Berisha, një hero i hipur mbi gomar

Kim Mehmeti - Intervistë May 19, 2014 11:28

Berisha, një hero i hipur mbi gomar

Intervistoi: Isuf Kurtaj

Këtu e dy javë më parë shkrimtari Kim Mehmeti gjendej në Tiranë në një tryezë ku diskutohej liria e medias në rajon. Pikaset lehtë në panelin mes shumë gazetarëve të tjerë, të cilët sollën në vëmendje problematikën që shoqëron gazetarët në punën e tyre dhe atë çka cilësohet liri. Nga këtu e begenisëm për të marrë një këndvështrim të tijin për situatën që po kalojnë shqiptarët. Në pamundësi për ta takuar dhe intervistuar në Tiranë, pasi nuk qëndroi gjatë, gazeta ‘Dita’ vendosi të kontaktojë me shkrimtarin përmes internetit. Shkëmbimi i parë ku i kërkuam që tu përgjigjej disa pyetjeve qe pesë 5 ditë më pak. Të nesërmen na shkruan se do përgjigjej me kënaqësi, por kërkonte pak kohë. Për  tri ditë nuk morëm asnjë lajm nga shkrimtari. Vendosëm t’i shkruajmë sërish. I themi se  përgjigjet na duhen e shumta deri të dielën. Pas 15 minutash Mehmeti na gjegjet: Përgjigjet do i nisë para të dielës në drekë. Dhe ashtu ndodh. “ Ç’më vlen shteti të cilin nuk e sundoj unë!”, – bash kështu e komenton dhe e cilëson Mehmeti filozofinë e sjelljes së partive në Shqipëri.  Analisti i cili njihet për sensin kritik të pakursyer, i ka bërë një skaner dhe ish-liderit historik të PD, Sali Berishës. Sipas tij, Berisha nuk arriti të kujtohet si burrështetas i madh,duke shtuar më tej se Berisha dëshironte të mbetej gjithmonë në politikë,  por nëse nuk largohesh me kohë nga politika, mbetesh hero i hipur mbi gomar. “Kohëve të fundit ai gjithnjë e më shumë më ngjan me një diktator që ka jetuar nën maskën e demokratit”, saktëson Kim Mehmeti. Mehmeti rezervon pakënaqësi për forcat politike që drejtojnë shtetin. Partitë kur janë në pushtet e konsiderojnë Shqipërinë si pronë të vetën partiake, ndërsa kur  dalin në opozitë bëjnë çmos që ta baltosin atë deri në përmasa perverse. Shkrimtari ka kritika edhe për qeverinë e Edi Ramës. Sipas tij Rama po sillet më shumë se sa duhet si artist, ku ka shumë ndjesi e pak racionalitet. Mehmeti shprehet se Rama duhet ta dijë se nëse nuk i pastron me kohë “qelbësirat” që e rrethojnë, i kanoset rreziku që edhe vetë të “kalbet” politikisht në at’.  Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka analizuar dhe situatën politike pas zgjedhjeve në Maqedoni. Ai shpjegon se zgjedhjet në Maqedoni dhe gjetiu nga ndërkombëtarët maten me standarde “alla ballkançe”, duke u kënaqur me lajmin që nuk ka viktima ditën e votimit. Analisti precizon se Maqedonia është futur në spiralen e pafundme të diktaturës dypartiake: atë të VMRO-DPMNE-së që kontrollon maqedonasit dhe, BDI-së që është bërë si vasale e shqiptarëve. Shqiptarët në këto anë sipas tij jetojnë nën presion dhe shantazh të vazhdueshëm, ndërsa për  krerët e partive shqiptare shprehet se arsyeja e qëndrimit të tyre në politikë është për të mbushur xhepat. Mehmeti kujton se drejtuesit shqiptarë janë verbuar nga lakmia dhe nuk po e shohin si të rrezikshëm deshqiptarizimin e Shkupit. Asnjë sundues sipas tij, nuk ia doli ta shpërfytyronte e ta deshqiptarizonte Shkupin, sa ka arritur ta bëjë regjimi i Gruevskit i ndihmuar nga ministrat e BDI-së.

 

Z. Mehmeti, Maqedonia sapo ka kaluar zgjedhjet, a e kaloi testin?

Sa më shpesh mbahen zgjedhje, aq më shumë Maqedonia u largohet zgjidhjeve që do e konsolidonin si shtet. Sipas vëzhguesve të huaj, zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të qeta dhe të lira, por të organizuara nga parti qeverisëse që nuk dinë të ndajnë aktivitetin partiak nga ai shtetëror. Ku ta dish, mbase edhe vëzhguesit e huaj kanë filluar që zgjedhjet e këtushme t’i vlerësojnë me standarde “alla ballkançe”, që nuk i përdorin në vendet e tyre: duke u kënaqur me faktin që nuk ka viktima ditën e votimit. Pra duke u shtirur se nuk e shohin se nën qetësinë e ditës kur votohet, shumica e qytetarëve të këtushëm e jeton nën ankthin e shantazheve që u bëjnë partitë në pushtet. Apo, vëzhguesit e huaj bëjnë sikur nuk e dinë që dita e qetë gjatë votimit, nuk do të thotë vetvetiu se zgjedhjet kanë qenë të rregullta. Ata madje shtiren se nuk e shohin se mjeshtrit ballkanas të vjedhjeve dhe gënjeshtrave  politike –  njësoj si edhe çdo vjedhës ordiner –  janë gjithnjë një hap para metodave që përdor “policia” për kapjen e tyre duke vjedhur! Dhe tani ata nuk i falsifikojnë zgjedhjet si në vitet e para të demokracisë, kur i mbushnin kutitë, por duke qenë partitë në pushtet punëdhënësit e vetëm, ata sot e çojnë votuesin me “vetëdëshirë” të votojë për punëdhënësin e vet. Me çka del se nuk janë votuesit ata që e zgjedhin partinë, por partitë në pushtet janë ato që në ditën e votimit bëjnë “regjistrimin” e popullsisë që është bërë pronë e tyre.  Kështu që Maqedonia është futur në spiralen e pafundme të diktaturës dypartiake: atë të VMRO-DPMNE-së që i kontrollon maqedonasit dhe, atë të BDI-së të cilës, si vasale të partisë sunduese maqedonase, i lejohet të marrë votat e shqiptarëve, të cilët pastaj i mbikëqyrin dhe kujdesen që ata të mos i krijojnë probleme për “sunduesit” maqedonas.

