Mendime kalimtare: Për Frederikun dhe Moikomin

March 24, 2020 21:40

Mendime kalimtare: Për Frederikun dhe Moikomin

 

Nga Bedri Islami

 

Frederiku

Frederik Reshpja, i shëmtuari për hir të bukurisë së artit, me gjithë jetën e tij të pazakontë, mes së keqes dhe të fatkeqësisë kishte gjithnjë një pafajësi të pakthyeshme, të patjetërsueshme dhe herë herë magjike.

Ai rikthehej mes njerëzve , që më shumë i donte se e donin, gjithnjë si në gjenezën e jetës së tij, krejtësisht i pastër, sa dukej si një fëmijë i porsa dalë nga një banjë e gjatë dhe e nxehtë.

Në momente të veçanta ai ishte Princi i lumtur dhe, pastaj, për një çast kthehej tek e zakonshmja, tek i varfëri; kishte momente kur shpërndante diamantet e tij të pashoq dhe , befas, shkrinte statujën e tij duke e shndërruar në një skelet; në çastet e sinqeritetit të tij ishte i bindur se nuk ishte i bukur, por e donte bukurinë e tij si një narciz i shkallës superiore, sa që shkruante ” kur isha i ri dhe i bukur”…ishte i zhytur aq shumë në mirësi dhe në botën e tij, sa që vetëm trëndafilat në oborrin e shtëpisë së tij mund ta qetësonin; më shpesh i burgosur dhe i pranguar kishte ëndërr se do të mund të fluturonte një ditë; poeti i metaforave mendonte se , te kroi, ku flenë stinët, vallëzon mermeri i legjendave..

Ai, i vuajturi i madh, ishte i mëshirshëm, megjithëse e dinte krejt mirë se mëshira është një sulm dhe frikë nga vetmia.

Nuk përdori kurrë hakmarrjen primitive, nuk hodhi njeri në gjyq, pasi e dinte se hakmarrja vulgare është e çastësshme, ndërsa hakmarrja inteligjente është e përjetshme, dhe ngriti kështu korpusin e polemikave të tij artistike.

Format e njerëzve nuk i shihte, por përmbajtjen e tyre, po!

Nuk kam njohur kurrë njeri më të çuditshëm se sa ai. Rebel që kthehej në përkëdheli, adhurues i vjeshtës, të cilën pastaj e përzë pa mëshirë, vetmitar si dimri, por që e shikonte dëborën si një perëndi ilire, njeriu që ngurronte t’i lutej Zotit, por që shkruante ” O hënë e shiut, bëje Një Iliadë për mua, kur të rrëzohet edhe Troja e fundit”,…

Moikomi

Moikom Zeqo është një artist i madh. I paqtë si njeri dhe polemist si artist. I ndërlikuar në artin e tij; mes nesh sikur vezullon, lëviz, sjell imazhet e papërsëritura dhe të duket si një princ, në fakt është, i mendimit të lartë estetik, shpirtit të mrekullueshëm. modernizmit të jashtëzakonshëm, erudicionit ; rreth tij sillen ëndrrat si imazhe, të koncentruara në heshtje dhe, në të njëjtën kohë , në gjëmim.

Ai ka vendosur këmbët e letërsisë së tij në dy kohra; në të sotmen dhe në të ardhmen.

Sa më e fuqishme bëhet e tashmja, aq më tepër ai vjen drejt nesh, si gjërat e mrekullueshme që vijnë në fillimin e stinëve; poezia e Moikomit është si lojrat e ajrit, diellit, erës, mendimit, të ardhmes, perëndive, intimes dhe të përjetshmes.

Ai e ka jetuar këtë shekull dhe ka fituar të drejtën të hapë shekullin tjetër.

Të jetosh mes dy shekujve është veçanti e rrallë, por në fakt, sa më shumë që koha do të kalojë, aq më modern do të bëhet poezia, proza, eseistika e tij.

Një ditë ai do të përbëjë referencën e domosdoshme për atë pjesë të botës që njihet si e Artit.

Mjeshtëria e madhe e artit moikomian qëndron , se duke ngarendur pas një arti të komplikuar e njëkohësisht tejet të prekshëm, ai krijon, zbulon, duke e fshehur artin e tij.

Ashtu si Moisiut që iu përshfaq Zoti në formën e një shkurreje që digjej në flakë, por nuk konsumohej dot, ashtu edhe arti i Moikomit , si një klithmë e pashoqe poetike, është i padjegshëm nga koha.

Arti i Moikomit është si koha: do të thotë mbarimi i pambërritshëm i një serie të pafund.

Në fakt, ai ka krijuar një bibliotekë, ku janë sëbashku shumë gjëra; është madhështia dhe mendimi, rrënimi dhe ringritja, fuqia dhe rënia, e vërteta dhe mashtrimi, e djeshmja dhe një kohë e pacaktuar e së ardhmes, kuptimi i gjërave dhe rrënimi, substanca dhe hija, qytetërimet e mëdha dhe boshllëku, jeta e limituar biologjike njerëzore dhe pafundësia e artit, identiteti dhe kozmopolizmi artistik, ai është pelena e lindjes së një arti të ri shqiptar dhe , dhëntë Zoti, të mos jetë edhe qefini i saj.

 

23 mars, mesnatë – 24 mars, mëngjes, 2020

March 24, 2020 21:40
Komento

1 Koment

  1. Guri Naimit D.(Dh.Xh) March 26, 11:54

    Ditët NJËMIJË! 0 njërës mëse NJERZORË!

    I nderuari Bedri Islami,që me ju rritur e plakur,po sot teksa ju lexova shkrimin e më spërm. për të Madhin e të rralin PENE Moikom Zeqo,mbi të gjitha- KRIJUES NJERI -ROITA-83 vjecar,më 10 Qershor84- arifsha ..
    .
    Faleminderit.sa i përjetshëm Kujtimi i të madhit artist,si një jetë me Të -Fredërrik Repshia i RRALLË -.artist KRIJUES.
    Ditët NJËMIJË! o NJERËZ -mëse NJERZORË.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank