Mbi vlerat antifashiste shqiptaro-evropiane

August 8, 2019 10:48

Mbi vlerat antifashiste shqiptaro-evropiane

Nga Prof Nasho Jorgaqi

Lufta e përbashkët kundër fashizmit ka shkruar në analet e historisë tonë moderne faqe nga më të fuqishmet dhe më emocionueset të miqësisë shqiptaro-italiane. Bijtë më të mirë të popujve tanë, patriotë e demokratë, të frymëzuar nga idealet e larta të lirisë e humanizmit u radhitën krahë njëri tjetrit në llogoret e luftës anti-fashiste e u ndeshën e ngadhënjyen mbi të njëjtin armik. Dihet që fronti antifashist nuk u kufizua vetëm brenda Italisë, por mori përmasa ndërkombëtare dhe në këtë hapësirë vepruan bashkarisht luftëtarët e dy popjve tanë. Përpjekjet e tyre ishin nga një pikëpmaje dhe vazhdim e përsëritje e traditave të bashkëpunimit vllazëror që lindi gjatë rilindjes për çlirimin kombëtar tëItalisë dhe Shqipërisë.

Në barrikadat dhe betejat çlirimtare të vitetve 1848-1860 kishin luftuar krah italianëve vëllezrit tanë arbëresh si J. De Rada e G. Dara, D.Mauro e Fr. Krispi, A.Dramisë dhe E. Mashi, e ashtu siç ishte e shquar në betejën e Venedikut rilindasi ynë Pasho Vasa. I njëjti shpirt sakrifice dhe solidariteti do t’i karakterizonte dhe vullnetarët italianë, që erdhën në Shqipëri për çlirimin e saj gjatë kohës së rilindjes. Le të kujtojmë luftëtarët vullnetarë në kryengritjen shqiptare të vitit 1910 si Eugjeni Vajna, mjekët Negri e Bolonja etj.

Vëllazërimi i armëve shqiptaro-italiane në betejat për lirinë kombëtare nuk mund të mos hidhte ura të tjera të miqësisë sonë. Kjo u provua edhe në vitin 20 kur opinioni përparimtar italian, sidomos ai komunist e demokrat bënë të dështojnë planet ekspansioniste ndaj Shqipërisë. Më vonë, me ardhjen e fashizmit në Shqipëri, zëra kurajoz dhe objektiv nga radhët e perosnaliteteve demokrat të dy vendeve tona do të denonconin e dënonin traktet skllavëruese me të cilat Musolini në vitet 20-30 e lidhi Shqipërinë  e Ahmet Zogut. Është kjo një nga arsyet kryesore, që edhe në Shqipëri, ashtu si nëItali, lindi lëvizja antifashiste, qëndresa karshi ekspansionit dhe ideologjisë fashiste. Mbi këtë bazë politike e shoqërore u krijua terreni për një bashkëpunim të mëtejshëm në mes popujve tanë ndaj një armiku të përbashkët. Prologu ikëtij bashkëpunimi është padyshim lufta e Spanjës. Në mes dhjetra mijëra vullnetarëve nga 55 vende të botës do të shkonin dhe dhjetra luftëtarë nga Shqipëria e vogël. Nuk është e rastit që vullnetarët shqiptarë do të radhiteshin në brigadën e 12 Ndërkombëtare “Garibaldi” dhe do të luftonin, fitonin dhe binin krah shokëve italianë.  Armët e tyre do t’i vëllazëronin, jo vetëm idealet e larta të lirisë e të solidaritetit të pashembullt, po dhe gjaku i heronjve, të dalë nga radhët e tyre, gjaku i Asim Vokshit dhe Guido Picelit. Komisari legjendar i Brigadës “Garbialdi”, Luixhi Longo, do të shkruante në gazetën shqiptare “Vullnetari i lirisë” se “Italianë dhe shqiptarë janë të ndërgjegjshëm se këtu nuk luftohet vetëm për kauzën spanjolle, por dhe kundër fashizmit që Italinë e bukur dhe pjellore e ka kthyer në një vend mjerimi e robërie dhe Shqipërinë krenare në një koloni italiane”.

Spanja e mbytur ne gjak ishte e para viktimë e fashizmit, por edhe dhe paralajmëruesja e rrezikut vdekjeprurës që i kërcënonte popujt. Koha e provoi shumë shpejt se lufta për mbrojtjen e Republikës Spanjolle ishte beteja e parë kundër fashizmit. Në këtë betejë u pagëzua dhe miqësia jonë luftarake antifashiste.

Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, bashkëpunimi antifashist shqiptaro-italian kaloi nëpër situata heroike duke lënë pas dëshmi autentike të miqësisë e të solidaritetit midis popujve tanë. Në vitet e rënda 1939-1943 lufta e përbashkët e elementëve e antifashistë u zhvillua në radhë të parë nëpër burgjet dhe kampet e internimit në Itali. Shumë patriotë shqiptarë u gjen u gjendën në burgjet e Brindisit e të Barit, tëRomës e të Firences, të Bolonjës e Napolit. Në mes hekurave dhe priviacioneve të rënda luftëtarët e lirisë gjetën rrugët dhe mjetet e bashkëpunimit, të mirëkuptimit e solidaritetit kundër të njëjtit armik. Patriotët shqiptarë do t’u jenë mirënjohës vëllezërve italianë për ndjenjat e miqësisë që ata do të tregonin në këto çaste të vështira. Nga kjo pikëpamje, janë të panumërta aktet e sakirficave dhe të ndihmës të ndërsjelltë që ata tregonin për njëri tjetrin.

Miqësia dhe bashkëpunimi ynë anifashist do të manifestohet fuqishëm dhe në kampet e përqëndrimit, si në Ustika, Ventotene, Ponxa e gjetkë. Në to u mbyllën dhe vuajtën me qindra shqiptarë, pëtriotë e demokratë nga të gjitha klasat shoqërore dhe shtresat politike. Për qëndrimin e tyre burrëror flasin aktet e ndryshme që ata ndërmorrën, por në këtë rast vlejnë të përmendet bashkëpunimi me miqtë italianë për ngritjen e organizatave të fshehta për organizimin  e aksioneve luftarake, për nxjerrjen e buletineve, shtypjen e trakteve, përgatitjen e grevave etj. Kuptimplotë janë dhe lidhjet e tyre me personalitete të shquara të lëvizjes antifashiste italiane në këto kampe, si me P. Nenin, S.Pertinin etj.

Një kapitull shumë të rëndësishëm të luftës së përbashkët kundër fashizmit e përbën bashkëpunimi i lëvizjes studentore shqiptare në Itali me lëvizjen klandestine vëndase në vitet 1939-1942. Në të gjitha qendrat universitare, por sidomos në Romë, Firence, Bolonjë, Torino do të rikijoheshin lidhje në mes grupeve dhe individëve antifashistë. Janë këto aspekte nga më interesantet të bashkëpunimit, sadoqë akoma të pas studiuara sa duhet. Megjithatë nuk mund të mos evokojmë raste tanimë të njohura, siç është ai i veprimtarisë revulucionare të studentëve shqiptarë në Firence me në krye militanitn e shquar Qemal Stafa. Qemal Stafa është figura tipike e më përfaqësuese e lidhjeve luftarake që u krijuan në mes lëvizjeve tona antifashiste në këtë kohë në Itali.Veprimtaria e tij do të jetë sa e gjerë aq dhe e ndryshme, legale dhe ilegale, politike e kulturore, ideologjike dhe organizative. Qemali do të njihet dhe do të fitojë besimin e profesorëve të Universitetit të Firences, të njohur për mendimet dhe qëndrimin antifashist si profesorët Kalamandrei, La Pira dhe Kalaso. Por lidhjet politike dhe organizative në lëvizjen antifashiste klandestine italiane do të realizohen dhe konkretizohen, kur Qemali me shokët e tij do të vendosin kontakte me udhëheqësit kryesorë të grupeve ilegale në Firence si me Çezare Kolinin dhe Rikardo Cerulin. Këta komunistë militantë të lëvizjes antifashiste të mbarë Toskanës, drejtonin kryesisht rrethe klandestine puntore, që vepronin në ilegalitet të thellë.

Kujtimet e tyre hedhin dritë në marrëdhëniet që u krijuan në mes shokëve shqiptarë dhe italianë. Duke qënë, kuadro me përvojë politike dhe të sprovuar në luftë, shokët italianë jo vetëm do t’i ndihmonin antifashistët shqiptarë me eksperiencën e tyre, dhe anasjelltas siguronin edhe ndihmë prej tyre.

Në takime dhe mbledhje të përbashkëta, ata do të shkëmbenin përvojën e luftës, do t’u jepnin shokëve shqiptarë literaturë politike e filozofike, mjete propagande e ç’ është më e rëndësishme do t’u krijonin lidhje me grupe të tjera klandestine e sidomos me ata të ishujve të internimit. Shokët shqiptarë do të vendosnin ndërlidhje e do të organizonin aksione në shërbim të miqve të tyre italianë. “Këta- shkruan Kolini në kujtimet e tij- qënë të rinjtë seriozë, trima, me të vërtetë të mrekullueshëm. Po në mes tyre shquante figura e lartë e Qemal Stafës.

S’ka dyshim se përvoja e lëvizjes antifashiste italiane, do të ishte kontribut i çmuar dhe ndihmë konkrete që revolucionarët e rinj shqiptarë do të sillnin në atdhe. Ajo do të shërbente në organizmin e luftës Nacionalçlirimtare  dhe ndihmën konkrete që revolucionarët e rinj shqiptarë do të sillnin në atdhe. Ajo do të ishte në shërbim të organizmit të luftës Nacionalçlirimtare.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 1943, kur kryengritja e armatosur shqiptare kishte përfshirë mbarë vendin, lidhjet luftarake antifashiste shqiptaro-italiane do të njohin kulmin e vet. Nga mijëra ushtarë e oficerë italianë që mbetën në Shqipëri dhe që populli shqiptar i mirëpriti e i mbajti nështëpitë e veta duke ndarë kafshatën e bukës me ta , qindra italianë u rreshtuan në rradhët e njësive partizane. S’ kish repart partizan ku të mos inkuadroheshin ushtarë antifashistë italianë. Por, në mes të tyre u shqua batalioni “Antonio Gramshi”, që së bashku me partizanët e tjerë italianëluftuan heroikisht në të gjithë Shqipërinëkundër pushtuesve nazistë.

Ato përfaqësuan denjësisht popullin e vetë, duke treguar shembuj të lartë trimërie, besnikërie dhe solidariteti antifashist. Dhjetëra e qindra prej tyre do të binin në fushën e nderit  duke shkruar me gjak faqe të reja të miqësise mes tyre. Në krye qëndron Teroilio Kardinali. Nga ana tjetër, nuk mund të mos kujtojmë dhe faktin e pamohueshëm se shqiptarët e ndodhur në Itali, do të marrin pjesë në rezistencën e armatosur italiane, duke luftuar në repartet partizane. Jo rastësisht në përbërjen e Brigadës “Roka Rossa”, që u krijua nëUmbria-Termi në tetor 1943 do të kishte edhe shqiptarë dhe komandanti i saj do të qe poeti ynë Petro Marko.

Historia e bashkëpunimit dhe e luftës së përbashkët kundër fashizmit, e popullit shqiptar dhe atij italian është e mbushur me ngjarje dhe akte të larta miqësie dhe solidariteti. Ai është një realitet i gjallë, që të gjithëve na nderon dhe emocionon dhe që pret të njihet më mirë, e për më tepër të studiohet dhe të shkruhet nga historianët. Vetëm kështu do të kuptohet se ura e miqësisë në mes popuujve tonë, nuk është një metaforë e bukur, po një kapitull i historisë sonë të përbashkët, shkruar me gjak.

 

August 8, 2019 10:48
Komento

1 Koment

  1. demo August 10, 05:27

    Facizmi osht hallve,mor Nashko!
    Komunizmi osht qesat,krize,fukarallek-maskarallek.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*