Mbledhja e qeverive Shqipëri-Maqedoni, Rama: Kapitull i ri mes dy vendeve

December 15, 2017 15:47

Mbledhja e qeverive Shqipëri-Maqedoni, Rama: Kapitull i ri mes dy vendeve

 

Është zhvilluar sot  në Pogradec mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Maqedonisë.

“Është një kënaqësi e posaçme për të gjithë ne në anën e qeverisë së Shqipërisë t’ju urojmë mirëseardhjen këtu në Pogradec kur përgjithësisht njerëzit e këtij vendi e lidhin gjithmonë këtë qytet të mrekullueshëm me një nga bijtë më të dashur dhe një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë dhe europianë, Lasgush Poradecin.

Pjesa më e madhe e vargut të tij magjik i kujtohet këtij liqeni, kësaj pasurie të përbashkët. Kjo simbolikë e liqenit ngushton lidhjet mes dy vendeve. Besoj se ajo i përshtatet më së miri dhe qëllimit të kësaj mbledhjeje të parë të dy qeverive, që jemi shpresëplotë se çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë sonë të mirë, ndërthurur me interesa të përbashkëta, gjeografike, historike, kulturore dhe jo në plan të fundit gjeopolitike dhe gjeo-strategjike.

 Shqipëria do të jetë gjithnjë mikja më e mirë e Maqedonisë që prej pavarësisë së saj, çka qeveritë e Shqipërisë e kanë treguar në mënyrë të palëkundur”, deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë ka shprehur vendosmërinë e përbashkët të dy vendeve për të kontribuar në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga çdo pikëpamjes.

“Ne i kemi rigjallëruar intensivisht kontaktet dhe marrëdhëniet. Përpos vizitave dhe takimeve të shumta dypalëshe që nga samiti i Triestes, takimi në Durrës me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, së fundmi ai në Sofje, kemi ndarë angazhimin dhe vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga pikëpamja ekonomike, infrastrukturore pa barriera të çfarëdollojshme në qarkullimin e kapitalit, të njerëzve dhe ideve.

Besoj se për këto dhe shumë arsye të tjera ky takim mund të konsiderohet si një moment kyç në historinë tonë të përbashkët, për faktin se sot jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët në ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm afatgjatë dhe për t’i ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve me një stad të ri cilësor.

Kjo kërkon një orientim të posaçëm strategjik, prandaj dhe axhenda e punës që kemi përcaktuar bashkarisht dhe që gjen shprehje në deklaratën e përbashkët, kanë qasje konkrete, përmbajtësore dhe synon rezultate”, tha Rama.

Ai foli për një pikë të përbashkët kalimi dhe dogane në kufirin e Qafë Thanës, përkrahjen e ndërsjelltë për nxitjen e lehtësimit të import-eksportit mes palëve etj.

Me rëndësi për Ramën është dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike.

December 15, 2017 15:47
Komento

1 Koment

  1. Arber Iliri December 15, 17:53

    Very smart move. Congts.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*