zogun,  Paria Shqiptare tregoi edhe një herë mungesën e parimeve dhe vogëlsinë e saj.  Sali Berisha tha se Zogu kishte qëndruar gjithmonë në anën e drejtë ( me një fjalë, ishte njëfarë shenjti) dhe se ai ” …jetësoi pavarësinë e Shqipërisë” ( Pra, edhe kur bëri marrëveshjen me Pashiçin, edhe kur iu dha serbëve Shën Naumin, edhe kur vrau patriotët shqiptarë, edhe kur mori arin, edhe kur e braktisi vendin në çastin që ai kishte më shumë  nevojë për të, edhe kur me paratë e shqiptarve iu lidhte rroga grave të tij të paligjshme ( jo vetëm Tania Visarovës ) dhe mercenarëve  rusë që e ndihmuan të vinte në pushtet, ai gjithmonë ka qënë në anën e drejtë.)
Pse i bën Sali Berisha këto akrobaci ? Para së gjithash, nevoja për vota e shtyn atë të lidhet  me këdo dhe të mos përfill asnjë të vërtetë historike dhe asnjë parim moral. Në kohën kur të gjithë sondazhet e kryer ( edhe nga partia e tij ) e nxjerrin humbës, qoftë si parti, qoftë si koalicion, votat e zogistëve i nevoiten atij po aq sa fukarasë thërrimet e bukës të mbetura mbi tryezë. Jo vetëm kaq. Sa më shumë i afrohet fundit biologjik dhe politik, Sali Berisha e sheh veten më të afërt me Zogun. Njëlloj si ai, edhe ky ka falsifikuar votime; ka burgosur dhe vrarë opozitarë ( më pak se Zogu, për shkak të kohës dhe rrethanave dhe jo të skrupujve të  vet moralë- që i ka në kuotën zero ); ka bërë marrëveshje antikombëtare me fqinjët  për t’iu dhënë  pjesë të teritorit ( e mbetur në tentativë ); ka shpërdoruar paratë e popullit ( do të mjaftonin vetëm 230 milion Euro të rrugës Milot – Kukës ); vazhdon të mbajë në kabinetin e tij ministra që punojnë për ” lirinë e Vorio-Epirit” ( Spiro Ksera); e ka zhdukur autoqefalinë e Kishës  Ortodokse Shqiptare; e ka dëbuar populli ” në dru” kur ia solli në majë të hundës në vitin 1997; e lejon opozitën ( jo nga dëshira, por nuk e zhduk dot ) të ekzistojë, por me kusht që ajo të qëndrojë gjithmonë si dekor, rreth pushtetit dhe larg tij dhe ai të jetë gjithmonë pushtetar- po ashtu si Zogu.  Prandaj, edhe  foli për disa ” të meta ” që ka pasur Zogu, me shpresën se historia do t’ia konsiderojë edhe këtij bëmat e veta si ” të meta ” dhe do t’i njohë si akte kombëtare Rezervuarin e Farkës, Tunelin e Macukullit apo Arrorët e Viçidolit.
Në historinë e shkurtër dhe të varfër të shtetit shqiptar, vetëm dy figura janë cilësuar ” gangsterë” nga të huajt. I pari është Ahmet Zogu, i cili e mori këtë vlerësim nga kryeministri i  Francës, Daladier  dhe nga biografi i vetë Zogut, Mr. Thomas. I dyti është Sali Berisha, regjimin e të cilit, ” The Independent ” e Anglisë ( Mars 1997 ) e konsideroi si ” regjim gangsterësh” ( dhe dihet mirë si quhet ai që e kryeson atë regjim ) dhe ” Suddeutsche Zeitung ” e Gjermanisë  ( e 26 shkurtit 1998) që tha se ” Ai ( Sali Berisha )si shef i shtetit ishte një katastrofë, si udhëheqës i opozitës është një ordiner i rrezikshëm “.
Sali Berisha nuk bën asgjë pa e menduar dhjetë herë. Zhvillimi i ceremonisë zyrtare për Zogun në përvjetorin e çlirimit të kryeqytetit nga pushtuesit nazistë është një nga shfaqjet e ligësisë së tij si njeri dhe, në të vërtetë, e thelbit të tij antipopullor dhe antikombëtar si politikan. Të përpiqesh të errësosh sakrificat sublime të qindra  djemve dhe vajzave shqiptare atdhedashëse nëpërmjet lartësimit të figurës së një dezertori,  ky është shërbimi  më i mirë që i bëhet antishqiptarizmës dhe mesazhi më i keq që i përcillet brezit të ri të Shqipërisë.
