Mbledhja e përbashkët e qeverive Shqipëri-Kosovë, zbardhen detajet

Xhevdet Shehu January 7, 2014 09:35

Mbledhja e përbashkët e qeverive Shqipëri-Kosovë, zbardhen detajet

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë vendosur ta nisin bashkë rrugëtimin për përmbushjen e sfidave të 2014-s. Është kjo një risi që mbart një simbolikë të fuqishme që hyn për herë të parë në praktikën qeverisëse dhe që është përshëndetur nga qytetarët shqiptarë. Dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, do të mblidhen në datën 11 janar, në një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit. Vendimi i parë, i bërë publik deri tani të paktën, do të jetë një simbolikë e fortë, siç është ai për akordimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës, për ngritjen e një materniteti në këtë zonë.

 

Thaçi

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e kanë konfirmuar përfaqësues nga të dy qeveritë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi konfirmoi se mbledhja do të mbahet në Prizren, ditën e shtunë. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, numri  një i qeverisë së Kosovës thekson se në këtë mbledhje do të merren vendime të rëndësishme për procesin integrues të dy vendeve. “Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren! Në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri” shkruan Thaçi.

 

Rama

Pak minuta më vonë edhe kryeministri Edi Rama i dedikoi një status në Facebook mbledhjes së përbashkët duke e çmuar si një faqe të re të bashkëpunimit mes dy qeverive. “Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë” thekson Rama.

Kryeministri shkruan se kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri. Fondi për maternitetin e Luginës së Preshevës ishte një premtim i socialistëve gjatë fushatës elektorale.

 

Nga ideja tek realizimi

Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, por shtyrja e mbledhjes erdhi për shkak të zgjedhjeve vendore në Kosovë.

Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej qysh në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes u bë për shkak të zgjedhjeve vendore në Kosovë, në mënyrë që ajo të mos politizohej dhe të merrej për kapital politik gjatë fushatës.

Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide qysh në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij. E njëjta gjë pritet të ndodhë më vonë edhe me qeverinë turke, shtet i cili tashmë ka marrë pozitën e partnerit strategjik për Shqipërinë. Me fondin që pritet të akordohet për Luginën e Preshevës në këtë mbledhje të parë të dy qeverive shqiptare pritet të ndërtohet edhe një shkollë atje.

 

Xhevdet Shehu January 7, 2014 09:35
Komento

2 Komente

  1. Pëllumb zaimi January 7, 11:26

    Sado mbledhje e plane të bëjnë qeveritë o xhotë ,një gjë është e sigurt : njerezit e mënçur si thano-ja, si ty,etj.kurrë nuk kini për të qënë pjesë e ekipeve apo e planeve të tyre? Të mëncurit janë rrezik për cdo regjim e sistem qeverisës !??? Rrezikojnë rëndë mediokritetin dhe pushtetin! E…,kaq për kësaj radhe… !?

    Reply to this comment
  2. Fier, mallakastër,hekal. January 7, 11:37

    Ç’farë thua o pëllumb? Bjeri këtej se i duam ne të mënçurit si thano-ja e si xhota. Të pinë raki ulliri e kallëmi e të na udheheqin nën udhëheqjen e partive në rrugën e ndritur të kapitalizmit fitimtar proletar! Dimë ne te duartrokasim e të brohorasim-, “Urra a a a,a a a a a… rroftë adriani e xhota” !!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?