Më shumë se kufiri, ndan standardi i respektimit të pakicave

August 15, 2018 14:35

Më shumë se kufiri, ndan standardi i respektimit të pakicave

Artan Xh. Duka

Në funksion të integrimit në BE dhe kapërcimit të trashëgimive problematike të së kaluarës, rajoni ballkanik është përfshirë nga një valë bisedimesh dy-palëshe si ai Kosovë-Serbi, Kosovë-Mali Zi, Maqedoni-Greqi, Shqipëri-Greqi, Shqipëri-Serbi etj. Në këtë kontekst, mënyra sesi shtrohen gjërat, çfarë kërkohet, ç’vija të kuqe shtrihen etj., janë dhe një test e dëshmi e seriozitetit të kujtdo pale ndaj integrimit në BE dhe vlerave të saj. Nëse integrimi në BE është prioritet real për rajonin, edhe zgjidhjet për problemet e tij duhet të bazohen pa ekuivok në vlera identitare të BE përfshirë këtu edhe respektimin e integrimin real të pakicave kombëtare në të.

Ndarja nuk është në “fjalorin” e BE

Për BE, pakicat kombëtare janë ura dhe jo mure ndarës mes shtetesh, ndaj dhe aludimet për ndarje sipas vijave etnike në rajon, shkëmbime territoriale apo të popullatës etj., reminishenca të së shkuarës janë në vetvete kontradiktore me frymën e integrimit europian.

Ajo që pret BE nga Ballkani në lidhje me respektimin e kufirit nuk është ndarja sipas vijave etnike por toleranca, njohja dhe mirëkuptimi reciprok mes palëve, përballë realitetit të pakicave të shpërndara në të dyja anët e kufijve.

Fryma e BE është fryma e qytetarit europian pavarësisht vendit ku jeton ai brenda BE ku kufijtë kanë kohë që kanë dalë në plan të dytë. Gjermania e Franca, Polonia e Gjermania, Italia e Austria, Hungaria e Rumania etj., shtete të BE, nuk u ndanë sipas vijave etnike pa u futën në BE.

Ndarja sipas vijave etnike nuk dëshmon europianizim por ballkanizim dhe ndonëse mund të reklamohet si një rrugë “shkurt”, në fakt është një rrugë akoma më “gjatë” drejt  BE. Nga BE nuk pritet që të bëhet sehir apo më keq të mbështetet një zgjidhje “ballkanike” për një rajon që aspiron integrimin në të. Ndryshe, do të ishte një bumerang për atë vetë.

Nëse në Ballkan problemet e vjetra zgjidhen jashtë “recetave” të BE, rajoni do të mbërthehej në bisedime, tensione e retorika pafund që përveçse nuk do të garantonin domosdo një zgjidhje përfundimtare e të kënaqshme për të gjithë, mund dhe të zgjasë pafund vetë procesin e integrimit europian sepse vetë BE do të kishte hezitimet e saj.

Edhe sikur të mbyllen sytë ndaj ndarjes dhe rishikimit të kufijve sipas vijave etnike, askush nuk garanton se nuk do të mbeteshin “xhepa” plot sa andej këndej kufirit dhe sërish ajo që do të kërkohet në finale do të ishte ushtrimi i përgjegjshmërisë ndaj statusit të pakicave në vend.

Ajo ç’ka BE pret që Ballkani perëndimor të përmbushë nuk është “zotësia” në rindarjen e kufijve siç ka bërë plot herë në histori por ulja graduale e rëndësisë së kufirit fizik dhe krijimi i kushteve që cilado etni të ndjehet në shtëpinë e saj pavarësisht se ku ndodhet me mbarë rajonin si pjesë të BE.

Problemet në Ballkan duhet të zgjidhen me frymën e BE

Vetë ndërkohë koncepti i rindarjes ka kuptim vetëm nëse është njohur kufiri paraprakisht. Vetë teza e rindarjes është indirekt njohje e kufijve ndaj do të ishte në frymën e miqësisë dhe partneritetit në rajon që Serbia t’i bënte një nder vetes dhe të njihte Kosovën formalisht duke krijuar më pas premisat për dialog real dhe reciprok për çështje bilaterale që nxitin fqinjësinë e mirë dhe përshpejtojnë integrimin e rajonit në BE. Shkëmbimi i territoreve bazohet në një mentalitet dhe qasje arkaike ku kanë origjinën edhe nga shumë problematikat që hasen në rajon dhe afërmendsh nuk mund të serviren si “recetë” për zgjidhjen e këtyre problemeve sot.

Vetë koncepti i shkëmbimit territorial bazohet tek premisa se bëhet fjalë për troje që historikisht u takojnë etnive të ndryshme ndërkohë që fjala vjen, si Kosova veriore ashtu dhe Serbia jugore që po lakohen së fundi në media, janë të dyja troje autoktone shqiptare (arbërore) dhe statusi i kolonit (serbët në Kosovë) nuk ka të njëjtën peshë me atë të autoktonit (shqiptarët ende nën Serbi).

Për më tepër që kudo në rajon autokton janë vetëm shqiptarët dhe, edhe nëse shkëmbimi mund t’i referohet nesër popullsisë (sikundër Lozana dikur) sërish bëhet fjalë për troje të të njëjtës etni, asaj shqiptare. Nëse zotohet për standardet demokratike të BE, Serbia duhet t’i japë fund rolit të viktimës dhe duke kërkuar ndjesë historike për trashëgiminë e saj shoviniste duhet të njohë Kosovën pa asnjë rezervë.

Kosova nuk është Serbi dhe “gozhda” që la pas pushtimi e kolonizimi historik, deri dhe pretendimet absurde për “djepe” (përfshirë këtu edhe kultet fetare që u ngritën mbi rrënoja të mëparshme dhe në shërbim të pushtimit) nuk prekin autoktoninë e Kosovës që mbetet djep i Ilirisë. Ndryshe, harta politike e botës do të ndahej edhe sot vetëm mes Spanjës, Anglisë, Francës, Holandës apo Portugalisë! Mbi të gjitha, Serbia ka detyrimin që si shtet i konsoliduar që është dhe në pararojë të integrimit në rajon, të dëshmojë se ato standarde demokratike që pret të zbatojë Kosova (shtet i sapokrijuar) ndaj pakicave serbe në të, t’i aplikojë e para vetë (shtet i konsoliduar) ndaj shqiptarëve në Serbi.

Fundja, Serbia është pala e humbur nga një konflikt me vetë qytetërimin perëndimor dhe ndërsa paqja normalisht administrohet nga fitimtarët (sikurse ndodhi pas luftës së dytë botërore), Serbisë po i ofrohet mundësia për të qenë pjesë e zgjidhjes për paqen në rajon.

Ndaj dhe nëse ajo insiston sot në Asocionin serb në Kosovë, ajo e para duhet të ofrojë modelin për Asocionin e shqiptarëve në Serbi duke i dhënë fund qasjes me dy standarde që cenojnë premisat për dialog korrekt mes palëve.

Kryefjalë e bisedimeve mes palëve në Ballkan nuk duhet të jenë ndarja, shkëmbimi, kufiri etj., por reciprociteti, vlerat pan-europiane, heqja e doganave, projektet pan-ballkanike etj. Ndryshe, me përdëllimet për integrim në BE, në mos ia kanë me hile Brukselit, gënjejnë së pari veten.

E njëjta qasje duhet të aplikohet edhe me bisedimet me shtetin fqinj të Greqisë. Nëse ka probleme minoriteti, nuk është ai grek tek ne por ai autokton shqiptar i mbetur nga lëvizja e kufirit në Greqi dhe i mohuar sistematikisht prej shtetit grek. Reciprociteti e lyp që të respektohen njëlloj dhe kjo është jetike për bashkëjetesën e popujve tanë “binjak”.

Mbi të gjitha çështja çame mbetet test demokratik, aq më tepër për një vend veteran i BE si Greqia fqinjë. Përmendja pa komplekse dhe zgjidhja e çështjes çame (që nuk ka lidhje me ndryshim kufijsh por me respektim të të drejtave njerëzore dhe kombëtare), shoqëruar me një ndjesë të sinqertë të shoqërisë moderne greke ndaj këtij kapitulli të turpshëm të së kaluarës së saj, do të ishte oguri më i mirë për të ardhmen e paqes dhe harmonisë afatgjatë në rajon. Nëse mund të flitet për korrigjime në Ballkan, duhet korrigjuar 1913.

Koha punon për kauzën shqiptare kudo në rajon dhe kjo përkon edhe me gjeopolitikën e perëndimit dhe mbi të gjitha të SHBA. Ballkani duhet të shkëputet nga e shkuara pa të integrohet në BE dhe kjo vetëm duke huazuar qasjen e BE në zgjidhjen e të gjitha problemeve përfshi edhe trajtimin e pakicave kombëtare. Vetëm kështu Ballkani do të çlirohet nga makthet e së kaluarës dhe asnjë etni jashtë trungut amë nuk do të ndjehet jashtë tij. Biles do të mundësonte edhe ndjesinë e një lloj shteti të “madh” për këdo etni teksa nuk ndan kufiri por ajo se si ndjehesh e respektohesh matanë tij.

August 15, 2018 14:35
Komento

2 Komente

  1. agon August 16, 12:04

    Pikes i ke rene por kete duhet ta kishin bere e ta bejne politikanet tane qe sbejne asgje per kete komb….

    Reply to this comment
  2. Gjek August 17, 21:26

    Shkembime mund te behen si pjese e demarkacionit teknik te kufirit po do jene te vogla, qe te ruajne karakterin multietnik te dy vendeve. Maksimumi ca fshatra te Leposavicit mund te shkembehen me ca fshatra te izoluara te Presheves e Bujanocit qe per shkak te territorit malor e kane me lehte daljen ne Gjilan sesa ne Lugine. Me kete qeveria serbe do u mbushi mendjen popullit te tyre se “moren pazarin me te mire te mundshem”. Rendesi ka qe te ruhet reciprociteti ne shkembim (me siperfaqe) dhe ne te drejtat e etnive (formimin e bashkesive minoritare).

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*