Mediet italiane vlerësojnë Kombëtaren shqiptare

September 8, 2015 14:41

Mediet italiane vlerësojnë Kombëtaren shqiptare

Sfida e eliminatorëve të Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Portugalisë, e fituar në sekondat e fundit nga luzitanët 1-0, ka gjetur hapësira në medien botërore. E përditshmja prestigjoze italiane “La Gazzetta Dello Sport” i ka dedikuar një artikull kësaj sfide të skuadrës sonë përfaqësuese, ku vlerësonte lojën e kuqezinjve të De Biasit.

Sipas kësaj të përditshmeje, Portugalia mori një fitore të pamerituar falë dhuratës së Migel Velozos në minuten e 92-të. Skuadra e Ronaldos ka 15 pikë, 4 më shumë se Shqipëria dhe kualifikimi duket çështje pothuajse e mbyllur. Për “La Gazzetta Dello Sport”, skuadrës sonë kombëtare i mbetet shija e hidhur e dorëzimit pas një ndeshjeje vërtetë shumë të mirë; mbrojtje perfekte, me një pjesë të dytë kurajoze kundër një skuadre superiore në paga, emra dhe kualitete, por inferiore përsa i përket lojës me zemër dhe pasion. Shqiperia 1 vit më parë mundi Portugalinë në fushën e saj dhe ishte duke marrë 4 nga 6 pikët e mundshme ndaj kësaj skuadre.

Duke qëndruar te reparti i mbrojtjes, emra të tillë si Gjimshiti, Ajeti, Cana apo Agolli janë përmendur në këtë artikull të “La Gazzetta dello Sport”.

“Nëse në krahun e djathtë të mbrojtjes ke një lojtar 22-vjeçar që luante sfidën e dytë të tij me kombëtaren, një tjetër 21-vjeçar si Ajeti, që ende nuk ka gjetur skuadër pas largimit nga Bazeli, shkëmbin Cana dhe në krahun e majtë një futbollist që siguron jetesën te Karabag, nuk mund të kesh luksin të dalësh nga zona dhe të bësh pasime me mesfushorët”, thekson kjo e përditshme.

“Në mbrojtje Shqipëria ishte solide ku secili prej lojtarëve ishte gati të korrigjonte çdo gabim të shokut të tij. Shqipëria e De Biazit ka pësuar vetëm 3 gola në 6 ndeshje kualifikuese dhe ndaj Portugalisë ajo tregoi vlerat e saj. Kjo sepse Kristiano Ronaldo, Nani, apo Dani nuk mundën të bënin lojën e tyre më të mirë. E gozhduar në prapavijë, skuadra e De Biazit nuk kishte shumë interes për lojën sulmuese, por në momentin kur shtoi ritmin e lojës, arriti të godasë shtyllën me Cikalleshin. U duk se po shkonte gjithçka drejt rezultatit 0-0, kur Kuarezma gjeti Veloso për të djegur Shqipërinë, që gjithsesi e ka një motiv për të buzëqeshur; barazimi i Danimarkës me Armeninë e lë këtë kombëtare 1 pikë nga vendi i dytë me një ndeshje më pak”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.

September 8, 2015 14:41
Komento

1 Koment

  1. KingBardhyl September 8, 16:32

    Perse na hyn ne pune ky vleresim? Me 11 lojtare ne mbrojtje per 93 minuta dhe perseri humbem. Humbja eshte e justifikueshme kur te pakten tregon qe do te fitosh dhe krijon rraste.Ne ndaj Portugalise nuk meritonim asnje pike per menyren se si luajtem.Ndeshja me e mire qe ka bere Shqiperia ne epoken De Biazi eshte ajo ndaj Frances ne Elbasan,ndeshje dhe skema qe De Biazi nuk ka guxim ti perserise.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*