Më pak Liri për më shumë Siguri

November 20, 2017 12:24

Më pak Liri për më shumë Siguri

Sot, Këshilli miratoi rregulloren, që i shton lëvizjes së lirë pa viza të udhëtarëve në Shengen kushte të reja, përmes plotësimit të autorizimit të udhëtimit.

Për BE-në, kjo iniciativë konsiderohet një sukses i mëtejshëm, pasi vlerësohet se do të bëhet i mundur kontrolli strikt i kufijve të jashtëm të Unionit, që është thelbësor për hapësirën Shengen. Dhe se, sistemi i hyrje-daljeve do të kontribuojë në përmirësimin e kontrolleve të kufijve të jashtëm, në identifikimin më të mirë të personave që kanë tejkaluar qëndrimin e autorizuar si edhe pritet të përforcojë luftën kundër terrorizmit.

Për qytetarët e vendeve, që janë pjesë e liberalizimit të vizave, pra hyrjes pa viza në zonën Shengen, kjo mund të shikohet si një barrierë, pasi nga hyrja pa viza, tani do t’iu duhet të aplikojnë për Autorizim Udhëtimi. Dhe ka disa kritere, që ndoshta nuk prekin shumicën e qytetarëve, por vetëm një pakicë të tyre, por që gjithsesi ka një sistem që është ngritur si mekanizëm filtrues.

Teksa media e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do ta interpretonte ngritjen e këtij mekanizmi si vendosje vizash, BE do të kundër-reagonte duke mos e kuptuar një interpretim të tillë, që nuk kishte lidhje me ngritjen e këtij sistemi.

Dhe BE, kishte të drejtë pasi kjo nuk do të thoshte aspak rikthim i sistemit të vizave. Por, se ngritja e këtij sistemi që nënkupton vendosjen e një tarife monetare prej 5 eurosh, marrjen e kohës për plotësim të formularëve online dhe pritjen e autorizimit apo edhe të refuzimit, dhe më pas sipas rasteve të apelimit të refuzimit për udhëtim, nuk mund të shikohet në vetvete si një “lehtësim i rëndësishëm në jetën e udhëtarëve”.

Është e vërtetë se ky mekanizëm është ngritur për të gjithë vendet në tërësi dhe se në parim është e përjashtuar ideja se mund të ketë diskriminim ndaj një zone të caktuar. Se në fund të fundit, të njëjtin sistem zbaton dhe Amerika. Por, realiteti ka shfaqur gjithnjë një tjetër monedhë, atë të përzgjedhjes së caktuar të udhëtarëve nga zona nga të cilat vijnë, që edhe me sistemin aktual të lëvizjes së lirë, po njësoj si qytetarët e vendeve të tjera në botë, janë të vetmit që ekzaminohen gjerësisht dhe shpesh jo në mënyrë të drejtë. Shembulli i kësaj është aeroporti i kryeqytetit të Evropës, kur teksa vëzhgon p.sh, qytetarët e vendeve të tjera (edhe ata pjesë e liberalizimit të vizave) që dalin në një kohë normale nga sistemi i kontrollit, të vetmit që i nxjerrin me vonesë, sigurisht pas seancave të pyetje-përgjigjeve dhe konfirmimeve, janë qytetarët që vijnë nga vende si Shqipëria. Dhe kjo nuk ka lidhje me rritjen e kërkesave të azil-kërkimit pasi Shqipëria në listën e këtij vendi është në pozicione të papërfillshme, në krahasim me vendet e tjera. Por, se ka lidhje me një logjikë operimi, që nuk arrin dot të shmang diskriminimin tashmë të rrënjosur në kulturat e këtyre popujve.

Por, përtej këtij kuadri, ajo çka përbën shqetësim lidhet më shumë me faktin që në emër të sigurisë, politikat avancojnë me ngushtimin e vazhdueshëm të hapësirës së lirisë.

DITA, ka risjellë vazhdimisht në vëmendje shqetësimin e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave themelore. Nga të cilët veçohet reagimi i Shoqatës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (SHEDNJ), që ka shfaqur shqetësim në lidhje me politikat e vazhdueshme shtrënguese në emër të sigurisë. Për të, kjo situatë është si një klimë paranoje ku të gjithë: udhëtarë, migrantë dhe të huaj do të prezumohen të fajshëm.

Sipas saj, propozimi për krijimin e një sistemi hyrje-dalje, është një element përmes një serie të gjatë tekstesh evropiane, që lidhen me krijimin e sistemeve të informimit. Me pretekstin e thjeshtëzimit të kalimit të kufirit, këto baza të dhënash, përdoren gjithashtu sot për qëllime sigurie. Larg të qenit të parëndësishme, këto të dhëna sigurojnë një mosbesim, madje një kriminalizim të të “huajit”, tashmë të perceptuar si një kërcënim për sigurinë. Krijimi i vazhdueshëm i mekanizmave të tillë, nën presionin e autoriteteve ligj-zbatuese, po sjell evoluime të papërputhshme me mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të dhënave me karakter personal të shtetasve jo-evropianë.

Shqetësimi i mbrojtësve të të drejtave themelore, shkon drejt faktit se, përballë këtyre politikave që shënjestrojnë shtetasit e huaj, rritet klima e dyshimit ndaj tyre. Se, nën hijen e një përmirësimi të administrimit të kufijve, institucionet evropiane zgjedhin rrugën e “sigurimit të gjithanshëm”, duke konsideruar çdo kalim kufiri, si një kërcënim potencial ndaj sigurisë evropiane. Kjo logjikë, sipas tyre, mbështet stigmatizimin e të huajve, që tashmë konsiderohen si një rrezik. Duke hyrë kështu në një logjikë “parandaluese” që justifikon gjithnjë e më shumë krijimin e teknologjive të sigurisë që nuk rezultojnë të jenë efikase, pra kryesisht bazat e të dhënave, të shndërruara në mjetin e “para-shikueshmërisë” të sjelljeve me risk. Sipas tyre, kemi rrëshqitur në një univers “masash parandaluese të ekzagjeruara” dhe konstatimi është alarmues për të ardhmen e së drejtës për jetë private dhe mbrojtjen e të dhënave me karakter personal.

SHEDNJ, ka shprehur prej kohësh keqardhjen e saj për zgjedhjen e vendeve anëtare, që preferojnë politika mosbesimi ndaj të huajve kundrejt politikave të mikpritjes, duke deklaruar publikisht se : “Nëse vendet anëtare, zgjedhin të kriminalizojnë dhe jo të përqendrohen në harmonizimin e procedurave të trajtimit për personat që kërkojnë mbrojtje, kjo është një zgjedhje politike, që është jashtëzakonisht e dëmshme për të drejtat themelore.”

DITA

 

November 20, 2017 12:24