Me shqiptarët e shumtë të Turqisë

May 13, 2018 13:28

Me shqiptarët e shumtë të Turqisë

 

Malli i Shqipërisë

Prof. Nasho Jorgaqi

Njerëzia kishin mbushur plot e përplot shkallët e gurta të teatrit veror. Përreth sapo kishte rënë mbrëmja, një mbrëmje e ngrohtë vere. Nga gryka e Bosforit vinte herë pas here një puhi nga deti. Të gjithë prisnin me padurim të fillonte shfaqja. Ishte shfaqja e parë e asamblit shqiptar në Stamboll.

Në skenë u ndezën projektorët dhe përqark ushtuan duartrokitjet. Pranë meje, një burrë i moshuar vuri syzet. Padashur vura re se duart e të panjohurit u drodhën lehtë dhe kur në skenë dolën valltarët, ai ishte aq i përqendruar, sikur t’i kishte ndaluar fryma. Ma mori mendja se do të ishte shqiptar, sepse, sapo mbaroi vallja, ai u ngrit në këmbë dhe thirri:

-Ju lumtë djema, ju lumtë!

Burri rrinte në këmbë, shikonte nga unë dhe përplaste duart i lumturuar.

-Ju pëlqen?

S’di si më doli kjo pyetje, kur ai më pa gati me zë qortues:

-Si s’më pëlqen? Fjalë është kjo?!

Dhe nuk ia ndante sytë skenës e brohoriste paprerë. Kur u ul, hoqi syzet dhe u kthye nga unë e më vështronte disi i habitur;

-Zotrote shqiptar jeni?

-Shqiptar jam.

-Shqiptar, dhe kjo e lumtura valle s’ju ngre në këmbë?! Pastaj, duke ndërruar tonin, më pyeti rishtas:

-Mos jeni nga shqiptarët e shtëpisë, dua të them të Shqipërisë?

Unë pohova me kokë:

-Po ju?

-Jam nga të këtushmit. Lindur e rritur në Stamboll, po jam nga Kolonja, me nënëzë e baba. Take Qyteza, më thonë.

Ai ishte një burrë i thinjur, me flokë të dendur e mustaqe të trasha, trupmadh, me një fytyrë të rreshkur, tiparet e së cilës shquanin si të skalitura në dru arre.

Vargu i valltarëve me fustanellë që dolën në skenë e këputi bisedën tonë në mes. Për Take Qytezën atë çast nuk ekzistonte asgjë, përveç asaj mrekullie që po ndodhte para syve të tij. Po kërcehej një valle kolonjare, valle burrërishte, e rreptë, plot lëvizje të gjalla e të hijshme.

Trupi i bëshëm i burrit filloi të lëvizte në vend. S’di a i lëviznin duart apo këmbët, veç gjoksi i dallgëzonte. Këtë e shquaja mirë, siç i shquaja dhe fytyrën, ku emocioni merrte shprehje të çuditshme dhe një pikë loti i kishte rënë mbi mustaqe.Ai u çua përsëri në këmbë, dhe prapë nuk reshtte së duartrokituri.

-Këta nuk e hodhën vallen, po e kënduan, kaq bukur e kërcyen,-tha me zë të lartë Take Qyteza, duke mposhtur gulshin e mallëngjimit,- U qofsha falë, se ma sollën Kolonjën këtu në mes të Stambollit!…

Përtej në skenë buçitën këngët dhe gjithë teatri u ngazëllua nga valët e gëzimit. Plakun nuk e zinte vendi dhe herë pas here më thoshte:

-Ma bëj hallall se të mërzita. Po besomë, një mal me mall kam në zemër…Më mbyti ky i bekuar mall…Të më besosh…

-Si nuk ju besoj. Ju besoj dhe ju kuptoj mirë…

-S’ma merrte mendja se këto këngë e këto valle do të më ngjallnin shpirtin e babait e të nënëzës, do të ma afronin mëmëdhethin e largët…Ç’i thua zotrote kësaj, hajde ma shkoqit!…

Unë s’arrita t’i përgjigjesha se në skenë nisi kënga e Shote Galicës dhe gjysma e teatrit u ngrit në këmbë, u ngrit dhe Take Qyteza, e tok me të edhe unë.

-Na qan zemra të gjithëve për këtë shqiptarkë trime të Kosovës,-thirri Takja. –I shikon kosovarët, i ngrihen motrës në këmbë…

Take Qyteza ishte tërhequr i tëri pas këngës. Se çfarë ndodhi në ato çaste nuk di ta them, qe vërtet një ngashërim i përgjithshëm, prandaj unë e Takja nuk e patëm për turp të fshinim lotët kur u ulëm. Nga tronditja dalëngadalë fytyra i mori një pamje të menduar. Këtë e vura re sidomos kur në një çast hoqi syzet dhe tha:

-E di zotrote, se sa më shumë që plakem, aq ma tepër ma do gjaku të vij e të vdes në Shqipëri. Thoshte i ndjeri baba:ne shqipot jemi si luani, që, kur i vjen ora të vdesë, kërkon të vdesë në vend të tij. Mirë ai që kishte lindur atje, po unë që kam lindur këtu?…Hë, të kam rixha, pa ma shkoqit pak!

Po ai nuk priti t’i përgjigjesha. E mori prapë fjalën vetë e zuri të fliste me një zë të thellë, që i dridhej lehtë:

-Shqiptari i vërtetë, kudo që është gjendur, në çdo pikë të dheut, e ka thënë gjithmonë faqeza se ç’është. Po sot e thotë me zë të lartë, se, sapo ka thënë Shqipëri, tjetri të ngrihet në këmbë e të nderon. E në mos u ngrittë, prapë ta di vlerën, e di me kë flet. E për zemrën e zhuritur të kurbetliut sot, kjo është gjë shumë e madhe…E dëgjon?  Këngë për Naim beun…

Këndohej për Naim Frashërin dhe njerëzia rrihnin shuplakat ritmikisht. Take Qyteza dëgjonte dhe, i menduar, më tha:

-S’ka shqiptar në Stamboll që të jetë shkrirë për Shqipërinë si Naim Beu. Dhe vërtet, u shkri si qiriri, siç pati kënduar në një vjershë. Prandaj djemtë e vajzat si flutura këndojnë këngë mu në mes të Stambollit. Thua që mendja e lartë e Naimit ta mendonte se do të vinte kjo ditë? Të mendonte që stërmbesat e stërnipërit do t’i këndonin me zë të lartë, në gjuhën e mëmës, ja këtu, pesëqind metra nga sarajet e sulltanit?

Çuditërisht fjalët e Takes, të shqiptuara si t’ia thoshte vetes, nuk e prishnin bukurinë e muzikës, përkundrazi, shkriheshin me të e në harmoni me njëra-tjetrën sikur shkriheshin me të e në harmoni me njëra-tjetrën sikur ndillnin përreth nesh një atmosferë shqiptare malli e gazi. Këtë gjendje shpirtërore na ndillte dhe gjuha e pastër që ai fliste, si tingulli i ëmbël, me jone fyelli i shqipes së tij. Kur mbaroi koncerti e u ndezën dritat, ai më zuri për krahu dhe të dy zumë të ngjitnim shkallët e teatrit veror. Njerëzia lëviznin në drejtim të portave dhe Takja, sikur të mos e kishte mendjen tek unë, vështronte sa andej-këtej. Ndoshta dikë kërkonte. Sapo dolëm në rrugë, kërkoi të takonte djemtë dhe vajzat e asamblit. Nuk e ngava, e kuptova se ishte malli i Shqipërisë që e tërhiqte drej tyre.

2

Gjendeshim në Iskanderum, një qytet i skajshëm turk në kufi me Sirinë. Për të ardhur deri këtu, kishim udhëtuar qindra kilometra, duke përshkruar gati gjithë Anadollin e pastaj kishim zbritur për në jug, drejt brigjeve të Mesdheut. Ishin vende me histori të lashtë, treva që mbahen si teatër i shumë prej ngjarjeve që përshkruhen në faqet e Biblës. Ky fakt sikur na e theksonte ndjenjën e largësisë dhe na bëhej se gjendeshim jo vetëm shumë larg Shqipërisë, po edhe larg Stambollit. Në Stamboll ishim të rrethuar kudo nga shqiptarë dhe nuk e ndienim dhe aq vetminë. Po kështu, me gjithë mikpritjen e ngrohtë turke, na dukej se gjendeshim në fund të botës.

Në mbrëmjen e ditës së parë na ndali në rrugë një vajzë e re dhe na foli shqip. Na tha se ishte mësuese dhe se prindët e saj kishin emigruar prej kohësh nga Kosova. Tha pastaj se dëgjonte rregullisht radio Tiranën, se kishte lexuar disa vepra si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe poezia e Dritëro Agollit. Biseda jonë u përqëndrua më shumë te ngjarjet e Kosovës, për të cilat ajo ishte mjaft e informuar dhe fliste me një pezm që të prekte.

-Që besa, more vllazën, atë ç’ka bani për Kosovën, s’e ban kush! Vllau i vërtetë s’e le n’baltë kurrë vllaun.

-A ka shqiptarë në këto anë? –e pyetëm pastaj.

-Posi s’ka! Ka sa të duash, ka në qytet, po më shumë në katund. Veç kur ta marrin vesh e të turren me ju pa e me ju përqafë të molisun prej mallit…

Kosovarja e re s’dinte si të na gjendej, na tregonte për gjithë sa kërkonim, për vendet ku banonin shqiptarët, për emrat e fshatrave e largësinë e tyre, për historinë e dhimbshme të shpërnguljes dhe odisenë që kishin hequr, për lidhjet që mbanin në mes njëri-tjetrit.

-Me thanë të drejtën turqit na duen. Kur i thue turkut se jam shqiptar, ai ngrihet në kambë e të ban nder. Për ta shqiptari asht njeriu i besës, burrë me karakter e trim…

-Shumë na keni gzue e nderue tue ba tanë kët rrugë e tue ardhë deri këtu,-na tha një plak nga Ferizaj.

Një pasdite vendosëm të shkonim në Dortioll, një qytet i vogël disa kilometra larg Iskanderumit. Na thanë se atje ka mjaft shqiptarë dhe se do të gëzoheshin kur të na shikonin. Dhe ne vajtëm atje vetëm, pa asnjë shoqërues vendas, tamam sikur do të shkonim në shtëpinë tonë. Në Dortioll u futëm drejt e në pazar, një pazar i rëndomtë oriental, shpërndarë nëpër disa rrugëza me kalldrëm. Kudo tezga dhe të zotët e tyre ulur këmbëkryq, zëra që ftonin blerësit…I ramë pazarit kryq e tërthor, duke vështruar me vëmendje e duke dëgjuar mos kapnim ndonjë fjalë shqip. Dhe njëri nga ne e kapi një fjalë. Ishim para dyqanit të një kasapi, i cili, i ulur mbi një stol para derës, diçka bisedonte me fqinjin e vet pemëshitës. Ai fliste me të vërtetë shqip. Ne pamë njëri-tjetrin dhe i vajtëm më pranë.

-Arnaut?-pyeti njëri nga ne.

Burri i panjohur nuk lëvizi, vetëm ngriti njërin sy dhe na vështroi me habi e si me dyshim.

-Shqiptar jam,-tha me një zë të plotë.

– Edhe ne shqiptarë jemi.

-Mos u tallni se, për allah, e shikoni këtë?-dhe na tregoi një shkop që mbante në dorë dhe u ngrit sakaq në këmbë. Ishte një burrë hollak, me mustaqe, si shumica e burrave në Turqi, me ca duar të mëdha e me opinga në këmbë. Pa na dhënë dorën ende, hyri në dyqan e solli dy stola e një trung ku priste mishin, e na i vuri përpara.

-Uluni dhe mirë se na keni ardhur!

Pastaj na hodhi nga një cigare në prehër e zuri të pyeste me një ton, që herë na dukej serioz, e herë qesëndisës:

-A jeni ndonjë çikë burra? Sa herë jeni vrarë e sa herë jeni prerë? Si i fitoni paratë, me urtësi apo me trimëri? A keni hyrë ndonjëherë në hapsanë?

Ne buzëqeshëm, vështruam njëri-tjetrin në sy dhe s’dinim si t’i përgjigjeshim. Vetëm kur na u afrua për të na ndezur cigaret, ndiem erën e alkoolit. Ndërkaq, përreth qenë mbledhur njerëz.

