Meksi: 26 vjet nga revolta në stadiumin e Kavajës

March 25, 2016 10:10

Meksi: 26 vjet nga revolta në stadiumin e Kavajës

Nga Aleksandër Meksi

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit të dy Gjermanive ishte e qartë për këdo se sistemi komunist kishte falimentuar dhe përfundimisht edhe transformimet demokratike filluan në të gjitha vendet e ish- lindjes komuniste. Ky proces i filluar nga Gorbaçovi në mëmëdheun e komunizmit me dy parullat emblemë : transparencë e pjesëmarrje, shkallë-shkallë preku të gjitha këto vende. Veç Shqipëria komuniste e Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, që nuk perëndon, nuk tundej nga istikami.

Kavaja mund të quhet me plotë gojën si djepi i parë i kundërshtimit masiv të shqiptarëve ndaj regjimit komunist, ku të gjithë banorët e saj, me kurajë dhe guxim, e në mënyrë spontane apo thuajse të paorganizuar, filluan rezistencën apo revoltën reale. Dy muaj më parë, në mes të janarit, ishin shkodranët, demokratë të kahershëm që tentuan të rrëzonin bustin e gjakësorit Stalin, babait shpirtëror të komunistëve shqiptarë, që mburreshin ato vite se ishin besnikë të stalinizmit dhe enveristë. E patën lënë për në 14 janar, por Sigurimi një natë përpara ditës së caktuar bëri dhjetëra arrestime, i torturoi e gjymtoi në qelitë e veta, i dënoi, e ndonjëri prej torturave, vdiq vite më vonë.

Filloi pra të frynte e të ndihej era e ndryshimeve edhe në qëndrimin e njerëzve.
Në fund të muajit ndodhi në Tiranë grumbullimi i heshtur në sheshin përpara Pallatit të Kulturës, me pritjen se diçka do ndodhte. Pavarësisht kësaj, ajo prani e heshtur e banorëve të qytetit kryesor të vendit tregoi se njerëzit kërkonin e prisnin ndryshime. Pati dhe këtu arrestime e rrahje të të arrestuarve, duke i quajtur ata organizatorë, kur dihej mirë se të tillë nuk pati, por kuptohet mirë që për regjimin ata që dolën ishin kundërshtarë.
Ramiz Alia dhe të tijtë me raprezaljet që pasuan, treguan se nuk do të lejonin që ndokush të kërkonte demokratizimin e vendit si të tjerët, e aq më tepër largimin e komunistëve nga pushteti i dalë “nga gryka e pushkës”.

Në Kavajë qysh nga fundi i vitit ’89 pati fillesa protestash nëpër mbledhje me punonjësit e të dërguar nga qendra, pati edhe trakte kundër regjimit. Tentativa organizimesh pati dhe para marsit. Kjo ishte klima antiregjim që parapriu e përgatiti protestën në stadium. Atë e nxiti dhe fjala e përhapur se “ 5 minuta para fundit të ndeshjes ngrini dy gishta lart”. Nën këtë lajm disa të rinj bënë një trakt me thirrjen “Kushtrim” për t’u ngritur kundër regjimit e për ta rrëzuar atë me forcë.

Në mes të muajit mars në Tiranë erdhi lajmi se të dielën më 25, në ndeshjen e futbollit Besa me Partizanin do të ndodhte diçka, do të kishte një demonstratë. Pritëm, dhe të nesërmen lajmet erdhën, madje plot hollësira, pavarësisht heshtjes së mediave dhe institucioneve zyrtare. Për këtë ngjarje të pritshme regjimi nuk qëndroi indiferent, por dërgoi në qytet trupat speciale e sambistë. Kur ndeshja po mbaronte, tifozët kavajas që mbushnin krejt stadiumin filluan të hidhnin parulla kundër regjimit, libra të diktatorit në tokë dhe u përleshën me trupat e ardhur enkas, duke dhënë shembullin e një kuraje të vërtetë e vetëmohuese. Ishin parullat emblemë për ato vite: “Liri Demokraci”, “Enver Hitler”, “Poshtë Komunizmi” “Poshtë Diktatura” e të tjera me përmbajtje të qartë politike e kundër regjimit, të shoqëruara dhe me këngë patriotike.

Menjëherë ndërhyri policia e forcat speciale me të cilat u përleshën të rinjtë. Ndërkohë policia filloi të godiste pa dallim ata dhe të arrestonte disa prej tyre, at që ishin më aktivët dhe në krye të protestës.
Demonstrata pati dhe të nesërmen 26 mars për të kërkuar lirimin e të arrestuarve nga policia e Kavajës dhe të dërguar në Degën e Punëve të brendshme në Durrës. Duhet të shënojmë se në ato ditë në protesta ishin dhe gratë e vajzat e Kavajës.

Një protestë tjetër u zhvillua dhe më 29 mars kur u hap fjala se një nga të arrestuarit në Durrës, Ilir Rrugeja , kishte vdekur nga torturat, ndërsa vëllai i tij Rexhepi, ishte në gjendje të rëndë… Me atë rast gjithë qendrat e punës lanë punën dhe dolën në shesh, u shkua dhe në Durrës ku panë dhe dy djemtë që ishin gjallë, por me shenja të qarta të torturave.

Kjo gjendje tensioni politik e mosbindjeje ndaj regjimit në Kavajë vazhdoi gjatë gjithë vitit ‘90 në qytetin e Kavajës, madje dhe vetë dokumentacioni i kohës e quan “gjendje e rëndë”; pati edhe një të vdekur – dëshmori Josif Buda – pati të arrestuar e të torturuar barbarisht, por dhe të dënuari si Ilir Rrugeja me 1 vit burg, Qazim Karriqi dy muaj burg, Arjan Kazazi tre muaj burg, Fatmir Veliu dy muaj burg , Jak (Zija ) Shtini tre muaj burg, Selaudin Cara 6 muaj burg e shumë të tjerë që u ndaluan nga policia për disa ditë. Të gjithë ata iu nënshtruan terrorit psikik dhe torturave të egra nga hetuesit dhe sigurimsat, por nuk u përkulën.

Kjo frymë e një lëvizjeje antikomuniste për demokraci vazhdoi gjatë në Kavajë dhe sigurisht tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Shembulli i tyre i dha kurajë të tjerëve për të protestuar, i tregoi botës se shqiptarët duan ndryshime rrënjësore, çka rriti presionin ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Partisë së Punës, që vazhdonte në rrugën e vet të gënjeshtrave mbi realitetin shqiptar. Ajo vazhdoi për muaj të tëra në forma të ndryshme deri sa u shpall pluralizmi dhe kulmoi më 25 dhjetor me mitingun e madh për të festuar themelimin e Degës së Partisë Demokratike në Kavajë, në prani të gjithë qytetit.

Ndodhitë e atij viti historik në qytetin e Kavajës mendoj se duhet të studiohen e të njihen me hollësi e saktësi, shkaqet e rrjedha e tyre, protagonistët, dhunuesit, dhe kjo jo vetëm mbi bazën e dëshmive të protagonistëve e të tjerëve që kanë dijeni, por edhe me paraqitjen e tyre në dokumentacionin zyrtar të regjimit, që flet qartë mbi to. Dhe kjo pa ndarë nga situata politike dhe ndodhitë në mbarë Shqipërinë.

Së fundmi një propozim personal për kryetarin e Bashkisë së Kavajës dhe Këshillin Bashkiak : Stadiumit të qytetit t’i vihet emri “ Stadiumi 25 Marsi ”.

March 25, 2016 10:10
Komento

5 Komente

  1. GIOTINA March 25, 11:14

    Me togfjaleshin ‘SISTEM KOMUNIST’ qe nuk e perdor asnje edhe idjot çfar kupton o kryekriminel sa Saliu,o kryehajdut sa Saliu o KRYEGREK sa Saliu KRYESERB qe meriton gjyqin e Hages me tere kliken antishqipetare per krime kunder njerezimit e gjenocid ndaj ketij populli!

