Me Ylli Xhaferrin në vite

November 19, 2020 12:59

Me Ylli Xhaferrin në vite

Enver Kushi

(In memoriam)

 

Shkoi dhe Ylli Xhaferri, mësuesi i apasionuar i letërsisë, poeti, prozatori dhe publicisti i talentuar, miku im i rinisë dhe i viteve më pas, deri në fitët tona. Them “shkoi”, sepse fjala “vdekje” është e huaj, e largët, shumë e largët për njeriun, mësuesin dhe krijuesin Ylli Xhaferri. Ai ka lënë kudo që ka punuar nga Kalisi i largët i Kukësit, qyteti i Rrogozhinës apo Tiranë, gjurmë që nuk mund t’i gërryejnë shirat e  kohërave, vepra në poezi, prozë publicistike, të vlerësuara nga personalitete të letërsisë shqipe . . . E megjithatë ai mbeti deri në fund të jetës së tij modest, larg publicitetit, herë-herë fals, që rëndomë e hasim dekadat e fundit në Shqipëri.

Ai ka shkuar që nga mesdita e të dielës së 15 nëntorit të këtij viti, kur mbylli sytë i lodhur me betejën me murtajën e këtij shekulli, corona virusin vrastar. Ka shkuar për t’u rikthyer në familjen e tij, pranë Fluturës, Holtës, Drilonit, nipërve dhe mbesave, vëllezërve dhe motrave, miqve të shumtë, i qeshur, me energji pozitive e për të na thënë ne të gjallëve: “ Ja ku Jam. Prap mes Jush. . . “. Sepse njerëz dhe krijues si Ylli Xhaferri nuk vdesin, por shkojnë dhe rikthehen me veprën e madhe që kanë lënë pas … Ora apo çasti i fundit, kur ai ka hedhur shënimin në faqen e tij në fcb. më 5 nëntor 2020 : “Këto dy foto me miqtë e mi bashkëqytetarë Enver Kushi dhe Xhelal Tosku, shkrepur nga fotografi i qytetit tonë, i ndjeri Zyhdi Saraçi tek ura e lumit Shkumbin, ku zgjatnim xhirot tona muzgjeve për të diskutuar problemet e kohës . . . “, nuk është ky. Ylli Xhaferri do vazhdojë të shkruaj bukur dhe ngrohtë për Rrogozhinën, shkollën e mesme “ Haxhi Qehaj”, kolegët dhe ish nxënësit e tij, për miqtë brenda dhe jashtë Shqipërisë apo do postojë fotografi nga qiejt dhe deti i Currilave, zogjtë, pranverën dhe vjeshtën e pemëve, lindjet dhe perëndimet e diellit, hënën mbi det, retë gri e të bardha që shfaqen si copa ëndrrash apo shpirtëra krijuesish që nuk janë më . . . Si e kam njohur Ylli Xhaferrin? Do përpiqem të risjell kujtimet e mia me të në vite.

 

Në Rrogozhinë: Periferia e qytetit

 

Ai ishte një qytet i vogël, shumë i vogël, ku kryqëzoheshin rrugët me pluhur e që lidhnin Jugun, Juglindjen dhe atë qendrore e Veriun e vendit. Pranë këtij kryqëzimi ishte ndërtuar një fabrikë e vogël sapuni, ca dyqane të vjetër, një shtëpi dykatëshe. . .  më tutje derdhej lumi Shkumbin, në një shtrat të gjërë dhe të qetë . . .

Në vitet ’50-të të shekullit që lamë pas, me ndihmën e sovjetikëve, në  Rrogozhinë u ndërtua Fabrika e Zhveshjes së Pambukut, e cila u bë bërthama e zgjerimit dhe popullimit të qytetit. Në Rrogozhinë erdhën banorë të rinj, thuajse nga e gjithë Shqipëria. . . në juglindje, në një lagje më vete me emrin “ Miqësia”, ishin vendosur çamër, të shpërngulur me dhunë nga Çamëria në vitet 1944-1945. Në qendër dhe pranë Uzinës së Pambukut, në ca shtëpi të vogla, ndërtuar nga sovjetikët, të ardhurit ishin nga e gjithë Shqipëria. Në pjesën veri-perëndimore, atje ku ishte tuneli hekurudhor, ose më saktë mes rrugës automobilistike dhe hekurudhës, ishte lagja që quhet SMT. Kjo lagje ishte në periferi të qytetit dhe ndoshta ishte nga më interesantet. E them këtë nga përbërja e atyre që ishin vendosur atje: pranë tunelit, në vitet 1947-1948 erdhën nga Greqia, si pasojë e Luftës Civile, shumë familje që u riatdhesuan nga fillimi i viteve ’60. Në këtë lagje periferike të qytetit, kishte të ardhur nga Labëria, Përmeti, Skrapari, Çamëria, minoritet grek. Në takimin e fundit me Yllin, në tetor të këtij viti, mbaj mënd që kujtuam lagjen e fëminisë dhe rinisë së herëshme të tij, grekët me dhimbjen e tyre, çamin Qamil Iljazi, që e fliste mirë greqishten dhe takohej shpesh me grekët e EAM-it, disa prej të cilëve ai i njihte kur ishin në Epir. Ky mjedis, me një kolor nga më të çuditshmit, ka ndikuar në formimin e Ylli Xhaferrit si poet dhe prozator. U binda për këtë, teksa rilexova librin “ Dengu i shpresës”, një përmbledhje me reportazhe, komente politike, kritikë letrare, ku me shkrimin “ Enciklopedia e munguar”, ai shkruan: “Teksa udhëtoja drejt qytetit të Rrogozhinës, tek Bishti i Zhurit, pikërisht aty ku del tuneli hekurudhor, vepër e përjetësuar në pikturë nga peneli i peizazhist elitar, Vangjush Mio, ndala. Kujtimet më gëluan si delet e bardha në trinën e vathës, për më tepër që aty, kishte rrjedhur rrëmbyeshëm e plot turbullira fëmijëria ime dhe e moshatarëve të mi . . . Ajo lagje e varfër periferike kishte qenë djepi i ëndrrave tona . . . Hapësirave të dashura vrapoja këmbëzbathur, kujtoja predhat e paplasura të Luftës Dytë Botërore, lodrat tona të rrezikshme, qeramikën e shumtë antike tek Kodra e Kishës, muranat e vjetra, ku luanim kukafshehtas, kanalin Peqin-Kavajë . . . Mendimet morën të përpjetën drejt fshatit Proshkë, ku qenë ngulur disa familje partizanësh grekë në fundin e viteve ’40. . . këta njerëz të përzënë përdhunisht nga vatrat e tyre, këta grekë dhe çamër të mirë, bashkëjetuan mes tyre pa shënuar edhe incidentin më të vogël, duke ndarë kujtimet e vatrave të braktisura. Ato familje të thjeshta greke, u integruan për afro 20 vjet me jetën e qytetit, me doket dhe zakonet e tij, duke dhënë e marrë me njeri-tjetrin si fqinji me fqinjin. Kujtoj Kriston me djalin e tij Miçon, Vasilin, Poliksenin, Lefterin e sa e sa djem që mbaruan gjimnazin e qytetit, krahas djemve dhe vajzave të Rrogozhinës . . .

Kisha ndaluar tek shtëpitë e çobenjve. . . Vllehët u vendosën në dalje të tunelit, duke u bërë njësh me relievin gjeografik, udhëkryqin historik dhe bashkëjetesën kulturore shëmbullore të qytetit , . .”

 

Viti 1972: Me Yllin si nxënës

 

Në fillim janarin e vitit 1972, nisa punën si mësues i letërsisë në shkollën e mesme “Haxhi Qehaj” Rrogozhinë. Mbaj mend ditën e parë, kur më priti në zyrën e tij drejtori i shkollës Bujar Mersini. Bujari ishte një burrë i gjatë, shumë serioz dhe vishej bukur. U ula në karrike dhe drejtori më uroi mirëseardhjen, duke më inkurajuar si mësues i ri dhe shprehur besimin, që do t’i jepja impuls të ri dhënien e letërsisë, se kolektivi ishte i vogël e se disa mësues më njihnin si ish nxënësin e tyre. . . Pastaj zbritëm në katin e parë, ku në dhomëm e mësuesve, Bujari më prezanton me kolektivin. Isha i emocionuar. Mbaj mend ish mësuesit e mi: Besnik Bedalli, Ndriçim Gani, Aleko Gjoni, që më përqafuan. Të tjerët Vasil Nanushin, Aleksandër Gjirin, nuk i njihja. Njihja mirë Polizoin Rajdhon, që kishim qenë bashkë në gjimnazin e vjetër të Rrogozhinës e që kishte mbaruar studimet e larta për matematikë. Gjithjashtu edhe Agim Myrton, shokun tim të klasës, që gjithashtu jepte lëndën e matematikës. Edhe Agron Male, që gjithashtu kishim qënë në një klasë në gjimnaz dhe që niste punën së mësues i fizikës.

