“Me besimin se i bënë një shërbim të madh Shqipërisë me rrëzimin e simbolit të regjimit, ata nuk e dinin që një shërbim po aq të madh, ia bënë, pa dashur, Ramiz Alisë”

February 22, 2021 00:09

“Me besimin se i bënë një shërbim të madh Shqipërisë me rrëzimin e simbolit të regjimit, ata nuk e dinin që një shërbim po aq të madh, ia bënë, pa dashur, Ramiz Alisë”

Nga Isuf Kalo*

Logjika të thoshte se regjimi duhej të kishte marrë masa urgjente paraprake, për të përforcuar mbrojtjen dhe ruajtjen e shtatores së Enverit nga ndonjë sulm i ngjashëm, çka ishte sanksionuar edhe me ligj të posaçëm. Nuk ishte e pamundur, as e vështirë që kjo të realizohej nëse do të ekzistonte vullneti qeveritar për ta ruajtur atë.

Por, me sa u pa, ky vullnet mungoi, sepse duhej të mungonte. Prandaj, asnjë masë e posaçme parandaluese ose mbrojtëse nuk u mor. Ndërkohë, ushtria, në rolin e mbrojtjes së monumentit, solli në shesh disa ushtarë të çoroditur me disa qen të mbajtur për dore, që nuk dihej se kujt i lehnin. Kurse mbi qiell nuk dihej pse sorollatej përreth një helikopter.

Studentët dhe demonstruesit e tjerë qytetarë të bashkuar, shpërfillës ndaj tyre, pasi e rrëzuan ish-liderin në bronz, e tërhoqën zvarrë mbi asfalt, të eksituar e të përndezur, drejt Qytetit Studenti si trofeun e tyre. E vetmja ndërhyrje e Gardës Ushtarake ishte dalja e disa tankeve dhe pozicionimi i tyre në mbrojtje të territorit të Bllokut nga protestuesit, nga frika se mos ata u vinin flakën vilave dhe masakronin ata që banonin aty. Neritan Ceka, aso kohe njëri ndër liderët e Partisë Demokratike e sapokrijuar, doli mbi turmën dhe me thirrjen e tij arriti t’i qetësonte dhe t’i ndalte ata.

Ajo ditë ishte tejet e tensionuar dhe e jashtëzakonshme për gjurmët e saj në histori. Për të vërtetat dhe mënyrën se si ngjarjet u krijuan dhe rrodhën gjatë saj, janë dhënë jo pak dëshmi. Por disa aspekte e hollësi, aktorë dhe faktorë, mbeten ende të panjohura saktë dhe jo plotësisht. Ose ruhen qëllimisht të pazbardhura ende edhe sot.

Ndërkohë Nexhmija, me familjen e saj, ishte ende në Bllok. Ajo nuk i kishte imagjinuar që prej andej do t’i duhej të largohej ndonjëherë, aq më pak në mënyrë të befasishme dhe të forcuar. Largimi i saj dhe i familjes Hoxha ishte përzënie dhe braktisje e ngutshme e kryer në fshehtësi. Nexhmijes do t’i duhej t’i linte përgjithnjë aty shumë gjëra, objekte, libra, tablo dhe sidomos ndjenja e kujtime.

Do t’i duhej të pranonte se edhe mirëqenia, lumturia, fatmirësia, ashtu si edhe ëndrrat, nderimet, favoret dhe krenaria nuk ishin të përjetshme. Ato kishin një fund. Këtë fund ndoshta pati parasysh Zhaklin Kenedi, kur duke u larguar para kohe nga Shtëpia e Bardhë, pas vrasjes së papritur të të shoqit, presidentit Xhon Kenedi, la për pasueset e saj një porosi: “Zonjat e para në Shtëpinë e Bardhë duhet të rrinë përherë me valixhet e bëra gati”.

Nexhmija nuk e kishte imagjinuar fatin e saj të tillë. Mirëpo, si shumë gjëra të tjera, edhe fati i saj ndryshoi befasisht. Ajo, dhe familja, me urdhër të Ramiz Alisë, u zhvendosën nga Blloku me ngut dhe nën kujdesin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, u sistemuan përkohësisht nën ruajtje, në vilën e pushimit të udhëheqësve, në malin e Dajtit.

Nexhmija, më pas, është shprehur me mirënjohje ndaj të dyve për këtë akt, sepse, në përmbysje të tilla rrënjësore gjetkë kishte ndodhur shumë më keq: Carin e Rusisë Nikollai II në valën e revolucionit bolshevik, jo vetëm e përzunë forcërisht nga pallati i tij i Shën Petersburgut dhe e internuan familjarisht në rrethinat e Ekaterinburgut, por edhe i pushkatuan egërsisht aty, të gjithë së bashku, në mëngjesin e 17 korrikut 1918: carin, të shoqen Aleksandra, pesë fëmijët e tyre, si edhe katër nga personeli që u shërbenin (mes tyre edhe mjeku Eugen Botkin, i cili në zbatim të detyrës së ngarkuar, i kishte shoqëruar edhe aty në internim).

Ndërkohë lidhur me aktin e rrëzimit të monumentit të dyja palët politike, ajo që ishte në pushtet, e cila kishte detyrë dhe i dispononte mjetet për ta mbrojtur monumentin dhe Partia Demokratike, e sapokrijuar si palë opozitare, e cila e kishte në programin e saj deenverizimin dhe zhdukjen e kultit të tij, vepruan me finesë si të mos kishin fare gisht në atë që po ndodhte.

Ato zbatuan me zgjuarsi, si njëra dhe tjetra, parimin “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Asnjëra prej tyre nuk kishte interes në atë periudhë të merrte përgjegjësinë për atë akt mbresëlënës, i cili pritej të shoqërohej me faturën e mospëlqimit të një mase jo të vogël të elektoratit në shkallë kombëtare, sidomos në zonat rurale e periferike. Ata nuk kuptonin çfarë dhe pse po ndodhte në Tiranë, dhe u ndien të zhgënjyer, disa edhe të revoltuar me mënyrën e beftë sesi u krye ai akt i paimagjinueshëm për ta.

Rrëzimi i atij monumenti nga njëra apo tjetra palë do të vlerësohej si akt i njëanshëm partiak, kurse interesi ishte të paraqitej si “heqje qafe” e tij prej dufit gjithë popullor. Prandaj, të dyja forcat politike kundërshtare, në mënyra të ndryshme, lanë heshturazi të besohej se monumentin e rrëzoi vala e urrejtjes së “turmës të qytetarëve anonimë, të indinjuar me diktatorin.” Çka realisht ishte e vërtetë. Por ndoshta jo e gjithë e vërteta.

Megjithatë, efekti i dëshiruar nga të dyja palët politike antagoniste u arrit. Bota dhe miqtë e rinj të Shqipërisë, të interesuar për ndryshimin e sistemit, panë me sytë e tyre dhe besuan të kënaqur e të impresionuar atë ditë, se diktatura komuniste në Shqipëri u shemb. Ata besuan gjithashtu se “Enverizmi”, bashkë me kultin e tij u çrrënjos atë ditë përfundimisht.

Por rusët, për “ekspertët” perëndimorë naivë, të cilët pretendojnë se e njohën mirë atë vend, përdorin shprehjen: “Vostok eto tonkoje djello” (“Lindja është çështje e hollë” -në kuptimin e rafinuar). Këtë “hollësi” të Lindjes ekspertët perëndimorë do ta ndeshnin pak më pas edhe në Shqipëri. Ramizit i duhej, ose me saktë i kërkohej nga të huajt “deenverizimi” i plotë, por ai ishte i ndërgjegjshëm që një pjesë e madhe e popullatës, veçanërisht ajo rurale, që ai vetë e kish indoktrinuar, nuk ishte ende e përgatitur dhe as nuk do ta miratonte diçka të tillë. Prandaj u përpoq t’ua evitonte atyre paraqitjen vizive “traumatike” të asaj që ndodhi në Tiranë.

***

Mirëpo një rastësi, dhe sidomos kundërvënia e guximshme nga ana e Virgjil Kules, ish-drejtorit të Radiotelevizionit të vetëm Shqiptar asokohe, bënë që ajo çka ndodhi, sidomos momenti i rrëzimit të monumentit, fatmirësisht të dokumentohej e t’i paraqitej publikut të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Në takim me të, Virgjili më ka treguar se atë ditë ai nuk ishte informuar për çka do të ndodhte në sheshin “Skënderbej”. Mirëpo, fatmirësisht, operatori i tij, Fatmir Çepani, i ndodhur në katin e sipërm të Pallatit të Operës dhe Kulturës, me detyrë të filmonte një veprimtari tjetër, e filmoi rastësisht edhe çastin e rrëzimit të shtatores së Enverit. “Duheshin edhe vetëm 10 minuta që të shkonte ora 18:00, tregoi Virgjili, koha kur duhej të transmetohej patjetër kronika e lajmeve të asaj dite, dhe më merr në telefon RamizAlia.” “Na e rrëzuan Enverin”, i tha atij Ramizi, me zë të dëshpëruar. Dhe vazhdoi: “Po ne do ta ngremë përsëri më të lartë. Por ti mos e transmeto me pamje vizive atë që ndodhi”.

Virgjili u shtang nga habia. Për disa sekonda, në receptorët e tyre mbizotëroi heshtja. “Por nuk mundem, shoku Ramiz. E kemi detyrë funksionale transparencën.” “E di, pohoi Ramizi, por nuk duhet t’i traumatizojmë njerëzit tanë.” “Kur t’ia ringremë monumentin e bëjmë kronikën edhe më të plotë”, ia ktheu atij Virgjili. Ai nuk iu bind Ramizit dhe e transmetoi edhe pamjen e jashtëzakonshme të rrëzimit.

“Nuk pate frikë?” — e pyeta. “Pata, si jo, – tha, – por përgjegjësia do të më mbetej mua njësoj. Edhe po të mos e transmetoja mund të gjykohesha nga Ramizi një ditë si fajtor për fshehje.” Sepse Ramizi ishte i pabesueshëm. “Nuk përjashtohej që ai ta dridhte të nesërmen dhe të më fajësonte pse nuk e transmetova.”

Kur rrëzimi i monumenti të Enverit ishte bërë fakt, Ramizi dhe gjithë udhëheqësit e tjerë, të mbledhur rreth tij në ndërtesën e Komitetit Qendror, e përtypën lajmin pa u habitur dhe pa u alarmuar. E vetmja që u trondit dhe u largua e befasuar prej andej, me lot në sy, ishte Nexhmija. Ajo u kthye në shtëpi te fëmijët e saj, që ishin ende në Bllok, dhe u tregoi ç’kishte ngjarë. “Në mes të mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit Qendror dikush hyri dhe i la Ramizit një letër në dorë. Ai e sheh me fytyrë të qetë, indiferent, e rrotulloi në dorë letrën e nuk tha asnjë fjalë. Pak çaste pasi pjesëmarrësit nisën të pëshpëritin mes tyre, Ramiz Alia tha: ‘Më njoftuan se monumentin e rrëzuan’”.

Që nga ai çast, lidhja shpirtërore, shoqërore e miqësore e Nexhmijes me Ramizin u lëkund, u kris. “Ramizi veproi si hilacak”, tregon për këtë rast Xhelil Gjoni në librin “Trashëgimtarët” të Luljeta Prognit. “Ai u shtir sikur i pati dhënë urdhër Hekuran Isait që të shtinte mbi turmat në mbrojtje të monumentit, meqë kishte edhe një ligj të miratuar pak kohë para kësaj ngjarjeje për mbrojtjen e monumenteve. Kurse Hekuran Isai, nga ana e tij, pretendoi se me ndërgjegje nuk e zbatoi atë urdhër për të mos derdhur gjak. Kështu ai do të tregohej ‘liberal dhe hero’ ndaj demonstruesve.”

“Në fakt, ata të dy, dëshmon Xhelili, ishin marrë vesh paraprakisht fshehtas me njëri-tjetrin. As Ramizi nuk pati dhënë urdhër të shtihej, as Hekurani nuk bëri me kokën e tij për moszbatimin e urdhrit. Të dy në role të ndryshme, në të njëjtin skenar teatral”.

Guro Zeneli, gazetar i sjellë në Tiranë nga Saranda, person i ndershëm me zemër të pastër dhe me mjaft integritet, i cili u bë në atë periudhë një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë e më konfidentë të Ramizit, ka dhënë në një intervistë lidhur me rrëzimin e monumentit të Enverit, këtë version: “Ramizi ishte në dijeni që gjatë natës së 19 shkurtit persona të ngarkuar, posaçërisht me detyrë, e patën zhvidhosur fshehtas paraprakisht atë”.

Megjithatë “teatri” vazhdoi atë ditë edhe brenda Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike. Ndërkaq, studentët dhe qytetarët që morën pjesë në rrëzimin e monumentit nuk e dinin që, në të njëjtën ditë, po hiqeshin “rastësisht” apo me koordinim “magjik” monumentet i Enverit në Korçë, në Gjirokastër e kudo ku kishte të tillë.

Ata, me besimin se i bënë një shërbim të madh Shqipërisë me rrëzimin e simbolit të regjimit të vjetër, ndoshta nuk e dinin as që një shërbim po aq të madh, madje dhuratë, ia bënë, pa dashur, personalisht Ramiz Alisë. Heqja qafe e Enverit ishte kërkesa e miqve të tij të rinj jashtë vendit. Ajo ishte shumë e nevojshme dhe çliruese për vetë Ramizin, por që e kish vështirë, ose kish frikë ta bënte haptazi, me duart e veta.

Për të minimizuar efektin zhgënjyes dhe revoltën e Nexhmijes, e cila tashmë ishte e qartë për dredhitë dhe mungesën e luajalitetit të tij, ai iu shfajësua asaj duke përdorur një justifikim. “Nuk rrëzuan Enverin, i tha asaj, rrëzuan vetëm bronzin.”

Por Nexhmija nuk e gëlltiti. “Kur vandalët rrëzuan statujën qava shumë. M’u duk se vdiq për herë të dytë”, tha më pas për këtë ngjarje ajo, dhe shtoi: “Mendoj se ky ishte një komplot i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Statuja ra brenda gjysmë ore, me siguri gjatë natës dikush ka liruar bulonat mbajtës”.

Pavarësisht dëshpërimit, ajo asnjëherë nuk e fajësoi e as e denoncoi hapur në forumet e partisë dhe as më vonë publikisht Ramizin.

 

—–

*Pjesë nga libri “Blloku” i profesor Isuf Kalos, mjek personal i Enver Hoxhës. Botuar në DITA në rubrikên Histori me lejen e autorit

February 22, 2021 00:09

Njoftim

Njoftim

Njoftim