Doni të njihni një shqiptar të 1869-s?

January 14, 2016 19:29

Doni të njihni një shqiptar të 1869-s?

Bëhet fjalë për vitin 1869 dhe gazeta quhej “Die Debatte”, botohej në Vjenë dhe ekzistoi nga viti 1864-1869. Orientimi politik i saj, ishte ai tradicionalist konservator.

Materiali në tërësi, ashtu siç është theksuar gjatë numrit të parë, ka një peshë vërtetë të konsiderueshme, pasi konstatohet lehtësisht se autori ka shkruar pa rezerva rreth karakterit, forcës, zakoneve,  e për më shumë, rëndësisë së faktorit shqiptar në rajon, duke sjellë në vëmendje njërin ndër kontributet më pozitive, shkruar ndonjëherë në hapësirën europiane të kohës rreth shqiptarëve, paçka se aty gjendet edhe ndonjë pasaktësi.

Duke pranuar se shkrimi i tij reflekton jo vetëm teoritë dhe praktikat e kohës, por edhe dijenitë e kufizuara në fusha të caktuara.

Më poshtë po botojmë një pjesë të artikullit “Mbi shqiptarët”, botuar në vitin e largët 1869:

 

“… Në radhë të parë, përsa i përket pamjes së tij të jashtme, ai ka të përbashkët me malazezin, serbin, apo boshnjakun, vetëm staturën trupore elegante; përsa i përket të tjerave, ai ndryshon thelbësisht prej tyre. Zakonisht ai është më i shkurtër, më i ngjeshur e këndor se sa ata, dhe forma e tij trupore shënjohet nga një proporcion më i bukur i pjesëve të trupit. Fytyra formon një ovale të rregullt me ball të gjerë dhe mollëza faqesh të ngjeshura fort, me hundë të prerë bukur dhe nofulla që shohin para. Syri është i lirë dhe i hapur, vështrimi i hollë dhe i gjallë, dhe qëndrimi, lëvizja dhe ecja janë plot krenari. Siç kuptohet nga të gjitha çka përmendëm, të gjitha këto vlejnë për seksin mashkull.

Gjinia femërore, sidoqoftë, është e veshur me një bukuri të shkëlqyer, por e gjitha kjo, për shkak të stadit social që zë femra në shoqëri, i cili mund të përshkruhet si tepër modest, nuk vihet shumë në dukje si një përparësi, siç është tek burrat.

Kostumet tradicionale kombëtare janë padyshim më të bukurat ndër të gjithë kostumet orientale. Mua të paktën, në udhëtimet e mia në Lindje, nuk më ka rënë në sy asnjë tjetër që të jetë më i bukur se sa kostumi shqiptar.

Banesat e shqiptarëve përbëhen zakonisht nga shtëpiza të vogla njëkatëshe me material të papërpunuar me nga dy dhoma dhe një haur për mbajtjen e ushqimeve. Në çdo shtëpi gjendet një kopsht i vogël dhe në çdo fshat një lëndinë e lirë, në të cilën në ditët e festive, apo ato me diell, populli mund të dëfrehet.

Arredimi i brendshëm i banesave i përgjigjet nevojave të thjeshta. Mindere të veshura e mbushura me material të butë, apo divane dhe ca rrugica e qilima, formojnë zakonisht të gjithë komfortin shtëpiak shqiptar.  Lokalitetet janë pjesërisht apo më së shumti fshatra, pjesërisht kështjella të ngritura mbi shkëmbinj të paarritshëm, në të cilat ndonjëherë, i zoti jeton aq i izoluar sa dikur edhe kalorësi gjerman në kështjellën e vet. Ndër qytetet më të rëndësishme janë Durrësi dhe Vlora në brigje, dhe në brendësi të vendit, Shkodra, Elbasani, Janina etj.

Në pikëpamje të mënyrës së tyre të jetesës, shqiptarët janë jashtëzakonisht racionalë dhe ekonomikë. Ushqimi i tyre përbëhet kryesisht nga qumështi, drithërat e zarzavatet, ndër të cilët misri formon komponentin më të rëndësishëm ushqimor. Nga pijet, ata duan më shumë verën, madje edhe muhamedanët, dhe përveç saj, atë që në të gjithë Orientin, është shumë e përhapur e që emrin e ka raki, një lloj vere e bërë nga rrushi i zier. Nga pikëpamja e zanatit që ata ushtrojnë më shumë, janë blegtorë e bujqër.

