Më pyet mbesa nga Zvicra. Si t’i përgjigjem?

Isuf Kalo June 10, 2016 10:25

Më pyet mbesa nga Zvicra. Si t’i përgjigjem?

Mbrëmë vonë më mori në telefon ime bijë. Ajo banon prej 25 vjetësh në Zvicër, ku dhe është shkolluar, punësuar e martuar me një kolegun e saj jurist zviceran. Ata kanë lindur sëbashku dy vajza, e madhja tashmë 11 vjeç, kurse e vogla 8. As ime bijë, as i shoqi nuk janë tifozë pasionantë të futbollit. Dhe as unë. Por kur luajnë skuadrat kombëtare i konsiderojmë evenimente që nuk duhen humbur dhe i ndjekim ndeshjet e tyre me interes.

Ime bijë më tha që atmosfera e ndeshjes së afërme mes Zvicrës dhe Shqipërisë në Kampionatin Evropian që hapet sot në Francë është këto ditë mjaft e nxehtë. Kudo po flitet për të, madje edhe në institucionin ku ajo punon. Interesant është – më tha ajo – që po flitet shumë për Shqipërinë dhe skuadrën e saj në shtyp, si dhe për faktin që një pjesë jo e vogël e lojtarëve të ekipit zviceran janë shqiptarë të emigruar e të integruar që shumë vite më parë aty.

– Bluzat e uniformës së re të skuadrës shqiptare po shiten më shumë se ato të skuadrës vendase- shtoi me çudi ajo. Mesa duket emigrantët shqiptarë në Zvicër janë jo vetëm të shumtë, por edhe mjaft aktivë në sensin patriotik. Por arsyeja pse ajo më telefonoi ishte se donte ta ndihmoja si t’i përgjigjej të bijës së saj më të madhe 11 vjeçare.

Kjo i kish thënë që edhe në shkollën e saj disa shokë e shoqe kishin blerë dhe filluar t’i vishnin fanelat e uniformës sportive: disa të skuadrës vendase, por disa edhe të skuadrës shqiptare. Mbesa ime ishte në mëdyshje.

-Mami, cilën bluzë duhet të blej unë?, e kish pyetur ajo. Të njëjtën pyetje ajo ja kish bërë më parë edhe të atit. Ai ishte përgjigjur shkurt: Cilën të duash, cila të të pëlqejë më tepër.

-Po me cilin skuadër je ti? Cila do që të fitojë? – kish insistuar ajo.

– Oh natyrisht Zvicra – i qe përgjigjur i ati. – Është vendi  im ku kam lindur dhe jam rritur. Por më e drejtë më duket se është që të fitojë ajo skuadër që do luajë më mirë…

Por vajza e dinte që e ëma nuk kish lindur as qe rritur në Zvicër, por në Shqipëri. Ajo hezitonte dhe po e pyeste njësoj dhe të ëmën, sepse nuk donte t’i thyente zemrën asnjërit nga prindërit.

-Si thua?, e kish pyetur ajo përsëri të ëmën. Por kjo ja kish kthyer: Po t’i vetë si thua? Cilën do më shumë që të fitojë, skuadra e babit apo e mamit? Veçse mos harro që me skuadrën shqiptare është edhe gjyshi… – kish shtuar më tej ajo duke e futur të bijën më shumë në siklet. E kishte fjalën për mua, sepse për fat të keq gjyshi tjetër, ai nga babai nuk i jeton më.

Ime mbesë qe menduar një copë herë pastaj kishte bërë edhe një pyetje të fundit:

-Po mirë, a më shpjegoni kush quhet që luan në të vërtetë, një vend me një tjetër, apo njerëzit e tyre? Luan Zvicra me Shqipërinë, apo disa lojtarë të njërës me disa të tjetrës?

-Sigurisht që luajnë njerëzit – i qe përgjigjur e ëma.

-Atëherë them se është më mirë të vesh fanellën e Zvicrës – kishte konkluduar vogëlushja, -më duket më e drejtë. Edhe po qe se fiton Zvicra, as ti mami as gjyshi as shqiptarët nuk duhet të mërziteni sepse njerëzit e skuadrës së Zvicrës i kemi të përbashkët e të përzier, zviceranë e shqiptarë. Janë nga të dy vendet, të babit dhe të mamit. Pra me ta fitojnë të dy palët…

Por për të mos më lënë qejfprishur dhe mua, i kishte thënë në përfundim të ëmës: Sidoqoftë pyete njëherë edhe gjyshin, si mendon ai…

– Prandaj po të pyes –  tha ime bijë në telefon – Si thua babi, çfarë t’i them vajzës?

Unë heshta, i kapur disi keq nga arsyetimi dhe konkluzioni i papritur i saj. Shqiptarë e zviceranë  të bërë bashkë! Eh! Si thoni ju se duhej t’i përgjigjesha?

Isuf Kalo June 10, 2016 10:25