-Mos keni gjë punë?- u shqetësua njëri nga ne, kur pa aq njerëz para dyqanit.

-Jo, a derëzi, vijnë për sehir,-ia bëri kasapi me mospërfillje dhe, duke ngritur kokën, thirri një burrë që po kalonte në rrugë:

-Hajde o i vrarë, se ka kanë ardhur vëllezër…

Burri u afrua pak i druajtur dhe na përshëndeti pa na dhënë dorën.

-Ky është Tahsimi, shqiptar prej babai e prej nëne, -shpjegoi kasapi.-Mos doni të tjerë? Ja, të thërras tellallin.

-Jo, jo s’është nevoja,-u hodhëm ne dhe i bëmë vend Tahsimit. Nga pamja dukej njeri babaxhan. Ishte shtatlartë e shpatullgjerë, me sy të zinj me një kasketë të vjetër ngjeshur në kokë e me xhaketë hedhur krahëve si barinjtë. Tahsimi ishte i kursye në fjalë, po kishte një vështrim të zgjuar e disi të mallëngjyer. Nga fjalët e para morëm vesh se ishte punëtor nafte dhe se po shkonte të merrte turnin e tretë. Pastaj na tregoi se në Dortioll e rreth tij kishte mjaft shqiptarë, të dëbuar nga trojet e tyre e të vendosur këtu në vitet 20. Ata kishin ardhur nga Janina e Parga, nga Preveza e Gumenica. Po kishte dhe nga Peja e Gjilani, nga Presheva e Drenica…

-Kemi vuajtur të zitë e ullirit, sidomos prindët tanë, megjithëse vendësit na kanë pritur mirë dhe kemi të shkuar e vëllazëri me ta. Tahsimi fliste  imenduar dhe s’ia vinte veshin ndonjë romuzi të kasapit.

– Po prapë në vend të huaj jemi. Edhe bima që është bimë, kërkon tokën e saj, pale njeriu. E megjithatë, mundohemi të mbetemi shqiptarë. Se, të ngasësh të drejtën, dheu ynë na  i ka dhënë me të dyja duart virtytet. Prandaj, kudo që na ka hedhur e keqja, nuk kemi humbur, po kemi qëndruar shqiptarë me besë e burrëri. Prandaj na nderojnë miqtë dhe armiqtë, kudo qofshin.

– Armiqtë na e kanë frikën,-tha kasapi,-se na e njohin kokën,-dhe tundi shkopin.

Tahsimi sikur s’ia vuri veshin kasapit dhe na zgjati paketën e cigareve. Pastaj tha i ngrysur:

-Jeta në dhe të huaj është e vështirë, e mbushur plot me halle. S’di i ziu njeri kujt t’i bëjë ballë më parë. Prandaj na dhemb zemra kur shohim se jo të gjithë të rinjtë na ndjekin njësoj. Pastaj jemi dhe të shpëndarë, po dhe martesat bëjnë të tyren…S’di, vallahi, si të them…

Biseda e Tahsimit na kishte bërë për vete, aq sa nuk kishim vënë re se njerëzit përqark qenë shtuar. Ata kishin dëgjuar për mbërritjen tonë. Disa na zgjatnin dorën, dikush na përshëndeste me kokë, të tjerë na vështronin nga larg…Në mes tyre vumë re dhe një plak trupdrejtë e me fytyrë të kuqërremtë, me ca sy të vegjël, gjithë mirësi, me një plis të bardhë në kokë. Në qafë mbante një metër e në thile të jakës ca gjilpëra. Dukej, ishte rrobaqepës.

-Jam prej Shkodre,- foli plaku duke na përshëndetur me njërën dorë në zemër.- Ma mirë me thanë se prindët e mi kanë ardhë prej andej. Vetë kam lindur këtu e jam shqiptar e bir shqiptari. S’ka guxue kush me na e trazue gjakun…

-Na mban gjuha shqiptarë,-foli një plak tjetër, që doli nga turma para nesh, me përparësen e gjellbërësit.-Gjuha e nënës, po dhe këngët e vallet. Këto i kemi shumë të bukura dhe s’na lënë të ngatërrohemi e të humbasim me të huajt. Kudo që gjendemi, jemi ne ata që jemi!

Në bisedë u futën dhe shumë të tjerë. Dikush fliste në këmbë, dikush ulur. Po nga mënyra se si flisnin, nga gjestet dhe vështrimi ndihej malli që u vinte së thelli.

-E keni dëgjuar këngën e Çelo Mazanit? Po vallen e Osman Takes e keni parë? – pyeti një burrë i veshur me rroba shajaku, me një fytyrë të mprehtë e flokë të lëshuar mbi ballë. –Janë tonat këto, sis a e sa të tjera. I kemi marrë me vetë e i kemi prurë këtu.

-Lërë, lëre ç’trima qenë!-tha dikush, të cilit i bënë vend të dilte përpara. –Çanin detën me kalë e hapnin rrugën me shpatë, ashtu siç e ka zakon shqiptari…

-Shqipëria, sot po e bën fora,-ia pritën menjëherë disa zëra bashkë.

-Ne vetëm gaz kemi kur dëgjojmë mirë për të…Na shtohet ymri…

Këto fjalë i tha burri i veshur me shajak dhe Tahsimi u ngrit në këmbë e përplasi duart, pastaj edhe të tjerët. Ndërkaq kishte ardhur koha të largoheshim dhe njëri nga ne i ftoi të vinin në shfaqjen që do të jepte ansambli ynë të nesërmen në Iskanderum.

3

Në fillim na erdhi ftesa, pastaj nuk voni dhe erdhën vetë të dërguarit e qytetit të Akçeir. Në qytetin e tyre të vogël organizohej çdo vit një festival artistik, që i kushtohet kujtimit të Nastradin Hoxhës. Po, të Nastradinit. U gjendëm ngushtë, sa na kishin ardhur dhe ftesa të tjera, dhe që t’u përgjigjeshim të gjithëve, duhej të rrinim me muaj të tërë. Populli turk e admiron artin shqiptar, sidomos artin tonë popullor. Po emri i Nastradinit na bëri të mendoheshim mirë. Kjo figurë aq e njohur dhe e dashur te ne, meritonte nderimin. Gazin që na kishte ngjallur në shpirt që në fëmijëri duhej t’ia shpërblenim me këngët dhe vallet tona.

Udhëtimi për në Akçeir ishte diqysh i çuditshëm, me një atmosferë gazi që ndryshonte nga çdo herë tjetër. Shumë prej nesh dinin plot histori e anekdota të Nastradinit, por askush nuk dinte të thoshte saktë diçka për jetën dhe kohën e tij lëre pastaj për vendin nga kishte ardhur. Madje dje njeri ngulte këmbë se Nastradini kishte qenë shqiptar ose, të paktën, se duhej të ketë pasur disa Nastradinë.

Nastradini, i ardhur nga Lindja, hyri në Ballkan dhe qysh herët erdhi dhe në Shqipëri. Atë nuk e sollën oficerët dhe funksionarët e administratës së pushtuesve, po njerëzit e thjeshtë. Këta i mësuan rrugën, dhe Nastradini, krejt si pa kuptuar, kudo që shkoi, u fitoi zemrat. Hyri nëpër shtëpitë tona, u ul këmbëkryq pranë vatrave me gazin e tij; ai lehtësonte jetën e vështirë e plot halle të popullit; e ndihmonte atë të tallej me të fuqishmin e me shtypësit,të luftonte veset e padrejtësitë. Nastradinin e nxori nga gjiri i vet mençuria dhe urtësia e popullit turk. Ai doli nga Anadolli, nga thellësia e këtij vendi, ku rëndonte nata aziatike.

Dhe në kujtim të tij, në mes të Anadollit, në rrugën kryesore afër qytetit Eskishehir, është ngritur një monument i Nastradinit, hipur mbi gomar, po hipur së prapthi, me veshjen karakteristike orientale, me çallmë të bardhë, shallvare të kuqe, me opinga e dolloma ngjyrë blu. Disa kilometra më tej gjendet vendlindja e tij, fshati Sivrisar. Atje është një shtëpi pa mure, po me derë të mbyllur me çelës, që mbahet si shtëpia ku ka lindur ai. Turqit tregojnë se për vendlindjen e tij hahen disa fshatra në Anadoll, ashtu si qytetet greke për Homerin.

Po në qoftë se për vendlindjen ka diskutime, për vendin ku ka vdekur askush nuk kundërshton se është qyteti i vogël Akçeir që ka privilegjin të mbajë varrin e Nastradinit. Prandaj dhe populli i Akçeirit, për të nderuar kujtimin e tij, ka ngritur një mauzole, që është një grehinë tipike orientale për nga arkitektura e zbukurimet. Para varrit gjendet një derë me çelës, ndërsa përqark është krejt i hapur. Pranë mauzoleut vizitorët shohin një pllakë metalike, të shkruar turqisht: “Dunyanin or Tahsim Burasidor” (Këtu është mesi i botës). E mesi i botës a i dynjasë qenkësh nën atë pllakë, ku sipas legjendës është fiksuar gjurma e këmbës së gomarit të Nastradinit!

Në kopshtin e mauzoleut kanë ngritur dhe një sallon modest me piktura e skulptura, vepra me motive gazmore nastradiniane. Kudo shihet Nastradini me gomarin, bashkudhëtarin e vet të pandarë. Gjithmonë serioz, i veshur me rroba karakteristike të orientit, pak i shkurtër, me mjekër të bardhë e fytyrë të thatë, ai të tërheq vëmendjen me sytë e zgjuar e pamjen herë qesëndisëse, herë sarkastike. Asnjëherë nuk është vetëm, po kurdoherë i rrethuar nga dashamirës të gazit të tij. Njeriu buzëqesh vetiu kur e sheh ulur në një breg tek përpiqet të zërë lumin kos, apo tek tall të fuqishmit, kur shikon kazanin e tij të famshëm, apo tek bisedon me gomarin dhe njerëzit përreth qeshin.

Në Akçeir e kudo në Anadoll punojnë tërë ata artizanë; me Nastradinin dhe gomarin e tij përgatiten suvenire, punime në dru e në allçi, medalione…që u  jepen për kujtim të ardhurve. Në Sivrisar e Akçeir organizohen herë pas here festivale e konkurse, sesione shkencore e diskutime. Studiues të huaj bëjnë objekt të hulumtimeve të veta trashëgiminë e heroit komik të Lindjes. Tanimë është e qartë se Nastradini ka jetuar në shekullin XIII, në kohën e rendit të Selxhukëve. Të dhënat e tërthorta burimore e legjendat tregojnë se ai nuk ka qenë njeri i thjeshtë. Sipas tyre del që Nastradini, pasi kishte kryer studimet e larta të kohës, ka punuar si profesor e pastaj si gjykatës. Ai bëri emër për mendjen e shkëlqyer, për zgjuarsinë e hollë dhe, mbi të gjitha, për humorin e mprehtë, origjinal e tepër komunikues. Nëpërmjet shakave dhe gazmoreve që shpeshherë e kishin burimin në mentalitetin dhe aspiratat e popullit të thjeshtë, ai propagandonte ide të shëndosha, optimizmin për jetën, një moral laik, ndihmonte njerëzit për të përballur realitetin e rëndë.

Nga koha që ai vdiq në Akçeir (1284), kanë kaluar disa shekuj, por koha tepër e gjatë nuk e ka vjetëruar gazin e tij. Nastradini është i gjallë në jetën e popullit. Dhe ne e pamë këtë edhe gjatë ditëve që qëndruam në Akçeir: mbledhje shkencore, diskutime, shfaqje filmash e pjesë teatrale. Vetë festivali bëhej për nder të tij. Ansambli ynë artistic ishte pjesa e nderimeve për të. Atmosferën në Akçeir na e bënë më të ngrohtë dhe më intime shqiptarët që gjetëm aty. Ishin të gjithë të shpërngulur nga Kosova.

-Na kujtuem,-thoshte një kosovar i zgjuar, se Nastradini ka le n’trojet tona se, qe besa, na kena folë e kallëzue pë rte, si me ken shqyptar e bir shqyptari. Po s’kenka ksisoj, me thanë të drejtën. Ai na paska ardhë si mik shpie. E Nastradini nuk ka kenë as sultan e as pashë, po dora jonë, se vuente e tallej tamam si nëpër katundet tona.

-Ai na ka nxjerrë mallin e vegjëlisë,-hidhej një tjetër, kur tuboheshim nëpër oda e digjojshim burrat që banin gaz me historitë e Nastradinit e rrotullat e tij.

May 13, 2018 13:28
Komento

6 Komente

  1. Paul Tedeschini May 13, 13:48

    Myzeqar ishe, myzeqar mbete o Nasho.

    Reply to this comment
    • Pandi May 13, 18:44

      Nashoja shqiptar është dhe shqiptar do të mbetet në historinë e artit e të kulturës sonë me veprën e tij dinjitoze letrare, studimore e publicistike!
      Urime edhe për këtë shkrim, profesor Nasho!

      Reply to this comment
  2. Aliu nga Selenic May 13, 20:26

    Shqiptaret kan malle te madhe per vendin e tyre. Ata kan mbushur ter Ballkanin pse jo edhe Evropen.
    Shqiptaret ne te ardhmen jo shume te larget do te jen faktor i rendesishem ne Evrope.!
    Zgjohu shqipotare kudo ku jeni.! Rikonvertoheni edhe nje her ne Kombin tuja,!Koha po ne therret ne ti pergjigjemi asaje.!

    Reply to this comment
  3. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) May 13, 21:41

    Faleminderit dhe MIRENJOHIE-Pr Nasho Jorgaqi.

    Profesor i nderuar, shume te kemi lexuar e na kenaq po mua 82 vjecari Dangelliot,me kete shkrimin e sotem “Malli Shqiperise”,me kenaqet. Nje mjeshteri e vecante tregimi zgjedhur qe te ben te perpihesh ne te, si une kete mbremje mes Tiranes e lexova, duke komunikuar me mbesen,dashuria shpene ne Eskishehir, sot e 25 vjet para .Sot e gezon me bashkehortin e djalin pas nje viti martese,sot mbi 20 vjjecar, pasardhes i Sabedinit,l lidhur jeten me kete, vizitor Kosovar, tek te afertit e tiij ne Tirane, dale fati e mare bashkeshorte,bijen tone Dangeliote Momden,,nje ENGJELLUSHE,mes Tiranes ,lindur e rritur,dashuruar me nje te pare,kaluar dite plazhi,mes familiareve te tyre,atje ne plazhin e Durresit ate vere te fillimm viteve 80t. sot,mes ESKISHEIRIT ate familie te shendoshe,qe nuk i len vizitat ne atdhe sa ne Kosove dhe Tirane familiarisht.
    Me fal Profesor per kete,lapsus po e quaj,po do te ishte nje personazhh ROMANI, per penen tuaj..Ajo ekonomiste e larte e deri sa mbaruar fakultetin, marre funksione deri Shefe llogarie ndermarie mes Tiranes.Na nderonte,sa nderon mbesa e jone,,qe ju befshin ditet njemije Me Djalin Eraj sa bahkeshortin Sadedin,sot prag pesioni,nje jete njeri i punes, me nder e dinjitet, atdhetar mbi atdhetare.
    Nje jave vizite atje ne Eskishehir, vite shkuar dhe mbresat jane te pashlyeshme.mbi te gjitha rrespekti vendasve per shqiptaret,si theksoni dhe JU ne shkrimin tuaj. Ata, thuajse cdo vere,pushimet buze Adriatikut bere, nga Lezha-Durresi, ne Vlor e Sarande.
    JU prifte e mira realiuar ate amanet brezash te paret tane”Bjerini botes ane e mbane po mos e harroni VATANE”.
    Faleminderit Pr Nasho Jorgaqi, per horizontet tona hapur Ju me krijimet tuaja.
    Me konsiderate -82 vjecari sa kthyer nga Toronto.
    -Mesues me gjak DANGELLIE..
    Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D)

    Reply to this comment
  4. Dash May 14, 12:12

    Shume bukur ….faleminderit Profesor !

    Reply to this comment
  5. KodraSadikit May 14, 18:48

    Historite e tilla te jeteses ne Turqi e Greqi si dhe detalet e perjetimet jetesore te bejne teper te ndihesh keq e njikohesish te ndihes mire qe se kan harruar e se harrojne prejardhjen e tyre shqiptare .Tani ne si shtete ame si Shqipnija e Kosova sa po punojme e si duhet vepruar qe atje te haprn shkollat shqipe te qdo niveli siq i ka pakica turke ne Kosoven e vogel …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*