Me Vlashentin dhe miqtë në vendin e zanave

August 25, 2017 13:33

Me Vlashentin dhe miqtë në vendin e zanave

 

Nga Entela Resuli

Ai është i qetë. Nuk bërtet. Krijon, këndon dhe organizon. Vlashent Sata është kantautor shqiptar, i lindur dhe rritur në Tiranë, por i shkolluar dhe formuar në Francë. Sata, për 13 vite ka dhënë mësime Pianoje në konservator atje. E do shumë  vendlindjen. Frymëzohet prej saj. Muzika e tij flet shqip gjithandej.

Këtë herë, Vlashenti ka lënë për disa ditë Francën për të ndërmarr për herë të parë organizimin e një festivali të veçantë në Theth. Ka një lidhje shpirtërore me këtë zonë, pasi familja e tij është nga Shkodra.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ka bërë bashkë kantautorët Elina Duni, Shpat Deda dhe aktorin Arben Barjaktari. Të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe vetën, do të këndojnë dhe do të rrëfejnë histori që për shumëkënd mund të jenë të padëgjuara, ndërsa për të tjerë, të harruara.

Ndaj më 26 gusht, Thethi do të bëhet skena magjike e “Za Festival”, i cili vjen me synim vënien në pah të trashëgimisë kulturore dhe të bukurisë natyrore në Alpet Shqiptare. Në të njëjtën kohë, ky festival do të shërbejë  për të bërë bashkë njerëz nga Shqipëria, Kosova, Mali i zi e më gjerë, në një festë që do të zgjasë deri sa të lindë dielli. Kantautori Sata, njëherësh ideator dhe Drejtor Artistik i Festivalit tregon se ky festival do të ndërgjegjësojë vizitorët për mbrojtjen e mjedisit.

Në një intervistë për Dita-n, Vlashent Sata tregon më shumë për këtë festival, por edhe për veten.

-Vlashent, këtë herë vjen në Shqipëri për një projekt interesant “Za Festival”, na tregoni diçka më tepër për këtë organizim?

Ky projekt ka lindur si një dëshirë e imja dhe e njerëzve të Thethit për të realizuar një koncert atje. Në fillim ideja ishte të isha vetëm, në mbështetje të një kauze të caktuar. Më vonë, e mendova më gjatë dhe thash pse jo të realizoj një festival, siç kam parë edhe jashtë, duke rizgjuar në këtë mënyrë edhe kulturën shqiptare me kantautorët më të mirë që unë mendoj se kemi, që janë: Elina Duni dhe Shpat Deda. Janë artistë që përfaqësojnë muzikën shqiptare, brenda dhe jashtë vendit me dinjitet, cilësi dhe origjinalitet. Doja të fusja në këtë festival edhe rrëfime e gojëdhëna që janë disi të harruara ditët e sotme. Për këtë pjesë, në festival do të jetë i pranishëm një nga aktorët më të mirë që na përfaqëson në botë, Arben Bajraktari.

-Pse u zgjodh Thethi si destinacion?

Sepse jam i dashuruar me atë vend dhe mendoj se veriu i Shqipërisë ka nevojë për më shumë vëmendje në të gjitha aspektet. Thethi, është bërë i famshëm jashtë vendit në mënyrë autonome, për mikpritjen dhe bukurit natyrore. Do të doja të kishim më shumë marrëdhënie me ata njerëz që kanë qenë të izoluar për një kohë të gjatë.

-Ju jeni nga Shkodra, ndoshta duhet të keni qenë më parë në këtë vend, çfarë ndjesi keni kur jeni aty mes malesh?

Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë. Origjina e familjes është nga Shkodra. Di të them që kultura shkodrane më ka magjepsur dhe influencuar qysh kur isha fëmijë, këtë gjë e kam transmetuar edhe në muzikën time.

-Keni kujtime në Shkodër?

Kujtimet me Shkodrën i kam kryesisht gjatë periudhës së verës kur shkoja me pushime aty. Më kujtohet kur njerëzit dilnin me biçikleta dhe përshëndesnin njëri-tjetrin. Kishin një lloj dashamirësie dhe njerzillëku shumë të veçantë. Kishin një kulturë për të jetuar bashkë, për të gëzuar dhe kënduar bashkë. Në familjen tonë, gjithmonë është kënduar, çdo të diel, pasi vinin shumë miq, që gjithmonë ishin nga Shkodra. Dhe imagjinoni kur bashkohen shkodranët, ka  vetëm gëzim dhe hare.

-Ju frymëzon natyra e Thethit për të krijuar muzikë?

Thethi më frymëzon në të gjitha drejtimet. Qoftë për të krijuar muzikë, qoftë për të shijuar dhe kuptuar se sa e pasur me ngjyra dhe e ndryshme është natyra shqiptare. Që do të thotë duhet të jemi më të ndërgjegjshëm, duke e vlerësuar dhe punuar për të, duke e mbajtur dhe e ruajtur nga shkatërrimi. Kjo natyra duhet t’i trashëgohet brezave.

-Vlashent, ju je jetoni në Francë, çfarë gjeni në aty?

Në Francë jam shkolluar dhe kam përfunduar studimet për piano. Kam dhënë mësim 13 vite në konservator për piano. Tani punoi me baletin konteporan për spektakle të ndryshme, krahas koncerteve që kam me muzikën time dhe me albumin “Hana” i cili është shpërndarë në shumë radio të botës.

-Sa ka ndikuar muzika shqiptare, folku ynë në realizmin e këngëve të tua?

Mendoj që ka shumë folk në këngët e mia, jaret janë shumë aty, melodizmi, melizmi  i këngëve shkodrane, dhe patjetër ka ndikuar edhe edukimi im si muzikant klasik. Të gjitha këto kanë bërë që muzika ime të jetë goxha e pasur. Është diçka që me identifikon dhe besoj njerëzit e dallojnë rrugën time shumë personale në muzikë dhe te këngët e mia.

-Ju, jo rastësisht jeni muzikant, çfarë ndikimi kanë patur familjarët e tu tek ti, sidomos babai?

Im at është tenor, kështu që, sa më shumë kalon koha, aq më shumë kuptoi se është një person shumë i pasur dhe që ka një talent të fuqishëm multidimensional. Babai më ka ndihmuar shumë pasi ka edhe një filozofi jetë shumë të lirë. Kanë ndikuar edhe motrat, që janë muzikantë, por edhe mami që ka qenë gjithmonë pranë nesh.

Unë mendoj që muzika duhet të jetë diçka e detyrueshme për çdo njeri, për formë shprehje, pasi të  ndihmon të jesh më i butë, më njeri, më i dashur me veten dhe me ata që janë rreth teje.

Ju punoni dhe udhëtoni shumë, por ku e gjeni lumturinë?

Te njerëzit, te njerëzit që e kanë zemrën në dorë, që ta japin atë dhe që nuk ngurojnë ta ndajnë me ty jetën. Të ndash jetën, është të jesh i lumtur, për mendimin tim.

-Çfarë të acaron, mërzit, nervozon?

Padituria. Përtacia e paditurisë. Ajo është një gangrenë që të bluan dhe humbet pa dashje ose në mënyrë të pavetëdijshme.

-Duke e parë nga jashtë mendoni se muzika në Shqipëri po dëmtohet, ç’mendoni për nivelin e këngëve që prodhohen në vendin tonë?

Kam shumë besim te brezi i ri dhe do të doja t’i ndihmoja sa kam mundësi, paçka se jam i ri për vete, që ata të stimuloheshin dhe të krijonin muzikën e tyre. Por unë do të kisha dashur që krijimi të kishte një raport me jetën e njerëzve këtu. Mos të ishte një shëmbëllim i diçkaje që tentojnë të imitojnë, thjesht për të qenë me kohën. Mund të jemi edhe me kohën edhe të ruajmë një identitet personal të kulturës sonë. Jo detyrimisht të lidhur me vendin, por me individët dhe me jetën që kemi jetuar këtu, pa sforcime sintetike që nuk na përkasin në mënyrë të natyrshme.

-Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Kam shumë këngë që mund të jenë “vajza” si gjini. “Hana”, patjetër është një këngë sensuale dhe që ka shumë poezi brenda. Ajo trajton shpirtin, frymën e një vajze, ritmin, goditjen e qepallave të syve, aromën, këmbët zbathur, gjithçka ç’ka e bënë një femër magjike, por sidomos zemrën ndoshta, zemrën dhe atë forcën që ka një femër për me dash.

-Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Nuk do i bëja pyetje një gruaje, por do ta dëgjoja. Do tentoja ta dëgjoja.

 

August 25, 2017 13:33
Komento

2 Komente

  1. manti August 25, 23:41

    Ky ja fut kot se me sa di une nuk eshte kurkushi atje ne paris. Thjeshte shoqeron nje grup baleti kur bejne prova. Vdesin ne shqiperi qe te prallisen me yje te paqena. Ky eshte niveli aty dhe media me hiçra te tilla ushqehet.

    Reply to this comment
  2. MH August 26, 01:31

    Mos je i biri i Loro Sates.I cili ka kenduar jashtzakonisht ambel.Njeri mjaft i edukuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*