Mbledhja e KS për krizën në Libi, Katari: Mënyra e vetme për zgjidhjen e saj është mbështetja e Qeverisë së Akordit Kombëtar

July 9, 2020 12:43

Mbledhja e KS për krizën në Libi, Katari: Mënyra e vetme për zgjidhjen e saj është mbështetja e Qeverisë së Akordit Kombëtar

Këshilli i Sigurimit të OKB mbajti të mërkurën përmes videokonferencës, një mbledhje për situatën në Libi, ku Shteti i Katarit u përfaqësua nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Në fjalën e tij, Ministri i Jashtëm Katarian deklaroi se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës libiane është mbështetja e Qeverisë së Akordit Kombëtar, duke zbatuar Marrëveshjen e Skhirat-it, rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe rekomandimet e Konferencës së Berlinit.

“Prej më shumë se një viti, kryeqyteti i Libisë Tripoli, ishte skenë e sulmeve të milicive të paligjshme, të cilat vunë në shënjestër civilë të pafajshëm dhe qeverinë e ligjshme të njohur ndërkombëtarisht. Ato kanë kryer shkelje të rënda ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, përfshirë dhe sulme kundër objekteve të kujdesit shëndetësor, madje në mes të pandemisë, kur një sulm raketash në Tripoli targetoi një spital të pajisur për trajtimin e pacientëve me COVID-19” tha Sheikh Al Thani.

Ai theksoi se milicitë e paligjshme kanë vendosur mina toke duke shkaktuar qindra viktima në rradhët e qytetarëve libianë, pa përmendur këtu vrasjet sistematike ekstraligjore dhe varret masive të zbuluara së fundmi në zonat që kontrolloheshin prej tyre.

“Katari i ka dënuar në mënyrë të përsëritur këto praktika të rrezikshme e të paligjshme dhe mbështetjen e një pale të caktuar ndaj një tjetre” – tha ai duke shtuar: “Tashmë është e qartë se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës libiane është mbështetja e Qeverisë së Akordit Kombëtar, me angazhimin për të zbatuar marrëveshjen e Skhirat-it, rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe rekomandimet e Konferencës së Berlinit”.
Kreu i diplomacisë katariane iu referua faktit se Këshilli i Sigurimit i OKB e ka miratuar unanimisht Marrëveshjen e Skhirat-it, e cila njeh Qeverinë e Akordit Kombëtar si autoritetin e vetëm ekzekutiv të ligjshëm në Libi.

“Fatkeqësisht, disa vende e mbështetën këtë marrëveshje fillimisht, por më pas nuk e respektuan atë, duke u dhënë mbështetje fraksioneve opozitare kundër qeverisë. Kjo është arsyeja pse kemi arritur në pikën ku jemi tani” – tha ai.
Ministri i Jashtëm deklaroi se nëse komuniteti ndërkombëtar punon seriozisht për zgjidhjen e situatës, atëherë çdo zgjidhje për të cilën është rënë dakord me dialog e mirëkuptim, duhet të përfshijë një mekanizëm ndërkombëtar të qartë dhe efektiv për të vënë para përgjegjësisë vendet që nuk i respektojnë këto marrëveshje.

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar jo vetëm që duhet t’i mbajë përgjegjës disa fraksione për status quo-në në Libi, por dhe të vërë para përgjegjësisë disa shtete të caktuara për shkeljet e ligjit ndërkombëtar. “Për fat të keq, kemi parë shkelje sistematike kundër Qeverisë së Akordit Kombëtar, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar ka heshtur”.

Sheikh Al Thani nënvizoi nevojën për të rinisur bisedimet dhe dialogun kombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit. Ai bëri thirrje për “një zgjidhje që ruan sovranitetin dhe unitetin territorial të Libisë, përmbush aspiratat e popullit libian dhe çon në ndërtimin e shtetit që duan dhe meritojnë libianët, larg interesave të ngushta, aspiratave personale, agjendave malinje dhe ndërhyrjeve të paligjshme nga jashtë”.
“Komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara duhet të punojnë sinqerisht për të siguruar mbështetjen e nevojshme për arritjen e këtij objektivi”- shtoi ai.

Kryediplomati katarian riafirmoi mbështetjen e vendit të tij ndaj përpjekjeve të OKB-së dhe të Përfaqësisë së saj në Libi për realizimin e misionit të saj. Njëherësh, ai përsëriti apelin e Katarit drejtuar të gjithë aktorëve, që të garantohet respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, si dhe t’u kërkohet llogari përgjegjësve për shkeljet dhe krimet e rënda.

o.j/dita

July 9, 2020 12:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim