Mbushjet kimike, politika dhe (b)analistët

Nga Viktor Malaj November 21, 2013 19:50

Mbushjet kimike, politika dhe (b)analistët

Çështja e sjelljes së mbushjeve kimike dhe e çaktivizimit të tyre në Shqipëri u bë, brenda pak ditëve, një problem sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar. Meqenëse, një javë para se kryeministri Edi Rama të deklaronte vendimin, nëpërmjet kësaj gazete i kërkoja qeverisë të respektonte vullnetin e shumicës së popullit shqiptar, duke e refuzuar kërkesën, e shoh të arsyeshme të shpreh disa mendime rreth asaj që ndodhi.

Vendimi u mor dhe, në rrethanat që njohim deri tani, ai ishte i drejtë. Në këtë çështje u angazhuan qeveria, opozita, një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Secila palë luajti rolin e vet, por qeveria ishte në pozitë më të vështirë se aktorët e tjerë. Bindja ime është se kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, edhe sikur të rrijë shumë vjet kryetar qeverie, zor se do të ndodhet ndonjëherë në një pozitë kaq të vështirë për të vendosur, sa ç’ishte kësaj here. Gjatë trajtimit të këtij problemi ai ndodhej i rrethuar nga shumë “armiq”.

 

Çfarë kishte Rama përballë

Së pari, ai ndodhej përballë kërkesës së “mbretit të botës”. Jo pak analistë kafenesh, të thirrur me ngut nëpër studio televizive, dhe shumë frekuentues bllogjesh që, për shkak të varfërisë së tyre jo vetëm arsimore, besojnë se teknologjia e internetit iu ka dhënë mundësinë të shprehin erudicionin e tyre kulturor, e akuzuan kryeministrin se pse nuk iu tha qysh në fillim “Jo” amerikanëve.

Etika politike, diplomatike dhe intelektuale nuk do ia lejonte asnjë politikani, sado i rëndomtë të jetë, që “t’ia priste shkurt”, si miratimin, ashtu edhe refuzimin e kërkesës, edhe sikur kjo kërkesë të ishte bërë nga një vend modest si Somalia e jo më nga superfuqia e vetme e botës. Ardhja e kërkesës nga kjo superfuqi, ndaj së cilës, për arsye të ndryshme historike dhe politike, ne shqiptarët ndiejmë edhe detyrime, e bënte shqyrtimin e saj një barrë edhe më të rëndë.

Së dyti, kryeministri ndodhej përpara një oferte të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe morale në këmbim të pranimit të kërkesës. Cili shqiptar, apo qoftë dhe evropian, nuk do të joshej nga kjo ofertë? Joshja, në vetvete, nuk është mëkat. Dorëzimi para joshjes është i tillë. Edhe Krishti apo Muhamedi do të ishin zhytur në mendime të thella rreth saj. Kundërshtarët politikë thonë se kjo ofertë do ta ndihmonte Ramën në forcimin e pozitave të tij politike. Po, kjo është e vërtetë. Por, po kaq e vërtetë është se, sikur gjithë procesi të ishte pranuar dhe përfunduar me sukses, edhe vetë Shqipëria dhe shqiptarët do të kishin pasur një përfitim shumë herë më të madh se Rama.

Tek Rama do të ndiheshin efektet për nja katër vjet, kurse tek Shqipëria për shumë vjet. Opozita u tregua e gatshme dhe veproi marrëzisht që t’ia hiqte mundësinë e zhvillimit shumëvjeçar Shqipërisë, për hir të pushtetit katërvjeçar të Ramës.

Së treti, zoti Rama ndodhej edhe përballë një opozite që ka dëshmuar se nuk ka parë asnjëherë përtej interesave të liderit, Sali Berishës. Nisur nga kjo mendësi e saj, shumëkush nuk dyshonte se ajo do ishte e gatshme ta kundërshtonte vendimin, sido që të ishte ai. Dhe ngjarjet e vërtetuan këtë.

Së katërti, përballë qeverisë ndodhej edhe shumica e popullit që, edhe për shkak të  mungesës së informacionit, u frikësua së tepërmi nga rreziku i helmeve. Flakëve të frikës kolektive u fryu fort opozita, duke përdorur krerët e nja dy OJQ dhe, me qëllim dhe pa qëllim, masmedia. Me cilin nga këta “armiq” do të bëhej qeveria dhe kundër cilëve do të vendoste?

Qeveria e kishte të vështirë të vendoste. Ndërsa tani, pas gjithë asaj që ndodhi, ne kemi mundësi të vërejmë disa nga përfundimet e procesit:

1. Siç e thashë, vendimi ishte ai që unë dëshiroja dhe prisja. Kundërshtarët politikë thanë se Rama e mori këtë vendim nga presioni popullor. Nëse është kështu, atëherë ky është lajmi më i mirë i këtij viti. Edhe më i mirë se fitorja e 23 qershorit. Madje është konfirmim i drejtësisë së asaj që shumica e shqiptarëve zgjodhën atë ditë qershori. Është ajo që kërkojmë prej 23 vitesh. Siç tha z. Besnik Mustafaj, “Pamë një kryeministër që di të tërhiqet, nuk ishim mësuar të kishim një të tillë”. Ne pamë një kryeministër që respektoi thjeshtë një mendim dominues shoqëror, edhe nëse ky mendim vinte nga mosdija dhe keqinformimi i qëllimshëm. Ne ishim mësuar me një kryeministër, që kishte qënë edhe president, që nuk tërhiqej as para vullnetit dominues shoqëror, të shprehur në kutitë e votimit (e përdhoste këtë vullnet me falsifikime) dhe as para katrahurës dhe revoltave qytetare deri të dhunshme që shkatërruan vendin dhe sollën humbjen e mijëra jetëve njerëzore. Atëherë, cili lloj kryeministri është demokrat dhe i nevojitet Shqipërisë? Shembulli na fton të gjithëve të arsyetojmë, por nevojë për të reflektuar ka sidomos ajo pjesë e shoqërisë që nuk e dëshironte ndryshimin në zgjedhjet e fundit.

2. Mësimi i dytë që na dha procesi ishte fakti se shumë figura politike të PS, në pushtetin lokal dhe qendror, ishin kundër prirjes së qeverisë së tyre për pranimin e mbushjeve kimike në Shqipëri dhe e shprehën hapur qëndrimin e tyre. Ky është një tregues i qartë se sa larg ndodhet PD nga PS, jo vetëm sa i përket ndërgjegjes qytetare, demokracisë së brendshme partiake, por edhe përgjegjësisë kombëtare. Kur kujtojmë qëndrimet e forumeve partiake dhe parlamentare të PD në të gjitha rastet e krizave politike dhe sidomos në ngjarjet e marsit 1997 nuk ke si të mos e shohësh malin e madh që ndan “komunistët” nga “demokratët”. Do i sugjeroja zotit Rama që të tregojë mirëkuptimin dhe respektin e duhur për të gjithë këta individë të familjes së tij politike, pasi qëndrimet e tyre e nderojnë edhe atë vetë.

3. Shoqëria shqiptare reagoi thuajse si asnjëherë tjetër kundër marrëveshjes me SHBA. Përmasat e protestave në rrugë ishin të konsiderueshme, por refuzimin masiv e shprehen edhe sondazhet dhe opinionet e shprehura në blogje. Frika nga mundësia e rrezikut ishte e përligjur, por opinioni shoqëror ishte fare i paditur rreth llojit dhe përmasave të rrezikut. Kjo, siç e përmenda, edhe në saje të manipulimit të qëllimshëm nga opozita dhe mediat në shërbim të saj.

Shoqëria jonë do jetë më qytetare dhe më e pjekur kur, ashtu si reaguam kundër rrezikut që cenonte interesat vetjake dhe familjare, të reagojmë edhe kur na cenohen interesat kombëtare. Niveli i qytetarisë të një shoqërie e tregon më së shumti forca reaguese e saj për të mbrojtur interesa që e kalojnë pragun e shtëpisë dhe sinorin e mëhallës.

4. Procesi i vendosjes mbi sjelljen ose jo të mbushjeve kimike në Shqipëri nxori në pah ekzistencën e mjerimit të opozitës shqiptare. Duke përjashtuar individë të veçantë të saj si M.Doda, S.Olldashi etj., pjesa tjetër tregoi se është një turmë skllave e Berishës. U dyshua që në fillim se berishizmi do të ishte kundër çfarëdo vendimi që të merrte qeveria. Dyshimi lindi nga sjelljet e saj. Në fillim luajtën me kartën e transparencës dhe, në vetvete, nuk e donin një vendim pozitiv qeveritar nga frika se “do të përfitonte Rama”. Meqë Saliu e mat këdo dhe gjithçka me kutin e vet, ai dhe të tijtë ishin të sigurt se Rama do ta pranonte marrëveshjen e propozuar për pranimin e Lëndëve Helmuese. Por kur panë që qeveria po heshtte, ata arritën në përfundimin se vendimi ishte marrë dhe, prandaj, menduan se ishte koha t’i kundërviheshin hapur, duke organizuar miting dhe duke iu bashkuar Lëvizjes Qytetare Jopolitike që inicioi kundërshtimin.

Vepruan por dështuan. Dështuan sepse kjo nuk ishte dhe as mund të ishte kauza e tyre. Me veprimet dhe sjelljet e tij 23 vjeçare berishizmi e kishte humbur të drejtën morale për të udhëhequr lëvizje të kësaj natyre. Ata që nuk kishin treguar kurrfarë ndjeshmërie ndaj jetëve të humbura në katrahurën e vitit 1997, që kishin shkaktuar Gërdecin dhe vrarë demonstruesit e pafajshëm, ata që kishin urdhëruar dikur përdorimin e artilerisë, aviacionit dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile në aksin Vlorë-Tepelenë, nuk kishin kurrfarë besueshmërie morale për t’u bërë kalorës të mbrojtjes së jetëve të shqiptarëve nga një rrezik hipotetik, i cili ishte po aq i mundshëm sa rrëzimi i një avioni me 400 pasagjerë në bord, që udhëton nga Roma në Nju-Jork.

Mjerimi i opozitës u shfaq në dy aspekte. Duke përdorur një epitet të Fatos Nanos, më duhet të them se u aktivizua gjithë Paloqëria për të krijuar imazhin e një kryeministri që po komplotonte kundër popullit. Ata thanë shumë gjëra dhe të gjitha ishin kontradiktore dhe qesharake. Thanë se vendimi ishte marrë, por rezultoi e kundërta. Thanë se demonstruesit i nxori në shesh Rama, por harruan se edhe ata vetë iu bashkuan “demonstratës së Ramës”. Thanë se Rama kishte vendosur t’i pranonte LHL por, nga ana tjetër, e humbën fillin e lëmshit me gënjeshtra kur thanë  se ishte Rama ai që i dërgoi njerëzit para ambasadës amerikane.

Populli e kuptoi falsitetin e tyre dhe prandaj iu tregoi gishtin e mesit atyre që me gishtin tregues kishin vrarë para dy vitesh katër demonstrues të pafajshëm. Ai që para dy viteve e kërcënonte kryeministrin e sotëm se “Po erdhe edhe një herë para zyrës time do të ekzekutoj si bandit” shkoi dhe u ul para asaj zyre pa marrë leje dhe u largua prej aty jo nga shkopinjtë e gomës dhe krismat e armëve, por nga demonstruesit me fërshëllima dhe gishtat e drejtuar nga poshtë. Tabloja që krijuan është shumë ironike dhe domethënëse. Sigurisht, për ata që duan dhe mund të kuptojnë.

Aspekti i dytë i mjerimit opozitar ishte fakti se u vërtetua plotësisht, për opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm, se kryetari real i opozitës është ai që ka qenë gjithnjë dhe jo emri formal, Lulzim Basha. Me qëndrimet dhe me sjelljen e tij Basha tregoi se ai është jo vetëm një kukull në duart e Berishës, por edhe me personalitet të deformuar. Personaliteti i deformuar është e keqja më e madhe. Zëri i tij i ngjirur para njerëzve ishte e keqja e tij më e vogël. Ishte diçka që, e shumta, të bën të qeshësh. Ajo që të vë në mendime dhe të alarmon është ndërgjegjja e tij e sëmurë. I gatshëm të imitojë atin e tij politik në fjalor dhe sjellje, ai dëshmoi se është besnik i berishizmit, po aq i paskrupullt sa “Ati” i tij.

Njeriu që ka marrë postin e Kryetarit të Bashkisë me manipulim të hapur të votave, me guximin që e ka vetëm Saliu, tha se “Me njerëzit e lirë do të shpëtojmë votën e lirë”. Njeriu, që me ndërhyrje dhe presion politik ndërpreu gjykimin e vet për shpërdorimin e 230 milion Eurove të buxhetit të shtetit, tha se “Me njerëzit e lirë do të shpëtojmë demokracinë dhe shtetin ligjor”. Njeriu, që ka firmosur Marrëveshjen Antikombëtare të Detit me Greqinë, tha se “Me njerëzit e lirë do ta shpëtojmë dhe ruajmë Shqipërinë tonë të shtrenjtë”.

Jo vetëm kaq por, megjithëse ishte informuar nga ambasada amerikane njëkohësisht me kryeministrin shqiptar dhe i ishte marrë miratimi në parim për prurjen dhe çaktivizimin e Lëndëve Kimike, i thoshte popullit dhe partisë së tij se nuk po bëhej transparencë mbi atë që po ndodhte. Hileqar me popullin, hileqar me partinë e tij dhe hileqar me të huajt. Në përpjekje për të dalë nga gremina ku e futi veten, del tani dhe thotë se Rama “ndërtoi antiamerikanizmin”.

Në çast harron atë që thotë dhe shton se kryeministri po bënte një “aferë të errët”. Aferat duan të paktën dy palë që të realizohen, kështu që, nëse ajo ishte e tillë, atëherë edhe pala amerikane rezulton po aq përgjegjëse sa Rama. Ky sojsëz politikani me verbërinë dhe shurdhërinë e shërbëtorit mjeran, nuk druhet nga deklarata e qeverisë amerikane që tregon mirëkuptim me vendimin e “antiamerikanit Rama”, dhe thotë shkoqur se ” …veprimet e PD-së janë pritur me një trazim të vërtetë në Uashington”! (A. Arvizu). Nëse ky qëndrim nuk ka të bëjë me koeficientin intelektual të Bashës, atëherë, padyshim ka të bëjë me koeficientin moral të tij.

Ka ardhur koha e drejtësisë për Berishën?

Përfundimisht, më duhet të them se vendimi i marrë nga qeveria ishte i duhuri. Kur vendimi po vonohej fillova të besoj se Rama po vepronte qëllimisht në atë mënyrë, për ta detyruar opozitën të dilte pa maska, ose siç thoshte gazetari Mero Baze, “pa kundërgaze”. Dhe, ia arriti. Rama e dinte se edhe Basha ishte vënë në dijeni të problemit nga ambasada amerikane, ashtu siç e dinte mirë se Basha do të binte viktimë e tutorit të tij dhe e mungesës së personalitetit të vet. Kupola e opozitës po priste me gojë hapur një vendim pozitiv, me shpresën se i erdhi dita të dalë në rrugë. Banditët politikë dhe qentë endacakë nuk ndihen askund më mirë se në rrugë.

Mirëpo, ndodhi e kundërta. Mendoj se vendimi ishte një gol në minutat e fundit në favor të atij që e shënoi. Rama doli para opinionit të brendshëm si një udhëheqës që i bindet vullnetit popullor dhe para opinionit ndërkombëtar si një politikan me të cilin mund të bisedosh dhe të mbështetesh edhe për probleme të rëndësishme rajonale apo më gjerë. Ndërsa opozita, si në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, doli si një grupim politik hileqar dhe me dy koka, të padinjitetshme, tek e cila nuk mund të besosh dhe as të mbështetesh. Shenjat që shohim flasin se sa të jetë gjallë dhe dominues berishizmi tek kjo opozitë nuk do besohet. Mbase ka ardhur koha që edhe diplomacia perëndimore të pendohet për këshillat që i jepte Nanos në vitin 1998 për të mos e burgosur Berishën, për hir të stabilitetit politik. Mbase është koha të merret në konsideratë thënia e Mao Ce Dunit se “Pa u turbulluar nuk mund të kthjellohet”.

cover ok

Sjellja e medias

Është thënë shpesh se Masmedia është një pushtet i katërt dhe se misioni i saj është përhapja e fjalës së lirë dhe ndikimi në demokratizimin e vendit. Me gjithë respektin që kam për rolin e medias, më duhet të pohoj se kjo është një broçkull e madhe. Mediat janë biznese, si gjithë bizneset e tjerë dhe ngritja dhe mbajtja e tyre ka si synim parësor fitimin material. Siç thoshte Presidenti i Shoqatës Amerikane të Botuesve, z. Ëilliam A. White, “Biznesi i shtypit është një biznes dhe asgjë më shumë”.

Vartësia e mediave nga përfitimet u provua, pak a shumë, edhe në këtë rast. Kur u mor vesh se po diskutohej rreth sjelljes së Lëndëve Kimike në Shqipëri, media në përgjithësi dhe TV në veçanti mbajtën qëndrime të ndryshme. Një media serioze duhej të përqendrohej në dy drejtime kryesore: në sqarimin e asaj rreth të cilës po diskutohej mes qeverisë shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar dhe, nga ana tjetër, në sqarimin e opinionit publik nëpërmjet përgjigjeve për pyetjet të tilla, si: Çfarë janë LHL-të, si ruhen dhe transportohen ato, si çaktivizohen, cilët janë rreziqet gjatë ruajtjes, transportimit dhe çaktivizimit të tyre, sa është mundësia e ndodhjes së incidenteve të rrezikshme dhe cilët janë shembujt nga bota etj. Për të dhënë shpjegime, studiot televizive duhej të dominoheshin nga ekspertët kimistë, historianët ushtarakë dhe këshilltarët e sigurimit kombëtar pranë Qeverisë dhe Presidencës (nëse ka të tillë).

Po, çfarë ndodhi në fakt? Studiot televizive, sidomos ato që kishin humbur lidhjet me qeverinë e larguar e, rrjedhimisht, edhe me kanalet e rrjedhjes së parave në llogaritë e tyre bankare, u mbushën me po ata individë që i kemi parë të analizojnë edhe ekonominë, edhe blegtorinë, edhe letërsinë, politikën, fenë, moralin, drejtësinë, mjekësinë, arsimin, e kështu me radhë.

Qysh nga klounë që drejtojnë emisione vulgare humoristike në TV e deri tek disa “analistë universalë”; nga analistë e botues që kanë pasur privilegjin të mbajnë nga dy emra, njërin në regjistrat e Gjendjes Civile e tjetrin në regjistrat e Sigurimit të Shtetit, e deri tek ish-punonjës të Institutit të Studimeve M-L, vepra më e madhe shkencore e të cilëve është një fjalor pornografik. E gjithë kjo shpurë u vërsul dhe vazhdon ende përpjekjet për të bindur popullin se, në fakt, kishim të bënim me një helmim masiv që kryeministri i vendit po luante në prapaskenë me të huajt.  Këta të huaj ishin amerikanët dhe “komploti” ishte shumë i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve, madje edhe të fqinjëve.

Specialistët e thirrur ishin të pakët dhe iu lihej shumë pak kohë për të belbëzuar anët teknike të problemit. Bosëve të medias nuk iu interesonin anët teknike, por ato politike, sepse ato iu interesonin bosëve të bosëve. Prandaj u rithirr në skenë Çilizmi, për të cilin kam shkruar disa muaj më parë. Në atë kohë, çilizmi kishte si mision ruajtjen e pushtetit, kurse tani, që pushteti “kishte shkuar për lesh”, duhej të punonin për “rikthimin e Babës”. Po, si? Duhej bërë çmos që të tmerrohej populli shqiptar dhe të krijohej një histeri kolektive.

Besojnë qerratejt se një  popull i katandisur, edhe me ndihmën e tyre, në 2/3 e tij në analfabetë funksionalë, d.m.th. që nuk kuptojnë ato që lexojnë e dëgjojnë, është një kontingjent perfekt për të luajtur me të.

Kur çilistët e kuptuan se shkuan shumë larg në propagandimin e “komplotit” për helmim të gjithë shqiptarëve, filluan përpjekjet për të na mbushur mendjen se komploti kishte pasur një të keqe dhe një të mirë. Dhe  “e keqja”, sipas tyre, ishte kryeministri ynë dhe “e mira” pala amerikane. Këtu u bë dhe kthesa me përbetime dashurore dhe besnikërie për Amerikën, deri në atë shkallë sa na prekën në telat e skajshëm. Na prekën aq shumë sa na kujtuan fjalët e Mark Tuenit se, “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë dua kafshët”.

Në synimet e tyre për të krijuar psikozën e frikës dhe pastaj ndjenjën e revoltës, si gjithmonë, flamurin do ta mbanin faqezinjtë e KLAN-eve (Perandori Mediatike të themeluara dhe modernizuara me burime kriminale parash). Ata sollën në ekrane të stërmëdha dhe moderne harta me shpërthime kimike imagjinare, të cilat do të asgjësonin, jo vetëm popullsinë e RSH, por edhe atë të shteteve fqinj. Pra, nuk bëhej fjalë për incidente si rrjedhje të lëndëve kimike në gjendje të lëngët apo në gjendje të gaztë, por krijohej imazhi i një goditjeje me artileri apo aviacion të predhave të mbushura me helme. Këtë po thurte kryeministri i vendit me amerikanët, ai kryeministër që kishte pasur pafytyrësinë të na largonte Babën nga pushteti me anë të votave.

Po, si e sulmuan çilistët “komplotistin”? Së pari, ata thanë se kryeministri nuk po bën publik asnjë takim, asnjë bisedë dhe asnjë vendim. Kishin shumë nostalgji për transparencën e tipit “Takova këtë e atë, mik të madh të Shqipërisë e popullit shqiptar…Më tha kështu e i thashë ashtu…Unë ju siguroj juuu…”. Mirëpo, më vonë doli se pala kontaktuese kishte kërkuar konfidencialitet të problemit deri sa të vinte puna për të marrë vendim. Madje, ky konfidencialitet ishte parashikuar edhe në dokumentet bazë të OKB që merrej me armët kimike.

Njëri nga çilistët tha i sigurt se “kryeministri e kishte marrë vendimin pro pranimit të mbushjeve kimike dhe se ai vendim ishte krejt privat e personal…”. Nuk e di pse ky analisto-botues më ngjan me zhabat e ish-kënetës së Tërbufit dhe që, sa herë e shoh, e pyes veten: kaq i shëmtuar duhet të ketë qenë Zoti kur e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet? Por, pastaj kujtohem se shkenca njeh, krahas deformimeve të karakterit, edhe devijimet gjenetike që ndodhin tek gjallesat.

Së dyti, çilistët u ankuan se pranimi i sjelljes dhe çaktivizimit të LHL në Shqipëri ulte prestigjin e vendit dhe se Rama ishte thyer për hiçmosgjë. Ata, që në vitin 1991 i puthnin makinën Xhejms Bejkerit (James Baker) për 3 milion dollarë fasule e makarona që kishin mbetur nga Lufta e Gjirit; ata që në vitin 2007 i bënin thirrje Amerikës në gazeta, “Ju lutemi, na pushtoni!”; ata që pushtimet e të huajve i propagandojnë si “kalime të rastit”, si zhvillim apo administrim territoresh; ata që kanë 23 vjet që nuk lënë gjë pa thënë për vendin e tyre tek të huajt, duke e paraqitur si një tokë dhe popullsi të ardhur nga ndonjë planet tjetër, me shpresë se kështu do iu zhvatin ndonjë shumë parash në formë ndihmash, për të mbushur xhepat e vet; ata që nuk e kanë ngritur asnjëherë zërin kundër korrupsionit, plantacioneve të drogës, rikthimit të gjakmarrjes dhe analfabetizmit, katrahurës urbanistike dhe dhunimeve permanente të zgjedhjeve politike, -fenomene që realisht dëmtojnë prestigjin e vendit- këta, pra, na shfaqen tani si kalorësit e prestigjit kombëtar. Vonë, tepër vonë, dhe me një kauzë të rreme.

Analisti universal është më interesanti nga të gjithë. Përpara zgjedhjeve të 23 qershorit ai këmbëngulte se “…nuk duhet ta zëvendësojmë të keqen më të madhe  (Sali Berishën-V.M. ) me një të keqe më të vogël (Edi Ramën – V.M. ) por duhet të presim deri sa të gjejmë të mirën…”, ndërsa tani na thotë se “E keqja më e vogël po na bëhet më e madhe”. Madje, ai arrin deri atje sa të thotë se fjalimi i Ramës ishte ogurzi dhe i kujtoi Hitlerin, i cili për humbjen e luftës fajësonte popullin gjerman. Prandaj, “Në një vend normal do të kërkohej menjëherë dorëheqja e kryeministrit, pasi ai paraqet një rrezik të madh me pushtetin që ka…”.

Pavarësisht se, në pamje të jashtme, hiqet se i dënon të gjitha palët, në thelb thirrja është: “Dum Babën!”. E lexova fjalimin e kryeministrit dhe nuk gjeta askund fajësim të popullit, por thoshte një të vërtetë të madhe, atë se populli ishte mashtruar qëllimisht. Ishte mashtruar rreth rrezikut real të sjelljes dhe çaktivizimit të mbushjeve kimike (dhe jo armëve siç propagandonin çilistët); ishte mashtruar kur i thuhej se vendimi ishte marrë për t’i pranuar dhe ishte mashtruar kur i thuhej se propozimin për pranimin e mbushjeve e dinte vetëm ai dhe askush tjetër, “as të tijtë dhe as opozita”.

Unë bashkohem me analistin universal në refuzimin për të sjellë LHL në Shqipëri, por pohimet dhe konkluzionet e tjera janë shërbime ndaj të pavërtetës. Përdorimi i dy standardeve në gjykimin e të njëjtave sjellje apo veprime është dëshmi e mungesës së vlerave dhe parimeve morale të individit.

Nga këta “analistë” Edi Ramës i kërkohet dorëheqja pse nuk bëri publike një marrëveshje që nuk ishte arritur asnjëherë, ndërsa Sali Berishës nuk iu kërkua dorëheqja për mbajtjen të fshehtë të një marrëveshje të përfunduar me Greqinë. Ramës i kërkohet dorëheqja për një marrëveshje që do të përmbante rreziqe hipotetike, ndërsa Berishës nuk iu kërkua dorëheqja pas një marrëveshjeje reale, që përmbante rreziqe reale dhe që arrinin kufijtë e tradhtisë kombëtare. (Ky analisti universal habitej në atë kohë dhe, nga i njëjti ekran, shprehej: “Ç’është kjo zhurmë për ca peshq!”).

Rama konsiderohet i rrezikshëm, megjithëse iu nënshtrua kërkesës së popullit, kurse Berisha nuk konsiderohet i tillë, megjithëse i është kundërvënë vullnetit popullor me të gjitha mjetet e mundshme, edhe të dhunës.

Rama konsiderohet i rrezikshëm sepse mendonte se mbushjet kimike edhe mund të silleshin në Shqipëri për t’u çaktivizuar, ndërsa Berisha nuk konsiderohet i tillë, edhe pse pati urdhëruar përdorimin e Lëndëve Helmuese kundër popullit të vet.

 

Nga Viktor Malaj November 21, 2013 19:50
Komento

20 Komente

  1. Tani November 21, 20:02

    Le te themi qe keni plotesisht te drejte. Mirepo sipas logjikes qe populli u manipulua i bie qe te jene manipuluar dhe Koco Kokedhima, Ben Blushi, Nasip Naco, Besnik Bare e plot deputete te tjere te opozites. E te mos flasim qe edhe vendet e thera qe i refuzuan qenkan po kaq injorante sa ne !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
    • feniks November 21, 21:35

      Te pershendes dhe te uroj gjithe te mirat per ANALIZEN LLOGJIKE DHE SHKENCORE,qe i ke bere problemit!!!
      Te gjithe ata qe ju kundervune DEMONTIMIT TE LHL-ve siriane ne Shqiperi,u nxiten nga DEZINFORMIMI KRIMINAL,qe u organizua nga Sali Berisha me ndihmen e padroneve te tij ne Beograd!!!
      Edhe shoket e Edi Rames ne PS,si Arben Blushi etj,gjithmone ne situata te tilla,o gjejne sebepin per te kundershtuar Ramen ne favor te Nanos,ose jane injorante ne ate fushe!!!
      Me kryesorja ne kete MESELE ishte fakti,qe vete organizatoret ,SHBA,OKB dhe Rusia nuk dhane as po japin ASNJE INFORMACION TE SAKTE RRETH KETIJ DEMONTIMI!!!
      Popullit ju vu perpara TMERRI I VDEKJES,pra doemos,qe do mbronte koken e vet!!!
      Cfare kerkojne nga ne me???

      Reply to this comment
  2. kokpalari i 21 janarit November 21, 20:03

    Zoti Viktor kam respekt per ju, por keni bere shkrim qe perpiqet te ngreje Ramen. Une kam mendim tjeter.

    Rama mbrojti menderen e vet. Nuk ia dilte dot nese thoshte PO se Berisha manipulonte turmat idiote dhe e rrezonte per nje jave. Keshtu qe zgjodhi pushtetin e tij ne vend te interesit afatgjate te Shqiperise

    Plotesisht dakord me pjesen e banalisteve nderkohe

    Reply to this comment
  3. mergimtari fv November 21, 20:08

    Kush eshte ky “analisti universal” zoti autor??

    Reply to this comment
  4. Valmir November 21, 20:31

    kur gazetarin e ben Fevziu dhe ca te perdal qe nuk kan asnje lidhje me gazetarine ky do jet perfundimi. Gjoja gazetar dhe gjoja opinionist qe kan dal nga studio televizionesh te paguara me lek shqiptaresh, kta kulisa mjeran qe vetem gazetarin dhe opinionistin sdin te bejn. Mendo pastaj gazetaret e vertet qe paraqesin ngjarje direkte nga Libani Siria…kudo ku ka luft ku ju rreshket plumbi anes kokes dhe japin lajme te denja. Kta pseudogazetaret apo BANALISTET jan ca mendere qe mua me vjen per te vjell nese i shikoj. Por e kam nje zgjidhje> nuk i shikoj fare.

    Reply to this comment
  5. valmir November 21, 20:42

    Banaliste fiks qe banalizuan gjithcka dhe shqiperia humbi shansin e rralle per tu ber faktor ne bote. Kjo tregon qe sjemi as njerez e as qytetare.

    Reply to this comment
  6. Pëllumb zaimi November 21, 21:18

    V. R!!! Pavarësisht nga ndonjë rezerve qe mund te kem z. Viktor malaj shkelqen në këtë analizë. E demaskon me fakte te patundëshme ” zymbylin”. sali berisha dhe banden e tij, qe bëjme gabim nëse i quajme parti. Viktori i gjuan faktet me shume mprehtesi dhe i nxjer ne skene pikerisht ne kohen kur ata kanë efektin maksimal. Ne menyren e ballafaqimit te pd dhe te analisteve me hipokrizine e vet viktori eshte brilant. Mjeshter i vertete i demaskimit te dyfytyrësisë! Përshendetje z. Viktor!

    Reply to this comment
  7. mergimtari fv November 21, 22:05

    Ti mor qelbesire ! mergimtari fv. – im at ka kohe qe ka vdekur e nuk di te kete fjetur me tet eme – nuk ke identitet personal qe ma merr mua dhe me bllokon e tjeterson komentet e mia ? . Te nderuar moderator shikoni adresen elektronike me gjithe te dhenat e mos lejoni kete fenomen te turpshem te vjedhjes se identitetit te komentuesve , jam ne mergim dhe shtypi eshte i vetmi komunikim me atdheun dhe bashkekombasit . F.V. jane inicialet e emrit e mbiemrit tim . Me respekt e mirkuptim F.V. Paris

    Reply to this comment
  8. Dhori November 22, 00:02

    Jam ne nje mendje me zotin Zaimi, si per shkrimin dhe per vleresimet per z. Malaj.
    Qe ne fillimet e saj “Dita” na ka dhene mundesine te lexojme analiza qe jane te pangjashme me ato te autoreve te tjere. Analizat e z. Malaj mbeshteten gjithnje ne fakte te njohura nga te gjithe.
    Z. Lubonja e kam degjuar edhe une kur i tha nje pjesemarresi ne opinionin e Fevziut, i cili kritikonte marrveshjen me Greqine per detin, se po behej zhurme “per ca peshq atje”.
    Nuk e degjova me z. Lubonja ta mbronte ate tradheti kombetare. Ndofta ne ate debate nuk ishte i infomruar mire dhe fjalen e tha ne zjarr e siper.

    Reply to this comment
  9. Pëllumb zaimi November 22, 01:15

    Nderime “dhori”! Faleminderit që më konsideroni “partner” në mendime! Une nuk e kam idenë kush eshte z. Malaj por mprehtesine e tij e vura re qysh kur z. Viktor botoi shkrimin e pare ne “dita”. Madje bera dhe nje koment qe me duket se “dita” e botoi te nesermen ne rubriken “letrat…”. Por shoh se dhe ju kini të njejtin mendim per kete autor realist. Kjo eshte mprehtësi…..! Pershendetje “dhori”!

    Reply to this comment
  10. martin November 22, 02:21

    BRAVO Viktor Malaj !
    Kjo eshte analize. I ka te gjitha: mprehtesine, thellesine, pergjegjesine publike, ndershmerine individuale.
    Uroj te te shohim edhe neper ekrane , sigurisht jo tek Fevziu.

    Reply to this comment
  11. minushi November 22, 09:10

    Edhe pa lexuar kete shkrim, ne thelb kisha te njejtin mendim. Nje aleance me nje superfuqi sikur SHBA, kerkon dhe veprime te caktuara per te cilat eshte e prirur diplomacia. Pervec kesaj, do duhej qe t’i jipet nje hapesire shume te gjere eksperteve se mesyjtareve qe hedhjen e kesaj mundesie e bejne vetem per interesa te vete ose te atyre qe u jane perbetuar per interesa.
    Mendesia politike shqiptare duhet t’i pershtatet diplomacise dhe nga aty te nxjere perfitime prej gjithfaresh /ketu flitej per miliona/. Nuk eshte e thene qe teki-cfardo te jete dhe i kujtdo te jete- ta shkele ate.
    Sido te jete, i nderuari artikullshkronjes ka kaperthyer shume bukur ceshtjen duke dhene nje pasqyre te gjere te rastit dhe duke ofruar fakte me interes per secilin. Ka dijtur te pikas interesin kombetare e njerezor, inkonsekuencen politike te opozites dhe akrobacionet plotesisht joproduktive ndaj shtetit. Suksese edhe me te mira ne kohen qe vjen per autorin e shkrimit.

    Reply to this comment
  12. marina November 22, 12:29

    Deri sa te zhduket kjo fare e keqe banalistesh qe ka krijuar Prijsi i tyre per te mbrojtur vjedhjet qe i kane bere ketij populli nuk do te kete qetesi,populli duhet ti therrase mendjes per te mos rene pre e intrigave te shpellarit me sejmenet e tij,qeveria te hetoje e nxjerre para ligjit te gjithe ata qe kane abuzuar,keshtu dhe masa e popullit do te ndergjegjesohet per qellimet e tyre mafjoze,asnjehere seshte vone,kjo duhet te jete Rilindje.

    Reply to this comment
  13. Mimoza November 22, 18:50

    Perderisa as nje shtet, edhe me i fuqishem se ne nuk i pranoi, nuk mund dhe nuk ishte e arsyeshme qe t”i merrnim ne. me infrastrukturen dhe mendesite qe kemi .Me mire se Viktor Malaj e di Besnik Bare. Predhat per t”u shkaterruar jane shume te rrezikshme. Po nje pyetje qe po u bej , duke filluar nga Pellumb Zaimi qe eshte edhe ushtarak pse nuk i pranon asnje shtet apo jane te tere budALLEJ DHE NUK DUAN TE MIRA PER VENDIN E TYRE, APO JANE TE PADITUR. NE ME TE VARFERIT DHE ME TE PADITURIT, ME NJE INFRASTRUKTURE MIZERABEL DHE ME MENDESI KOMUNISTE , MADJE BOLSHEVIKE QE NUK ZBATOJME ASNJE LIGJ DO TEZBERTHENIM PREDHAT, PASI ATO ISHIN ME PROBLEM. a KA KU TE RRIJE KJO?

    Reply to this comment
  14. nasruddin November 22, 20:21

    NJE ELEGJI NGA VIKTOR MALAJ PER EDI RAMEN.

    Vetem keshtu mund te cilesohet ky shkrim i gjate ne kopertinen e gazetes DITA qe del si dacibao kineze e Kohes se Qepes te Revolucionit Kulturor per t’í ardhur ne ndihme Edi Rames per JO! e detyruar nga populli i tij.

    Ketu lind nje pyetje mjaft llogjike: Pse zoti Malaj fajeson te gjithe edhe median, edhe analistet, edhe politkanet edhe sigurimsat e Enver Hoxhes me dosje te pahapura, por edhe llapaqenet e Mero Bazes ne bllogjet elektronike qe ishin pikerisht keta llapaqene qe detyruan Edi Ramen t’í thonte JO! kategorike OFERTES internacionaliste te John Kerry-it ne dem te interesave tona kombetare. Gje qe nuk i beri shqyptaret anti-amerikane aspak, por i ngriti me larte ne syte e botes si nje popull qe di te mbroje interesat e tij kombetare dhe dinjitetin e vet. Perse genjen dhe mashtron atehere servili i Edvinit Viktor Malaj me histeri imagjinare per helmime biblike kur kjo gje nuk ka qene ASNJEHRE ne rend te dites? Cilat interesa mbron ku gazetar servil? Ato te LEKUT apo ato te Vatanit? Sepse nuk merret vesh fare se per cfare kauze flet. Nga njera ane thote se shume mire ky popull qe i tha JO! LHL-ve, nga ana tjeter ve kujen dhe vajton si kukumjacke ne DITA per LEKAT dhe bamiresite qe kemi humbur nga bujaria amerikone qe do te vershonin si “karamele” badiava pas depozitimit te helmeve te llahtarshme per nje kohe te gjate ne vendin tone.

    Po a lexon raportet e Bankes Boterore Viktor Pishmani qe i cileson shqyptaret si nje popull dembel qe ron dhe vegjeton ne kafenera vetem me pasurite kombetare qe i ka falur Natyra dhe Zoti dhe me remitancat e emigranteve? Duke mos prodhuar ASGJE me punen e vet?

    Po a kujton Viktor Pishmani CEQET E BARDHA te Grmoz Pashkos qe ishin me JOSHJE me tunduese se ato te tanishmet te John Kerry-it. Ishin keto premtime qe i bene dembel Stambolli shqyptaret dhe i JOSHEN te besojne jo tek puna e tyre, por te bamiresite e Aleatit Strategjik.

    Po a kujton Viktor Pishmani PIRAMIDAT FINANCIARE te Ridvan Bodes ne vitin fatal 1997 qe gjithashtu premtonin qe t’í transformonin shqyptaret si pashallare turqie me YSHTJE dhe JOSHJE tinzare nga pushteti per fitime imagjinare duke dredhur shqyptaret tespijet ne kafe dhe duke pritur nga PIRAMIDAT qe te vertisnin LEKAT e tyre ne trafiqe armesh me miratimin e heshtur te SHBA-s. Te pakten keshtu kishte deklaruar Saliu dhe populli i besoi dhe e hengri tullumin. Pse duhet t’í besonte tani Edi Rames kur u fsheh si SKUTH dhe bente mareveshje me Avrizune ne terrin e nates per te shpetuar autoriten e zgerlaqur te John Kerry-it dhe jo per te mbrojtur interesat kombetare.

    Po a kujton Viktor Pishmani masakren e GERDECIT qe u be e mundur me financimin kriminal te Bush Djalit jo per Shqypnine e varfer, por per firmen lakmitare “SALIU&SON” dhe kur plasi BUMJA qe groposi 26 vete Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs zbarkoi si rrufe ne diell ne tirane per te pergenjeshtruar sekretarin e ambasades se saj ne implikimin e zyrtareve te larte te ambasades ne aferen e piste te Gerdecit. Kondilza Rajs e mbylli ceshtjen me nje CINIZEM te papare nga administrata amerikane ne raste te ngjashme dhe nuk morri persiper pjesen e fajit qe Aleati Strategji i detyrohej shqypnise se vogel, pernkundrazi nuk i demshperbleu as familjet e viktimave. Pse keshtu? si keshtu? Mund te pyese i cuditur Viktor Pishmani. Ja po e thote nastradini meqe askush nuk do ta thote hapur: Sepse Babai i Kombit, Presidenti Yne Famoz Bamir Topi ja kishte futur me gjume bashke me SHIK-un e tij dhe deklaroi hapur se nuk e dinte se ku binte ne harten e Shqypnise Gerdeci dhe nuk i kerkoi Aleatit Strategji llogari konkrete me kushte demshperblimi per pjesmarrjen direkte te administrates amerikane ne kete masaker mjaft tragjike. Kjo nuk do t’í bente shqyptaret anti-amerikane, por perkundrazi shume me te respektuar ne Bote dhe sot John Kerry do te mendohej shume me mire para se t’ja kerkonte Edi Rames nderin e Vatanit sikur te kishte te bente me nje popull prej Afrike Zulu qe di vetem te kerceje bythejashte rrotull zjarrit. Problemi i planit handikap te Sekretarit Jonh Kerry nuk eshte vetem dislokimi i LHL-te te Asadit, por edhe vala ne rritje e emigranteve siriane ne vendet fqinj, te cilat jane lene ne meshire te fatit nga Bashkesia nderkombetare dhe po vdesin si zogj pule ne kampet e perqendrimit ku i kane futur. A e njeh nga afer kete problem horror Viktor Pishmani per LEKAT e humbura nga bujaria badiava e SHBA-s se nastradini e njeh mire dhe ka shkuar te xhiroje me kameren e tij pamje te llahtarshme te nje genocidi te nje populli nga plani handikap i John Kerry-it dhe administrates amerikane ne bashkepunim me Vladimir Putinin e Rusise. Kush pyet per Shqypnine mjerane ne keto momente tragjike dhe kujt i plas per Interancionalizem Global?

    Per ta mbyllur me kete replike te gjate nastradini don t’í thote Viktor Malajt te paditur, se sigurmisat e Partise se Punes te gjithe njezeri i thane PO! ardhjes ne vendin tone te LHL-ve te Asadit.

    Reply to this comment
    • zefi November 22, 23:33

      Pasha zotin Nastradin efendi, je shume i squt. Te tana i din, te tana i ke kuptue por pa e lexue.
      Viktor, te falte zoti fuqi me shkru me shpesh per tu ndricuar mendjen te mashtruerve nga Sal dhe banditet e tij.

      Reply to this comment
  15. Tradita November 23, 13:15

    Viktor Malaj,nje sherbetor I perulur I te majtes shqiptare,tek ai nuk gjene asgje,pervec. Nje antiberishizmi idiot.

    Reply to this comment
  16. pogradeci November 24, 11:55

    Analize e shkelqyer,por do te ishte me shume vend te permendje dhe disa kanale tv te tjera qe vazhdojne te mos kuptojne se i ka ikur koha e qe analiste pa nje leter ne dore recitojne vargje qe e injorojne ,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*