Nuk do ta harroj kurrë, momentin kur drejtori i shkollës Bujar Mersini, pasi më dha regjistrin e klasës së tretë, më prezantoi para nxënësve të kësaj klase. Pastaj ai doli dhe unë i hodha një shikim të shpejtë nxënësve. Shumicën e njihja, Në këtë klasë ishte edhe motra  ime, Azbija, Fiqirete Mehmeti, Shpresa Çela, Luan Tosku, Xhavit Murrani . . .  Edhe Ylli Xhaferri. Ai ishte ulur diku nga fundi. . .  Duke bërë apelin, kërkova që secili nga nxënësit të prezantohej. Pastaj u thashë se bashkë do të vazhdonim këtë tremujor, deri në fund të vitit, të isha mësuesi tyre i letërsisë. I pyeta nëse u pëlqente letërsia dhe se a lexonin, krahas librave që i përfshinte programi, edhe të tjera. Vura re që jo të gjithë lexonin ose më saktë mjaftoheshin vetëm me ato që përfshinte programi. Vija re që më ndiqnin me vëmendje. Po gazetën “Drita” e lexoni, pyeta. U ngritën dy a tri duar. Mes edhe ajo e Yllit. Ylli dukej më i shkathti mes tyre. Herë-herë më dukej i papërqëndruar. Ishte tip sanguini . . . Mësuesi kujdestar i kësaj klase, Bujar Bedalli, në ditët më pas më tha se ishin nxënës të mirë e se duhej treguar kujdes në marëdhëniet me ta.

Dua të përmend edhe një fakt tjetër, hartimet e nxënësve. Mbaj mend që orën, kur pasi kisha korigjuar hartimet, u kushtohesha tërësisht atyre. E ktheja këtë orë jo vetëm duke vënë në dukje hartimet më të mira, por duke marrë edhe mendimet e nxënësve për to. Herë-herë bëja humur (që nxënësit më mirëkuptonin) me hartimet e dobta ose “gafat” në të shkruar. Ylli ishte më aktivi në këto diskutime, siç ishte më aktivi në orët e komenteve, ku unë përpiqesha të vija në lëvizje mendimin krijues të nxënësve.

Një ditë, pasi kishte mbaruar dita e mësimit, e thirra veç Yllin. I kërkova mendim sesi mund ta organizonim ndryshe rrethin letrar dhe gazetën e murit “Letrari i ri”. E dëgjova me vëmendje dhe e caktova që të drejtonte rrethin letrar të shkollës, duke i thënë si edhe gazeta e murit duhej konceptuar ndryshe, duke botuar cikle me poezi ose skica të një nxënësi letrar, si dhe mendime kritike për to . . . kështu u veprua. Nuk e di se në ç’vit ishte Xhelal Tosku, tashmë  një talent i veçantë në poezi. Pastaj Ylli më dha një fletore, ku kishte shkruar shumë poezi dhe disa skica. I lexova me vëmendje. Dukej që ishte djalë i talentuar, pavaresisht pathosit të tepruar, që ishte e moshës. Ylli Xhaferri ishte për mua jo vetëm i talentuar, por lexonte më shumë se të tjerët. Në ato vite, ose më saktë, në maturën e Yllit (1972-1973), guxova që të dal jashtë programit të letërsisë, t’u jap nxënësve edhe disa njohuri mbi letërsinë moderne. I kisha të freskëta leksionet që shkrimtari Ismail Kadare, na dha gjatë vitit të fundit të studimeve në Universitet. Ylli Xhaferri ma kujtonte shpesh këtë dhe më falenderonte për të rejat që kishte marrë nga leksionet e mia për letërsinë moderne dhe emra të tillë, si Xhejm Xhoin, Marsel Prust, Jonesko Franc Kafka etj. etj. ( duke i trajtuar si shkrimtarë “dekadentë”, por në esencë nxënësit nën këtë etiketim, mësonin për ca shkrimtarë, që shkruanin ndryshe). Ndoshta në një nga këto orë mësimi, erdhi për kontroll nga Seksioni i Arsimit i Durrësit, mësuesi i letërsisë së gjimnazit të Kavajës, Hyqmet Patozi. Hyqmeti ishte një nga mësuesit më të mirë të letërsisë së rrethit të Durrësit. I gjatë, serioz, kërkues dhe në pamje të parë “i rreptë”, ai u ul në bangën e fundit, hapi një bllok dhe po ndiqte me vëmendje orën e mësimit. E ndërtova ndryshe atë orë mësimi: nxënësit ishin në një rol tjetër, në atë të nxitjes së mendimit krijues të tyre. Më nderuan. Ylli Xhaferri padyshim ishte më aktivi. Ishte e hënë dhe ai e disa të tjerë kishin lexuar gazetën “Drita”, duke folur për prozën, poezinë apo shkrimet kritike të botuara në të. Hyqmeti ndiqte me vëmendje klasën që gëlonte nga mendimet. Edhe pjesën e dytë të orës së mësimit, komentin për një fragment nga drama “Toka jonë” e ndërtova ndryshe: nxënësit ishin vënë në rolin e personazheve dhe në fund, secili analizonte karakterin e personazhit që kishte interpretuar. Minutat e fundit fola për dramën si një nga gjinitë më të vështira dhe traditën e saj në letërsinë shqipe. Kur dolëm në koridor, Hyqmet Patozi më dha dorën e më përqafoi. Ishte ai që më promovoi në seksionin e Arsimit, si mësues të ri letërsie dhe të pasionuar. Gjej rastin ta falenderoj publikisht, siç dua të falenderoj, pas kaq shumë vitesh edhe ish nxënësit e maturës 1972-1973, veçanërisht Ylli Xhaferrin e talentuar dhe të pasionuar për letersinë.

 

Në vend të mbylljes

 

Në shtator të vitit 1973, Ylli nisi studimet në degën Gjuhë-Letërsi të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. U realizua një nga ëndrrat e tij. Sa herë vinte në Rrogozhinë, takoheshim dhe më fliste për jetën studentore, pedagogët, shokët e kursit, veçanërisht ata të dhomës. Në vitin 1997 shkova në Tiranë, në një kurs kualifikimi për mësuesi. Në ato vite, në gazetën “Drita”, ishin botuar disa tregime të miat, që ishin vlerësuar edhe me çmime vjetore. E megjithatë, vazhdoja të isha i ndrojtur dhe pse jo, me kërkesa ndaj vetes e modest. Ylli Xhaferri, natyrë e gjallë dhe entuziaste, më kishte bërë të njohur në rrethin e tij shoqëror, prandaj kur më ftoi në qytetin “Studenti”, ndjeva ngrohtësinë e shokëve të dhomës, bashkëstudentë me Yllin. Që nga ajo kohë, u bëra miq me ta, që më pas, u bënë emra të njohur të letërsisë shqipe. Mbaj mend Abdulla Tafën, më i madh në moshë se Ylli dhe të tjerët. Që në takimin e parë, më bëri përshtypje sjellja e tij prej aristokrati dhe kultura e gjërë. Për mua ishte i njohur, sepse botonte poezi në shtypin e kohës. Halit Shamata, ishte nga Kavaja dhe shkruante poezi. Fatmir Shqarri, me të folurën karakteristike të Peqinit, dukej djalë i qeshur dhe me humor. U njoha dhe me Agim Isakun, që ishte nga Bilishti, poet dhe me një të folur të shpejtë. Edhe unë u lidha ngushtë me ta, veçanërisht me Dullën, Halitin, që ishin nga Kavaja, me të cilët takoheshim shpesh sa në Kavajë, aq edhe në Rrogozhinë. Ylli Xhaferri, me natyrën e tij të gjallë, i bënte edhe më të gëzuara bisedat tona. . . Pastaj erdhën vite të tjerë . . . Yllin e emëruan në Kalisin e largët . . . Atje ai u njoh dhe u martua me Fluturën, një vajzë e mirë dhe e ndrojtur, që ja  bëri më të bukur jetën familjare Yllit. . . Pastaj erdhën ca vite të tjera, kur Ylli u rikthye mësues i letërsisë në gjimnazin e Rrogozhinës dhe më pas drejtor i kësaj shkolle, ndërsa unë, që nga viti 1983, u largova nga qyteti i vogël, për të nisur një jetë tjetër në Tiranë, në Kinostudios “Shqipëria e Re”. E megjithatë e ruajtëm miqësinë me Yllin . . .Nuk do t’i harroj kurrë pushimet verore, kur Ylli vinte nga Kalasi i largët. . . Nuk do t’i harroj kurrë pasditet e vona të verës dhe xhirot që bënim, duke ecur nëpër trasenë e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, bisedat për letërsinë, problemet e kohës . . . E ndërsa dielli perëndonte tutje, atje ku Shkumbini derdhej në det, ne shijonim muzgjet e gjatë, ndoshta nga më të gjatët e të bukurit në botë. . . Pastaj babai im doli në pension. Edhe Haliti, babai i Yllit. . . Ata ishin miq, pinin kafe bashkë ose gjatë verës, dilnin për të mbledhur rigon në kodrat e buta që qarkonin Rrogozhinën. . . Edhe nëna ime, me Dizin, nënën e Yllit punonin bashkë, ndërsa unë dhe vëllezërit dhe motrat e mia jo vetëm njihnin, por kishin respekt reciprok për vëllezërit dhe motrat e Yllit. Dhe kaluan vite e vite . . . Rrodhën shumë ujëra të Shkumbinit në det . . .Ylli dhe Flutura u gëzuan me Ferdin, Holtën dhe Drilonin … Dhe pastaj Ylli me familjen e tij erdhi në Tiranë. U gëzova dhe menjëherë shkova në shtëpinë e re për ta uruar. . . Eh . . .jeta i ka të dyja: edhe gëzimin, edhe  hidhërimin… Ylli dhe Flutura u plagosën rëndë, shumë rëndë, nga largimi nga kjo jetë e Ferdit. Ai ishte vetëm 33 vjeç, në moshën e shenjtërisë, kur Perëndia e mori në gjirin e saj… Dhe pastaj erdhi viti 2020, pas vitit 2019, ose vitit të tërmeteve shkatërrimtare. I rëndë ky vit …  Kobëzi si asnjë tjetër jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë globin. Dhe erdhi e diela e datës 15 nëntor, kur Ylli Xhaferri e humbi betejën me mortajën e shekullit, korona virusin. . . Ylli shkoi . . . La një pikëllim dhe dhimbje të pangushueshme për familjen, miqtë e tij të shumtë. Largimi i tij i beftë mua, mikun e kahershëm, më ka krijuar hone dhe kratere boshllkëku . . .

Të hënën, pikërisht  pak minuta para se ora të shkonte 14 00 më telefonon Haliti, një nga miqtë e vyer të Yllit. . . Zëri i Halitit dukej sikur vinte nga humnera dhimbjeje . . . peng? Më shumë se peng kishin fjalët e tij: “O Zot! Ç’kohë jetojmë! Si ka mundësi që unë dhe ti Enver, të mos marrim pjesë në ceremoninë mortore të Yllit !”

Dola në ballkon dhe pashë orën. Donte edhe pesë minuta të shkonte dy. Jashtë është një qetësi gati-gati hënore. . . drurët e rrepave kanë ulur krahët në dëshpërim dhe qielli i Tiranës bëhet më i plumbtë. Pastaj dal në anën tjetër të shtëpisë ose në perëndim . . . Është i njejti qiell gri, shumë gri. Vështrimin e hedh andej, ku është shtëpia e Yllit. Ora është 14.00 Me sytë e mëndjes ndjek kortezhin, Fluturën, Holtën, Drilonin, vëllezërit dhe motrat, nipërit dhe mbesat e Yllit. Ku po e çoni Yllin? Dhe më shfaqet porteri i bukur i Ferdit . . . Tutje në horizont, atje në varrezat e Sharrës. . . Pret Yllin, babain e tij të dashur. . .

 

Nëntor, 2020

November 19, 2020 12:59
Komento

4 Komente

  1. astrit November 19, 18:07

    Na iku nga kjo bote dhe nje tjeter njeri i mire.Qofte i xhenetit.

    Reply to this comment
  2. Krist November 19, 21:59

    Enver,te ndjek me shume endje,sepse je origjinal,shume i sinqerte dhe dukesh njeri,me zemer te madhe.Kam bindjen se edhe kur ven kemben nje hap para,kur hecen,ruhesh dhe tregon kujdes,se mos shkel ndonje mize.Cfrytezoj rasti,te bej nje korrigjim:Thua,se me 1997 kur shkove ne Tirane…….kam pershtypjen se duhe te kete qene viti 1977,dhe kjo sikur vertetohet edhe ne vijim te shkrimit tend.Mendoj se do jete gabim shtypi-gjera qe ndodhin,por,nuk i bejne kornize,shkrimit tend.me hume e kam,per lexuesit,Ju pershendes.

    Reply to this comment
  3. demo November 19, 22:56

    Zoi Rajdho ka qene nga studentet me te shkelqyer te Universitetit te Tiranes ne Matematike.Kete ma ka thene profesoresha B.V.qe e kishte ne kurs.Vajten e syrgjynen andej nga Mirdita,ku mori nje semundje te pasherueshme.Vendi yne talentet ne matematike dhe shkencat egzakte i ka te rralle.
    Llokober letersi,histori,lloqexhij ka sa te duash.

    Reply to this comment
  4. Albert November 21, 01:30

    I qofte i lehte dheu, Yllit, njeri i mire, mesuesi pasionant, krijuesi i talentuar. Ngushellime famijes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim