Meditime pushimesh

August 7, 2018 09:42

Meditime pushimesh

Çapajev Gjokutaj

Çdo gjë mbaron, ikën shpejt. Gjërat e bukura ikin edhe më shpejt. Dhe kthehen në kujtime. Feksin herë pas here në trurin tonë, si për të na mbushur mendjen se çoç kemi jetuar.

Pasi ke mbaruar pushime për të qenë,  kujtimet nuk feksin por ringjallen gjithë dritë, ngjyra e ngashënjim. Stërpikur me pak nostalgji, fare pak. Kjo shfaqet jo aq që të ngjallë dhimbje e trishtim për të djeshmen, sa për të sjellë mall e kënaqësi në të sotmen.

Dhe, hera-herës edhe meditime të lehta e fluturake, si gjithë gjërat e para në distancë.

1.

Për drekë qendrojmë në një nga lokalet e shumta të Llogorasë. Kamarjeri, si merr porosinë, na pyet: po për të pirë? Një kanë me ujë nga kroi, i them. Kroin qaje, ma kthen, shërbejmë ujë të industrializuar, në shishe.

Kur dal jashtë, atje ku ishte kroi vjet, shoh lëfytin që varet në ajër, si mënga bosh në xhaketën e doracit. Ndjesinë e sakatllëkut dhe të denatyrimit e shtojnë gurët posht tij. Të mbuluar me myshk e likene të stërthara, të ngjallin krupën e sëmundjeve të rënda të lëkurës.

Eshtë e drejtë legjitime e pronarit të vendosë ç’do të shërbejë në lokalin e vet, ujë kroi apo ujë të industrializuar. Por ambjenti dhe, bashkë me të edhe kroi janë pronë publike, nuk i takojnë as pronarit, as supervizorëve të shumtë, zverktrashur e barkderra, që paguhen nga taksat tona.

Një dell labi ngjallet e më thotë: Po ç’duhet kroi në një vend turistik! Rrofshin fabrikat, shishet plastike dhe grykësia. Kjo e fundit thuajse gjithnjë pret degën ku është ulur.

2.

Mes çadrave e shezlongëve kalojnë herë pas here shitës ambulantë. Secili të grish të blesh herë domate e bostan, herë thanë e manaferra, herë domino e letra. Sot u shfaq një mall i ri: Libra, kush do libra!

Një djalosh ka lidhur duart dhe mbart një tog me libra që mbështeten mbi bark e gjoks dhe i arrijnë deri tek mjekra. E ndjek me sy një copë herë. Ndërsa çapitet mes rërës, nuk dalloj ta ndalojë kush, qoftë edhe për të parë ç’lloj librash ka.

Në Ipad-in që kam me vete, duhet të kem dy fishin e librave që mbartëte me mundim djaloshi. Po të kem paré mund të shtoj shumë më tepër. Dhe t’i mbart ngado që vete pa më të voglin mundim.

Jo vetëm kaq, në çdo çast mund të shfletoj cilin të dua, të gjej lehtë nënvizime që kam bërë më parë, të zmadhoj apo zvogëloj gërmat, të ndërroj sfondin në varësi të dritës etj.etj.

Por mbi të gjitha tërë librat elektronikë nuk harxhojnë letër, kursejnë pyje të tërë. Nuk duan magazina e automjete për t’u transportuar. Madje as librari e librashitës.

Duke sjellë ndër mend gjithë këto përparësi dhe lehtësi, pyes veten në se libri i shtypur në letër do ketë fatin e parardhësve: librit në pergamenë, apo atij më të moçmit, ‘librit’ në pllaka balte.

Pastaj kujtoj që në Ipad nuk kam asnjë titull shqip. Nuk di të them pse nuk po krijohet tregu i librit elektronik në shqip. Ka aty – këtu ndonjë inicjativë që ngjall shpresë, por mbetet e mekët dhe me këtë përzierjetë kujton atë këngën kolonjare: manushaqe e prillit, nëmes të dëborës.

Do të ishte lehtësi e madhe për të shitur kudo, pa u ankuar për rrjetin e librarive. Për më tepër se jemi popull emigrantësh dhe libri elektronik mund të të vijë takfak kudo qofsh, në Greqi a Argjentinë, në Amerikë a Australi.

Arsyet për mungesën e librit elektronik në shqip mund të jenë të shumta dhe të logjikshme. Gjithsesi një gjë ngjan e sigurt: pa librin elektronik botimet shqiptare do çapiten me mundim si ky djaloshi që porsa kaloi.

3.

Në çadrën përbri –  një çift fare i ri në moshë. Mënyra si i afrohen njeri-tjetrit, si përqafohen e puthen, më ngjan se ka diçka prej shpendësh.

Nuk di të them nga më vjen kjo përqasje me shpendët. Mbase se në marrëdhenien e çiftit ka diçka nga harmonia e linjave dhe delikatesa e puplave.

Mbase se jemi mësuar ta bashkëshoqërojmë dashurinë me fluturimin dhe qiellin.

Por mbase nga që shpendët janë ndër familjarët më të mirë. Në çift, bashkë e bëjnë folenë, bashkë i ngrohin vezët, bashkë i ushqejnë të vegjëlit.

S’është e rastit që folenë a çerdhen e tyre e kemi marrë si model për të ndërtuar metaforat ‘çerdhe familjare’, ‘çerdhe fëmijësh’ etj.

Tej në perëndim dielli i afrohet detit dhe ngjan sikur thotë: Uh, u lodha! Po zhytem dhe unë një copë herë.

Kufiri ditë-natë po përflak qiell e det dhe si të gjithë kufijtë mëkon qetësi, mall e dhimbje. Por vetëm për pak kohë.

Do vijë gjumi dhe ëndërrat do shkrijnë çdo kufi. Për të na bërë bashkë të gjallë e të vdekur, në situata reale dhe ireale. Se siç e tha i lashti, thellë vetes njeriu nuk pranon as kufij dhe as ndarje.

August 7, 2018 09:42
Komento

4 Komente

  1. mi August 7, 11:18

    përshkrim shumë i goditur,e sjellë me mjeshtëri Z.Çapajev

    Reply to this comment
  2. miri August 7, 11:19

    përshkrim shumë i goditur,e sjellë me mjeshtëri Z.Çapajev

    Reply to this comment
  3. Koqa August 7, 11:45

    O Çapo trimi ,ti e ke ne terezi vella se ma ke bere foton nga varka me mes te detit,se vajte ne Llogara e u bere is garip e doje uje kroi dhe iPad-in e ke me vete (pavarsisht de nuk Ja shqip)
    Kurse ata qe shesin thana e manaferra dhe ai djaloshi me libra ,keta jane hallexhinj e luftojne per te jetuar
    Ti Çapo i fut ndonje kredhje ne det pastaj ke kohe te shkruash meditimet pasi i ke futur ndonje byrek ne sac,(sa per tangellek jo se ke nevoje per uje kroi )
    Pushime te mbara Çapo trimi
    Pune te mbare djalosh dhe ti shitsi i thanave

    Reply to this comment
  4. Sallakja August 7, 16:58

    O Capajev ?
    Leri hartimet e 72-shit po shkruaj gjera me intereante.
    Aty, amerikanet po ngrene baze Ushtarake.
    Ti thua …… kroji i llogorase
    Aty po kalohet nga fukaralliku ne mizerje.
    Ti thua …..Djali qe shiste thana
    Aty eshte bere muti …. kavalet
    Ti thua…. djali qe shiste fiq.
    O Gjokutaj ( Capajev i thoncin )
    A e di cfare eshte baza Amerikane ?
    Te kujtohet Laokonti i Kadarese ?

    Ç’ishte kjo gërvimë kështu, kjo jehonë?
    Vumë veshin. Kuptuam, grekët e ligj
    përmbi qëndrën e qytetit me parmëndë lëronin
    për të thënë se Troja përjetë vdiq.

    Ti thua ….Si skam nje liber shqip ne iPad ?
    Edhe une kam 30 vjet qe mendoje:
    Pse skane nje liber shqip capajevet ne iPad ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*