Mbi skandalin me fondet e projektit të numërimit elektronik

Eugen Vasili June 21, 2013 10:52

Mbi skandalin me fondet e projektit të numërimit elektronik

Eugen Vasili – Jurist

Megjithëse pranë KQZ për realizimin e këtij projekti, në momentin e prokurimit aplikuan edhe tre kompani të tjera ndërkombëtare, një amerikane, një angleze dhe një tjetër spanjolle, të cilat nga eksperiencat e mëparshme të tyre për zgjedhjet, ofronin teknologji dhe pajisje që i përgjigjeshin më mirë kerkesave teknike të shtojcës II të Kodit Zgjedhor, ato u perjashtuan nga komisioni i prokurimeve në KQZ, që në fazën e parë parakualifikuese të tenderit, duke orientuar dhe paravendosur që në këtë fazë si fituese kompaninë INDRA.

Ky paracaktim si fitues i kompanisë INDRA, e bëri atë të pakonkurueshme me asnjë kompani tjetër gjatë fazës së negocimit, si përsa i përket projektit teknologjik ashtu dhe ofertës financiare së saj. Pra, ka qenë INDRA ajo që përcaktonte dhe i vendoste KQZ rregullat e lojës, në favor të interesave të saj, ndërkohë që kjo e fundit e udhëhequr nga  interesi për ta dështuar këtë projekt, por jo vetëm, iu dorezua edhe për të zhvatur sa më shumë nga fondet publike, për përfitime të sekserëve në qeveri të Kompanisë.

Tashme që KQZ ka marrë vendim për moszbatimin e projektit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit, por duke patur parasysh edhe kontraten e nënshkruar me INDRA, nuk mund të mos arrish në përfundimin që projekti ishte nisur për të dështuar. Përzgjedhja e kompanisë INDRA, është bërë qëllimisht që procesi të dështonte, me një kontratë që e mbulonte financiarisht dhe siguronte përfituesit e vërtetë të fondeve.

Kjo për:

– t’i hedhur hi syve PS si dhe ndërkombëtarëve, që Kompania e përzgjedhur plotësonte kërkesat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, si dhe që projekti do të realizohej dhe do të ishte gjoja transparent;

-për të siguruar fonde për financimin e fushatës së PD (një pjese e mirë e fondeve të KQZ kanë shkuar në këtë drejtim); si dhe

-për të dorovitur sekserët e kompanisë në qeveri me 20% e tyre.

Sipas kontratës që INDRA ka nënshkruar me KQZ, ajo është i vetmi subjekt që ka marrë përsipër  zbatimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kontrata dhe anekset e saj. Por nga informacionet dhe dokumentet që kanë mbërritur në redaksinë e “Dita”, duket që INDRA nuk ka qenë e vetme në “zbatimin” e këtyre detyrimeve. Kompania “Multiverse” shpk, në pronësi të këshilltarit për teknologjinë e informacionit i Kryeministrit Berisha, z.Pjerin Marku, e ka “mbështetur” kompaninë INDRA në realizimin e këtij projekti.

Nëse është e vërtetë kjo, ketu jemi përpara një shkelje të hapur të procedurave të prokurimit nga KQZ, pasi nëse INDRA kishte paraqitur gjatë procedurës së negocimit që një pjese të shërbimeve të saj, do t’i kryente nëpërmjet një nënkontraktori, kjo duhej të sillte për rrjedhojë edhe një procedurë vlerësimi të ndryshme, madje kthimin e procedurave në fazën parakualifikuese të kompanive. KQZ duhet të vlerësonte nëse edhe kompania nënkontraktore plotësonte kërkesat e Kodit Zgjedhor. Për këtë duhej që gjatë procedurave të prokurimit edhe kjo kompani të paraqiste dokumentacionin kualifikues, i cili tregonte përshtatshmërinë dhe besueshmërinë e saj për të zbatuar pjesë të caktuara të projektit, sipas kërkesave të nenit 179/1, pika 6 e Kodit Zgjedhor, pra nëse ishte një operator i mirënjohur dhe që ofronte teknologji të provuara me sukses në fushën e zgjedhjeve.

Nëse  KQZ e ka ditur këtë fakt dhe e ka fshehur, për shkak të mosplotësimit nga “Multiverse” shpk të kriterit të sipërcituar në Kodin Zgjedhor (pasi asaj i mungon kjo eksperiencë), duke orientuar gjatë negocimit kompaninë INDRA për një zgjidhje të fshehtë, të jashtëligjshme, atëherë këtu jemi përpara një shkelje të barazisë në tendera, për më tëpër përpara konsumimit të një vepre penale nga personat pergjegjes në KQZ.