 

BDI është para një koalicioni me partinë që bashkëqeverisi për 4 vjet. E keni cilësuar si një koalicion të dështuar, a ka vend që shqiptarët të shpresojnë nga dyshja Gruevski-Ahmeti?

Do doja të ketë shpresë, por nuk di mbi çka ta mbështes atë. Dhe shumëçka tregon se BDI-ja ka vetëm një qëllim “kombëtar”: kolltukët ministror dhe punësimin e disa partiakëve si ministra dhe deputetë të përjetshëm! Madje më duket se ne shqiptarët e Maqedonisë pa asnjë dyshim u bëmë pengje të BDI-së, e ndërkohë, këtë parti e morën peng qarqet e korruptuara të saj, që kanë vetëm një qëllim – të jenë sa më pranë grazhdit qeveritar e të pasurohen, e të cilat qarqe të BDI-së, i kontrollojnë strukturat policore maqedonase, me çka mbyllet një rreth pervers që BDI-në shqiptare e bën të veprojë si të ishte degë partiake e VMRO-DPMNE-së. Me çka pra, del se votuesi shqiptar, edhe kur voton për të veten, vetëm e institucionalizon vasalitetin e partisë shqiptare përballë sunduesit maqedonas dhe vetëm e forcon sunduesin maqedonas, të cilit BDI-ja ia dorëzon edhe legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm, duke mbetur ajo vetë si parti që është pjesë e pushtetit, por nuk ka shtet.

 

Shumë projekte në Maqedoni përjashtojnë shqiptarët, dhe autori që drejton këtë ndarje është Gruevski, me të cilin sërish BDI është e detyruar të qeverisë. PDSH mezi priste të qeveriste por nuk fitoi votat e mjaftueshme, si e shpjegoni gjithë këtë situatë të partive shqiptare ?

E keqja e partive shqiptare është se ato nuk kanë pushtet mbi ambiciet e  krerëve partiakë, që pjesëmarrjen në qeveri e shohin vetëm nëpërmjet thellësisë së xhepit të vet. Dhe pala maqedonase e ka kuptuar se këto parti janë shndërruar në “kompani” private të drejtuesve të tyre, e të cilat shërbejnë vetëm për një qëllim: që t’u sjellin përfitime personale atyre që i “menaxhojnë” këto “kompani”.  Duke e ditur këtë, mandatarët e këtushëm maqedonas, e kuptuan se më lirë të del t’i paguash shtrenjtë qindra shqiptarë të BDI-së apo të PDSH-së, se sa t’i japësh hisen që i takon një populli të tërë. Pra, sunduesi maqedonas bënë atë që i takon sunduesit: të kënaqë vasalin që ia mban nën kontroll një popull e një hapësirë, nga i cili popull ai mbledh haraç për t’i realizuar projektet e veta, si për shembull, “Shkupi 2014” nëpërmjet të cilit e deshqiptarizon Shkupin, apo madje edhe Enciklopedi që ofendojnë popullin tonë, e të financuar edhe me paratë e taksapaguesve të këtushëm shqiptarë.  Kështu del se shqiptarët e Maqedonisë, me votën e tyre, i zgjedhin ata që do e zbukurojnë buqetën shumë etnike pushtetare të Maqedonisë, por të cilën në të vërtetë e drejtojnë vetëm maqedonasit. Duke mos pasur as forcë, as vullnet, e as dituri politike që ta ndryshojnë këtë situatë, që të imponojnë ndryshime kushtetuese që do e bënin Maqedoninë shtet me demokraci konsensuale dyetnike, partitë shqiptare zgjodhën ta shpronësojnë popullin e tyre nga ajo që u takon si pronarë të Maqedonisë dhe interesin e elitave partiake ta barazojnë me atë të shqiptarëve të këtushëm. Andaj sot kemi një situatë perverse: Maqedonia kurrë nuk ka qenë më e mirë se sot për politikanët shqiptarë, por kaq përbuzëse e kaq e keqe ndaj shqiptarëve nuk ka qenë as në kohën e mbretit serb. Doni dëshmi për këtë!? Ja dëshmia: deshqiptarizimi i Shkupit ka filluar që nga pasluftërat  ballkanike, por asnjë sundues, edhe atë as ata që kanë sunduar me dekada të tëra, nuk ia dolën ta shpërfytyronin e ta deshqiptarizonin Shkupin sa ky regjim gjatë katër viteve edhe atë duke pasur ministra të BDI-së.

 

Çfarë mund të bënin ndryshe partitë shqiptare për tu faktorizuar në Maqedoni ?

