Me pushkë ne krah e abetare në gji, libër për bektashiun-legjendë, Baba Medin Gllava

April 15, 2018 10:54

Me pushkë ne krah e abetare në gji, libër për bektashiun-legjendë, Baba Medin Gllava

 

Naim Dera

Kur një komb humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht humb edhe veten e tij. Kjo thënie më erdhi ndërmend teksa mbarova së lexuari një monografi për patriotin, luftëtarin, bektashiun arsimdashës nga Tepelena, Baba Medin Gllava. Libri është shkruar me dashuri e kompetencë nga historiani i mirënjohur Bardhosh Gaçe, i cili me një punë të thellë zbuluese, për t’i vajtur deri në fund  të vërtetës, bën të mundur realizimin e portretit të këtij shqiptari të madh.

Nuk vlen asgjë për të dashuruar, nëse vajtimi i vendit tënd nuk prek zemrën tënde. Medin Gllava (Caushi) nuk do të radhitej kurrë në radhët e luftëtarëve, të atij kontigjenti të djalërisë shqiptare, nëse nuk do të përjetonte thellë në shpirt situatat që kalonte vendi para dhe mbas shpalljes së Pavarësisë, nëse do të shikonte rehatinë e tij nën xhyben e bardhë të dervishit e më pas si baba.

Themelet nga ku ai u mëkua me ndjenjën e mirësisë, siç ishin Caushajt në fshatin Levan të Tepelenës; mësimet që do të merrte në qytetin e Beratit e më pas në Janinë nga njerëz që u vlonte zemra për liri e drejtësi kombëtare; bekimin që mori nga baballarë bektashinj të virtytshëm për të mbetur “qiri i ndezur” për hallemadhen Shqipëri, e bënë Baba Medin Gllavën bektashi të çuditshëm që i ra vendit cep më cep “me pushkë në krah e abetaren në gji”.

Historiani Bardhosh Gaçe sjell ngjarje e fakte që lartësojnë, që e rendisin këtë bektashi të madh në radhët e shqiptarëve më me emër të kohës, si Çerçiz e Bajo Topulli, të cilët babanë e Gllavës e konsideronin krah të djathë në luftën kundër andartëve grekë.  Fakti që në këtë kohë rreziku për fatet e shqiptarëve në Shqipërinë e Jugut, Çeta e Baba Medin Gllavës u radhit me çetat e luftëtarëve të Skraparit, të Korçës me në krye Mihal Gramenon e Themistokli Gërmenjin, të Mallakastrës që drejtohej nga Musa Hamit Hekali etj. tregon se ai të qenit në funksionin e drejtuesit të teqesë më me emër siç ishte teqe e Gllavës, e shfrytëzoi për të ngritur popullin në luftë për liri e dinjitet.

Baba Medin Gllava rridhte nga themele bektashinjësh me emër të mirë. Në këtë kuptim fjala e urtë “dardha bie nën dardhë” në këtë rast merrte kuptim të plotë. Baba Demka, baba Nurja e baba Nekiu kanë qenë para e pasardhës të të njënjtit zinxhiri të florinjtë të bektashiut-legjendë Baba Medin Gllava. Nuk e braktis kurrë tradita njerinë, por njeriu traditën. Atje në lagjen  Caushaj të fshatit Levan, pikërisht aty ku janë  lindur e rritur bektashinj me emër, siç është Baba Medin Gllava, sot e mban gjallë dhe e çon më tej këtë traditë të bukur një mësues me emrin Medin, stërnip dhe që mban emrin  të babait famëmadh të Gllavës.

Historiani Bardhosh Gaçe, si mjeshtër i hulumtimeve dhe pasionit për të hedhur dritën e merituar mbi figura të shquara të kombit, meriton, ndër të tjera, edhe bekimin e bektashiut Baba Medin Gllava.

 

 

 

April 15, 2018 10:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*