Mediat ndërkombëtare: Rama i sugjeroi Serbisë të ndryshojë sjelljen ndaj Kosovës

November 11, 2014 05:06

Mediat ndërkombëtare: Rama i sugjeroi Serbisë të ndryshojë sjelljen ndaj Kosovës

Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u angazhuan të hënën se do të linin mënjanë dallimet e tyre dhe se do të fokusoheshin në dëshirën e tyre të përbashkët për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, por ulja e tensioneve mes dy “rivalëve” në Ballkan – siç e cilëson “Associated Press”, – nuk zgjati as deri në fund të konferencës së përbashkët për shtyp të tyre.

AP: Rama i sugjeroi Serbisë të ndryshojë sjelljen ndaj Kosovës

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e para prej 68 vitesh e një kryeministri shqiptar në Serbi, është pasqyruar edhe nga mediat e huaja “Washington Post” apo “Associated Press”, të cilët këto bisedime i cilësojnë si historike. Në analizën e “Associated Press” theksohet fjala e kryeministrit Rama në konferencën për shtyp, gjatë së cilës i sugjeronte Serbisë të ndryshonte sjellje. Marrëdhëniet mes dy kombeve kanë qenë të tensionuara për dekada të tëra, kryesisht për shkak të Kosovës, dikur nën shtetin serb ndërsa prej 2008-s një shtet i pavarur i dominuar nga shqiptarë, ku jetojnë edhe pakica të etnive të tjera. Serbia vijon ta konsiderojë Kosovën pjesë të integritetit territorial të saj, duke mos e njohur deri më tani pavarësinë e shtetit më të ri të Europës, gjë që e kanë njohur 108 shtete të tjera. “Pavarësia e Kosovës është realitet dhe, sa më shpejt të njihet ky realitet, aq më shpejt mund të ecim përpara”, tha Rama gjatë fjalës së tij, duke nxitur një reagim të fortë nga kryeministri serb Vuçiç. “Nuk e prisja këtë provokim, nuk kishim rënë dakord të flitej për Kosovën, e cila është pjesë e pandashme e Serbisë”, është kundërpërgjigjur Vuçiç.

Ndërkohë që kryeministri shqiptar, qoftë në konferencën e përbashkët, ashtu edhe në një intervistë të mëvonshme për “Associated Press”, e ka vijuar sërish këtë diskutim, duke thënë se nuk do të ndihej aspak i provokuar, nëse Vuçiç do të shprehte qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, gjatë vizitës së tij të ardhshme në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. “Do të ndihesha i qetë, sepse miku do të kishte lirinë për të shprehur çfarë dëshiron”, është cituar të ketë thënë Rama për agjencinë amerikane.

Washington Post: Jo ulje tensionesh mes Ramës dhe Vuçiç

Gazeta amerikan Washington Post shkruan se “kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u angazhuan për të lënë mënjanë divergjencat dhe të fokusohen në dëshirën e përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Por shkrirja e akujve mes dy rivalëve të Ballkanit nuk zgjati as deri sa konferenca e përbashkët për shtyp.” Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë të tensionuara për dekada, më së shumti për çështjen e Kosovës, shkruan e përditshmja amerikane, duke theksuar se Serbia e konsideron Kosovën si djepin e saj dhe të fesë së saj. Washington Post shkruan se deklarata e Ramës se “pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se sa më shpejt të njihet, aq më shpejt ne mund të ecim përpara”, ndezi një reagim të fortë të kryeministrit serb Vuçiç. “Nuk e prisja këtë provokim, tha Vuçiç me zemërim. “Ç’lidhje ka Shqipëria me Kosovën? Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe nuk do të jetë kurrë”.

BBC: Zënkë diplomatike në Serbi, shkak Kosova

Mbi vizitën e Ramës në Beograd ka shkruar dhe prestigjiozja britanike, BBC. “Mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë për Kosovën zbehin vizitën historike të Ramës në Beograd. Vizita e parë në Serbi e një kryeministri Shqiptar pas 68 vjetësh shndërrohet në zënkë diplomatike rreth statusit të Kosovës. Tonet u ndezën kur Rama tha se pavarësia e Kosovës ishte e pamohueshme. Vuçiç iu kthye Ramës duke e akuzuar atë për provokim”, shkruan BBC.

 

Shtypi grek për vizitën e Ramës

Me interes të madh e ka ndjekur shtypi grek vizitën historike të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, disa javë pas incidenteve të rënda në ndeshjen midis përfaqësueseve të futbollit të dy vendeve në kryeqytetin e Serbisë. Së pari, agjencia shtetërore e lajmeve “AMNA” dhe më pas edhe gazetat më të mëdha greke kanë pasqyruar këtë takim duke iu referuar në mënyrë të hollësishme “incidentit të nxehtë politik”, siç ato e kanë cilësuar konfliktin publik para kamerave në konferencën e shtypit të dy udhëheqësve.

Me titull “Tension në konferencën e përbashkët Vuçiç-Rama në Beograd”, prestigjozja “Kathimerini” komenton në një artikull të saj se, “për pak takimi mund të kishte përfunduar me incidente”.

Vuçiç, shkruan “Kathimerini” është shfaqur i nervozuar pasi kryeministri shqiptar e ka quajtur Kosovën “shtet të pavarur” dhe më pas ka deklaruar se, “nuk lejon askënd të abuzojë me mikrpitjen dhe si vizitor të përpiqet të fyejë duke folur në lidhje me Kosovën”.

Me të njëjtin titull edhe gazetat “To Vima”, “Ethnos” dhe “Ta Nea” i referohen tensionit të krijuar në momentin kur kryeministri shqiptar ka deklaruar nga selia e homologut serb, se ka ardhur koha që Beogradi dhe vendet e tjera europiane të njohin tashmë Kosovën, kërkesë që sipas gazetës është konsideruar provokim nga kryeministri Vuçiç, i cili në mënyrë demonstrative ka hequr kufjet e përkthimit për të dëgjuar një pjesë të deklaratës së homologut të tij shqiptar.

Vlen për t’u përmendur se të gjitha mediat greke kanë theksuar se kryeministri Rama, megjithë reagimin e rëndë të homologut serb, ka ruajtur gjakftohtësinë dhe pasi e ka thirrur atë me emrin e tij, ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim për ta fyer, por ka bërë thirrje për të pranuar sa më shpejt një realitet që do ndihmonte stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu, shtypi grek që reagoi ndjeshëm për flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit, veçon faktin se pavarësisht tensionit, vizita e Ramës në Beograd është një sinjal për një fillim të ri në marrëdhëniet e ngrira shqiptaro-serbe prej afro shtatë dekadash.

November 11, 2014 05:06
Komento

1 Koment

  1. Argu Menti November 11, 08:37

    Ne viziten historike ne Beograd spikati edhe njehere vendosmeria dhe qendrimi i ekujlibruar i kryeministrit Rama, per t’i treguar Beogradit, se pa u zgjidhur perfundimisht ceshtja e Kosoves, ketij territori me popullsi autoktone shqiptare, do te ishte e veshtire te zbutej tensioni qe ka sunduar per shume dekada marredheniet midis dy vendeve.

    Sot Kosova gezon atributet e nje shteti te pavarur, sovraniteti i se ciles eshte njohur nga USA, BE dhe shume vende nga te kater anet e botes. Ketyre i shtohen vit pas viti edhe shume vende te tjera. Keto fakte jane aq te pakundershtueshme, aq sa dhe deklarata e forte e kryeministrit Rama, per t’u rikujtuar serbeve pamohueshmerine e pavaresise se Kosoves.

    – Prekja e kesaj teme dhe pasqyrimi real i aktualitetit ishte i nevojshem, per t’i dhene te kuptuar Beogradit, se ka ardhur koha qe te “kurohen” perfundimisht gjakrat e prishura te ultra-nacionalisteve, te cilet me forma nga me obskuret perpiqen per te vene barriera, duke ndersyer kunder njeri-tjetrit popujt e dy vendeve fqinje.

    – Ajo deklarate ishte e nevojshme, per t’u treguar qarqeve shoviniste, se asgje nuk mund t’a shuaje aspraten e dy popujve per nje bashkejetese te fqinjesise se mire.

    – Ajo ishte e nevojshme per te ndergjegjegjesuar dhe bindur qytetaret e te dyja vendeve, se i vetmi opsion i mundshem per zhvillim te gjithanshem jo vetem ekonomik ne rajon, eshte shembja e barrierave .

    Qendrimi dinjitoz i kryeministrit shqiptar per te pasqyruar nje te vertete, e cila u vjen hidhur serbeve, nuk ishte as provokacion, dhe as perpjekje per ndezje tonesh. Ai kurrsesi nuk duhej marre si shkak per te demonstruar me nervozitet paaftesine per te debatuar me forcen e argumentit.

    Deklarata e tij ishte perballje dhemb per dhembe, dhe sy nder sy, me paturpesine.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*