Më mirë do bëhet !

August 29, 2017 12:04

Më mirë do bëhet !

Kriza globale financiare, që nisi thuajse dhjetë vite më parë, nuk kurseu as Bashkimin Evropian. Duke e futur atë në recesionin më të keq, të njohur, në historinë e tij prej gjashtë dekadash. Por, BE u përpoq të reagonte ndaj krizës me vendosmëri, për të luftuar pasojat dhe efektet, që ajo po shkaktonte. Si edhe duke u fokusuar tek mangësitë, që preknin themelimin fillestar të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar.

Por, reagimi ndaj krizës, mënyra se si BE u pozicionua për ta përballuar atë, nuk do të kalonte pa një debat të polarizuar në rrethet e ekonomistëve.

Nga njëra anë, kemi të pozicionuar idenë, se shtimi i përpjekjeve mbi masat shtrënguese ekonomike dhe rritja e nivelit të masave të kursimit në kohë krize ekonomike, është kundër-produktive dhe shkakton një efekt negativ mbi ekonominë. Kjo, pasi aktivitetet kontraktohen, recetat fiskale zvogëlohen dhe deficitet bëhen më të vështira për t’u përballuar. Dhe teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto tkurret, kjo rrit dhe shton borxhin publik, pasi kur flitet për borxhin, nuk flitet për borxhin në vetvete, por gjithmonë në raport me PBB-në. Dhe sa më e dobët të jetë PBB, aq edhe më i konsiderueshëm do të jetë edhe niveli i borxhit.

Kampi tjetër, vlerëson pikërisht të kundërtën, në mbrojtje të idesë se, politikat shtrënguese ekonomike, nuk kanë qenë aspak kundër-produktive, pasi sot rimarrja ekonomike është e qëndrueshme, sepse nuk mbështetet më nga deficitet e rëndësishme. Ndaj Greqisë, gjykimi shkon drejt faktit se, marrja e vazhdueshme e masave shtrënguese ekonomike, për të bërë të mundur zvogëlimin e deficitit, shikohen si të pashmangshme, pasi në vitin 2010, borxhi publik kishte kapur nivelin 10,5%, larg rregullit që impononte pakti i stabilitetit dhe i rritjes (3%) të cilin Greqia e ka nënshkruar.

Ndërkohë për Komisionin Evropian, masat vendimtare që janë marrë përgjatë kësaj periudhe, për të bërë të mundur përballimin e krizës, kanë dhënë frytin e tyre, pasi sot, ekonomia e BE-së, po zgjerohet për të pestin vit radhazi; shkalla e papunësisë, është në nivelin e saj më të ulët që prej vitit 2008; bankat janë më të forta; investimet kanë njohur rritje dhe financat publike po përmirësohen.

Po, sipas Komisionit, teksa kriza përparonte, institucionet e BE-së dhe vendet anëtare, kanë marrë vendime të forta politike për ta përballuar atë, për të bërë të mundur ruajtjen e integritetit të zonës euro dhe për të shmangur pasojat më të këqija. BE, ka miratuar një sërë masash për të rregulluar sektorin financiar dhe për të përmirësuar qeverisjen ekonomike; për të përforcuar kornizat e reja të përbashkëta ligjore; për të mbështetur vendet në vështirësi financiare; për të përmirësuar financat publike të vendeve anëtare; për të inkurajuar reformat strukturore dhe investimet; për të luftuar papunësinë e të rinjve;  për të përmirësuar kontrollin e sektorit bankar; për të rritur kapacitetin e institucioneve financiare për të përballuar sfidat e ardhshme; si edhe për të krijuar mënyra për të menaxhuar dhe për të parandaluar më mirë krizat e mundshme.

Këto masa, në vlerësimin e KE-së, kanë rezultuar në një rishikim të thellë të bashkimit ekonomik dhe monetar dhe rimëkëmbjen e ekonomisë evropiane, dhe në veçanti ekonomisë së eurozonës. Rimëkëmbja në nivel evropian është e qëndrueshme dhe shkalla e papunësisë është në rënie të vazhdueshme. Numri i Shteteve Anëtare, që i përkasin Eurozonës, është rritur nga 12 në 19 dhe Euro tani është monedha e dytë, më e rëndësishme në botë. Nga tetë Shtetet Anëtare, që kanë marrë ndihmë financiare, vetëm Greqia i nënshtrohet ende një programi ndihme dhe pritet të largohet nga mesi i vitit 2018. Vetëm tre Shtete Anëtare, janë tani subjekt i korrigjimit të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, i njohur si “procedura e deficitit të tepruar”, ndërsa ato ishin 24 në kulmin e krizës. Plani Juncker ose “Plani i Investimeve Evropiane”, i nisur në nëntor 2014, tani parashikon të mobilizohen më shumë se 225 miliard euro për të gjitha Shtetet Anëtare, që përfaqëson 72% të shumës prej 315 miliardë të parashikuar fillimisht.

Zhvillimet e fundit ekonomike, sipas Komisionit, janë inkurajuese, por mbetet shumë për t’u bërë për të kapërcyer pasojat e viteve të krizës.

Gjithsesi, duket se mësimet e krizës ekonomike, përtej rezultateve buxhetore divergjente të shteteve anëtare të zonës euro, janë fokusuar rreth arkitekturës së eurozonës. Vendet e jugut të Evropës, më të prekurat nga kriza ekonomike, si edhe vendet e tjera që vuajnë ende në një nivel të konsiderueshëm pasojat e përpjekjeve të tyre për të arritur në stade të pranueshme, synojnë dhe kërkojnë më shumë solidaritet. Fundi i muajit gusht, do ta poziciononte publikisht kryeministrin e Spanjës në një përpjekje të radhës, për të diskutuar me Gjermaninë, Francën dhe Italinë në përpjekje për të gjetur mbështetje rreth idesë për krijimin e një posti ministri evropian të Financave, por edhe një buxheti të përbashkët dhe një Thesari që do të bëjë të mundur bashkimin dhe përballimin e borxheve, në mënyrë që çdo vendi t’i krijohet mundësia e financimeve me përqindje më të ulëta. Ideja e bashkimit të borxheve, nuk vjen rishtazi, pasi është mbrojtur vazhdimisht nga një sërë ekonomistësh evropianë, për të bërë të mundur çimentimin politik të Evropës së bashkuar, që nuk mund të kuptohet pa thellimin e mëtejshëm ekonomik.

Por, edhe pse ekonomistët përplasën në mbrojtjen e ideve të tyre pro, dhe kundër mënyrës se, si BE u pozicionua në përballimin e krizës, ata bien të gjithë dakord në një pikë, se kriza dhe urgjenca e zgjidhjes së saj, ka përforcuar edhe më tej lidhjet, që çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt thellimit të mëtejshëm të integrimit evropian.

DITA

August 29, 2017 12:04