Me miq si Kurzi Merkelit nuk i duhen armiq

January 18, 2018 11:45

Me miq si Kurzi Merkelit nuk i duhen armiq

 

“Pak gjëra që i ndajnë” gjetën në Berlin Merkeli dhe mysafiri i saj nga Austria. Por ky mysafir mund të kthehet në problem për kancelaren.

Nga Michaela Küfner -DW

Gjithmonë disa hapa më tej përpara të tjerëve: kështu e sheh veten kancelari austriak Sebastian Kurz. Që ai arriti të vijë në pushtet në moshën e njomë 31 vjeçare, kjo duket se i jep të drejtë. Në vizitën e tij të parë zyrtare te Angela Merkeli, te kryeministrja më e vjetër në post e BE, u shtuan megjithatë shenjat se nganjëherë ai e tepron me të qenët përpara.

Në fund të fundit, nuk ishte vetëm besimi i paturpshëm tek vetja, që e futi në kancelarinë austriake yllin e ri politik. Sebastian Kurzi ka instinkt për populizëm dhe ka vullnet që t’u hyjë partneriteteve, para të cilave të tjerët sprapsen. Koalicioni i tij me ultratëdjathtët e “Partisë së Lirisë” (FPÖ), aleat i ngushtë i “Front National” në Francë duhet të shkaktojë neveri të vërtetë tek Angela Merkeli. Për të është thjesht i papërfytyrueshëm një bashkëpunim me të djathtët e AfD-së.

Gëzim i lig përballë mungesës së stabilitetit?

Në vend të kësaj, ajo po përpiqet që prej 100 ditësh, fillimisht me FDP-në dhe me Të Gjelbrit, tani me socialdemokratët që të formojë një qeveri. Dhe pikërisht në këtë situatë i duhet të dëgjojë nga Kurz-i që sa i gëzuar është ai, që ka një “qeveri stabile”. Bie era gëzim për hallin e tjetrit, kur ai e uron “së shpejti” një stabilitet të tillë për Gjermaninë.

Të dyja palët theksojnë sa shumë gjëra i bashkojnë. Kjo në një kohë kur ato që i ndajnë janë mjaft: Merkeli dëshiron më shumë integrim evropian dhe është e gatshme që për këtë të japë më shumë para. Përkundrazi Kurzi kërkon më shumë vendime në nivel rajonal dhe nuk është i gatshëm që ta kompensojë Brexitin me mjete nga buxheti i shteteve të pasura si Gjermania dhe Austria. Veç kësaj, Kurzi vazhdon ta kundërshtojë mbështetjen e Merkelit për kuotat e pranimit të refugjatëve dhe në dallim nga ajo, ai do që të hiqen sanksionet kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë.

Pa plan, pa vizion

Stabilitet kërkojnë të dy, të dy e dinë se nevojiten llogaritje të ndërlikuara për të farkëtuar koalicione. Çfarë u mungon të dyve? Një plan i vërtetë, një ide alla Macron, se ku do të ecë në plan afatgjatë Evropa. Vizioni i tij ende është në pritje të një përgjigjeje nga Berlini. Dhe sa oreks do të ketë mbetur vallë në Vjenë për një bashkim evropian, kur populistët e djathtë të kenë qeverisur për një legjislaturë të tërë?

Qeverinë e tij duhet ta masin me veprat e saj, tha Kurz. Pikërisht këtë dëshiron të bëjë Merkeli. Simpatinë e tij në drejtim të Orbanit e kompani, mbështetësve të vijës së fortë skeptikë ndaj refugjatëve, Kurzi i dha kuptimin tjetër të “ndërtimit të urave”. Por me këtë ai e qëllon pas shpine Merkelin, e cila përpiqet ta pranojë migrimin si detyrë të përbashkët të Evropës.

Nuk ka gjasa që Kurzi të arrijë ta zbutë FPÖ-në. Prandaj i vetëshpalluri “ndërtues i urave” do të shkaktojë me qeverinë e tij hendeqe të tjera në Evropë. Angela Merkelit ndoshta kancelari i ri nga Austria do t’i shkaktojë ca dhimbje koke – gjithmonë me kusht që në të ardhmen ajo të ketë arritur të krijojë një qeveri “stabile”.

January 18, 2018 11:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*