Por, para së gjithash duhej ta kishin kuptuar se ato përfaqësojnë njërën nga shtyllat etnike pa të cilën nuk mund të ekzistojë ky shtet. Por, megjithatë dua të jem i drejtë e të them se nuk duhen fajësuar vetëm politikanët për pozitën e tanishme të shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk duhet harruar se një popull nuk e dëshmon forcën e vet vetëm nëpërmjet veprimit politik, por edhe nëpërmjet veprimtarisë të elitave tjera. Dhe duhet pranuar se ne shqiptarët e këtushëm nuk e vlerësuam si duhet pushtetin tonë sa u përket elitave që kemi dhe lejuam që fatin tonë ta marrin në duar të tjerë. Shumica e të cilëve janë nga ata që nuk turpërohen nga injoranca, që mendojnë se qaforja me emblemën “Versaçe” ta mbulon injorancën që të karakterizon.  Dhe tani përnjëherë e pamë se sa më i fortë bëhet politikani injorant, se sa më të forta bëhen partitë tona, se sa më shumë pasurohen partiakët tanë, aq më shumë varfërohemi të gjithë ne dhe aq më shumë dobësohet forca jonë politike. Pra, tani nuk kemi hallin si të shpëtojmë nga pala maqedonase që me dekada na kishte shkelur, por si t’ia bëjmë me “tenderokratët” tanë, të cilëve vullneti shumicë politik i shqiptarëve të këtushëm, u shërben si kartelë bankare për të tërhequr përfitimet personale. Andaj, mendoj se më nuk duhet shtruar pyetja se çfarë mund të bëjnë ndryshe partitë tona për të përfituar shqiptarët, por ç’duhet të bëjë ky popull që të shpëtojë nga ata që përfitojnë në emër të shqiptarisë. Dhe mbase do e kuptojmë se çka duhet bërë, pasi të shohim se dimë si të mos i lejojmë mandatarit maqedonas të shkelë mbi vullnetin politik të shumicës së shqiptarëve, por harruam t’i pyesim partiakët shqiptarë se si ata e përdorin atë vullnet politik tonin. Mbase pasi t’ua shtrojmë këtë pyetje ne do e shohim se më lehtë është të luftosh padrejtësinë që të bënë një i huaj, se sa përbuzja që të bën i yti. Pra do e kuptojmë pse aq lehtë gjen nënshkrues të letrave që e sulmojnë për çfarëdo qoftë mandatarin e qeverisë, por jo edhe të atillë që do i shkruanin letra drejtuesit të BDI-së, që do i thoshin hapur se askush nuk mund ta zhvlerësojë vullnetin politik të një populli, sa ai që e ka në dorë atë, apo ai që atë vullnet nuk di si ta përdorë, apo që e keqpërdor atë. Andaj mendoj se ne shqiptarët e Maqedonisë tani nuk duhet të merremi me atë që nuk mund të korrigjohet dhe që nuk është në duart tona – me drejtuesit partiakë që janë të “teledirigjuar” nga qarqet maqedonase-  por duhet të bëhemi gati për “revolucionin” e pashmangshëm nëpërmjet të cilit o do çlirohemi nga ata që politikën e përdorën për të siguruar edhe të ardhmen e nipave të tyre, o do mbetemi të këtillë siç jemi: populli i cili nuk ka parti, por “sekte” politike, që e kanë privatizuar edhe popullin e vet.

 

Nga pozicioni i një kritiku, duke e ditur se e njihni situatën politike dhe sociale në Maqedoni, cili do të jetë pozicioni i shqiptarëve në Maqedonisë pas 10-20 vitesh?

Nëse mbijeton për aq vite, ajo doemos do funksionojë si një demokraci dyetnike konsesuale. Gjë të cilën pala maqedonase e ka kuptuar më mirë se ne shqiptarët, prandaj edhe blenë kohë, duke vepruar sipas parimit: Mos ua jep shqiptarëve sot atë që mund ta shtysh për nesër! Prandaj, përderisa kryetari i BDI-së na shpjegon ne shqiptarëve sa mirë do e kemi kur Maqedonia do anëtarësohet në NATO e në BE, Gruevski i harxhon buxhetet e shtetit për të investuar kryesisht nëpër vendbanimet maqedonase dhe për të ndërtuar të kaluarën e munguar të popullit maqedonas. Pra, pala maqedonase e harxhon të ardhmen shqiptare duke ndërtuar të kaluarën e popullit të vet, gjë të cilën nuk do ia dilte ta bënte pa përkrahjen e BDI-së, e cila e ka përgjumur popullin e vet me ninullat se vështirësitë e të sotmes do na shpërblehen në parajsën e së nesërmes, kur Maqedonia të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. Por kam frikë se duke pritur atë parajsë, ne do mbetemi pa gjënë më të vlefshmen që kemi: pa të rinjtë që çdo ditë i mbushin autobusët e degdisen nëpër metropolet e perëndimit. Kam frikë se në Maqedoni do mbeten vetëm aq të rinj, sa do jetë numri i anëtarëve të BDI-së e PDSH-së, me çka krerët e këtyre dy partive do e realizojnë ëndrrën për të marrë 100 qind për qind të votave të popullit të tyre. Por me çka do e realizojnë edhe ëndrrën antishqiptare që trojet shqiptare të ndrydhen sa më shumë.

 

Qarkullon një përshtypje që politika e Tiranës dhe Prishtinës vazhdon “të bëj sehir” për sa i përket përgjegjësisë që kanë për shqiptarët e Maqedonisë, sa e vërtetë është kjo?

Përbuzja që na e bën pala maqedonase ne shqiptarëve të Maqedonisë, e madje edhe politikanët tanë të këtushëm shqiptarë, në masë të madhe ushqehet edhe nga mosinteresimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për atë që ndodh me ne. Vetëm mendoni se çfarë do të bënte Serbia, për shembull, nëse një familjeje serbe në Kosovë do i ndodhte ajo që i ndodh një familjeje shqiptare në lagjen Radishan të Shkupit, shtëpinë e së cilës, huliganët maqedonas e sulmojnë edhe me bomba, vetëm që ata të shpërngulen nga aty? Shkurt Tirana e Prishtina zyrtare, ende nuk e kanë kuptuar se forca e shtetit amë matet edhe me atë se sa kujdeset për bashkëkombësit e vet që jetojnë jashtë kufijve shtetëror. Shpesh kam dëgjuar se Tirana e Prishtina kujdesen që mos lënë përshtypjen e  vëllait të  madh, që ndërhyn në punët e vëllait më të vogël, se nuk duan të lënë përshtypjen se përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë!? A ka absurd më të madh që për ne shqiptarët e Maqedonisë të interesohen qendrat evropiane, por jo edhe Prishtina e Tirana zyrtare!?  Mendoj se me këtë “politikë konstruktive”, Tirana e Prishtina zyrtare vetëm e mbulojnë inferioritetin ndaj politikave të shteteve fqinje. E të ndjehesh inferior edhe ndaj politikave të Shkupit zyrtar, kjo do të thotë se vuan nga diçka më shumë se sa mosdija: se të ka kapluar verbëria që nuk të lejon të shohësh se faktorizimi i shqiptarëve të këtushëm i bën më të forta edhe shtetet tona, se ne këtu ruajmë “Shqipërinë e Kosovën” e Maqedonisë. Por këtë mund ta kuptojnë politikanët e pakorruptuar, politikanët që nuk merren me biznes-politik, por me projekte mbarëkombëtare.

 

Në gjykimin tuaj, a po ecën Shqipëria në rrugën e duhur?

Nuk mund të thuhet se ecën rrugës së duhur një shtet në të cilin partitë veprojnë sipas parimit: Ç’më vlen shteti të cilin nuk e sundoj unë! Pra, për cilën të mirë mund të flasësh në një shtet ku ke përshtypjen se partia në opozitë sillet ndaj shtetit si ai udhëtari në avionin që rrëzohet, por i cili nuk çan kokën fare për fatin e vet, për shkak se e kënaq vetëdija se aeroplanin e drejton tjetër kush dhe nuk është pronë e tij. Shkurt, Shqipëria po ecën rrugës së trishtë nga e çojnë partitë të cilat kur janë në pushtet, atë e konsiderojnë si pronë të veten partiake, e kur po sa dalin në opozitë, bëjnë çmos që atë ta baltosin deri në përmasa perverse. Me çka ke përshtypjen se partitë e ndjejnë Shqipërinë si të vetën vetëm për aq kohë sa e sundojnë, se popullin e ndjejnë si të vetin vetëm për aq sa ai u mundëson të vijnë në pushtet. Pastaj, si mund të thuash se Shqipëria ecën rrugës së duhur kur për të ardhur në pushtet, bëhesh shok me të “gjitha qelbësirat” që ia kanë shtuar plagët shqiptarisë. Dhe më në fund, nuk mund të jetë në rrugë të drejtë një shtet ku janë rrënuar thuajse të gjitha standardet vlerësuese, ku është përzier e keqja dhe e mira, ku askush nuk i frikësohet as ligjit e as gjykatës së shenjtë të cilës i është trembur shqiptaria – gjykatës publike! Thjesht në shoqëritë shqiptare, përfshi edhe atë në Shqipëri, thuajse asnjë emërtim më nuk është i turpshëm, vetëm nëse ia del t’i mbyllësh veshët dy-tre ditë sa zgjat debati rreth hajnisë apo paturpësisë që ke bërë. Pastaj, ne u bëmë shoqëri ku të keqen e sotme e krahasojmë  me të keqen më të madhe që e kemi shmangur. Që dëshmon se ne ngadalë bëhemi të pandjeshëm ndaj fatit tonë, se jemi pajtuar të kemi fat të keq. Unë nuk dua që ne të mbetemi popull të cilit e sotmja i duket e mirë vetëm ngaqë e vlerëson nëpërmjet të keqes që ka mundur t’i ndodhë, por dua të jemi popull të cilit e sotmja e mirë ia paralajmëron të nesërmen edhe më të begatë. Dhe sot, kur për të gjitha të këqijat ne fajësojmë politikanët, harruam të vërtetën se ata janë pasqyrë ku shihet tërësia e mjerimit të shoqërive tona në të cilat e keqja më e madhe nuk është ajo se këndon trupi e jo zëri, por pse u bëmë shoqëri ku shumëçka u devalvua, ku nuk diplomon koka po xhepi, ku ke përshtypjen se pushtetarët nuk punojnë nëpër kabinetet qeveritare, por nëpër studiot televizive, kështu që ngadalë u bëmë popull që nuk prodhon vetëm muzikë tallava, por ka edhe “tallava” arsimim, “tallave” gazetari, “tallave” politikë…. Dua të them se ne jetojmë periudhën e humbjes së disa vlerave, që e bënin të fortë boshtin tonë etnik, humbje që i ka përfshirë të gjitha sferat e shoqërive shqiptare, por më e dukshme është në lëmin e politikës së ditës ku më nuk turpërohen as ata që publikisht i quajnë hajdutë, e le më pleqtë e matufosur, të cilët ngaqë kanë humbur sundimin mbi vetveten, me çdo kusht duan përjetësisht të mbeten sundues të popullin të vet.

 

Kryeministri Edi Rama si po e drejton vendin?

Jam shkrimtar dhe shumëçka që bën Rama e shoh nëpërmjet prizmit së atij që e di se artisti është i përbërë nga shumë ndjesi e pak racionalitet. Mendojë se politikanin në vetvete, Rama ende nuk e ka ndarë nga artisti në të, andaj edhe herë-herë në të sheh bukurshkruesin e rrallë, por jo edhe politikanin që e lexon drejt orën e bardhë të lojërave politike. I uroj që të kuptoj sa më shpejt se tani nuk vlerësohet nëpërmjet shkathtësisë oratorike, por nëpërmjet asaj sa do arrijë ta pastrojë Shqipërinë nga gjitha “qelbësirat”, përfshirë edhe ato që i ka  rreth vetes e që e ndihmuan të vinte në pushtet. Ai duhet ta dijë se nëse nuk i pastron me kohë “qelbësirat” që e rrethojnë, i kanoset rreziku që edhe vetë të “kalbet” politikisht në to. Dëshiroj që ai kurrë të mos bëhet si ata politikanët të cilëve posa ua pështyn njërën faqe ata ta kthejnë tjetrën.

 

Ç’gjurmë ka lënë sipas jush ish-lideri Sali Berisha gjatë 24 viteve, herë si kreu i qeverisë e herë si kreu i opozitës?

E njoh dhe e ndjek që nga fillimet e tij në krye të PD-së! S’kam as pse ta fsheh as pse ta vlerësoj si gabim timin: kam ndjerë simpati ndaj tij, ngaqë më dukej si më i përshtatshmi që do mund të ndërtonte urën që do ndërlidhte bregun e së djeshmes komuniste të Shqipërisë me atë të së ardhmes demokratike të vendit. Besoj se Berisha do mbetet shtyllë e rëndësishme e kësaj ure, njësoj siç jam i bindur se ai bëri një mëkat ndaj vetvetes e që nuk u tërhoq nga politika para se t’i humbte zgjedhjet e me çka tregoi se nuk e ka kuptuar se lider bëhet ai që lexon saktë momentin se kur duhet të dalë në krye të kolonës, por burrështetas të mëdhenj janë vetëm ata që e lexojnë dhe hetojnë çastin kur duhet të tërhiqen nga politika. Sipas meje, Berisha harroi urtësinë e madhe të cilës i nënshtrohen burrështetasit e mëdhenj: sa më shumë sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten. Dhe mendoj se vitet e fundit, Sali Berisha e humbi pushtetin mbi vetveten me çka edhe nuk ia doli ta kuptojë se në politikë mund të hysh si fitues, por nëse nuk largohesh me kohë, nga spiralja politike mund të dalësh si hero i hipur mbi gomar.  Pra më duket se ai nuk e ka kuptuar se që të mbetsh sundues i përjetshëm, duhet të bëhesh diktator dhe se kurrë nuk mund ta bashkosh diktatorin e demokratin në një. Prandaj kohëve të fundit ai gjithnjë e më shumë më ngjan me një diktator që ka jetuar nën maskën e demokratit.

 

Në gjykimin tuaj Berisha e ka zbritur nga froni, apo ende drejton opozitën dhe se Basha është i dirigjuari krejtësisht prej tij?

Për Berishën dua të ruaj kujtimin e atij që ishte në vitet e para të demokratizimit të Shqipërisë, kur emri i tij lidhej me shpresën për të ardhmen më të mirë për të gjithë shqiptarët, e jo vetëm për ata të Shqipërisë. Berisha i viteve të fundit u bë simbol i politikës grindavece, i përbaltjes të çdokujt që të kundërshton. Sot Berisha nuk është drejtues i opozitës, por më ngjan në luftëtar që përballet me betejën e humbur me vetveten, që lufton me atë ego që nuk do të pranojë se politika mund të të ofrojë hyrje në histori, por jo edhe famë të përjetshme, madje edhe sikur të jesh me të vërtet i tillë siç mendon për vetveten. Duke bërë këtë betejë me vetveten, ai tani herë ngjan me dikë që të gjithë i sheh nën hijen e lavdisë së tij, e herë me një hero që e kanë lëshuar forcat, por nuk ka pranë tij askënd që do kishte guximin  t’ia marrë “shpatën” që ka në brez. Basha nuk e ka lehtë të dalë nga hija e Berishës, jo pse ndjehet mirë nën të, por ngaqë ajo ende u bënë fllad shumë emrave të njohur të PD-së.

 

Ç’ përfaqësonte sipas jush Fatos Nano në politikën shqiptare, duhet të ndiqet si model?

Fatos Nano bëri diçka që i dallon drejtuesit vizionarë të partive: ua bë “buldozer” që u hapte rrugën politikanëve të rinj. Ai e arsyetoi edhe bindjen time se më tolerantë janë politikanët që e duan dhe e shijojnë jetën, se sa asketët politikë që ngado që të shikojnë, shohin vetveten. Por megjithatë, mendoj se edhe Nano mori pjesë në ndërtimin e labirintit politik në të cilin sot ndodhet Shqipëria, labirint në të cilin nga do që të nisesh, të dalin  përpara politikanë që  Shqipërinë e shohin si lopë, të cilën e ushqen i tërë populli, por që duhet ta mjelin vetëm ata.

 

Zogu dhe Enveri, të parit i është ngritur një shtatore ne Tiranë, ndërsa për të dytin edhe fotoja e tij shkakton ilaritet, duke e krahasuar shpesh edhe me Hitlerin, ç’përfaqësojnë për ju në historinë shqiptare këta dy figura?

Zogu mbretëroi edhe me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha doli në krye të partisë komuniste edhe me ndihmën e “mugoshave”. Kjo është e para që më shkon ndërmend kur rikujtoj këta drejtues të Shqipërisë. Dhe përmendoret e tyre më ngjajnë në monumente që tregojnë se ne, madje edhe sot, në masë të madhe, fqinjët janë ata që na i kanë përcaktuar sunduesit. Përpos këtij mallkimi, emri i Enverit mua më rikujton edhe mallkimin tjetër: atë se sunduesit tanë ndonjëherë na kanë  bërë atë që kurrë nuk do të mund të na e bënin as armiqtë tanë! Emri i Enverit nuk mund të shlyhet nga e kaluara jonë, por ai kurrë nuk mund të ngrihet në nivelin e burrave të shtetit që meriton përmendore. Pra me Enverin le të merren historianët dhe le të mbetet emri i tij në librat e historisë, por shtatorja e tij duhet mbajtur sa më larg lulishteve e vendeve publike. Nëse jo për hiçgjë tjetër, atëherë vetëm për arsyen që mos lëmë përshtypjen e popullit që u ngre përmendore diktatorëve dhe se e pëlqejmë diktaturën.

 

Kosova është para zgjedhjeve parlamentare, mes Thaçit, Mustafës dhe Kurtit, kë do të zgjidhnit për të drejtuar Kosovën?

Pa u hamendur dhe pa hezituar- Albin Kurtin. E kam ndjekur veprimtarinë e tij që kur ishte flokëkaçurrel që e zvarrisnin policët serbë nëpër rrugët e Prishtinës, por i cili kurrë nuk e përdori të kaluarën e tij atdhetare për ta mbuluar veprimtarinë e sotme politike. Ai rrezaton  mençuri dhe Kosova tani ka nevojë për një politikan modern si Kurti. Për mua Albini është ai që mund ta shkëpusë Kosovën nga politikanët e korruptuar.

 

E ardhmja e shqiptarëve sipas jush duhet të jetë e integruar në BE apo në një shtet të vetëm?

Ne shqiptarët edhe sikur të duam nuk mund ta shkëpusim fatin tonë nga ai që do e ketë kontinenti të cilit i takojmë  – Evropa. Por, nganjëherë më duket se harrojmë që BE-ja nuk është bashkësi popujsh, por shtetesh. Dhe duke harruar këtë, ne nuk shohim se veprimi ynë mbarëkombëtar varet nga vetë ne, nga ajo sa do të mund të ndërtojmë shtete që do mund të kujdesen për gjithëshqiptaren, sa do e mbrojmë atë që na bën shqiptarë. Pra, para se të integrohemi në BE, ne duhet të përfundojmë integrimin brendashqiptar të të gjithë “Shqipërive” tona.

Kim Mehmeti - Intervistë May 19, 2014 11:28
Komento

24 Komente

  1. Pandi May 19, 12:17

    Nje personalitet i shquar qe i sheh te gjitha ngjarjet ne menyre objektive dhe jashte ngarkesave politike.

    Reply to this comment
    • ben chicago May 20, 12:18

      z.mehmeti
      per mendimin tim sali qofte largu ,asnje here nuk ka punuar per shqiperine
      ndaj ky anti shqiptar tashme i diskretituar,duhet te jape llogari per veprimet anti shqiptare sipas urdherave te padronit serb.

      Reply to this comment
  2. durim Satka May 19, 12:34

    Mediokri, i paafti dhe profani-ky është Sali Berisha!

    Mediokri është i paqëndrueshëm, pompoz dhe i stërgjatur, I “veshur modern” gjithmonë me rezultate të mira e të suksesshme, sepse ai mendon se nuk është duke u korruptuar apo mashtruar nga artet e retorikës, por në sajë të maskës së intelektit.
    I paafti apo profani është sinonimi i mediokritetit, ekzistenca e njeriut të plotë të mjerimit, vetëgjymtimit e vetvrasjes intelektuale. Ata janë të përditshëm, absolutisht mediokër e të paaftë për të vështruar realitetin ashtu si ata e mendojnë, sepse tipa të tillë kanë vetëm një nocion, që në pamje të parë duket e thjeshtë, por që përpiqen t’I bindin njerëzit se mendimi I tyre ka shkuar më tej e më thellë, brenda sferës së tyre të duhur,- pasurimit, parasë, famës, të shijuarit e qejfeve që të ofron jeta. E gjithë kjo është sa e zbavitëse aq edhe e mjerë, naive dhe e sinqertë! Raimonda MOISIU

    Reply to this comment
  3. Fenolftaleina qe rrefen veprimin May 19, 15:08

    Me vjen keq per shkrimtarine e Tiranes,
    qe nuk e ka nje gazetar si Kim Mehmeti i shqiptareve te trojeve pertej Drinit, lume qe “kalon
    mes per mes Shqiperise”, sic shprehej Lasgushi…
    Bashke me Mehmet Krajen, duhen lexuar me endje dhe thellesi ne ç’shkruajne…

    Kraja ne Prishtine ka nje “trup” me te madh, Mehmeti afer Shkupit ka me shume zjarr ne thengjijt e syve te tij, por e formesojne memedhetarin gjer edhe ne cmim te gatshem per ta paguar perditshem…

    Kim, per shkak te vesit te shpreses, eshte ndonjehere edhe entuziast, i tille ishte me Berishen ne krye te heres, me kujtohet edhe me ndjese paste Arber Xhaferin e PDSH-se, pastaj edhe me Ali Ahmetin e BDI-se dhe tashme me Albin Kurtin ne Prishtine…
    Por po ky Kim, nuk ka vonuar te ftohet me ta, kur ata apo te afertit me ta, kane krijuar e ushtruar “tendero-kracine” e radhes…

    Ky indikator, kjo fenolftaleine, qe shfaq kahjen dhe veprimin qe po ndodh…

    Reply to this comment
  4. Alfreso May 19, 15:59

    Shume objektive Kim Mehmeti.Analize e matur dhe teper racionale ne vertetesine e saj.E rendesishme eshet dhe kjo njekohesisht fatkeqesi qe sundimtaret tane na i percaktojne armiqte tane…Nje nga keta ka qene Enver Hoxha,por edhe Berisha,i cili pavaresisht maskes se demokratit qe ka mbajtur ne keto vite ,shpesh nuk ka ngurruar te tregoje dhe fytyren e vertete te nje armiku te poipullit dhe te vendit,qe i qiti syte me ato dy gishtat gjoja demokratike..me ben pershtypje nje fakt i shemtuar i perbashket ui ketyre dy partive ne kete pluralizem nje partiak..Ps-ja kerkon ta coje plakun Berisha ne pension,ti jape dhe nje kompjuter.?!.Po kete gje kerkon edhe Pd -ja per Ramen ,te iki ne shtepi?!Asnjera nuk thote qe ti jepen drejtesise !Te jete drejtesia ajo qe te thote fjalen e saj.Drejtesia e varur ,vetem hesht!Ajo eshte pa personalitet!Sepse eshte e shitur tek keto dy parti!

    Reply to this comment
  5. elma May 19, 16:03

    Sakte e ka percaktuar te gjithe realitetin shqiptare ne te gjitha trojet sidomos ne duy momente, indiferencen e tiranes dhe prishtines ndaj shqiptareve ne Maqedoni dhe percaktimin per Sali Berishen si njeri me maske. Bukur, sakte! Pergezime z. Mehmeti

    Reply to this comment
  6. Stefanaq May 19, 16:12

    Berishovic!Ai nuk erdhi,Ate e solli Diktatura,Pjelle agonie e veshur me pardesy te bardhe…
    Korbat e se ardhmes!Ai erdhi per te vjedhur enderren dhe shpresen e nje populli!Berishovic!
    Pardesyte e bardha te Diktatures zeze!Ujqer me lekur qingji,Erdhen per te masakruar,nje popull nje komb!Vrases ordinere!Vegla qorre te agonise shtetit te renuar!Imazhe te rreme demokracie!Perbindesha qe me dy gishtat lart-Liri demokraci.i nxorren popullit syte,I nxorren rropullite!I dogjen shtepite,i vrane diten dhe i qane naten..Makbethe me fytyra Hamletiane!Sa edhe Shekspiri po te ngrihej nga varri,nuk do i njihte per personazhet e tij…

    Reply to this comment
  7. Andoni May 19, 16:21

    Pershendetje?Urime gazetes Dita per kete interviste interesante!Jeni ne rruge te mbare vellezer!Ju po i sherbeni kombit!Shtoni artikujt analitik,opinionet,populli ka nevoje per to!Ditet e mira pasketaj vine!Shqiperia do behet duan apo nuk duan keta maskarenj te perkoheshem.Demagogjia e tyre nga dita ne dite iu ka dale boja!Nuk duam qe edhe Rama te na rezultoi si Berisha,nuk duam ta besojme se eshte lojtar” rezerve “e Ramiz Alise si Berisha e compani.

    Reply to this comment
  8. Lefteri May 19, 16:28

    Pershendetje!Nuk duam te besojme se keto dy parti bashkepunojne nen rrogoz!Po presim Ramen,ka shume pune per te bere..Po ecen ngadale.Po del teper neper media!Po merret shume me fasonet ,duke harruar prioritetet.Berisha ka per tja marr pushtetin ne tavoline..Ai nuk ka per ta falur per aeroplanet-mushkonje,sic e fali Rama me Gerdecin!ne fakt Rama po bashkeqeveris me te!Berisha ka pushtetin legjislativ!hahahaha!Ai po pallet ne parlament si gomari maje plehut dhe keta e degjojne me droje…Edhe Kocua e mallekoi,por nuk i tregoi drejtesine!

    Reply to this comment
  9. Seldi May 19, 16:45

    Radiokrafi me te sakte per politiken shqiptare moti nuk paskam lexuar. Mendim i paster, i qarte dhe krejt i paanshem. Nuk behet pale me asnje. Ia çjerrë masken ALI AHMETI kur i thote se je bashkëfajtore per deshqiptarizimin e Shkupit. Berishes tek i kujton se pushteti nuk eshte i perjetshem dhe se duke vrapuar pas pushtetit desh u bë diktator…. Rames i terheq veshin duke i kujtuar se kryeminstri nuk duhet te jete artist por menaxher i mire. Ketij te fundit i thote qe te pastroj qelbesirat qe ka rrethe vetes.

    Reply to this comment
  10. Te lumte May 19, 16:49

    I jashtezonshem KIM Mehmeti. Si nuk ka ne Tirane një te tille. Po sa kot paskemi qene more jaho. Keshtu thuhen gjerat. sa bukur qe analizon politiken ditore te Tiranes, i numeron te zezat e BErishes, nuk kursen Ramen dhe llumin qe e rrethon. Analiste qe nuk ka frike nga pushtetaret, a te lumte o KIm Mehmeti.

    Reply to this comment
  11. tironaa May 19, 17:00

    Je mendje e madhe o Kim Mehmeti. Sa me ke pelqyer me kete interviste. Kete meritojne Berisha dhe ata te sojit te tij. E ke kopsitur per se mbari dhe politiken e Maqedonise, Je i paarritshem.

    Reply to this comment
  12. tironaa May 19, 17:12

    I madh KIM MEHMETI. Ai i ka bërë një skaner dhe ish-liderit historik të PD, Sali Berishës. Berisha nuk arriti të kujtohet si burrështetas i madh,duke shtuar më tej se Berisha dëshironte të mbetej gjithmonë në politikë, por nëse nuk largohesh me kohë nga politika, mbetesh ‘hero i hipur mbi gomar’.

    Reply to this comment
  13. Sokrati May 19, 19:45

    Hyrja ne Europe do te ndreqi shume gjera!Shqipetaret do dalin nga eresira ne drite!

    Reply to this comment
  14. Dr. Vehip (Veip) Proda May 19, 21:12

    “Shkodranët kanë një fjalë të urtë: ”Tuj u rrit e tuj u çorodit, tuj u ba ma zog gomari”! Unë do ta ndërtoja në fjalë të urtë për publicistin, shkrimtarin dhe intelektualin e shquar, Kim Mehmeti, një dishepull i denjë i kombit shqiptar në trojet etnike shqiptare në Maqedoni, përndryshe në Iliridë: “Tuj u rrit e tuj u përndit, tuj u ba më atdhetari”!
    Shkas për këtë koment timin u bë intervista e Kim Mehmetit dhënë gazetës “Dita” të datës 19 maj 2014. Midis problemeve që ai shtron në intervistën e tij, mua më tërheqin vëmendjen, për të cilat dua të reagoj, dy çështje kapitale. Së pari, shqiptarët, kuptohet politikanët, druhen të interesohen për pjesët e kombit tone, që janë copëtuar në gjashtë pjesë, përndryshe në gjashtë shtete, se mos shtetet e tjerë reagojnë për ato që mund t`u ngjajnë bashkëkombasve të tyre në trojet etnike shqiptare në Ballkan! Kjo është një marrëzi, në mos poshtërsi, po të jetë e vërtetë, sepse vihet shenja e barazimit midis trojeve etnike shqiptare dhe të drejtave kombëtare, politike, ekonomike, juridike, socialkulturore dhe njerëzore të shqiptarëve dhe të drejtave të njeriut të grupeve etnokulturore që janë ngulitur në trojet shqiptare. Së dyti, se është zbehur për të mos thënë se është fshirë roli i shtetit amë, Shqipërisë, në Ballkan. Kush shkëputet nga roli i Shqipërisë si vendi amë, do të thotë se i bishtëron,i anashkalon dhe i braktis detyrat dhe detyrimet ndaj pjesëve të kombit, pavarësisht subjektivitetit të tyre, çka përbën qëndrim të “pastër” kundërkombëtar. Por, jo vetëm kaq. Që të jesh në rolin kombëtar të shtetit amë, është e domosdoshme që politika dhe politikanët e shtetit amë, Presidenti, kryeministri, Parlamenti, partitë dhe organizatat politiko-shoqërore, intelektualët dhe shoqëria shqiptare të jenë në nivelin e kërkesave të kohës dhe të imponohen, brenda dhe jashtë gjirit të kombit, për ecurinë e çështjes kombëtare shqiptare. Çështjet që shqetësojnë, pjesët e kombit shqiptar, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovëës dhe në trojet e tjera etnike shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi, në Greqi, por edhe diaspora, janë çështje të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve kudondodhen, të cilët kanë njëlloj të drejta dhe detyrime. Aq më tepër kjo vlen për Republikën e Shqipërisë si shteti amë i shqiptarëve do apo s`do kush e, pas saj, edhe i Kosovës si subjektivitet i mëvetësishëm shqiptar sot, në Ballkan, në Europë e në botë. Prandaj, çdo bishtërim nuk ka justifikim, por ama e ka një shpegim: ose kemi të bëjmë me ndërgjegje të ulët kombëtare, ose me pozicione mafioze kundërkombëtare, ose me vasalitete kundërshqiptare. Nga gjendja reale e çështjes kombëtare shqiptare, duket qartë edhe gjendja e ndërgjegjes kombëtare, politike, atdhetare e stafeve politike dhe shoqërore gjithshqiptare. Kjo është e padyshimtë, për të mos thënë është absolute!
    Gjendja reale kombëtare, politike, ekonomike, socialkulturore e më tej, e pjesëve të kombit shqiptar dhe trojeve të tyre etnike në Ballkan dhe diasporë, është pasqyra e fytyrës së shtetit amë, Shqipërisë! Duhet ta pranojmë hapur se roli dhe ndihmesa e politikaneve shqiptarë në vendin amë, në Shqipëri, kuptohet jo toptan, ka qënë çoroditëse, përçarëve dhe në disa raste, tradhëtare. Diametralisht i kundërt ka qënë qëndrimi i popullit në Shqipëri, me përjashtim të fansave të verbër të partive politike. Nuk ka si të shpegohet ndryshe, në trojet etnike shqiptare, kur në një komunë me popullsi shqiptare shumicë dërrmuese, absolutisht dhe relativisht, fiton depudeti i kombit pakicë që kërkon majorizimin dhe sundimin ndaj shqiptarëve, falë përçarjes së politikanëve shqiptarë, fantoshë a spiunë! Kjo ngarkon me përgjegjësi në radhë të parë politikanët e subjekteve përkatëse në vendet ku jetojnë dhe politikanët e Tiranës e të Prishtinës që veprojnë si struci, jo se nuk e dinë detyrën që kanë, por sepse nuk duan telashe, nuk duan të rezikojnë rentat, ofiqet dhe kolltukët! Kjo gjëndje është pasojë e mosbërjes së Kuvendit Kombëtar Gjithshqiptar, i cili do të kishte përcaktuar vijat e bardha të çështjes kombëtare, përndryshe do të kishte miratuar Platformën Kombëtare, Sociale dhe Politike; Strategjinë Afatgjatë, Afatmesme, Afatshkurtër; Programin Maksimal, Oprimal dhe Minimal, të Kombit Shqiptar. Korifejtë dhe intelektualët e shquar shqiptarë nuk e bënë një gjë të tillë. Prandaj ata sot, janë të zhvlëftësuar dhe s`bëjnë dot më opinion publik, sikundër bënin më parë, që lëviznin nga vendi turma të tëra kur flisnin ata! Kjo s`është pak, është një hata! Prandaj edhe politika është bërë e shfrenuar, sepse është lëshuar nga zinxhiri, nga që nuk ka kufij, shkelja e të cilëve do të përbënte tradhëti! Sot, kombi ynë ka në gjirin e tij eskorta të tëra kundërkombëtare dhe kundërshqiptare, që punojnë me ngarkesë të plotë! Prandaj, jo vetëm serbomëdhenjtë e grekomëdhenjtë, por edhe politikanucët maqedonas e malazezë, bëjnë qejf, sepse e tërheqin për hunde ariun shqiptar! Ka ardhur koha ose të bëhet kthesë, ose ta marrë në dorë çështjen pjesa më vitale dhe më idealiste e kombit! Sot, kombi ynë ka nevojë për një udhëheqës me staturë për t`u bërë burrë shteti, që ta marrë në dorë situatën. Atij nuk I duhen më shumë se sa dija dhe zemra! Ndryshe, ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti…!”

    Reply to this comment
    • Gent14 May 20, 13:49

      Një shkrim shumë realist ky juaji qjë meriton nderime. Shpresoj shqiptarët t’i lenë mënjanë përkatësitë politike e të kuptojnë realitetin ku na ka cuar politika e deritanishme kundërkombëtare.

      Reply to this comment
  15. Mark uk May 19, 21:36

    Edhe Kim Mehmeti e siguroj pasaporten shqipatre si Rexhep Qoaja.Edhe kti Rama si cdo kush qe shkruen kunder Berishes i siguron cfar te kerkoj.

    Reply to this comment
  16. Jozi May 19, 23:05

    ZOTRI JE SHPREUR GABIM JO DIKTATOR POR NJE I SEMUR MENDOR

    Reply to this comment
  17. SISAKU May 20, 01:14

    Kim Mehmeti eshte nje intelektua atdhetar I pashoq qe e do kombin shqiptar te bashkuar. Po s,mund te permbyse mentalitetin e me shume se 100 partive te felliqura qe duan vetem te pasurohen e te mashtrojne elektoratet e tyre qe u besojne,. Po drejtojne politiken ata qe nuk dihne se c;eshte demokracia e kombi

    Reply to this comment
  18. Meteh May 20, 07:55

    Tu lumt Kim Mehmeti,i ke rene pikes,por Berisha nuk mer vesh,ai eshe i rrjedhur,eshte per ne azile ose pavionin 16 Vlore.

    Reply to this comment
  19. Longari May 20, 08:00

    Respekt per Kim Mehmetin, kete burre te zgjuar te pjeses me fatkeqe te kombit.

    Reply to this comment
  20. Tradita May 20, 09:57

    Te lumte Kin Mehmeti,iu bashkangjite dhe ti te gjithe qelbesirave te kombit qe ne vend qe gjykojne realisht mbi vlerat bien pre e nje propogande pothuaj enveriste. Asukush ne politike nuk eshte i pagabueshem por Sali Berisha eshet maja me e larte poitike e ketij kombi pas viteve 1939.

    Reply to this comment
  21. Social June 14, 19:39

    Sa ralle na bie te lexojme intervista qe ke qejf ti lexosh me nje fryme. Nuk e kam degjuar dhe as lexuar me pare Kim mehmetin por mora shkak nga kjo interviste dhe me la pa mend. Thjesht dhe pa komplikime I jashtezakonshem.

    Reply to this comment
  22. MARKO June 14, 20:59

    Po pse i hipen gomari gomarit?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*