    Reply to this comment
  2. g March 25, 12:07

    Nje mendim shume i drejte nga nje demokrat me shpirt jo si ata qe kthyen mbrapsh xhaketat dhe po i nderrojne perdite.

    Reply to this comment
  3. Kariz Matik March 25, 12:47

    Si pjesemarres, deshmitar okular, dhe nje nga te arrestuarit e dites qe pasoi menjehere pas protestes se heshtur te Tiranes, me duhet t’i kujtój z.Meksi, se shfaqja grupe-grupe e atyre pak te rinjve tiranas te mbushur plot urrejtje kunder metodave diktatoriale te regjimit komunist, ndryshe nga c’pretendon ai, ishte i organizuar. Deshtimi i protestes mund te deshmoje ndoshta menyren e dobet te organizimit te saj, por kurresesi per mungesen e organizatoreve. Se cilet ishin keta te fundit, kete me mire se vete ideatoret e saj, te cilet takoheshin zakonisht mbremjeve te kafja e 15-kateshit, duhet ta dine garipat e SHIK-ut, te cilet menjehere pas tentatives se shkodranve per te rrezuar bustin e monstres bolshevike, kishin vene ne levizje te gjitha mashat dhe mjetet e survejimit per ta parandaluar ne kohe, apo per ta neutralizuar me cdo kusht efektin domino qe mund te sillte pershkallezimi i metejshem i protestes. Jo me kot, pikerisht qe ne mesnaten e dites se protestes, te gjitha rruget qe te conin ne sheshin Skenderbej ishin mbushur plot me sigurimsa, kurse vete qendra e Tiranes ishte blinduar me kamiona ushtrie, brenda te cileve fshiheshin kokat e gardisteve te armatosur gjer ne dhembe.

    Protesta e heshtur edhe pse jo masive, ishte i vetmi rast i bere publik i asaj kohe dhe me pas. Kurre ne ate kohe nuk u perfol se nga fundi i vitit ’89 ne Kavaje na paska patur gjoja fillesa protestash nepër mbledhjet e partise se punes, dhe se bile na qenkan hedhur trakte kundër regjimit. Dokrra! Keto personalisht me duken sajime komunistesh per te percmuar rolin qe kishte protesta e vertete kunder regjimit. Nese pikerisht ne ate kohe protesta do ishte perkrahur masivisht nga qytetaret e Tiranes, dhe do te perhapej si rrufe ne te kater anet e vendit, sot ne Shqiperi do te kishim nje demokraci te vertete dhe funksionale, dhe jo kete anarshi kaotike qe na kane lene peshqesh ish-kryeministrat dygishtore.

    Mendoj se nga gjithe ky shkrim, me i rendesishmi me duket paragrafi i parafundit i tij, ku autori flet mbi rendesine qe ka studimi me hollesi e saktesi i ngjarjeve te dhunshme te Kavajes, si dhe njohja e shkaqeve, e protagonisteve, e dhunueseve te vertete. Mos ndoshta nje analize e thelle do te hidhte drite mbi prapaskenat e atyre qe po e mbajne peng Shqiperine edhe sot e kesaj dite?

    Reply to this comment
  4. mano mano March 25, 13:10

    Z. Meksi ! Me duket guxim i madh, deri ne pafytyresi qe njerez si ti, Saliu e shume te tjere te evokoni ” revolta ” stadiumesh si ky rasti ketu kunder nje regjimi pas 45 vjetesh te sundimit te tij, ne nje kohe qe kunder sundimit tuaj populli u ngrit disa here me shume dhe me me shume force vetem 4-5 vjet pas ardhjes ne pushtet. Do te ishte me mire te heshtnit pasi jeni nje turp i historise kombetare.

    Reply to this comment
  5. USA March 26, 15:48

    “Gijotina” e mbeshtese shkrimin tu.aj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*