Mbi shpifjen dhe shpifësin me nёnshkrim

Minella Aleksi* December 13, 2014 15:37

Mbi shpifjen dhe shpifësin me nёnshkrim

Panairi i librit të këtij viti kishte prurjet e veta interesante ku nuk munguan sensacionet.

Kam përshtypjen se libri i ri, i porsa botuar në Tiranë i Ismail Kadaresë “Mëngjeset në kafe Rostand” ende nuk ka pasqyrimin e duhur në shtyp. Përkundrazi, vëmendja më shumë se nga vetë libri është tërhequr nga ajo që mund të quhet ana sensacionale. Kjo u shkaktua nga letra e hapur e N. Jorgaqit* një ish-miku të vjetër të autorit. Në këtë letër Kadare akuzohet se ka ndërruar datën e veprës së librit të tij të parë.

Sigurisht që pritej një përgjigje e I.Kadaresë, por ajo është vonuar, derisa erdhi me librin “Mëngjeset në kafe Rostand”. Duhet pranuar se ajo përgjigje është e pamëshirshme. Duke mos u kënaqur me epitetin “letër e një budallai”, shkrimtari i shquar shkon më tej: e akuzon haptaz ish-shokun e tij si bashkëpunëtor të Sigurimit famëkeq, të ngarkuar nga shefat për lexim dorëshkrimesh.

Akuza është tepër e rëndë, por i akuzuari e ka ulur kokën dhe nuk është përgjigjur. Por jo, shkrimtari i shquar nuk është kënaqur me kaq. Në libër ai bën një kërcënim: për spiunët, për shpifësit nuk do të ketë falje. Ata mund t’i falë shteti apo partitë, por po “u futën në tercinat e Dantes”, andej nuk do të dalin dot kurrë. (Lasciate esperanza, o voi, qu’entrate).

Aktualiteti shoqëror shqiptar shumë i trazuar të nxit të ngrehësh pyetje të shumta. A është gabim që të merremi me anë të tilla “sensacionale”? A nuk është më mirë që t’i injorojmë ato? Cila është pesha e këtyre “sensacioneve” me bashkëpunëtorë të sigurimit në betejën e hapjes së dosjeve? Duket se të dy palët kanë dhe s’kanë të drejtë.

Mendoj se në këtë terren duhet sqaruar diçka themelore: dallimi i sensacionit nga shpifja. Sensacioni në sferën e botimeve bën pjesë në anën publicitare të tyre. Por ai s’ka lidhje me shpifjen dashakeqe. Në regjimet tiranike shpifja, sidomos ajo politike, të rrezikonte me burg. Në të gjitha vendet e Lindjes komuniste shpifja nga një ves në përgjithësi individual u kthye në një forcë negative shtetërore, u bë pjesë e strukturës shtetërore, fitoi statusin e një institucioni. Njihen tashmë zyrat speciale në vendet totalitare, ku fabrikoheshin shpifje për të përbaltur shkrimtarët e shquar. Partia nuk e duronte dot autoritetin e tyre paralel. Në këto zyra speciale ndiqej parimi: “Një pikë ujë në gur bën vrimë jo nga forca por nga të pikuarit konstant”. Përsëritja e vazhdueshme e kthente shpifjen në një të vërtetë.

Në librin e tij të fundit “ Mëngjeset në kafe Rostand”, I.Kadare vë në dukje urrejtjen e veçantë të Leninit për shkrimtarët e mëdhenj. Diktatorët ndihen të rrezikuar prej tyre. Siç theksohet prej Kadaresë, parulla e Leninit “poshtë shkrimtarët e mëdhenj! ka qenë program për gjithë vendet komuniste.

Sigurimi famëkeq shqiptar ishte i shquar për këtë lloj urrejtjeje. Në Shqipëri është vështirë të mos kesh dëgjuar për adversionin e Sigurimit ndaj shkrimtarit I.Kadare.

Është e habitshme se si gati një çerek shekulli më pas, klishetë e shpifjeve kundër tij: shkrimtar i mirë, por njeri i keq, apo të tjera si këto, të fabrikuara në zyrat e Institutit të marksizëm-leninizmit, apo në Ministrinë e Brendshme, qarkullojnë akoma sot.

Një pjesë e shpifjeve filluan të qarkullojnë në vendet e huaja, atje ku Kadareja ishte i pranishëm si i vetmi shkrimtar shqiptar me përmasa botërore. Qëllimi kuptohet qartë. Duhej me çdo kusht të neutralizohej fama e shkrimtarit.

Një nga ngjarjet që e vërtetoi këtë ishte çmimi Booker Prix, që më 2005 e fitoi Kadare. Ky është jo vetëm çmimi më i madh botëror që jep Britania e Madhe, por konsiderohet vlerësimi i dytë, pas çmimit Nobel. Në ndryshim nga Nobeli, konkurimi për të cilin është i fshehtë, konkurimi për Booker-in britanik bëhet publikisht, gjatë dy muajve rresht. Konkurenca e vitit 2005 ishte e jashtëzakonshme. Shkrimtarë të shquar si Filip Roth, Gunter Gras, Xhon Apdajk, Garsia Markez, Milan Kundera e të tjerë merrnin pjesë në garë. Për secilin prej tyre bëhej lobim nga lexuesi botëror, e merrej me mend nga lexuesit e vendit prej nga vinte shkrimtari.

Midis konkurentëve ishte shkrimtari ynë, Kadare, dhe pikërisht me të ndodhi një e papritur krejt e pazakonshme. Sipas jurisë, Kadareja ishte i vetmi që, krahas përkrahjes së fansave të shumtë shqiptarë, pati shumë kundërshtues pikërisht nga vendi i vet!

Kjo bëri përshtypje të keqe në sytë e publikut botëror, që ndiqte çdo ditë garën. Për një çudi të madhe, këto ndërhyrje të bashkëkombasve të vet ishin aq haptas në nivelin e shpifjeve, saqë nuk luajtën asnjë rol. Dhe çmimin botëror e fitoi pikërisht Kadare, shkrimtari shqiptar.

Kjo ngjarje skandaloze në vend që të shërbente si mësim për të kundërtën, përsëritej gjithmonë e më shpesh. Në vend që ta mbronte shkrimtarin e vet përfaqësues, Shqipëria tregohej shpesh herë indiferente. Nuk është fjala vetëm te organizmat zyrtare. Qortues është edhe qëndrimi i mediave. (Jam habitur kur kam mësuar se në ceremoninë madhështore të marrjes së çmimit prej Kadaresë në Angli, nuk kishte asnjë kamera televizive shqiptare dhe asnjë përfaqesues të shtypit shqiptar!)

Por e keqja nuk ka ndalur këtu. Akoma më agresive është bërë me shpifjet këmbëngulëse. Do të pêrpiqem të sqaroj se kush janë këta shpifës dhe pse janë kaq shumë të zellshëm. Një pjesë e tyre përpiqen të mos bien në sy. Disa herë mbajnë qëndrime dredharake, me dy fytyra.

Për të marrë vetëm një shembull, është rasti i një mashtrimi që s’ka mbetur njeri pa e marrë vesh në Shqipëri dhe në diasporë: sulmi që gjoja Kadareja u paska bërë refugjatëve të korrikut 1990. (Shprehja famekeqe “jashtëqitja e kombit”). Përhapja e saj kudo dëshmoi se sa kishte hedhur rrënjë dhe përhapur degët Sigurimi në botën shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Efikasitetin ia siguronte kësaj shpifjeje ndjeshmëria e lartë e mijëra familjeve shqiptare ndaj djemëve dhe vajzave të ikura. Nga ana politike në mënyrën më djallëzore ajo u komentua si sulm i shkrimtarit kundër avanguardës që paralajmëroi rënien e komunizmit.

Kur kam kërkuar të mësojë për të jam bindur që s’kishte asgjë të vërtetë në këtë mashtrim. Madje ka qenë krejtësisht e kundërta. Kadare nuk ka shkruar as ka folur kurrë asnjë fjalë kundër refugjatëve. Në të kundërt, refugjatëve shqiptarë ai iu ka kushtuar një nga tekstet më sublime, një himn të vërtetë, botuar në shqip e në frëngjisht në Paris fill pas ngjarjes.

Ky tekst është botuar disa herë, megjithatë mashtrimi ka vazhduar. Shpifja e fabrikuar kundër Kadaresë ka qenë hakmarrja e regjimit ndaj shkrimtarit pikërisht për këtë tekst.

Për të kapur më mirë atë që ka ndodhur, po e sjell përsëri tekstin më poshtë:

“Tirana nuk fjeti atë natë. Ishin 5000 vetë nga një kryeqytet i vogël. Ishte njëlloj sikur Parisit t’i iknin 120.000 të rinj, ose Moskës 200.000. Ç’nuk u fol e ç’nuk u pëshpërit ndërsa mbrëmja mbulonte kryeqytetin. Dihej se do të iknin me tren, për të hipur në vaporë në Durrës, por askush s’e dinte orën. Ata kaluan rreth orës një të natës, të errët e të heshtur si arkivole. Dëgjohej vetëm gulçima e motorëve. Kur trenat u nisën drejt Durrësit, pati disa thirrje e brohoritje, por para hyrjes në vaporë plasi vaji. Nëpër terr puthnin tokën, pastaj shtyheshin në atë drejtim ku vendi i tyre mbaronte dhe fillonte uji. Të nesërmen pa gdhirë mirë, nëpër rrugët nga kishin kaluar autobuzët, kalimtarët gjenin copëra letrash me një adresë ose një numër telefoni sipër, zarfe që kishin brenda fotografi, para (lekë) ose ndonjë kujtim. Shumica e tyre, përbri adresës ose telefonit, kishin ndonjë frazë për kalimtarin që do t’i gjente. O udhëtar, të lutem çoja këtë pusullë nënës s’ime.

Ndonëse ishin shkruar me duar fare të ndryshme, ato kishin pothuajse pa përjashtim një stil, atë të mbishkrimeve mbi varre. Ajo që ndodhi të nesërmen ishte më e keqe se një dhunim varreze, më shpirtkazmë se një masakër.

Ishte një miting. Një miting i organizuar nga Partia. Për t’u gëzuar për ikjen e 5000 të rinjve shqiptarë. Për të brohoritur atë vdekje. Për t’i treguar kombit shqiptar se Partia ishte më e fortë se kombi, se ajo , jo vetëm shkelte mbi lidhjet e gjakut, por e detyronte kombin të duartrokiste atë shkelje”.

Ky ishte teksti i Kadaresë për refugjatët i botuar disa herë rresht. Gjithçka ka qenë e qartë në këtë tekst. Megjithatë shpifja monstruoze kundër shkrimtarit ka vazhduar.

Pyetja se kush e përhapte me kaq këmbëngulje këtë mashtrim është bërë ngado, por përgjigje s’ka pasur. Shpifja është filtruar herë pas here edhe në shtypin e huaj, bashkë me dezinformime të tjera për shkrimtarin, sidomos në prag të dhënies së çmimit Nobel.

Për të mos u zgjatur, do të marr si shembull vitin në vazhdim 2014. Shpifja u përsërit tamam në prag të Nobelit, në fillim të muajit tetor, në revistën italiane “Lettera internazionale. Rivista internazionale Europeo, nr. 120, tetor 2014. Në këtë revistë që botohet në italisht, gjermanisht, spanjisht etj, ka një artikull për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Artikulli ka si titull “Valori di scarto” (vlerat skarco, jashtë standartit) dhe në të çuditërisht përmendet vetëm emri i shkrimtarit më të njohur shqiptar në Itali, Ismail Kadare, por përmendet vetëm për keq. Flitet për çështjen e refugjatëve, avanguardistëve kundër komunizmit, që shkrimtari i paska quajtur “jashtëqitja e kombit”.

Në këtë rast nuk ka më pikëpyetje se kush vazhdon t’i shpërndajë shpifjet për Kadarenë. Emri i autorit të artikullit është shkruar e zezë mbi të bardhë: Ardian Vehbiu! Krahas tij përkthyesi nga shqipja: Aldo Doda.

Më poshtë është pjesa e tekstit në italisht që flet për Kadarenë:

…… “In questo contesto si può spiegare anche la dichiarazione inquietante et inauda dello scritore Ismail Kadare che ha definito i profughi albanesi nel 1991 come “gli escrementi della nazione”. Il destino ha voluto che lo stesso Ismail Kadare alcuni mese dopo, abandonasse l’Albania e i mecenati del vechio regime per chiedere “asilo politico” in Francia. Quindi stranamente lo scritore albaneze da accusatore e diventata parte di quelqi stessi “escrementi”. Eco un modo per controbilanciare e purificare la metafora coprologica”.

Po jap tekstin në shqip, (përkth. im): ….. në këtë kontekst mund të shpjegohet deklarata tronditëse dhe e pabesueshme e shkrimtarit Ismail Kadare që i ka përcaktuar refugjatët shqiptarë të vitit 1991 “jashtëqitja e kombit”. Fati e deshte që vet Ismail Kadare të linte Shqipërinë dhe mecenatët e regjimit të vjetër për të kërkuar “strehim politik” në Francë. Pastaj çuditërisht shkrimtari shqiptar nga akuzator u bë pjesë e këtyre “Jashtëqitjeve”. Ja një mënyrë që kundër ballancon dhe pastron këtë metaforë koprologjike (të m…t, të jashtëqitjes).

Ky tekst nuk ka nevojë për koment. Ka vite që A.Vehbiu bën këtë lodër të dyfishte, të pa pastër ndaj shkrimtarit dhe ndaj shoqërisë. E lavdëron shkrimtarin aty-këtu sa për të fshehur gjurmët, pastaj kur gjen rastin lëshon helmin kundër tij. Në një shkrim me titull “Mbi marifetin psikanalitik “Loyalty Mod” të Ardian Vehbiut” 26 Janar 2014, i jam drejtuar A. Vehbiut me kërkesën që: Të na e thotë publikisht se në cilën intervistë të shkruar e ka thënë Kadare këtë shprehje, në cilin libër gjëndet, nëse ka ndonjë inçizim ku dëgjohet kjo shprehje, nëse ka ndonjë dokument fakt, që të ndihmojë për të dalë në dritë e vërteta. S’ka patur kurajon për të më dhënë asnjë përgjigje. Me pseudo argumenta i ka ardhur rreth e rrotull shkrimit. Vetëm çelësin e së vërtetës nuk e ka nxjerrë dot. Si studjues këtë e ka detyrim dhe duhet të na e thotë Ardian Vehbiu.

Në asnjë vënd që aspiron të quhet i civilizuar nuk janë të lejueshme dredhi të tilla. Ka patur raste kur kjo dredhi i është vënë në dukje A.Vehbiut, siç ka ndodhur me lodrën e “dy pseudonimeve”, apo me sajesën se ia kanë marrë shkrimin pa leje nga portali i tij, në një kohë që portali është i hapur për t’u lexuar nga të gjithë ata që dëshirojnë.

E vërteta ndihmohet më shumë duke sqaruar diçka për portalin e tij. Në një gjoja polemikë për Kadarenë, njeri nga dy pseudonimet (Pishak) nuk lë gjë pa thënë kundër Kadaresë, në kohën që pseudonimi tjetër bën një korrigjim: “Më duket , Pishak se këtu, tek ajo puna e jashtëqitjes së kombit, që ka thënë Kadareja, e ke tepruar ngaqë një gjë e tillë nuk është vërtetuar”.

Nga shqyrtimi me vëmendje i “polemikës” të sajuar po prej vetë A.Vehbiut, del se të dy këto pseudonime janë të vet A.Vehbiut. Njerit prej tyre, “xha-xha-i, atij që gjoja e mbron Kadarenë, në tetor të këtij viti i ka rënë maska. Ai ka dalë hapur kundër shkrimtarit. Atëherë kë të besojmë: Ardian Vehbiun e revistës italiane, apo pseudonimin “xha-xha»-i?

Sulmet e kritizerëve ndaj shkrimtarit të shquar po kthehen në patologji tek ne. Kjo është e njohur. Por që studjuesit tanë si A.Vehbiu, të katandisen në zëdhënësa të mashtrimeve të ish-Sigurimit shqiptar, kundër një shkrimtari shqiptar, në një revistë ndërkombëtare e cila botohet në gjuhët, italisht, spanjisht, gjermanisht etj., kjo e kalon çdo masë! Kush e shtyn për një shpifje kaq të poshtër? Kujt i shërben këmbëngulja e përhapjes së kësaj shpifjeje? Shkrimtari Kadare qëndron në avangardë të Shqipërisë europiane. Përse duhet përbaltur me shpifje? Ato forca që duan t’a mbajnë Shqipërinë larg Europës nuk mund të jenë pro perëndimore. Rrjedhimisht janë mekanizma që manipulojnë, që fabrikojnë dhe dezinformojnë në favor të Lindjes, mecenatët e shpifësit A. Vehbiu. Për shqiptarët Lindje nënkupton sllavo-komunizëm. Krahas kësaj bën habi lehtësia me të cilën një revistë disa gjuhëshe pranon të botojë një shkrim me një të pavërtetë skandaloze ku përmendet për keq shkrimtari Kadare. Ky shkrimtar është shumë i njohur në Itali, me shumë çmime. Po bordit redaksional të revistës që presupozohet të ketë kulturë të lartë letrare, i ka kaluar gafa nga pavëmendja apo? Njihen mirë rrugët që përdoren për të blerë favore të tilla, mënyra sesi u hapet rruga botimit të shkrimeve të tilla ku përbaltet një personalitet, në këtë rast një shkrimtar i madh.

Me siguri A. Vehbiu do bëj të habiturin mbasi shpifës dhe spekullantë të tillë shoqëria jonë ka parë jo pak. E që u kanë ecur poshtërsitë mbasi jo gjithmonë kanë marrë goditjen e pamëshirshme të së vërtetës.

Nuk kam munguar t’i përsëris A. Vehbiut atë që ai harron: letërsia është sferë shpirtërore e njeriut, pasion dhe formim botëkuptimor. Letërsia e Kadaresë është vlerë shpirtërore e një popullit të tërë. Nuk përbën biznes spekullantësh. Duke e menduar si biznes krahas sulmeve, këta kritizerë dhe shpifës nuk harrojnë që të bëjnë presion mbi mbrojtësit e shkrimtarit, që ta braktisin atë. Duan të ndihen të qetë dhe të kenë duart e lira për të vazhduar lojën e tyre të ulët si në këtë rast. Por, për fatin e tyre të keq, dhe për fat të mirë të letërsisë, mbrojtës të vlerave, mbrojtës të shkrimtarëve ka patur dhe do të ketë gjithmonë.

*Letra e hapur e N.Jorgaqit në DITA:

Letër e hapur Ismail Kadaresë

Minella Aleksi* December 13, 2014 15:37
Komento

9 Komente

  1. nazim December 13, 16:13

    Ismail Kadareja ka qene dhe do te mbetet njeriu me i dobet, me i vogel, dhe me i ulet ne mbare vlerat shqipetare. Kete ka bere gjithmone. Ka sulmuar kedo qe i ka thene te verteten ne sy, apo qe e ka cenaur sado pak. E beri me Bilal Xhaferrin, duke thene “U bere edhe ti Bilal te flasesh?” dhe shkaterroi jeten e tij si nga ana profesionale ashtu edhe qenesore, e ka bere me familjen e djalit me te cilin e bija ra ne dashuri, po e ben dhe me njeriun qe e ka mbeshtetur tere Jeten, Nasho Jorgaqin. Me vjen keq, eshte shkrimtar i mire, por nje qenie e ulet njerezore dhe pike!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
    • Lexuesi December 13, 16:39

      E sakte..
      Shume sforco po ben Ismaili per te “lustruar” vehten….tere ato shkrime apo debate te kota, sepse nuk eshte e mundur te mbulohet e kaluara e tij qe mendoj se nuk ka pse te kerkoi ta ndryshoje..I ka sherbyer Partise e Atdheut si gjithe populli…pra nuk ka pse ti vije turp..ka bere vetem detyren.
      Tani partite,populli dhe Atdheu kerkojne shkrime te tjera te cilat si Ismaili e me dhjetra apo qindra shqiptare po shkruajne…pra sipas kerkeses edhe oferta. Tani ne kapitalizem shqiptaret kerkojne te shkruhet sa me shume per seksin,per aventura,per horror etj te cilat mendoj se Ismaili “i qane”…Mos u merzit o Malo..!

      Reply to this comment
  2. -vaso ule pak ritmin December 13, 17:24

    Nuk besoj se ka me shume 100-200 shqiptare qe i lexojne deri ne fund keto debate qe nuk i hyjne ne pune as shejtanit ne nje kohe qe shqipria digjet dhe minellat me vehbinjte krihen.

    Duke perjashtuar faktin e padiskutueshem qe kadareja eshte nje nga shkrimataret me te medhenj qe ka nxjerre njerzimi por qe ai vete e ka erresuar kete fakt duke u kthyer nga nje enverboleferkues para 90′ ne vampiroid enverofagos pas 1991

    Te diskutosh per betejen e dy llagemeve te pisqollave te haleve minella vs vehbiu eshte humbje kohe por dhe uleje reputacjoni te Dites.

    Armiku me i madh i kadares lavdishem para 90′ eshte kadareja pas 1991 i cili duhet te kerkoj dhe parate e demshperblimit si i permjerrrur politik qe kur u arratis ne france NEe menyren me te shemtuar te mundeshme

    Reply to this comment
  3. labinot December 13, 17:50

    Cdo kohe ka shkrimtaret e saj.Isi u be i palexueshem pas vitit 90.Duket se telat e kufirit e kishin bere shkrimtar magjik,ngaqe ai jo vetem i kalonte,por ishte i vetmio qytetar i RPPSH qe mund te tregonte cfare ndodhte pertej telave te kufirit.Kur misteri i “jasht shtetit “ra,ra edhe magjia Kadare.I pari qe e nuhati zhgenjimin,ishte vete Kadare,qe u arratis para se shqiptaret te Thonin:-Ne erdhem atje ku vije ti,por nuk qenka ashtu si na thoje ti! Na paske mashtruar!

    Reply to this comment
  4. Vëzhguesi F December 13, 19:06

    Nje avokati mjerane, nje servilizem tejet i ndyre qe ka nxire nje faqe gazete.
    Me sa po lexoj me siper, Minella Aleksi, qe na prezantohet ne kete shkrim here si publicist, here si prokuror, here si psikonanalist dhe me se shumti si nje avokat plepash, e koinsideron popullin shqiptar, lexuesin e saj, nje lloj turme qe di te shkoje vetem pas berihajt.
    Minella dhe minellat, sikunder Vehbiu dhe vehbinjet, me se pari duhet ta ulin pakez steken e bilardos, se ka rrezik qe guri tu kthehet ne surrat qe pastaj peshtyma apo gelvbaza tu duken mjalte.
    Ky Minella ose nuk e di ose bene naivin kur kerkon te na tregoje arat e babait. Kadareja nuk eshte nje shkrimtar i kohes se mesjetes dhe as nje kronikan i kohes se Skenderbeut, sikunder dhe nuk eshte dhe nje qytetar apo bashkekohes i Gjon Buzukut. Ismail Kadare eshte nje shkrimtar qe per hir te vertetes do apo nuk do Minella Aleksi u be i madh me krijimet e tij ne fushen e letersise kushtuar Shqiperise, por dhe Partise se Punes dhe Enver Hoxhes, qe jo rralle ishin epiqendra qofte si subjekte dhe qofte soi personazhe ne krijimet e tij.
    Nuk perben besoj ndonje lloj shpifje alla Minella Aleksi permendja e titujve te disa prej ketyre veprave qe kane bere jehone jo vetem ne Shqiperine e asaj kohe por dhe ne bote. Poemat e fuqishme “Perse mendohen keto male” e pasuar nga nje tjeter me e fuqishme sa i perket vargut artistik dhe vendosjes se figurave letrare dedikuar jo terthorazi por dhrejte perdrejt partise dhe Enver Hoxhes “Shqiponjat fluturojne lart”, apo “zberthimi” letrar i vepres se XIX te Enver Hoxhes dhe fjales se tij ne mbledhjen e 81 partive komuniste ne Moske, ne romanin “Dimri i vetmise se madhe” apo “Dimri i Madh”, pasqyrimi artistikisht i ditarit politik te Enver Hoxhes “Shenime per Kinen” tek romani “Koncert ne fund te dimrit”, jane nder veprat letraro artistike qe e rradhiten Kadarene, shkrimtarin e realizmit socialist shqiptar, ne gjigandet e letersise jo vetem shqipe por dhe asaj botrore dhe e vendosen ne listen e kandidateve per çmim Nobel.
    Eshte dacibao tip kinezçe te trajtosh si argument se Kadareja na qenka sulmuar se paska thene ndonje shprehje jo te mire ndaj refugjateve, qofte dhe kur ishte zevendesi i Nexhmije Hoxhes, si Nenkryetar i pergjithshem, i Frontit Demokratik, leve kryesore e Partise se Punes, gjer e cila e paska penguar te mare çmimin Nobel?!!! Keto lloj traktesh nuk kane jo vetem efekt por asnje lloj vlere sot.
    Natyrisht dhe debati me Nasho Jorgaqin, qe eshte me teper personal, nuk besoj se komisionit te Nobelit t’i kete bere ndonje pertshtypje, per te mso thene qe ky eshte nje debat tavoline kafeje ne distance.
    Kadareja eshte nje mendjemadh ballkanas si njeri dhe si intelektual dhe kjo eshte dukur me se miri (kush e ka lexuar drejt dhe jo me tifozllek te semure), debatin me shkrimtarin tjeter te madh Rxhep Qosja, te cilin edhe e ka fyer siç di te fyej kadareja.
    Kadareja ka punuar dhe punon per famen e tij dhe ketu nuk ka asgje te keqe. E keqja eshte se Kadareja heshturazi apo ne menyre te terthote, per te treguar se ka qene nje disident i kohes komuniste, kerkon te distancohet nga veprat me madhore te tij, duke prezantuar pas vitit 1991 shkrime qe varjiojne nga publicistike deri ne romane nen nivelin mesatar te krijuesve bashkekohor qe jane ne rradhe me te per çmimin Nobel.
    Mua si lexues i zakonshem i veprave te tij dhe mjaft te tjereve, ne debatet e ndryshme me ka bere pershtypje prononcimi i nje qytetarje me emrin Janulla Rrapi, e cila ngre nje akuze ndaj Kadarese, lidhur me fatkeqesine e djalit te saj, pretendent per aktor (Ne filmin Lulekuqe mbi mure), per shkak te perndjekjeve te policise sekrete te dikurshme, vetem dhe vetem pse ky djale i kesaj punetorje dashuronte vajzen e Kadarese.
    A eshte njohur Minella Aleksi me kete “hollesi” qytetare, kur kerkon te beje rolin e avokatit?!
    Ngjarjet e futjes ne ambasada kane ndodhur para 24 vjetesh dhe jo para 2400 vjetesh qe te jene eksluzivitet vetem i Kadares apo Minella Aleksit.
    Ka dhe te tjere qe kane folur dhe shkrojtur per to dhe mire eshte te lexohen para se te merren pozicione akuzatoresh si ky shkrim i Minella Aleksit.

    Reply to this comment
  5. Pionier Lubonja December 13, 19:33

    KADARE ESHTE STALINIST QE MOHON VETEVEHTEN.Nobelin e meriton vepra dhe jo emri apo populli nga rrjedh autori.Kadare mohon rrymen letrare te ashtuquajtur ‘realizmi socialist’ ku shume nobeliste e kane per nder qe kane jetuar e shkruar ne ate kohe .
    Si sherbyes i nomeklatures se Mihal Bishes Kadare si plak i keq gjirokastrit i ka bere me keq popullit se sa nje punonjes i thjeshte sigurimi.
    Ngjarja e dashurise se vajzes me nje djale shqipetar normal eshte shume me tragjike se sa dashurija e vajzes se STALINIT me gruan e pare kur u dashurua me nje djale artist.Ai u internua ne SIberi ,e bija doli kunder te jatit e kerkoi azil politik ne Amerike ndersa vajza e Helenes dheIS jo vetem qe e shkaterruan si familje ate te djalit por si shperblim moren tere ofiqet e pushtetit para e pas ’90.MJAFT NA ÇATE MENDEREN ME ISAT E ISHAT!

    Reply to this comment
  6. Onkezmi December 14, 03:09

    Sa here shkruhet per Kadarene,ngrihen plehrat te te zene syte,liliputet,te te japin mendje,analfabetet,qe nuk kane lexuar asnje fjali te veprave te Kadarese.Thua se liria e tepert i deh dhe pulat,ne kotece te vjetra?.Liria e tepert sjell autokracine.A mos valle ne nuk dime ta pardorim lirine?…Bejme te diturin edhe pse jemi jashte profesionit apo dijeve tona,dhe i sulemi si ushtaret mesjetare keshtjellave shqiptare.Pra Kadare eshte “keshtjellari”i Shqipes.Vetem per kete dhe vetem per kete duhet tu heqim xinat peneve dhe te heshtim,se po heshtem ne,vepra me madhore,pro shqiptare do te dalin nga dora e tij.Te rroj per ne.dhe per Shqiperine,se plehrat sado ti pastrosh,here do te sjelle te tjera…

    Reply to this comment
  7. Populli i thjeshte December 14, 19:20

    @ Onkezmi!
    Ja ketij i themi servilizem dhe sumelepirizem ne., madje me brire
    Ketyre qe ke shkrojtur ti mor “i lexuar” qe na “filozofoke” “toidhjo” si nje kolaq i keq, se çfare sjell liria!
    Je nje hiç o turkoshak kur kerkon te fyesh te tjeret .
    Je tamam nje pleher, por siç i thoni ju gjirokastritet nje pleher katoqi, kur perpiqesh te mbulosh anet e erreta dhe autogolat e shkrimtarit Kadare.
    Ndaj po te them se ti jo vetem nuk di ta perdoresh lirine por po abuzon me te ne menyren me cinike, me te ndyre dhe me halabake.
    Nga leximi i kritikave te kujtdo ndaj Kadarese, nuk kemi pare njeri qe te beje te diturin, (nje lloj lapsi si shume te tjera te perdorura ne komentin tend), sepse per nje lexues dhe jo me per nje intelektual, pavarsisht i kujt fushe eshte, nuk do shume mend per te dhene mendim dhe per te mbajtur qendrim ndaj sjelljeve dhe qendrimeve praktike qe bien ndesh me faqet e shkruara ne vargje apo proze, qofte ky dhe Kadareja.
    Faktet, aq sa jane dhe aty ku jane, te cilat pavarsisht se nuk rendojne aq sa te marrosurit te vene kujen, nuk mund te retushohen duke perdorur fyereje si keto tuajat, o zedhenes !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*