Është e dhimbshme të thuhet por presidentët e dy shteteve shqiptare u paraqitën në këto ceremoni si një çift kllounësh. Presidenti i këtejshëm, pasi foli për “shtetin modern”  të Zogut ( sa i shkon karagjozllëku këtij ), tha se ” Zogu gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve ” dhe e dekoroi me ” Urdhërin e Flamurit “. Merreni me mend. Një njeri që kur i sulmohet atdheu dhe ai është Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë, ia mbath dhe e lë vendin dhe popullin e tij në mëshirë të fatit, e paska pas lidhur  jetën e tij me fatet e tyre. Dhe, këtij njeriu që nuk bëri asnjë përpjekje për ta mbajtur lart flamurin e lirisë, i jepet dekorata me Urdhërin e Flamurit. Unë nuk njoh deformim më të madh të së vërtetës dhe dhe as dhunim më të madh të kritereve kombëtare të një populli.
Nga ana tjetër, presidentja e  Kosovës, pas lëvdatave false dhe falas në adresë të ish-mbretit, tha se ” ..sjellja e eshtrave në atdhe është një rivendosje e së Drejtës Hyjnore.”  Të bësh një përcaktim të tillë do të thotë se beson se Ahmet Zogun ( dhe të gjithë mbretërit e tjerë të botës )  e kishte  vënë Zoti në fron dhe se Paria e sotme Shqiptare është Governatorja e Perëndisë në këtë pjesë të globit dhe, si e tillë, i bën punët në emër të tij. Ne do ta besojmë Presidenten e Kosovës dhe gjithë Jahjagallarët e tjerë në këto pohime kur të na sjellin  ndonjë Dekret Hyjnor që e konfirmon këtë pohim, përndryshe do i përqeshim dhe neverisim si të padenjë. Në të vërtetë, nuk mund të ndodhte ndryshe me një ” çift presidencial” kur dihet se asnjëri prej tyre nuk përfaqson vullnetin e popullit por, njëri është vënë aty nga një diktator për t’i shërbyer atij dhe tjetra është katapultuar në atë post me mesazhe celulare  ambasadorësh që i konsiderojnë këto teritore si parcela ku eksperimentohet politika globale.
Po opozita shqiptare ? Si gjithmonë e vonuar, si gjithmonë e ngathët e konfuze, u mjaftua me mospjesëmarrje në ceremonitë e pamerituara dhe me ndonjë ” letër ” drejtuar Jahjagës, duke krijuar idenë se shkaku i vetëm i braktisjes ishte vrasja nga Zogu i disa patriotëve shqiptarë. Një opozitë e qartë dhe bindëse duhej të dilte me një deklaratë ku të bënte të ditur se ishte dakord me sjelljen e eshtrave të ish – mbretit, por se ishte për republikën dhe  jo monarkinë, se ishte pro atyre që vinë në pushtet me votat e popullit të vet  dhe jo me   ushtarët dhe armët e të huajve, se ishte pro atyre që japin edhe jetën kur iu sulmohet atdheu dhe jo pro atyre që ia mbathin për të shpëtuar veten dhe familjen, se ishte pro atyre që thesarin e shtetit e përdorin për zhvillimin dhe përparimin e popullit dhe se ishte kundër atyre që këtë thesar e grabisin për të siguruar një mirëqënie luksoze të familjes së tyre, se ishte pro atyre që vriten për bindjet e tyre republikane e demokratike dhe kundër vrasësve të tyre.
Miti i ” shtetit modern ” të Ahmet Zogut është një gënjeshtër po aq e madhe sa është e madhe mungesa e vlerave morale të Parisë së Shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit.

Nga VIKTOR MALAJ November 28, 2012 14:43
Komento

1 Koment

  1. feniks November 30, 02:04

    Shkrim brilant,mendime te sakta,te qarta,te prera dhe IDEALISTE!!!
    Pergezime autorit dhe botuesit te kesaj gazete plotesisht ATDHETARE!!!
    Ketij REGJIMI SATRAP i duhet kundervene me gjuhen e NOLIT,MIGJENIT dhe JAROSLLAV HASHEKUT!!!
    Kemi nje klike bastarde,qe mund te GAJASE nje publik gjigand me HUMOR E SATIRE ne te gjithe boten!!
    Materiali ekziston me bollek,vecse duhet mbledhur e botuar!!!
    KARAGJOZI I SHEKULLIT EKZISTON NE SHQIPERI!!!
    AI ESHTE SALI BERISHA!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*