Mbresa nga një vizitë në Manastir

October 25, 2019 21:02

 Mbresa nga një vizitë në Manastir

Ditën e fundit, të qëndrimit mbi dy muaj në Pogradec, për pushime me familjen, shkova në qytetin e Manastirit të Maqedonisë, që këta padrejtësisht e quajnë Bitola dhe në asnjë mënyrë nuk duan ti përmendin emrin Manastir.

Dhe kjo me ndodhi edhe mua, kur gjatë një telefonate të bërë me një të afërmin tim në Greqi, ra fjala për ti thënë të flas nga qyteti i Manastirit, një çift vendas që po kalonte pranë meje, në pedonalen e qytetit, dëgjoi bisedën dhe ktheu kokën duke me pare urrejtshëm.

Gjatë viteve, pas hapjes, në këtë shtet fqinj, unë kam vizituar disa qytete. Por pas vizitës së tyre sepse kam ndjerë një boshllëk që nuk kisha vizituar dhe parë qytetin e Manastirit. Gjeografikisht, ky vend është i vendosur, në anën jugperëndimore të shtetit maqedonas. Për të shkuar nga Pogradeci, janë tre mundësi.

E para, shkon në Ohër dhe pa u futur në qytet kthehesh në një rrugë djathtas, me parametra të mira, dhe pas dy orësh mbërrin në destinacion.

Mundësia tjetër, që ne e shfrytëzuam për shkuarje, është rruga për në Korçë, por pa mbërritur në fshatin Çërravë, kthehesh majtas, kalon nëpër disa fshatra dhe pa hyrë në fshatin Pojan, kthehesh përsëri majtas në një rrugë, fillimisht me ca dredha, në një shpat mali, por me standarde të mira, dhe mbërrin në livadhet e sheshtë të fshatrave të Pustecit të lagur nga liqeni piktoresk i Prespës. Vazhdohet në bukuritë e kësaj zone që shkëlqen nga uji i kthjelltë i liqenit buzë të cilit është vendosur. Për sytë e mi vendin e parë si fshat mbresëlënës e mban Gorrica e Vogël. Më pas rruga vazhdon edhe disa kilometra, po buzë liqenit, pastaj kthehesh majtas dhe për pak minuta futesh në qytet.

Mundësia e tretë është përsëri nga rruga e Ohrit. nëpërmjet parkut të Galiçiçës. Rreth një kilometër pas Shën Naumit, kthehesh djathtas në një rrugë me asfalt të pa mirëmbajtur, e plot gropa, ngjit super kthesat e shumta të shpatë vargmalit të Thatë, dhe arrin në një lartësi 2000 m. në anën perëndimore të të cilit sheh si në pëllëmbë të dorës bukuritë e krejt liqenit te Ohrit, Shën Naumin, qytetin e Pogradecit dhe gjithçka tjetër. Çdo gjë duket ekstremisht e bukur ta shohësh në mbrëmje, kur dielli është duke perënduar, siç na u dha mundësia ta shihnin ne, gjatë kthimit nga Manastiri për në Pogradec.

Pastaj nga kjo majë, duke lënë mbrapa diçka që thamë, zbret në rrugën me kthesa, por jo si ato në ngjitje, në faqen lindore të malit të Thatë, mbërrin në zonën fushore, dhe pastaj në qytetin e Manastirit.

Kjo rrugë e tillë, edhe pse mbi 20 km më e shkurtër se dy të tjerat, nuk sjell përfitim kohe. Megjithatë, për gjithçka përshkruam, ne na u duk një udhëtim i këndshëm.

Lashtësia dhe historia e Manastirit, për të cilat kemi pasur mundësi të merrnim dijeni që në vitet e para të shkollimit, të imponojnë të shkosh për t’i njohur nga afër. Qyteti duket mbresëlënës edhe me bukurinë e tij. Ai është vendosur në fushë, rrethuar nga kodra, të cilat në distancë rrethohen nga male e vargmale siç janë ato të malit të Thatë, në perëndim e jugperëndim.

Manastiri është ndër qytetet më të lashtë të trojeve shqiptare. Ai ka qenë njeri prej katër qendrave kryesore të Vilajeteve tona. Atje kanë studiuar dhe punuar, për Shqipërinë brenda dhe trojet jashtë, shumë mendjendritur shqiptarë.

Në Manastir, më 22 Nëntor 1908, burrat më me vlerë të Kombit, në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Vendit, thirrën një mbledhje, që u quajt Kongresi i Manastirit, për përcaktimin e alfabetit të sotëm shqip.

E kjo ngjarje dhe vet shtëpia ku ka qenë mbajtur Kongresi, prej kohësh, më kishin shtuar dëshirën për të vizituar këtë qytet. E këtë ma kishte nxitur dhe biseda që më bëri 7 vjet më parë djali im Klitoni, i cili në vizitën që i bëri qytetit dhe godinës së Kongresit, i indinjuar më tregoi për ngurrimin e njerëzve për të folur dhe treguar ndërtesën, për pllakën e ciflosur dhe të palexueshëm të mbishkrimit, dhe që as bëhej fjalë për vizitë të mjediseve.

Menjëherë pas kësaj vizite ai arriti të vendosë për herë të parë në google këtë shtëpi historike. (kliko KËTU)

Me të zbritur nga automjeti, e tërë familja, ku ishin dhe dy më të vegjlit, mbesa dhe nipi, që na i bënë këtë udhëtim e vizitë edhe më të këndshme, u drejtuam për tek ndërtesa ku ish mbajtur Kongresi.

Klitoni që e dinte se ku ndodhej na i tregoi që gati 10 m larg dhe na kërkoi që nga këtej të bënim një fotografi se mendonte, si dikur më parë, se mund të na bezdisin për realizimin e fotos. Dhe kështu bëmë.

Pas fotos u nisëm për ta parë nga afër godinën dhe pllakën e mbishkrimit. Ajo ishte gati në qendër të qytetit, tre kate dhe nga jashtë dukej e mirëmbajtur. Unë sa më shumë afrohesha më shtoheshin emocionet, por edhe një farë urrejtje, se kisha mendimin që erdhëm deri këtu dhe nuk do mund të futeshim brenda për të parë diçka.

Vështrimin e parë e përqendrova tek pllaka e mbishkrimit e cila vazhdonte të ishte lehtësisht e ciflosur dhe jo fort e lexueshme. Në kohën kur unë po vazhdoja të shija akoma mbishkrimin, pasi nuk kisha shpresë se do të hynim brenda, pjesëtarët e tjerë të familjes që kishin shkuar tek hyrja më thanë se do futemi. Në hyrje ishte prezantuar një burrë maqedonas që si duket ishte roje e objektit, i cili nuk fliste asnjë gjuhë veç maqedonishtes. Unë tërë kënaqësi shkova shpejt dhe maqedonasi na bëri shenjë për tu futur, e ne të gëzuar hymë në katin e parë që ishte i pastër dhe i sistemuar. Në balle ishte vendosur një fotografi e madhe e burrave shqiptarë që në vitin 1908, kishin firmosur për krijimin e alfabetit të parë të gjuhës shqipe.

Unë kërkova që, para fotos së tyre, të bënim si familje një fotografi, dhe propozova të na i bënte maqedonasi. Këtë e bëra edhe për të parë nëse do të tregohej i gatshëm apo jo. Por ai jo vetëm pranoi me kënaqësi, por tregoi kujdes edhe për vendosjen tonë që fotoja të realizohej sa më mirë.

Pas realizimit të fotos, ai na priu përpara për në katin e dytë ku në pesë dhoma ishin varur në mur, në forma të ndryshme, fotografitë e burrave të mëdhenj të kombit tonë, duke filluar me Skënderbeun, në dhomën e parë, dhe pastaj me të tjerë, sipas viteve, deri tek nënshkruesit e këtij Kongresi. Aty ishin vendosur fotografitë edhe e shumë të tjerëve të viteve të më pasmë që kanë dhënë kontribute për zhvillimin e arsimit, për Pavarësinë dhe për mbrojtjen e vendit. Në dhomën e fundit u ndalëm më gjatë sepse atje ishin vendosur ulur në karrige, bustet e të gjithë firmëtarëve, të cilët të krijonin përshtypje sikur ishin të gjallë. Dhe këta ishin: Gjergj Fishta, Mit’hat Frasheri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Grigor Cilka, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Sotit Peci, Bajo Topulli, dhe Nyzhet Vrioni.

Kështu të kënaqur përsa pamë, kur nuk prisnim as për kaq, të shoqëruar me përzemërsi nga roja që na shoqëroi i buzëqeshur në të gjitha dhomat pa komunikuar se nuk kish mundësi edhe pse ne kishim nevojë për një ciceron të na shpjegonte pyetjet që na lindën, dolëm tërë humor për të parë qytetin.

Diçka në formë konkluzioni: Disa ndryshime, bërë në krahasim me të kaluarën, tregojnë se autoritet maqedonase, si për çdo gjë, edhe për këtë objekt të historisë, kanë kuptuar se nuk mund të neglizhojnë më shqiptarët, se ndryshe ata vetë nuk do kenë të ardhme.

Një komision që thuhet se është caktuar të kujdeset për këtë shtëpi, duhet të vendosë një pllakë të re mbishkrimi, të rregullt, në hyrje. Aty, a në një vend tjetër, të reklamohen edhe ditët e oraret e vizitave. Të kujdeset më shumë për sistemimin dhe mirëmbajtjen e dhomave dhe materialeve të ekspozuara. Po kështu duhet të caktohet sa më parë një ciceron që të paktën në anglisht të shpjegojë gjërat e nevojshme për vizitorët.

Me këtë rast, duke parë edhe numrin e pakët te vizitoreve në librin e përshtypjeve që gjetëm,  përfitoj, të bëj një thirrje për shqiptarët e vendit amë, të trojeve përreth, por edhe për emigrantët e diasporën, që sidomos kur vijnë në verë për pushime, të shkojnë për vizitë në Manastirin tonë historik, si dhe në këtë shtëpi të thjeshtë, por të shenjtë.

 

Nevruz Gërxhani, mjek

 

October 25, 2019 21:02
Komento

2 Komente

  1. lexues objektiv October 25, 21:02

    nje qytet i kendshem, i qete
    shikoni foton dhe gjykoni
    perfytyroni te ishte ende shqiperi
    do shihnim nje shemtire pa forme e pa ngjyra

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim