Mbi “shtetin zero” të ditëve të fundit të Berishës

Xhevdet Shehu October 30, 2013 02:24

Mbi “shtetin zero” të ditëve të fundit të Berishës

Jemi në fillim të vitit 1997. Vendi ziente, por ende nuk kishte shpërthyer e ashtuquajtura krizë e firmave piramidale. Ndërsa shumica e shqiptarëve që kishin investuar në këto skema nuk mund të parashikonin se ç’do të ndodhte në të ardhmen e afërt duke jetuar ende me shpresa, presidenti i vendit Sali Berisha dukej se kishte ide më të qarta. Shumë familje shqiptare do binin nën terrorin e mungesës së shtetit, por kryetari i shtetit nuk u shqetësua shumë për këtë. Ndërkohë po kujdesej të pajiste me pasaporta diplomatike familjen e tij. Katër dokumentet që po paraqisim në vijim ndoshta nuk kanë nevojë për shumë koment.

E para, një kërkesë nga Kabineti i Presidentit të Republikës në datën 10 janar 1997: Për pajisjen me pasaportë diplomatike të z. Dasara Malltezi. Ç’funksion kishte kjo zonjë apo zonjushë në Ministrinë e Jashtme apo në administratën e shtetit të asaj kohe? Asgjë. Nuk kishte si të kish. Në datën që është firmosur shkresa Dasara Malltezi rezulton një fëmijë 29 ditëshe. Ajo është vajza e Argita Berishës, apo mbesa e Presidentit të asaj kohe Sali Berishës, sot 16 vjeçare.

Kurse më 21 prill 1997 është urdhëruar po në emër të Presidentit të Republikës pajisja me pasapaortë diplomatike e znj. Argita Malltezi (vajzës së Berishës) dhe më 29 maj të po atij viti, i njëjti institucion urdhëron pajisjen me pasaportë diplomatike edhe të Shkëlzen Berishës (djalit të Berishës). Më pas, edhe një shkresë tjetër e veçantë drejtuar Ministrisë së Jashtme, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të Presidencës, Kolec Topallit, Berisha urdhëron pajisjen me pasaportë diplomatike të fisit të gruas, pra të vjehrrit, vjehrrës, kunatit dhe kunatave. Ishte 12 mars i vitit 1997. Ishte arritur një marrëveshje më 9 mars, por Berisha vazhdonte të mendonte ikjen. Ngjashëm me Ahmet Zogun në prillin e 1939-s.

Pak histori nga marsi i ‘97

Marrëveshja e 9 marsit 1997 e 10 partive politike, kuvendore ose jo, është një nga kompromiset më të mëdha të politikës shqiptare. Shqipëria kalonte nga janari i vitit 1997, një situatë vërtet dramatike. Rënia e firmave piramidale, si “fondacionet” bamirëse “Populli”, “Xhaferri”, etj, e kompanive të tilla si “Gjallica”, solli një gjendje të tensionuar në mbarë vendin. Në Vlorë, situata ishte edhe më e rënduar. Disa muaj më parë, më 26 maj 1996, Shqipëria kishte zhvilluar zgjedhjet për Kuvendin Popullor, i cili ishte bojkotuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Socialiste. Si pasojë e këtij bojkotimi, ishte formuar një Kuvend shumë i deformuar, ku Partia Socialiste kishte përfunduar me 5 deputetë, të cilët pas një vendimi partie, nuk merrnin pjesë në jetën parlamentare të vendit. U sulmuan depot e ushtrisë dhe filloi armatosja masive e popullsisë.

Nga kjo gjendje, në mëngjesin e datës 1 mars 1997, Këshilli i Ministrave paraqiti dorëheqje. Po këtë ditë, Kuvendi  Popullor u mblodh në mbledhje të jashtëzakonshme. Të nesërmen e 2 marsit, deputetët miratuan me shpejtësi ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme. Veprimtaria për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme drejtohej nga Këshilli i Mbrojtjes, ndërsa në prefektura nga shtabi i mbrojtjes i drejtuar nga prefekti. Pasi u votua bashkimi i forcave të SHIK-ut dhe MB-së, në krye të këtyre forcave të ngarkuara për të shtypur kryengritjen u vu kreu i SHIK-t, Bashkim Gazidede. Kuvendi Popullor  i drejtoi një thirrje popullit shqiptar, duke kërkuar distancimin e tij nga kriminelët.

Në mbledhjen e pasdites, ligjvënësit u morën me modalitetet e ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme. Më 3 mars 1997, me propozim të një grupi deputetësh, të përfaqësuar nga Ali Spahia, Kuvendi Popullor zgjodhi  Sali Berishën, President të Republikës për një mandat të dytë me 113 vota pro. Por “plani i gjeneral Gazededes” dështoi. Trupat qeveritare nuk mundën të bënin asgjë dhe për pasojë kreu i SHIK-ut paraqiti dorëheqjen e parevokueshme. Pas disa ditë bisedimesh, edhe me të dërguarit e KE-së, klasa politike shqiptare u ul për bisedime. Më 9 mars 1997, Presidenti Sali Berisha, mblodhi krerët e partive politike. U propozua krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, amnisti për civilët e ushtarakët e përzier në ngjarjet e fundit, zgjedhje brenda 2 muajsh, dorëzim i armëve, etj. Por megjithëkëtë depot e armëve u hapën në mbarë vendin, më 13 mars 1997, kaosi mbërriti edhe në kryeqytetin e vendit. Grabitjet, plaçkitjet e vrasjet, u bënë gjëra normale në vend, ndërsa në burgje nuk kishte më asnjë të burgosur.

Në disa qytete u ngritën komitetet e shpëtimit publik. Duke përshkruar shkurtimisht atmosferën e asaj kohe, nuk ke si të mos pyesësh: Si dhe me ç’përgjegjësi e bënte Sali Berisha lojën politike në vitin 1997? Do s’do të vjen në mendje ajo që ka përshkruar gazetari i shquar amerikan Peter Lucas… Ai rrëfen një detaj tronditës nga biseda që ka pasur me presidentin Sali Berisha një mesnatë tetori të vitit 1996. “Berisha më thirri në një orë të pazakontë, dërgoi makinën e tij në hotel. Në fund më tha: “Historinë nuk e bën shtypi, por unë jam i hapur. Tani duhet të konsolidojmë demokracinë në Shqipëri, ose…” Ndali anglishten dhe m’u drejtua në frëngjisht: “Apres moi, le deluge!” (pas meje, le të bëhet kiameti”).

dasara

fisi rama

shkelzeni

zyres konsullore

Xhevdet Shehu October 30, 2013 02:24
Komento

3 Komente

  1. salah October 30, 15:06

    1996-1997 shitur Tritan Shehun, 600 pasaportave diplomatike me mafian

    Reply to this comment
  2. mergimtari fv October 30, 15:16

    Gojet e liga thone se Berisha u be gati si A.Zogu t ja mbathte nga syte kembet dhe çi q.. temen popullit e Shqiperise , por mallkuar qofte Pjeter Toma(Arbnori) qe nuk e la por i tha po ike do kesh namin e turpin e tradhetise si Zogu .

    Reply to this comment
  3. Open your mind October 31, 06:22

    Po ja ku i paska provat prokuroria.Nqs eshte shkelur ligji per paisjen me pasaporte diplomatike.atehere te merret i pandehur.Po kush do ta marre??Keta pushtat qe i ke vene Sala vete ne pune??Ah mjere ti moj Shqiperi qe te shtyne ne humnere maskarenjte dhe kriminelet,dhe ne beme sehir.Turp te kene te gjithe shqiptaret e ndershem.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin