ME ZEMËN TË HAPUN / Luli B e pranon: Është një nga ato dekadat kur s’të preket punë me dorë

August 9, 2019 22:57

ME ZEMËN TË HAPUN / Luli B e pranon: Është një nga ato dekadat kur s’të preket punë me dorë

TIRANË – Pasi na hap derën, 45 vjeçari Luli B pranon për ekipin tonë të xhirimit se limontia është arsyeja kryesore pse e kemi gjetur në pizhama dhe jo me ndonjë palë rroba të hajrit, ose të paktën të pranueshme.

“Po hë, si jeni, ça bëni njëherë, keni bërë ndonjë çikë plazh?” thotë ai me përtesë, sa për të bërë adetin.

Dhe shton: “Plako, nuk shtyhet fare”.

Në fakt, ashtu duket. Disa kuti picash të shpërndara në tryezë, kanoçe me gazozë (bah, birrën s’e vë në gojë, se më kanë thënë që ka alkool, sqaron ai) dhe televizori i ndezur tek emisioni i lajmeve në Zjarr TV, tregojnë se në apartament s’ka vënë dorë njeri prej ditësh.

Luli B thotë se kishte ardhur e shoqja para pak ditësh, hëngri ca trekëndësha pice dhe u largua për në Hollandë te kalamajtë.

“Edhe unë e kam pasaportën. Më thonë shokët, si ore ke pasaportë holandeze dhe rri akoma këtu? Po dhe atje nuk shtyhet o byrazer. Kemi një jetë që po na bie bretku,” i përgjigjet Luli B pyetjes që nuk e kemi bërë, por që mesa duket, e kishim çuar në mend.

Ndërkohë, i zoti i shtëpisë e kupton që duhet të japë njëfarë justifikimi për rrëmujën.

“Nuk e fsheh, jam duke kaluar një nga ato dekadat kur, e keni parasysh, nuk të preket gjë me dorë, nuk të bëhet asgjë”, deklaron çiltërsisht burri. “Ja, viti 2019 ka hyrë prej kohësh dhe mua më vazhdon ai dembelizmi  i ëmbël që na zë nganjëherë të gjithëve”, thotë ai, duke shtuar se kështu si janë punët, ka vendosur që thjesht të rrijë shtrirë në divan për pjesën tjetër të dekadës dhe të lundrojë në internet, ose të luajë lojra në televizor.

Luli B kujton ditën e parë pas vitit të ri 2012, kur u çua në mëngjes me atë ndjesinë që kap secilin prej nesh herë pas here, të tipit “uee plako, sa përtoj”.

“Kisha gjashtë muaj kryetar bashkie. Seç më kishte mbërthyer një energji e hatashme ato muaj, a thua se kisha pirë dy kafe streto bashkë. Por sa hyri 2012, sikur m’u prenë krahët,” kujton Luli B.

Me përjashtim të disa zhvendosjeve të vogla me këmbë nga zyra në bulevard, nga teatri në kryesinë e Kuvendit dhe prapë në zyrë, 7 vjet më vonë nuk është se ka lëvizur diçka.

“Disa dekada, të ndodh të ndihesh i supermotivuar për të bërë gjëra, për të lëvizur, bërë ndonjë punë, zbatuar ndonjë ide, takuar njerëz etj. Mendo, edhe Gadafin vajta e takova në mes të rërës”, mediton me zë Luli B, “dhe ndonjë dekadë tjetër, robi do thjesht të luajë videolojra dhe të porosisë pica në telefon”.

Duke kërkuar falje që foli vetëm për veten – në fakt, për këtë kishim shkuar – i zoti i shtëpisë i ra ballit me pëllëmbë:

“Puu sa i paedukatë! Daleni t’ju qeras me ca amareta Luli, se m’i ka sjellë teto Lili. Mua s’para më ka qejf ajo, po këto amaretat i qan shtriga!”

Në fund, duke na përshëndetur e falenderuar për vizitën, Luli B nuk e përjashton mundësinë që aty nga vjeshta 2019 të çohet për të bërë ndonjë punë shtëpie.

“Është e përkohshme, besoj se do kalojë dhe shtatori do vijë me energji të reja. Tani do shtrihem pak, se më merren mendtë,” na thotë Luli B.

Dhe para se të mbyllë derën, ngre zërin: “Mos harroni paswordin e ashensorit: Osalitubëfshaferrë2005!”   

 

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike anti-limonti dhe anti-qenieve limonata 

 

August 9, 2019 22:57
Komento

2 Komente

  1. Lorenco Luka ( Ish deputeti i famshem i PD) , antikomunist i paepun. August 10, 06:47

    A asht mkat mos me e pas un lidershipin e PD-se?
    Do kishte ba mrapa PD-ja e tan Shqipnia me mu.

    Reply to this comment
  2. salivucidoli August 10, 09:09

    Je i madh, z. Lorenc Luka (antikomunist i paepun)! Edhe un komunist i paepun, salvicidoli, jesh lidership i pd, por me mu shkum përpara, qe mund te kuptohet edhe ”shkum për para”! Shqypnin e bana tpasun, e pastrova nga metjet komuniste, i hoqa ttana e fabrika, uzina, punishte, kombinate, makineri, ushtri e armatim, anije ushtarake e transporti, maune e kamiona edhe hekurudhen, minierat, gjeologji e poligrafi dhe nuk lash me kllas puntore. Edhe shkollave ua ndrrova ftyren.
    Kam pas thane pa u prish komunizma,se rinia shqyptare mezi pret te matet me rinine eEvrops dhe e shikon vete tina, se si eshte sot rinia e Shqypnise, e para nEvrope. Sot veni po vun nga edvinkristaqrama! Sa tvije luli e tash po e shef si do shkoje perpara perseri veni, po ti o Lorenc kundrameje? Kundra lulit?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin