Mbyllet me sukses Panairi Kombëtar i Librit, “Fieri 2019”. Ja fituesit e këtij edicioni

May 14, 2019 13:48

Mbyllet me sukses Panairi Kombëtar i Librit, “Fieri 2019”. Ja fituesit e këtij edicioni

Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Adrian Civici, Skënder Buçpapaj e Cun Lajçi kanë triumfuar në edicionin e gjashtë të panairit kombëtar të Librit në Fier.

Dhjetëra aktivitete në një axhendë maratonë janë kurorëzuar me ceremoninë e dhënies së çmimeve për më të mirët e këtij edicioni.

Nga 132 libra konkurrentë, në gjini të ndryshme, juria e panairit e përbërë nga akademiku Ali Aliu, (kryetar) dhe Flutura Açka e Erenestina Halili (anëtare), arriti të përzgjedhë më të mirët.

Kryetari i jurisë ndër të tjera shprehu konsideratën për rritjen e besimit të shkrimtarëve në konkurse të tilla dhe siguroi se përzgjedhja ka qenë e vështirë për vetë faktin se në garë kanë qenë shumë libra të cilët ishin afër e afër njëri-tjetrit si vlerë artistike e letrare dhe kjo, sipas tij e bënë të vështirë përzgjedhjen.

“Nga132 libra të paraqitur nga autorë e botues në këtë edicion, ne mbërritëm të afrohemi tek veprat më të mira, derisa erdhën në fazën e fundit të seleksionimit. Unanimisht vendosëm që të japim çmim për prozë të gjatë, prozë të shkurtër, poezi, publicistikë dhe letërsi për fëmijë. Por ajo që unë vura re ishin prurjet cilësorë nga shkrimtarët e rinj për të cilët I propozoj organizatorit, që vitin tjetër të japë edhe çmim për debutantin më të mirë”, ka thënë akademiku Aliu.

Çmimi për romanin më të mirë shkoi për shkrimtarin Fatos Kongoli, me motivacion:  “Për romanin ‘Gënjeshtarë të vegjël’, i cili, me një origjinalitet të përsosur, sjell kode unike ligjërimi, ngjarje të ndërthurura mjeshtërisht dhe një narracion të rrjedhshëm”(Botimet Toena).

Çmimi  për prozën tregimtare më të mirë u akordua për shkrimtarin Kim Mehmeti me motivacion: “Për librin ‘Lutjet e mesnatës’ – me shije të hollë letrare, gjuhë të pastër dhe mjeshtëri në mpleksjen dhe ndërtimin e subjektit. Libër që pasuron prozën e shkurtër shqipe” (Botimet Agora).

Libri publicistikë më i mirë rezultoi të jetë ai i Adrian Civicit, me motivacion: “Për librin ‘Udhëtim në tri kohë’ – dialog me Alda Bardhylin , i cili, vjen me origjinalitet të spikatur dhe sjell një rrëfim krejt ndryshe mbi komunizmin, tranzicionin dhe kapitalizmin”(Botimet Onufri).

Çmimi, libri poetik më i mirë iu dha poetit Skënder Buçpapaj, me motivacion: “Për librin ‘Imgur’ – simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe” (Botimet Onufri).

Çmimi për librin poetik më të mirë elegjiak shkoi në Kosovë te artisti Çun Lajçi, me motivacionin “Për  librin ‘Bubulina, ti letër e pashkrueme’, nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese në paraqitjen e imazhit elegjiak”(Botimet Buzuku).

Çmimi i letërsisë për fëmijë u rrëmbye nga Rudina Çupi, me motivacion: “Për librin ‘Një elefant elegant’, ku bien në sy gjetjet interesante, harmonizimi i bukur i ritmit dhe mendimit”(Botimet Botart).

Jashtë konkurrimit,  për shkrimtarin Fatos Kongoli, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi akordoi një certifikatë mirënjohjeje.

Edhe në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë e 200 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse.

Në mbyllje të këtij edicioni drejtoresha e panairit, drejtuese edhe e Fondacionit “Harpa”, u shpreh se edhe ky edicion I arriti pritshmëritë duke u bërë urë lidhëse mes disa aktorëve të librit dhe lexuesit.

“Qëllimi ynë është të sjellim librin tek lexuesi, jo vetëm që ai të ketë mundësi të blejë libra, po edhe të njihet me disa prej tyre, duke u bërë pjesë e debateve, tryezave të diskutimit, promovimeve, konferencave shkencore, takimeve me shkrimtarë e studiues etj. Ajo që vihet re është interesimi I madh i të rinjve dhe nxënësve të shkollave. Mijëra të tillë kanë vizituar stendat e panairit dhe shumë prej tyre janë bërë pjesë e tryezave tona. Kjo është mrekullia që i ndodh librit: të vejë tek të rinjtë”, ka vijuar ajo.

U zhvilluan tryeza për shumë çështje të librit si dhe për emra të veçantë si: Lasgush Poradeci, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Namik Dokle, Adrian Civici, Cun Lajci, Klara Kodra e shumë të tjerë.

Panairi Kombëtar i librit në Fier organizohet nga Fondacioni Harpa dhe mbështetet çdo vit nga Bashkia e Fierit dhe Ministria e Kulturës.

 

May 14, 2019 13:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*