Kanë prirjen e çuditshme për të braktisur vendlindjen dhe kërkuar fatin e tyre gjetkë në botë. Preferojnë të punësohen si ushtarë me pagesë në shërbim të të huajve, qysh prej nënshtrimit të vendit të tyre në mënyrë definitive nga turqit, kanë qenë në mënyrë preferenciale në shërbim të këtyre të fundit. Ata formonin edhe në ato kohë shpesh shtyllën e ushtrisë turke, dhe krerët ushtarakë më të zotë të saj, ishin rëndom shqiptarë.

Në kohë luftërash, shqiptarët shpesh kanë bërë edhe plaçkitje dhe grabitje në vendet fqinje, më konkretisht në Maqedoni, Thesali dhe në Greqinë e sotme, e prej këtej deri në Moré, dhe aty ku u pëlqente, ata edhe nguleshin. Nga e gjitha kjo, shpjegohet shpërndarja e madhe e shqiptarëve në gadishullin ilirik, kryesisht në pjesën jugore të tij.

Në këtë rajon, ata formojnë pjesën më të madhe të popullsisë, dhe madje në Veri të Greqisë ata janë më të shumtë në numër se sa vetë grekët, dhe vendi këtu tek e fundit vetëm emrin mban të tillë. Disa fise, siç janë lebërit, jetojnë kryesisht nga kaçakëria dhe bëjnë një jetë të vërtetë banditësh dhe e përcjellin jetën jo rrallë nëpërmjet zjarrvënies e vrasjeve.

Feja e shqiptarit në kohët e moçme ka qenë ajo kristiane, dhe sipas ritit, ajo greko-orientale. Edhe konfesioni katoliko-roman ka gjetur vend në kohët e hershme në Shqipëri. Por një pjesë e popullit, pas pushtimit të vendit nga turqit e gjeti të përshtatshme të konvertohej në Islam. Ata shqiptarë që mbetën u bënë rajâ, që do të thotë “nënshtetas heterodoksë të Portës”. Qysh prej asaj kohe, në Shqipëri jetojnë pranë njëri-tjetrit dy bashkësi religjoze kryesore, ajo muhamedane dhe ajo greko-orientale, pasi ajo katolike aty është pak e përfaqësuar.
Shqiptarët, nga natyra posedojnë kapacitete të mëdha për arsim e mësimnxënie, vetëm se atyre u mungojnë mjetet dhe mundësitë, për të ecur përpara. Përsa i përket karakterit të shqiptarëve, duhet të tregojmë kujdes për të mos gjykuar nga lëkura e sertë që tregojnë jashtë. Ajo fsheh në vetvete një farë fisnike. Për ta, mikpritja është e shenjtë. Shqiptari është ambicioz, i dhënë pas veprave, energjik dhe ngacmohet lehtë në sedër…”

(Gazeta austriake, “Die Debatte”, 27 mars 1869) – DITA

 

January 14, 2016 19:29
Komento

5 Komente

  1. Arbjoni January 14, 19:42

    S’paska kaluar fare nga Peqini, Kavaja, Myzeqeja, Kurveleshi ky austriaku…

    Reply to this comment
  2. demo January 14, 21:33

    NUK KA GABUAR SHUME

    Reply to this comment
  3. Nazim January 15, 01:13

    perse nuk jepet emri i autorit?

    Reply to this comment
  4. Edi January 15, 11:11

    Eh. Keto jane pershkrime me ngjyrime romantike te kohes. Nuk kane ndonje vlere te madhe historike. Jane shume pergjithesuese dhe jo reale. Do kete qene shkrim i Falmerajerit.

    Reply to this comment
  5. odin January 15, 17:38

    Vini re “gadishulli ilirik” e jo ballkanik…vriteni mendjen pse e kush e nderroi ne ballkanik

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*