Por edhe sikur fakti i nënkontraktimit të “Multiverse” shpk, të mos ketë qenë i ditur në asnjë moment nga KQZ, kalimi nga INDRA i disa shërbimeve të projektit në një kompani tjetër, është  përsëri ii jashtëligjshëm, duke qenë se INDRA ka marrë përsipër në kontratë detyrimin që do t’i kryej vetë ato (neni 7, pjese “a”). KQZ e cila ka bërë pagesat për llogari të INDRA, duhet që të kërkonte justifikimin e tyre me faturat e shërbimeve të kryera, dhe nëse konstatonte kryerjen e tyre nga një kompani e paautorizuar nga kontrata, ajo nuk duhet të bënte kalimin e fondeve për këto shërbime.

Nëse kompania “Multiverse” shpk nuk ka qenë në asnjë rast “de facto” nënkontraktore e kompanisë INDRA, por ajo është përdorur si kanali për te vjedhur fondet publike për financimin e fushatës së PD dhe sekserëve të kompanisë në qeveri, mund të themi që në këtë rast jemi përpara një prove se si shteti vjedh fondet publike për qëllime partiake, pra për partinë- shtet PD.

Dje DITA publikoi disa nga faturat që kompania “Multiverse” shpk ka përfituar si “nënkontraktore” e INDRA, pa kryer asnjë lloj shërbimi të formalizuar dhe të shprehur si detyrim të saj në kontratën me KQZ, si dhe anekset bashkëngjitur saj. Gjatë periudhës shkurt-qershor 2013 kjo kompani ka përfituar 240 000 euro pa bërë asgjë, dhe kemi më duar disa dëshmi që na bëjnë të dyshojmë se më pas këto fonde janë përdorur për fushatë nga sekserët e kompanisë në qeveri, Genc Pollo dhe Oerd Bylykbashi.

Dyshimet janë të forta se pronari i kompanisë “Multiverse” shpk dhe këshilltari i Kryeministrit Pjerin Marku së bashku me Oerd Bylykbashin kanë komanduar nga zyra e Kryeministrit përzgjedhjen e INDRA si fituese e tenderave për të dy projektet.

Vlen të theksohet që specialistët e IT në komisionin e prokurimeve në KQZ, të cilët do të bënin vlerësimin e kompanive në këndvështrimin teknik, ishin të dërguar të qeverisë, konkretisht drejtori i AKSHI në Kryeministri, si dhe një specialist i Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, Bylykbashi është kujdesur që të dërgojë në KQZ, si drejtor të dy projekteve tekonologjike për Fierin dhe Tiranën, një njeriun e tij të besuar Anri Muratin. Në këtë mënyrë drejtori i caktuar prej tij do të siguronte dështimin e këtyre projekteve, sic edhe ndodhi, por edhe përcjelljen e pareve tek “dërguesi”.

Të gjithë këta persona dhe KQZ kanë qenë të interesuar që këto projekte të dështonin, për të favorizuar PD në manipulimet e saj gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas saj, por edhe për të gjetur mundësi financimi të jashtëligjshme për fushatën e PD dhe sekserëve të saj.

Bazuar në informacionet që kanë mbërritur tek “Dita”, në të njëjtën mënyrë 25% e fondeve të përfitura nga INDRA, janë shpërndarë nga përfitues të tjerë fantazmë të rregjistruar si kompani shtetërore. Për më tepër për paratë e marra nga INDRA, “Multiverse” shpk nuk ka paguar asnjë taksë, ndërkohë që përcjelljen e tyre për fushatë është bërë prej kësaj kompanie në kesh, pra jo nëpërmjet bankave.

Gjithashtu ka të dhëna që e njëjta skemë vjedhje të jetë përdorur edhe për projektin tjetër të dështuar, por të paguar Kompanisë INDRA, atë të identifikimit të zgjedhesve në Qarkun e Tiranës.

Kjo është mënyra se si KQZ, qeveria dhe sekserët e saj, kujdesen për zgjedhje të lira dhe të ndershme? Apo kjo është mënyra si kujdesen edhe për vjedhjen e fondeve publike për partinë-shtet PD.”

Faksimile të kontratë - pagesave per z.Marku. E para mbi 19 mijë euro në 1 maj dhe më pas brenda dy ditëve të ardhshme në 2 dhe 3 maj, dy shuma identike nga mbi 59 mijë euro

Faksimile të kontratë – pagesave per z.Marku.
E para mbi 19 mijë euro në 1 maj dhe më pas brenda dy ditëve të
ardhshme në 2 dhe 3 maj, dy shuma identike nga mbi 59 mijë euro

Eugen Vasili June 21, 2013 10:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*